Takvaja

Fjala arabe “takva” vjen prej rrënjës “vikaje”, që do të thotë të ruhesh e të përkujdesesh shumë mirë. Si term fetar, takvaja është përkufizuar si vullneti për të respektuar urdhëresat e Allahut, për t’iu shmangur të ndaluarave dhe për t’u ruajtur prej ndëshkimit të Tij. Krahas kuptimit leksikor dhe atij fetar, me takva nganjëherë kuptohet frika; në disa raste, takvaja është shprehur me fjalën frikë. Në librat që e shtjellojnë këtë çështje është e mundur të gjenden të dyja përdorimet.

Veç kësaj, takvaja mbart edhe një kuptim të drejtpërdrejtë e të përgjithshëm, që shtrihet gjerësisht në çështje si: nga njohja dhe respekti i parimeve fetare në hollësi të plota, deri te respekti ndaj ligjeve të sheriatit të natyrshëm; nga të ruajturit prej Xhehenemit dhe prej sjelljeve që sjellin si pasojë Xhehenemin, deri te veprimet që kanë si fryt Xhenetin; nga të ruajturit e së fshehtës, të fshehtësisë dhe të botës së brendshme prej shirkut dhe prej gjërave që çojnë drejt shirkut, te shmangia e hedhjes së çdo dyshimi për mendimet dhe për mënyrën e jetesës së të tjerëve. Pikërisht në këtë kuptim, takvaja është për njeriun burimi i vetëm i nderit e i vlerës, për të cilin na tërheq vëmendjen ajeti: “Tek Allahu, më i nderuari prej jush është ai që është më i thelli në takva.” (Huxhurat, 13)

Sikurse, përveç Kuranit Fisnik, asnjë libër tjetër nuk është parë t’i ketë veshur takvasë në këto përmasa një domethënie kaq të thellë, kaq të gjerë, po ashtu, përveç Islamit, në asnjë sistem tjetër morali dhe etike nuk është e mundur që të vërehet një fjalë kaq e magjishme, që të përqafojë njëkohësisht lëndoren dhe shpirtëroren, me rrënjët në këtë jetë dhe me degët, lulet e frutat në jetën e përjetshme. Në radhë të parë, Kurani nis t’u çelë portën atyre që gëzojnë takva (muttaki), teksa u pëshpërit: “huden lil muttekin” (Bekare, 3); së fundi, tërheq vëmendjen për të jetuarit e jetës në aksin e Hz. Furkanit dhe ua hedh atyre vështrimin në horizontin: “Leal’lekum tettekun” (Shpresohet që të mbërrini takvanë) (Bekare, 21).

Në sajë të takvasë, që ka kuptimin e të vlerësuarit të të gjitha mjeteve që çojnë tek e mira, të të mbyllurit të të gjitha rrugëve të së keqes dhe të të përpjekurit për të qëndruar i mbyllur ndaj të tilla

rrugësh, njeriu çlirohet prej rrokullisjes ndër më të ulëtit e të ulëtëve dhe kthehet në udhëtar të “a’la el il’lijjin”. Duke pasur parasysh të gjitha këto, mund të thuhet se ai që gjen takvanë, ka gjetur burimin e të gjitha të mirave e begative.

Krahas këtij përdorimi të përgjithshëm të fjalës “takva”, ajo ka edhe një kuptim tjetër, që shpesh është i pari që na vjen në mendje kur dëgjojmë të përdoret kjo fjalë. Ky kuptim ka të bëjë me të qenit tej mase i ndjeshëm ndaj urdhëresave dhe ndalesave të fesë, me përpjekjen për të qëndruar larg sjelljeve që e lënë njeriun pa shpërblimin hyjnor ose që bëjnë të nevojshme dënimin. Njëra anë e kësaj domethënieje të rëndësishme gjen shprehje në ajetin: “Ata i shmangin mëkatet e mëdha punët e shëmtuara.” (Shura, 37), ndërsa ana tjetër pasqyrohet në shprehjen më të përmbledhur: “Ata që besuan e më pas u vunë të bëjnë vepra të mira.” (Junus, 9). Zbatimi i farzeve me kujdesin më të madh dhe shmangia prej mëkateve të mëdha janë dy themele të detyrueshme e përmbledhëse të takvasë. Për sa u përket mëkateve të vogla, të quajtura “sagair”, ka shumë fjalë të Profetit, si: “Robi nuk mund ta arrijë takvanë e vërtetë gjersa të mos i brakisë edhe disa gjëra që nuk janë të ndaluara me shqetësimin se po bie në të ndaluarat”. Kundrejt të tilla gjërave, që Kurani i ka quajtur “lemem”, jemi paralajmëruar që të tregohemi të kujdesshëm.

