Ruajtja e lidhjeve familjare e farefisnore

Të drejtat në marrëdhëniet e farefisnisë nuk janë vërejtur të shtjellohen në asnjë sistem tjetër të së drejtës sa ç’vërehet në Islam. Lidhja farefisnore sot në Perëndim thuajse është zhdukur. Madje edhe lidhja familjare është shthurur. Individualizmi ka hyrë aq shumë në shoqëri, saqë edhe familjen bërthamë, ende pa dalë nga shtëpia, e ka atomizuar. Marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve nuk e dhurojnë atë ngrohtësi që i shkon për shtat lidhjes së gjakut.

Familja bërthamë, si formë, ekziston në Perëndim. Ndoshta familja nuk është shpërbërë krejt, por mes individëve brenda familjes, lidhjet e natyrës shpirtërore janë dobësuar shumë. Individët, nga ana e brendshme, shpirtërore, jetojnë botën e tyre vetjake. Përveç faktit të të jetuarit në një shtëpi të përbashkët, nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie të thella. Sistemi arsimor është i organizuar në një mënyrë të tillë që individët, qoftë në familje, qoftë në shkollë e qoftë në shoqëri, t’i individualizojë e t’i bëjë sa më shumë të vetmuar. Funksioni i familjes në Perëndim është vetëm aq sa ç’e lejojnë ndjenjat e të jetuarit në një vend të përbashkët. Mjedisi shoqëror, sikurse të gjitha vlerat e tjera, i ka shekullarizuar edhe vlerat familjare. Format që krijojnë lidhjen me jetën e përjetshme janë shkulur prej kohësh nga kraharori i shoqërisë dhe janë hedhur tej.

Ndërsa në Islam, familja nuk përfaqëson vetëm lidhjen mes individëve që krijojnë bërthamën, por edhe një mjedis themelor që merret si etalon për ndërtimin e shoqërisë. Pra, ajo është njëra ndër vlerat dhe përbërësit më të shëndoshë, mbi të cilët ngrihet shoqëria. Për këtë arsye, Islami krijon mjedisin e nevojshëm për të

ruajtur vlerat dhe marrëdhëniet që ndërtohen përreth familjes. Ndërprejra e lidhjeve familjare dhe farefisnore gjykohet të jetë ndër mëkatet e mëdha.

Në shprehjen “silau rrahim”, të përdorur për të shprehur ruajtjen e lidhjeve familjare e farefisnore, fjala “sila” mbart kuptimet e afrimit, të qasjes, të mbërritjes, të arritjes në atdheun që ndodhet larg, të kthimit në familje. Fjala “rahm” vjen nga fjala “rahmet”. Rahmet ka kuptimin e ndjenjës së mëshirës, të dhembshurisë, të dashamirësisë. Ndërsa shprehja “silau rrahim” ka kuptimin e të vizituarit të farefisit dhe të të afërmve, të të interesuarit për gjendjen e tyre, të të gjendurit pranë në rast nevoje të ofrimit të ndihmës për ta, të mbajtjes të forta të lidhjeve fisnore. Për shembull, nëse vendi ynë i banimit dhe i punës ndodhet larg prej atij të njerëzve të fisit, pjesë e silau rrahim-it është që herë herë të shkojmë t’i vizitojmë, t’u shkruajmë letër a e-mail , t’u telefonojnë, t’i pyesim si janë me shëndet, t’u ndihmojmë me sa të kemi mundësi nëse kanë nevojë për diçka, t’i vizitojmë nëse janë të sëmurë, të interesohemi nëse kanë ndonjë problem, në ditë gëzimesh si dasmat apo festat t’i urojmë e të gëzojmë me ta, të ndajmë hidhërimet me ta, t’u qëndrojmë pranë në raste sëmundjesh a vdekjesh e t’i ngushëllojmë etj.. Të gjitha këto forcojnë lidhjet farefisnore, e lidhin njeriun në një mënyrë të lumtur me jetën, e ruajnë atë prej gjendjeve si egoizmi e vetmia dhe, ç’është më e rëndësishmja, për arsye të vënies në vend të një detyrimi fetar, e bëjnë të arrijë admirimin dhe kënaqësinë e Allahut.

