Fqinjësia
Në ndërtimin e shoqërisë, krahas lidhjes së gjakut e të farefisnisë, një tjetër institucion, e drejta e të cilit nuk mund të mohohet, është fqinjësia. Kështu, Profeti ynë i dashur (paqja qoftë mbi
të!) ka urdhëruar e thënë: “Xhebraili ma këshilloi aq shumë fqinjin, saqë mendova se fqinjin për fqinjin do ta bënte trashëgimtar.” Në një ajet të Kuranit, fqinjësia përmendet kështu: “Adhurojeni Allahun, mos i shoqëroni Atij ortak, veproni mirë ndaj nënës e babës, farefisnisë, jetimëve, të varfërve, fqinjit të afërt e të largët, shokut të afërt, të mbeturve në rrugë dhe atyre që keni në zotërim (skllevërve, robërve, shërbëtorëve, punëtorëve).” (Nisa, 36)
Në lidhje me këtë temë ka shumë hadithe. Po mjaftohemi duke përmendur disa prej tyre: “Ka tre lloje fqinjësh: lloji i parë gëzon tri të drejta, që janë e drejta e fqinjësisë, e farefisnisë dhe Islamit. I dyti zotëron dy të drejta, që janë e drejta e fqinjësisë dhe e Islamit. I treti zotëron vetëm një të drejtë, që është e drejta e fqinjësisë dhe këta të fundit janë njerëz prej politeistëve dhe besimeve të tjera fetare.” Nëna jonë, Hz. Aishja, tregon: “I thashë: ‘O i Dërguar i Allahut, kam dy fqinjë. Kë të respektoj më me përparësi?’ Më dha këtë përgjigje: ‘Nise nga ai që e ka portën më pranë tëndes.’” Një ditë, Profeti ynë urdhëroi e tha: “Betohem në Allahun se nuk ka besuar...” dhe e përsëriti këtë tri herë. Sahabët e pyetën: “Kush, o i Dërguar i Allahut?” Ai dha këtë përgjigje: “Ai, prej të cilit fqinji i tij nuk ndihet i sigurt.”
Nën dritën e kulturës së zhvilluar përmes këtyre teksteve, mund të bëhet ky vlerësim: fqinjësi quhet marrëdhënia mes familjeve që banojnë pranë njëra-tjetrës, në njësi banimi në të njëjtën lagje, pranë e pranë apo njëra mbi tjetrën. Megjithëse ky përkufizim, në kuptim të ngushtë, na sjell ndërmend marrëdhëniet mes familjeve që jetojnë në një bllok a në një lagje, fqinjësia mund të jetë pjesë edhe e marrëdhënieve të krijuara në vendin e punës (p.sh. fqinjësia e dyqaneve), pavarësisht kushtit të familjes. Madje edhe nëse bëhet fjalë për një afri të përkohshme, kur gjendemi pranë e pranë me banim me dikë në një vend ku kemi shkuar për të parë a për të shëtitur, vlerësohet se kemi të bëjmë me lidhje fqinjësie.
Në mënyrë që mes njerëzve që janë të detyruar të jetojnë në një hapësirë të përbashkët (lagje, fshat, pazar, vend pune, kamp etj.) të ketë paqe e qetësi të qëndrueshme, fqinjësia dhe tërësia e
detyrimeve dhe e të drejtave që zhvillohen rreth saj përbëjnë një ndër marrëdhënien më të zhvilluara njerëzore. Në marrëdhënien e fqinjësisë nuk është fjala për farefisni e lidhje gjaku. Nuk kërkohet as kushti i të qenit të lidhur në një racë, besim a filozofi të përbashkët. Çfarëdo qofshin pozita shoqërore dhe cilësitë e natyrshme, familjet (ose njerëzit) që jetojnë pranë e pranë në formën e dy njësive të pavarura konsiderohen fqinje dhe thjesht për këtë arsye, janë të lidhura në një hapësirë të drejtash dhe detyrimesh që kanë kundrejt njëri-tjetrit.
Në gjeografinë ku kultura jonë është mbizotëruese, marrëdhëniet fqinjësore, për nga cilësia, mbështeten në një mjedis të ngrohtë, të sinqertë e të lirshëm. Besimi i ndërsjellë dhe qëllimi i mirë përbëjnë bazën e marrëdhënies së fqinjësisë. Marrëdhënia e fqinjësisë fillon me kontaktin e parë. Fqinji me të cilin ende jemi në të njohur e sipër, ndihmon në transportimin e sendeve e të orendive shtëpiake. Në ditën e parë, me mendimin se mund të mos ketë kohë të gatuajë, fqinjit të ri i dërgohet ushqim ose ftohet për drekë a për darkë. Herë pas here qeraset me diçka për të pirë. Pasi vendosja në shtëpinë e re kryhet plotësisht, në rastin më të parë fqinji i ri vizitohet familjarisht për t’i uruar mirëseardhjen në mjedisin e ri dhe në këtë mënyrë, forcohet lidhja e fqinjësisë. Me këtë vizitë, fqinjëve u mundësohet që ta njohin më mirë njëritjetrin. Këtë vizitë, fqinji i ri e kthen, pa dyshim, në rastin më të afërt.
