Ithari
Ithari ka kuptimin e të dhënit përparësi të tjerëve më shumë se vetes. Sipas moralistëve, kjo do të thotë të mendosh për interesat e shoqërisë përpara interesave vetjake, si në këndvështrimin e tasavvufit, me një gjykim të dëlirë e me mendimin se gjithçka është kalimtare, të heqësh dorë krejtësisht prej të gjitha ëndjeve vetjake të të jetuarit dhe të fitosh të drejtën e të ekzistuarit me kënaqësinë e të zbukuruarit të jetës së të tjerëve.
Krejt i kundërt me konceptin “ithar” është koncepti “shubh”, prej të cilit lindin koprracia dhe ndjenja e interesit vetjak, çka janë
llogaritur si arsyet që e mbajnë njeriun larg Zotit dhe larg Xhenetit. Po, prej shubhut rrjedh koprracia, e njohur në arabisht me fjalën “buhl”. Ndërsa prej shpirtit të itharit rrjedhin konceptet “xhud”, “seha” dhe “ihsan”, që shprehin bujari, bamirësi dhe dashamirësi. Me “xhud” kemi të bëjmë kur njeriu, pa ndier asnjë shqetësim në zemër, mund të dhurojë, së paku, një pjesë të sendeve që zotëron dhe kur ai, në këtë mënyrë, jeton e ekziston edhe për të tjerët.
Me “seha” kuptojmë zgjedhjen me përparësi të dhurimit për të tjerët dhe zemërgjerësinë për të menduar më shumë për të tjerët sesa për veten.
Kurse me “ihsan” kemi të bëjmë kur njeriu, pavarësisht se ka nevojë për vete, zgjedh t’u dhurojë e t’u ndihmojë të tjerëve: “Ata nuk ndiejnë kurrfarë shqetësimi prej sendeve që u japin besimtarëve. Edhe nëse kanë nevojë për vete, zgjedhin të tjerët përpara vetes.” (Hashr, 9) Me këtë ajet, ajo që synohet të tregohet është pikërisht maja më e lartë e itharit. Ne kësaj, me atë përshkrim të veçantë e shumë të bukur, mund t’i themi “ihsan”.
Xhudi dhe sehaja, që u munduam t’i prekim shkurtimisht më sipër, njëkohësisht shprehin një ndryshim shkalle e niveli që mund të çojë në këtë radhitje:
Të ecurit në rrugën e Zotit dhe të përkushtuarit të plotë për këtë arsye ndaj besimit dhe besimtarëve, çka përbën majën më të lartë të bamirësisë.
Kryerja e çdo sakrifice në çështjen e pozitave drejtuese e administruese. Kjo, në krahasim me të parën, shihet si një shkallë më e ulët.
Të menduarit për të tjerët në kushtet e lumturisë e të mirëqenies materiale, që në krahasim me të parat është një “heroizëm” shumë më i lirë.
Dhurimi me bujari i diturisë dhe i pasurisë mendore pa pritur shpërblim e shkëmbim, çka nuk është në peshën e të parave.
Të dhuruarit e fryteve të punës, që bën pjesë në detyrimet dhe përgjegjësitë tona, si zekati dhe sadakaja.
Të qenit fytyrëqeshur, gojëmbël dhe të bërit shkak për mirësi të ndryshme, çka përbën një lloj bamirësie që mund ta ushtrojë pa ndonjë mundim gjithkush.
Ndër këto, e para përbën majën e xhudit e të sehasë dhe një thellësi thelbësore të itharit, mbërritja e së cilës nuk është në përfitim të çdo heroi. Këtë heroizëm, autori i Beharistanit e ka hedhur kështu në vargje:
“E lehtë është dorëlëshuar të jesh me argjend e ar, por lum ai që me shpirtin e zemrën tregohet bujar.”