Vizita e varreve
Profeti ynë, duke parë se në varreza vazhdonin disa prej zakoneve të kohës së xhahilijetit, i ndaloi besimtarët që të shkojnë në varreza. Më vonë, ai e shfuqizoi këtë ndalim dhe tha: “Unë ju kisha penguar prej vizitës së varreve. Tani e tutje, vizitojini varret!” Në këtë mënyrë, ai i nxiti besimtarët që t’i vizitojnë varrezat. Sepse këshilla më ndikuese që mund t’i shpëtojë njerëzit prej të dhënit të tepruar pas kësaj bote qëndron te varret. Në fakt, Profeti përmendore i humanizmit (paqja qoftë mbi të!), i vizitonte shpesh varret. Së paku një herë në javë ai vizitonte dëshmorët e Uhudit. Në një prej vizitave të tij në varreza, pa një grua në krye të një varri që qante e vajtonte me të madhe, çirrte fytyrën dhe shqiptonte fjalë të papërshtatshme... e pa dhe deshi që t’i afrohej gruas për ta këshilluar. Gruaja nuk e njihte Profetin.”M’u hiq qafe!”, i tha, “ti nuk i di ato që më kanë rënë mua mbi krye!” Profeti, pa thënë asnjë fjalë, u largua prej gruas. Kur ata që ndodheshin aty shkuan e i thanë gruas se ai kishte qenë i Dërguari i Allahut, ajo u trondit edhe më keq, sepse pa dashje, kishte treguar mungesë respekti për të Dërguarin e Allahut. Shkoi me vrap në shtëpinë e Profetit. Pa trokitur fare, hyri brenda dhe i kërkoi Profetit të falur. I Dërguari i Allahut, si përgjigje të urtë, i tha asaj këto fjalë: “Durimi bëhet kur pëson tronditjen e parë prej fatkeqësisë.”98 Me kaq pak fjalë, i Dërguari i Allahut kishte sqaruar në një retorikë të mrekullishme një çështje që do të mund të shpjegohej në vëllime pas vëllimesh.
Shënimet
- 81.Muslim, Xhenaiz, 47, 105; Ebu Davud, Xhenaiz, 77; Nesai, Xhenaiz, 101. 98 Buhari, Xhenaiz, 32, Ahkam, 11, Muslim, Xhenaiz, 15.