Dijetarët shpjegojnë se ruajtja e lidhjeve familjare e farefisnore ka disa shkallë, më e larta e të cilave është ajo mes rrethit të kushërinjve shumë të afërt, me të cilët nuk është e lejuar martesa. Afrinë me ta, dijetarët e cilësojnë si farz. Disa dijetarë thonë se kjo shkallë përfshin njerëzit që përmenden si përfitues në çështjen e trashëgimisë. Duke parë të dhënat e përgjithshme që jepen, ruajtja e lidhjeve me nënën, babanë, fëmijët, vëllezërit, xhaxhallarët, hallat, dajallarët dhe tezet është farz, ndërsa duke vijuar më tej me kushërinjtë e tjerë, shkalla e detyrimit bie. Ndoshta në shkallën më të ulët është ruajtja e lidhjeve me të gjithë myslimanët, që është mustehab.

Allahu i Madhëruar urdhëron e thotë kështu: “Të pyesin se çfarë të shpenzojnë (në rrugë të Allahut). Thuaju: Ajo çka shpenzoni prej mallit, duhet të jetë për prindërit, për të afërmit, për jetimët, për të varfrit dhe për udhëtarët.” (Bekare, 215) “Po ashtu, jepu atë që u takon farefisnisë, të varfrit, të mbeturit në rrugë. Por mos shpenzo me tepri vend e pa vend.” (Isra, 26) “Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi e ndihmë për të afërmit dhe ndalon nga shthurja, nga e neveritshmja dhe dhuna. Ju këshillon kështu që të merrni mësim.”

(Nahl, 90) Ky ajet i fundit është një deklaratë hyjnore e përgjithshme, që shpjegon gjashtë çështje pozitive dhe negative themelore:

Drejtësia është një disiplinë që mbart në fe një rëndësi jetike. Disa, madje, e kanë njohur atë si një ndër bazat themelore të fesë. Ky term, që në Kuran dhe në Sunetin sahih është përmendur herë me fjalën “ubudijet” dhe herë me “adalet”, është një term i përgjithshëm që mbart në vetvete shumë gjëra. Për shembull, në ajetin, përkthimin e të cilit e kemi paraqitur më sipër, çështje si bamirësia, ndihma ndaj farefisnisë dhe arritja e ndërgjegjes njerëzore mund të përfshihen të gjitha në konceptin e drejtësisë si “adalet”. Në fakt, në konceptin “ubudijet”, nëse drejtësia te një njeri apo në një shoqëri nuk është vendosur në kuptimin e saj të plotë, atëherë prej tyre është e kotë që të ketë ndonjë pritshmëri për çështjet e tjera. Po, po! Mirësi pa drejtësi nuk ka. Pa drejtësi, nuk mund të tregohet kujdes për të afërmit e për farefisin. Për më tepër, as që mund të mendohet të vihet në jetë ai kuptim aq i bukur, i shprehur prej hadithit që e përshkruan ihsanin me porosinë “për t’iu nënshtruar Allahut sikur të ishim duke e parë atë.”

Ihsani, siç u shprehëm më sipër, është që ta adhurosh Allahun “sikur të jesh duke e parë”. Mirëpo kjo ndjenjë, ky mendim e kjo mendësi duhet të ngrihen mbi besimin dhe mbi të vërtetën e besimit, si dhe në thellimin në bazat e Islamit, në mënyrë që ndërgjegjja njerëzore të mund të japë atë që pritet prej saj.

Që t’u ndihmosh të afërmve apo, në një rreth më të gjerë, t’i ndihmosh gjithkujt, do të thotë që ndërgjegjja njerëzore të përhapet e të shtrihet në shoqëri. Nga ky këndvështrim, nëse do ta analizonim kuptimin e ajetit, del se drejtësia për ihsanin dhe ihsani për ndjesinë e bamirësisë përbëjnë edhe një themel, edhe një burim.

