Të ndryshosh gjendje
Të bësh durim, të shtrëngosh dhëmbët, të qëndrosh, të përmbahesh, të mos tutesh, të mos të të paralizohet vullneti, të mos e mbash zemrën gjithë kohës të rënduar me ngjarje të hidhura dhe të mbash veten, natyrisht që nuk është një punë e lehtë. Por sidoqoftë, të gjitha këto duhen bërë në çastin e goditjes së parë të fatkeqësisë. Sepse të ndryshosh vend, të zhvendosesh në kushte të tjera, nga ana psikologjike, i siguron gjithmonë njeriut ndryshim në gjendjen shpirtërore dhe e bën që t’i harrojë ngjarjet tronditëse.
Le ta zëmë se na ra mbi krye një fatkeqësi. Në pamje të parë, duket sikur kësaj fatkeqësie nuk mund t’i bëjmë ballë... Menjëherë duhet të gjejmë mënyrën për ta kapërcyer këtë tronditje. E kjo bëhet duke e ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhemi. Nëse jemi në këmbë, mund të ulemi, nëse jemi të ulur, mund të shtrihemi ose mund të ndryshojmë rrethanat e punës që kryejmë; për shembull, mund të marrim abdes, të falim namaz dhe t’i shmangemi temës së bisedës për të cilën flasim më pak... Ose mund të largohemi krejt prej vendit ku ndodhemi dhe të gjejmë strehë në një tjetër atmosferë. Nganjëherë, nëse marrim një sy gjumë, kjo mund të na mjaftojë për ta kapërcyer tronditjen. Pavarësisht nga forma, këto ndryshime të bëra në gjendje, në vend a në veprim, e zbusin ndikimin e tronditjes dhe një fatkeqësi që duket e padurueshme e lehtësojnë sado pak.
Durimi është shumë i nevojshëm edhe në kuadrin e vazhdimit të ibadeteve. Në fillim, për dikë që sapo e ka filluar namazin, ky ibadet mund të duket i vështirë, por duke bërë pak durim dhe duke e bërë shpirtin një me namazin, vjen puna që nëse i ikën një vakt pa e falur namazin, atij njeriu i duket vuajtja më e madhe e botës. Edhe për ibadete si agjërimi, zekati apo haxhi mund të thuhen të njëjtat gjëra.
Njeriu duhet t’i përgjigjet me të njëjtin durim edhe haramit. Qëndresa që tregohet që në përballjen e parë me mëkatin i thyen të gjitha të ligat që mund të vijnë prej tij dhe në këtë mënyrë, njeriu e kapërcen atë tronditje. Për këtë arsye, Profeti ynë i thotë Hz. Aliut: “Shikimi i parë është në favorin tënd, ndërsa i dyti është kundër teje.” Domethënë, syri mund të shkasë në mëkat, por nëse njeriu e mbyll syrin dhe e kthen fytyrën tutje, kjo për të jo vetëm që nuk shkruhet si mëkat, por përkundrazi, mund të shkruhet si sevap për arsye se ai nuk pranoi ta shihte të ndaluarën. Por një shikim i dytë dhe të tjerët pas tij ngulen në zemrën e njeriut si heshta të helmuara, e përlyejnë botën e brendshme të njeriut, ndërsa vullneti i tij e humbet tendosjen shpirtërore. Sepse çdo shikim kah e ndaluara është në hukmin e një ftese që, nga njëra anë, lehtëson rrugët e hyrjes në haram. Për pasojë, çdo shikim është ftesë për një tjetër shikim. Tashmë, ai njeri i hap velat kundrejt të ndaluarës dhe niset në det të hapur në një udhëtim, kthimi prej të cilit është shumë i vështirë. E pra, ndër këshillat më të arta që na ka dhënë i Dërguari i Allahut është ajo që, ende pa rënë në një gjendje të tillë, sapo të përballemi për herë të parë me të ndaluarën, të bëjmë durim e të kthejmë fytyrën, të mbyllim sytë përpara haramit.
E ndërsa njeriu sillet kundrejt së ndaluarës në këtë mënyrë, kjo kthehet tek ai në një zakon, në pjesë të karakterit, sepse me këto ushtrime që ai kryen, drita e besimit i kthehet në një barrierë të vërtetë mbrojtëse kundrejt mëkateve, që janë si shkëndija prej zjarrit të skëterrës. Në këtë mënyrë, largimi i shikimit prej së ndaluarës bëhet pjesë e sjelljeve të tij të natyrshme. Nëse i shkon në mendje diçka tjetër veç kësaj, menjëherë e ngjyen gishtin në mjaltin e hojeve të imanit që mbart në shpirt dhe në sajë të këtij mendimi të shëndoshë, me shijen e dashurisë hyjnore, largohet prej gjithçkaje që e largon prej kësaj atmosfere shpirtërore. Për një njeri që ndodhet në një gjendje të tillë, vështirë se mund të mendohet që të bjerë në mëkat me vullnetin e vet.