Pra, ihlasi i vërtetë mund të arrihet vetëm me shmangien e çdo shenje të shirkut, me takva të plotë dhe me largim prej të gjitha dyshimeve, pasi hadithi i përmendur më sipër e lidh një jetë në nivelin e zemrës e të shpirtit me të treguarit i ndjeshëm ndaj gjërave të dyshimta. Hadithi thotë se e lejuara është e qartë, sikurse edhe e ndaluara është e qartë, se i Zoti i Sheriatit i ka qartësuar këto dy çështje në një mënyrë të tillë që të mos mbetet hapësirë për dyshim, por mes këtyre të dyjave ekzistojnë gjëra të dyshimta që u ngjajnë të dyjave, që shumica e njerëzve nuk mund t’i dinë, dhe për këtë arsye të dyshimtat duhen shmangur; vetëm ai që i shmanget të dyshimtës mund të ruaj fenë e nderin, ndërsa ai që bie në të dyshimtat ka mundësi që të hyjë në të ndaluarën, pikërisht si qengji, që ecën anës kufirit ndërsa bariu shtyn tufën, rrezikon më shumë të dalë prej atij kufiri. Pasi i shpjegon këto, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) tregon: “Ta dini se çdo mbret ka kufijtë e vet; dhe kufiri i Allahut është harami. E duhet ditur edhe se brenda trupit është një copë mishi që kur ajo është e shëndetshme, trupi është i shëndetshëm dhe kur ajo prishet, trupi prishet gjithashtu. Ajo është zemra!”

Mbështetur në këto parime, mund të themi se takvaja e plotë arrihet vetëm duke u ndalur prej gjërave të dyshimta dhe mëkateve të vogla. Ndërsa një qasje e tillë është e lidhur, mbi të gjitha, me një njohje të mirë të së ndaluarës e të së lejuarës dhe përtej kësaj, edhe me një kulturë të njohjes (marifet) dhe të zemrës. Kur vjen puna te përballja me këtë pikë, ajeti: “Në sytë e Allahut, më fisniku dhe më i nderuari prej jush është ai që është më i miri në takva” (Huxhurat, 13), thuajse polarizohet me pohimin tjetër hyjnor: “Mes robërve, Allahun më së shumti e kanë frikë të diturit” (Fatir, 28)... Takvaja lartëson fisnikërinë e nderin dhe dituria mbruhet me respektin për t’u valëvitur së bashku si një flamur. Shpirtrat që e stolisin zemrën dhe të fshehtën e botës së tyre të brendshme me të tilla ngjyra, janë ata, “Zemrat e të cilëve Allahu i ka përgatitur për sprovën e takvasë.

Ata gëzojnë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh” (Huxhurat, 3). Me këtë vlerësim hyjnor, ata na bëhen të njohur si heronj të sprovës.

Kur bëhet fjalë për takvanë në këndvështrim të ibadetit e të adhurimit, kuptohen më së shumti dëlirësia e brendshme, thellësia e shpirtit dhe ihlasi, ndërsa në kuadrin e përballjes me mëkatin, qëndrueshmëria dhe vendosmëria kundrejt mëkatit dhe gjërave të dyshimta. Nisur nga sa u tha më sipër, sipas llojeve të nënshtrimit ndaj Zotit, secilën prej kategorive të mëposhtme mund t’i llogarisim si përmasa të veçanta të takvasë:

Shmangia e robit prej gjithçkaje përveç Allahut.

Respektimi prej tij i rregullave e normave të ligjit hyjnor.