Nëse vijmë te çështjet e shtjelluara në planin negativ, para së gjithash këtu është përmendur shthurja morale (fuhshijat). Duket se kësaj i është dhënë përparësi duke qenë se përbën kreun e të gjitha të ligave si në planin vetjak, ashtu edhe në atë shoqëror. Pasi siç e di thuajse gjithkush, në shoqëritë ku është e përhapur shthurja morale, të gjitha gjërat e tjera negative nisin të shthuren siç ndodh me çorapen që griset krejt pasi i është shthurur një fije. Në këtë këndvështrim, ajo kurrë nuk mund të nënvlerësohet.

“Munker” ka kuptimin e të kryerit hapur e ditën për diell të gjërave që Allahu i ka ndaluar. Në një tjetër qasje, me “munker” kuptojmë rebelim e kryengritje ndaj vlerave universale, çka është e dënueshme në çdo fe e prej çdo kombi.

“Bag’j” ka kuptimin e kryelartësisë apo të arrogancës. Edhe kjo cilësi negative shfaqet në mënyra të ndryshme si në jetën vetjake, ashtu edhe në atë shoqërore. Është e mundur të thuhet se ajo përfshin një fushë të gjerë, si dëmi që njeriu i shkakton vetvetes, kryelartësia e tij ndaj prindërve, kryengritja ndaj shtetit dhe prishja e paqes shoqërore e deri te mohimi i Zotit. Edhe këtu, siç e pamë në rastin e drejtësisë, të ihsanit e të mirësisë, shthurja morale (fuhshijat) është edhe baza, edhe burimi i së keqes publike (munkerit), sikurse kjo e fundit vetë është baza dhe burimi i kryelartësisë dhe i arrogancës (bag’j).

Në lidhje me këtë çështje ka shumë hadithe. Le të përmendim disa prej tyre: “Lëmosha që u jepet të varfërve është një vepër bamirësie, por ajo që i jepet farefisnisë është një vepër e dyfishtë bamirësie; kjo e fundit është ruajtje e afrisë me familjen e farefisin, ndërsa e para është thjesht lëmoshë.” Kur Kulejb el Hanefiu e pyeti Profetin tonë se kujt duhej t’i bënte bamirësi, mori prej tij këtë përgjigje: “Nënës, babait, motrës, vëllait... Këtë do ta bësh për të vënë në vend një mirësi që e ke si detyrim, pra për t’i dhënë hakun afrisë me familjen e farefisninë.”119

Afria me familjarët e farefisninë dhe zgjatja e jetës Në një tjetër hadith, Profeti ynë i dashur thotë kështu:

“Mësoni të ruani e të forconi marrëdhëniet familjare e farefisnore, sepse kjo sjell dashuri mes të afërmve, shtim të pasurisë dhe zgjatje të jetës.” Në këtë hadith, si dhe në hadithe të tjera me përmbajtje të ngjashme, pohohet se ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve familjare dhe farefisnore të zgjat jetën.

Veç kësaj, prej shumë e shumë kohësh është e ditur se si njerëzit e afërt të Allahut ia kanë kushtuar e dhuruar jetën njëri-tjetrit. Në çdo rast, kjo gjen zbatim vetëm kur dhënësi e marrësi qetësojnë indet shpirtërore, shkëmbejnë të njëjtën frekuencë dhe Allahu i përgjigjet me vullnetin e Vet hyjnor kësaj duaje të bërë me fjalë e me vepra.

Duke qenë se jo çdokush që dëshiron do të mund të dhurojë dhe jo çdokush që dëshiron do të mund të marrë, në përfundim të këtij shkëmbimi, çështja është e lidhur me përmbushjen e të gjitha kushteve të zbatimit praktik (il’letut tamme) dhe me vullnetin e Zotit të Madhëruar për të.