Mendimi se “fqinji është më përpara se fisi”, vlerësohet si baza e marrëdhënies së fqinjësisë; ndërsa me farefisninë mund të shihemi vetëm në periudha të caktuara kohe, me fqinjin pranohet një afri që i vendos njerëzit në vazhdimësi pranë e pranë e ballë për ballë njëri-tjetrit. Çastet e gëzimit a të hidhërimit, së pari, ndahen kurdoherë me fqinjin. Herë pas here, prej ushqimeve të këndshme që gatuhen nuk lihet pas dore që t’i shijojnë edhe fqinjët. Për vendimet e rëndësishme që duhen marrë brenda familjes, sipas shkallës së afrisë e të komunikimit, kërkohet edhe mendimi i fqinjëve. Në ngjarje të jashtëzakonshme si vdekjet, fejesat, martesat, kthimi nga haxhi, nisja në ushtri, sëmundjet dhe fatkeqësitë natyrore, hallka e parë e mbështetjes është ajo e fqinjësisë. Tradita e “qokës”, që mbart kuptimin e shkëmbimit të ndërsjellë të dhuratave, është e vlefshme edhe për fqinjët në Anadoll.
Linjat kryesore të të drejtave që përcaktojnë marrëdhëniet mes fqinjëve janë caktuar prej besimit islam. Në këtë çështje, një rol vendimtar ka luajtur hadithi: “Xhebraili, pa pushim, më porosiste se fqinji gëzon të drejtën e respektit. Madje unë mendova se shpejt fqinjin për fqinjin do ta bënte trashëgimtar.” I kësaj kategorie është edhe hadithi që tërheq vëmendjen se fqinji, prej dhunës e të keqës së të cilit fqinji i tij nuk është i sigurt, nuk ka besuar plotësisht.
Kështu, urdhrat që ta respektosh fqinjët, të kalosh mirë me ta, t’u gjendesh pranë, t’i ruash nga e keqja, t’i këshillosh e t’i mbash pranë, janë pjesë e çështjeve themelore të së drejtës së fqinjit në Islam. Është interesant fakti se përkufizimi i fqinjit është shumë i gjerë dhe elastik.
Sipas kësaj, “të gjithë fqinjët, pa përjashtim, myslimanë a të pafe, besimtarë a jobesimtarë, vendës a të ardhur, nikoqirë a shpërdorues, të afërt a të largët”, janë pjesë e përkufizimit të fqinjit. Fusha në të cilën ushtrohen të drejtat e fqinjësisë, sipas pranimit të përgjithshëm, është përshkruar të jetë “dyzet shtëpi nga secili krah”.
Në kuadrin e këtyre hukmeve, fqinjësia është një tërësi marrëdhëniesh që vende vende ka më shumë domethënie edhe sesa të drejtat e farefisnisë dhe që në shoqërinë tonë merret me shumë seriozitet e respektohet me përkujdesje të madhe. Lidhja e fqinjësisë, edhe nëse ka përfunduar për arsye të kushteve fizike, e vijon ndjesinë e afrisë përmes shprehjes “komshi i vjetër”, të ruajtur si pjesë e traditës.
“Fqinjësia është edhe më përpara se vëllazëria.” “Nëse i shkurtojnë mjekrën fqinjit, shkurtoje edhe ti!”, “Fqinjin e njohin prej fqinjit.” “Buka e fqinjit është borxhi ndaj fqinjit.” Këto fjalë të urta për fqinjësinë mbartin vlerat pozitive të kësaj marrëdhënieje dhe janë shembulli më i mirë për sa u tha më sipër. Fatkeqësisht, marrëdhëniet fqinjësore, për shkak të disa ndikimeve si rritja e shpejtë dhe pa plan e qyteteve apo industrializimi, si pasojë e tronditjes kulturore të krijuar, sidomos në qytetet e mëdha, kanë shfaqur shenja dobësimi.
Shënimet
- 108.Buhari, Edeb, 28.
- 109.Hejthemi, Zevaid, Edeb, VIII, 164.
- 110.Buhari, Edeb, 32.
- 111.Buhari, Edeb, 29.