Ruajtja e vigjilencës ndaj të gjitha gjërave që çojnë në largimin prej Zotit të Vërtetë.

Të qëndruarit me sy hapur kundër prirjeve egoiste që mund të çojnë në kundërshtim të ndalesave hyjnore.

Gjithçka, lëndore e shpirtërore qoftë, t’i njihet Allahut dhe të mos përvetësohet asgjë në emër të nefsit.

Të mos e shohësh veten si më të lartë e më të mirë se kurrkush.

Të mos kesh asnjë ëndërr e qëllim tjetër përveç Allahut.

T’i nënshtrohesh plotësisht e pa kushte Udhërrëfyesit të gjithçkaje.

Të rigjallërosh vazhdimisht jetën e brendshme e shpirtërore duke vëzhguar e menduar për mrekullitë e krijimit hyjnor.

Të mos lihet asnjëherë mangët sjellja ndërmend e afrisë me vdekjen në përmasa të ndryshme.

Mbi të gjitha, takvaja është një begati, ndërsa i devotshmi (muttaki) është fatlumi që e ka arritur atë begati. Dhe janë të pakët në syrin e Zotit të Vërtetë ata njerëz që e kanë arritur këtë mirësi.

Bediuzzaman Said Nursi, gjithashtu, në lidhje me çështjen e takvasë thotë: “Mendova për bazat e takvasë, që prej Kuranit të Urtë mbahet si çështja më e rëndësishme pas imanit dhe si baza e veprave të mira. Takva do të thotë që të shmangesh prej të ndaluarave dhe mëkateve, të veprosh në kuadrin e veprave të mira dhe të fitosh e të gëzosh mirësi. Gjithmonë, dëbimi i së keqes është shumë i vyer për të përfituar të mirën e të dobishmen. Mirëpo në këtë kohë të sotme, plot rrënim, zvetënim e shthurje në argëtime të padenja, dëbimi i së keqes dhe braktisja e mëkateve të mëdha, që përbën takva në vetvete, është kthyer në një çështje thelbësore dhe ka fituar një rëndësi të jashtëzakonshme. Duke qenë se në kohën tonë rryma e shthurjes dhe e së ligës është bërë e përbindshme, takvaja është shtylla më e fuqishme e më thelbësore që i kundërvihet këtij zvetënimi. Ai që zbaton farzet dhe që nuk bie në mëkatet e mëdha, shpëton. Mes të tilla mëkatesh të mëdha, suksesi i kryerjes së veprave të mira me ihlas arrihet shumë pak. E megjithatë, pak vepra të mira, në këto kushte të rënda, mbartin vlerën e shumë të tillave. Edhe brenda takvasë ka në njëfarë mase vepra të mira, sepse braktisja e një harami është vaxhib; të zbatosh vaxhibin mbart sevapin e shumë suneteve së bashku. Në kohë të tilla - nën sulmin e mijëra mëkateve - një përpjekje e vetme, pak vepra, vlejnë sa për braktisjen e qindra mëkateve, sa për zbatimin e qindra vaxhibeve. Me nijetin e kësaj çështjeje të rëndësishme, me synimin që, në emër të takvasë, t’u shmangesh mëkateve, pas ibadetit ritual, më e rëndësishmja janë veprat e mira. Në këtë kohë, detyra më e rëndësishme është që, kundrejt zvetënimit e mëkateve, të ruash si themelore takvanë dhe të sillesh sipas saj. Duke qenë se në çdo çast, në mënyrën e tashme të jetesës së shoqërisë, njeriu përballet me qindra mëkate, pa dyshim që duke ushtruar qëndresë ndaj tyre me takva dhe me qëllime të larta, ai llogaritet se kryen qindra vepra të mira.”

Shënimet

  1. 93.112 Ibn Maxhe, Zuhd, 24; Tirmidhi, Kijâme, 19.
  2. 94.113 Buhari, Îman, 39, Muslim, Musâkât, 107, 108.
  3. 95.Kushejri, Risale, 247; M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 74
  4. 96.115 B. S. Nursî, Tarihçe-i Hayat, 303.