Intimiteti/Jeta private
Jeta private dhe intime (mahremijet) është një ndjenjë e natyrshme te njeriu. Islami ka treguar kujdes për ruajtjen e kësaj ndjenje dhe në konceptin e mbulesës ka parashikuar shumë vlera si ruajtja e avretit, e privatësisë, e fshehtësisë vetjake. Hadithi: “Kur jeni duke hyrë në një shtëpi, të kërkuarit e lejes është për syrin”, e shpjegon më së miri këtë çështje. Parimi i mbajtjes së shtëpisë të gjerë, gjithashtu, është vendosur me qëllimin për ta ruajtur më mirë privatësinë. Sipas Sunetit, shtëpia nuk është vetëm një vend që duhet të na strehojë e mbrojë prej të ftohtit e prej të nxehtit. Në të njëjtën kohë, ajo është edhe një vend që shërben për të ruajtur intimitetin. Për këtë arsye, shtëpia është quajtur “haram” dhe hyrja në të pa lejen e të zotit është ndaluar. Në të drejtën moderne, kjo cilësohet si ruajtje e banesës dhe e jetës private. Intimiteti dhe privatësia nuk shkelen vetëm duke hyrë, duke sulmuar e dhunuar një shtëpi, por edhe duke vëzhguar, duke instaluar aparatura përgjimi, duke përgjuar telefonata e në rrugë të tjera të ngjashme. Hadithi që vijon, sqaron pikërisht këtë: “Kurrkush, pa marrë leje, të mos shohë brenda shtëpisë së tjetërkujt. Kush shikon, është njëlloj sikur të ketë hyrë brenda.” “Kush sheh brenda shtëpisë së dikujt dhe (të zotërit e shtëpisë) i nxjerrin syrin, të mos kërkojë më kot dëmshpërblim gjaku, por ta dijë se nuk ka mundësi të kërkojë asnjë të drejtë.” Ky hukëm thekson pikërisht rëndësinë e kësaj çështjeje.
Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), një njeriu që po shihte pa leje nga dritarja në shtëpinë e tij, i tregoi krehrin që mbante në duar dhe i tha: “Sikur ta dija se po shihje brenda, ta nxirrja syrin me këtë krehër.” Siç na bën të ditur Ibn Abbasi, kur Profeti ynë vuri re se Hakem bin ebul Asi po vëzhgonte brenda shtëpisë, i tha: “Sa të jem unë gjallë, s’do të banosh në Medinë!” dhe e çoi në Taif. Profeti ynë ka thënë: “Nëse dikush hyn e sheh në një shtëpi me derën të hapur (ose nuk ka perde në pjesën e hyrjes), faji nuk është i tij, por i të zotit të shtëpisë.” Me këto fjalë, Profeti ka vënë gishtin tek i zoti i shtëpisë, si njeri që duhet të bëjë atë që i takon për të ruajtur
shtëpinë e vet. Në ditët e sotme, moda e dritareve pa perde apo e perdeve të shkurtra e të holla që nuk sigurojnë intimitet është diçka që duhet të na bëjë të mendohemi.
Sidoqoftë, intimiteti nuk është vetëm kundrejt së jashtmes. Edhe brenda shtëpisë, anëtarët e familjes duhet të bëjnë kujdes, nëse kanë mundësi duhet t’i caktojnë secilit nga një dhomë dhe të mos hyjnë në dhomat e njëri-tjetrit pa trokitur. Prindërit duhet t’u sigurojnë fëmijëve të tyre këtë edukatë dhe duhet të tregojnë kujdes prej fjalëve, sjelljeve e veshjeve që mund t’i shtyjnë ata në mendime e ndjesi të pazakonta. Në Kuranin e Shenjtë kjo çështje sqarohet kështu: “O ju që besuat! Skllevërit e shërbëtorët që keni në zotërim dhe fëmijët mes tuaj që nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, kur të hyjnë në dhomat tuaja, të kërkojnë leje në këto tri kohë:
Para namazit të sabahut, në kohën e drekës, kur keni hequr rrobat tuaja për të pushuar, si dhe pas namazit të jacisë. Pikërisht këto tri kohë, janë kohët e intimitetit tuaj. Ndërsa përveç këtyre kohëve, as për ju, as për ata, nuk ka ndonjë të keqe nëse hyni pa kërkuar leje, sepse është e pashmangshme që ju të hyni e të gjendeni në prani të njëri-tjetrit. E pra, Allahu në këtë mënyrë jua sqaron shenjat e Tij. Në të vërtetë, Allahu është i Ditur, i Urtë (Di gjithçka, është zotërues i çdo vendimi e urtësie).
Ndërsa kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pjekurisë, siç kërkonin leje më të rriturit, edhe ata të kërkojnë leje në çdo kohë që u duhet të hyjnë në dhomat tuaja. E pra, Allahu kështu jua sqaron shenjat e Tij. Sepse Allahu di gjithçka, sqaron siç duhet çdo vendim.”
(Nur, 58-59)
Prej këtyre shprehjeve, kuptohet se banesa ideale në Islam duhet të jetë në një gjerësi të tillë që të mund të përmbajë nga një dhomë më vete për çdo anëtar të rritur të familjes...
Shënimet
- 112.Buhari, Libas, 75, Dijat, 23; Nesai, Kesame, 47; Ebu Davud, Edeb, 136
- 113.Sepse kjo gjendje është dhunim i jetës private, e ngjashme me përgjimet e ndryshme teknologjike të kohës së sotme.
- 114.Buhari, Dijat, 15, 23, Istidhan, 11; Muslim, Adap, 42; Ebu Davud, Edeb, 136.