Një tjetër interpretim i mundshëm për zgjatjen e jetës mund të jetë edhe ky: Zoti i Madhëruar dhuron bereqet për mirësitë që kryen njeriu dhe duke shtuar e begatuar, ia shton jetëgjatësinë atij njeriu. Nëse zgjatja e jetës vlerësohet të jetë ndonjë simbolikë për të shprehur përfitimet e njeriut në pafundësinë e Ahiretit, atëherë duhet thënë se njeriu përfiton shumë për jetën e vet të përjetshme. Për shembull, një prej përfitimeve është Nata e Kadrit, që është shkruar të jetë më e mirë se njëmijë muaj. Nëse njeriu, në atë natë, a kap orientimin hyjnor, është njëlloj sikur vetëm në atë natë të ketë kaluar tetëdhjetë vite në adhurim ndaj Zotit. Kjo do të thotë që ai të fitonte shpërblime hyjnore sikur jeta e tij të zgjatej e ai të jetonte edhe tetëdhjetë vjet të tjera. E pra, zgjatja e jetës prej sadakasë, prej mirësisë, prej silau rrahim-it, mund të jetë edhe në këtë kuptim.

Në lidhje me arsyen se pse çështja e zgjatjes së jetës është lidhur në mënyrë të veçantë me ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve familjare e farefisnore mund të thuhen këto që vijojnë: në ditët e sotme, nuk ka asnjë dyshim se njëri ndër parimet islame të cenuara më rëndë është ai që preket prej harresës së farefisnisë së afërt. E pra, në një kohë kur janë lëkundur rëndë tradita e vizitave të herëpashershme tek të afërmit, e të gjendurit pranë tyre, respekti në radhë të parë për prindërit, pastaj i prindërve për fëmijët, më pas për vëllezërit, për gjyshet e gjyshërit, për dajallarët e tezet, për xhaxhallarët e hallat e të tjerë të afërm, përqendrimi tek çështja e mësipërme mbart një rëndësi shumë të madhe.

Nëna jonë, Hz. Hatixhe, ishte një grua shumë e mençur dhe dukej sikur të ishte krijuar vetëm e vetëm për të qenë bashkëshorte e një profeti. Teksa Profeti i dashur, pasi mori ajetet e para prej Xhebrailit (paqja qoftë mbi të!), tha: “kam frikë për veten”, kjo grua e madhe, duke ndarë me Profetin emocionin e zbulesës së parë hyjnore, i tha: “Jo, Allahu ty nuk të braktis kurrsesi. Pa dyshim që ti u qëndron pranë familjes dhe të afërmve, i jep dorën atij që është nevojtar, kujdesesh për të varfrin...”

Nga kjo thënie e nënës sonë, Hz. Hatixhes, si dhe pas konfirmimit të kësaj prej Varaka bin Neufelit, kuptohet se respekti e kujdesi për të afërmit ishte diçka e vështirë dhe nevoja për të ishte e ndjeshme. Hz. Ebu Bekri, kur i doli për zot Profetit tonë pas gjithë atyre vuajtjeve që po i shkaktonin mizorët, i tha atij: “Kjo nuk i bëhet një njeriu si ti, që i shtrin dorën të varfrit e nevojtarit e që ruan lidhjet familjare e farefisnore!” Edhe kur deshi ta merrte nën mbrojtje për arsye fqinjësie, u dha kurejshëve sërish silau rrahim-in si referencë. Nga të gjitha këto del qartë se ruajtja e marrëdhënieve familjare e farefisnore, në atë kohë, ishte një pikësynim e ideal për të gjithë dhe vlerësohej si diçka shumë e rëndësishme.

Nga një tjetër anë, në histori është e mundur të shihen forma të familjes së madhe patriarkale. Në të shkuarën edhe shoqëria jonë ishte e tillë. Përreth një prindi a gjyshi gjendeshin plot nuse e bij. Ende në disa vende kjo traditë ruhet. Këto u ngjajnë, në të vërtetë, qelizave të një shoqërie. Sa më e fortë dhe e shëndoshë të jetë lidhja mes tyre, aq më e shëndetshme është shoqëria që lind prej tyre.

Shënimet

  1. 98.Tirmidhi, Zekat, 26; Nesai, Zekat, 22. 119 Ebu Davud, Edeb, 129.
  2. 99.120 Tirmidhi, Birr, 49; Musned, II, 374.
  3. 100.Buhari, Bed’ul-Vahj, 3, Menakibu’l-Ensar, 45; Muslim, Iman, 252.