Mirësjellja në të folur
Ata që nuk u japin hakun shpirtit, vullnetit, thjeshtësisë dhe etikës nuk mund të jenë të sjellshëm. Në shumicën e rasteve, zemrat thyhen prej atyre që nuk janë të ndjeshëm në përdorimin e gjuhës. Njerëzit që nuk e dinë se çfarë etike të folur duhet përdorur sipas temës, pozitës dhe bashkëbiseduesit, as që e vënë re se si i rrëzojnë një nga një bredhat e zemrës.
Shkelja e etikës së gjuhës qoftë me gojë, qoftë me shkrim, më së shumti buron prej sjelljes sipërfaqësore kur themi diçka që i shkon në mendje gjithkujt. Nuk mund të themi se njësimi në një tërësi i së jashtmes me të brendshmen, apo sinqeriteti, nuk kanë rëndësi. Sidoqoftë, një sjellje gjuhësore e pakujdesshme nuk ka lidhje me sinqeritetin. Një njeri që është mësuar të shprehë pohime të llojllojshme, nuk mund të tregojë natyrën e vet si pretekst për këtë. Për të folur drejtpërdrejt e me çiltërsi, nuk ka nevojë që të bezdisim bashkëbiseduesin. Përkujdesja në çdo hollësi për sjelljen gjuhësore është plotësisht një çështje vullneti. Po, po! Njeriu i pagdhendur e ka zemrën në majë të gjuhës, ndërsa i mençuri e ka gjuhën në pikën më të thellë të zemrës.
Kjo do të thotë se gjuha nuk duhet të jetë në majë të gjuhës, por gjuha duhet të jetë pas zemrës. Për të mos e thënë çdo të vërtetë në çdo vend, gjuha nuk duhet të jetë as më e madhe e as më e lartë se mendja, ndërsa duhet të hyjë nën urdhrat e zemrës. Edhe për të mos bërë përgojim, kjo është e domosdoshme. Sepse nganjëherë, nëse shprehjet fyese që mund të vijnë në majë të gjuhës nuk gëlltiten, nuk i është dhënë haku vullnetit. Që t’i gëlltisësh këto shprehje helmuese, kërkon vërtet burrëri. Kanë thënë: “Gjuha nuk ka kocka.” Sidoqoftë, t’i vësh frerët në duart e zemrës, është diçka që mund të mësohet. Por pas kësaj, nëse gjuha kthehet në mbret, zemra i tërheq frerët. Në fund të fundit, pas njëfarë kohe, gjuha qetësohet, vullneti i vë duart në bel dhe, me shprehjen e një toreadori, e sheh këtë panoramë duke tundur kryet.
Në biseda, për të mos rënë në kurthin e grindjes, duhet treguar kujdes për mirësjelljen. Nëse mendimet e bashkëbiseduesit janë të ndryshme nga tonat, hyrja në debate të padobishme nuk ka kurrfarë dobie. Modelet mendore nuk ndryshohen me debate, por me bisedime e përllogaritje. Ajo që është e rëndësishme nuk është që të triumfosh në argumente, por që ta bësh zemrën të kënaqur. Dhe kjo është e lidhur vetëm me kontrollin e mençur dhe me orientimin e suksesshëm të nijetit të pastër e të dialogut. Nëse duam të hyjmë në zemrën e atij që kemi pranë, nuk duhet ta lëndojmë egon e tij duke nxjerrë në plan të parë çështjet për të cilat mendojmë ndryshe, por duhen kërkuar rrugët e nisjes nga pikat e përbashkëta. Në vend që të themi: “Nuk jam në njëmendje me ty”, a nuk është më mirë të shprehemi duke thënë: “Jam dakord me ju për këtë çështje, ndërsa për këtë tjetrën mendoj kështu...”?
Mungesa e mirësjelljes, më së shumti, ka dy arsye. E para është mungesa e përvojës. Njerëzit që nuk e dinë se kujt i drejtohen, si i drejtohen e çfarë i thonë, në më të shumtën e rasteve nuk janë të sjellshëm. Kapërcimi i kësaj gjendjeje është i thjeshtë. Me një edukim të shëndoshë dhe nëpërmjet mjeteve të informimit publik, është e mundur që të zhvillohet te njerëzit vetëdija e komunikimit dhe e mirësjelljes. Në marrëdhëniet shoqërore, nëse tërhiqet vëmendja te sjelljet dhe deklarimet e personaliteteve shembullore, kjo mund të përbëjë një ndihmë të mirë për të fituar një ndjeshmëri të tillë. Arsyeja e dytë është kryelartësia. E panatyrshmja e një njeriu që në çdo bashkëbisedim e sheh veten në pozitën e “urdhëruesit” dhe bashkëbiseduesin në pozitën e”ofruesit”, bie në sy menjëherë. Kur një njeri i tillë nuk ia del dot të ndërtojë një hierarki të tillë, taktika e modestisë duket e vrazhdë, sepse modestia nuk është diçka për të cilën mund të merret vendim që të ushtrohet, por njeriu thjesht duhet ta ketë atë brenda vetes. Nëse përpiqemi të dukemi modestë kur nuk jemi të tillë, e shtirura del në pah menjëherë.
Ndërsa një njeri që vuan prej shqetësimit për të përçmuar të tjerët nuk mund të jetë as i thjeshtë, as i sjellshëm. Nuk është aspak e lehtë që të çlirohesh prej kësaj sëmundjeje, sepse ushqimi i kryelartësisë është dobësia e zemrës.