Urtësia

Fjala “vakar” ka kuptime si urtësia, pjekuria, ruajtja e qetësisë, fisnikëria, gjakftohtësia, sjellja e përmbajtur, përkorja, çka është e kundërt me cilësi të këqija të karakterit si kibri, kryelartësia dhe egoizmi. Ndërsa “vakari” apo pjekuria është një lloj serioziteti e urtësie që vjen prej imanit, kryelartësia është konsideruar pasojë e dobësisë së besimit. Për shembull, nëse serioziteti i një administratori në detyrë konsiderohet pjekuri, ruajtja e të njëjtit seriozitet në shtëpi bie në kundërshtim me dashurinë, dhembshurinë dhe sinqeritetin. Profeti ynë i dashur (paqja qoftë mbi të!) ishte një njeri shumë i urtë, serioz dhe i respektuar. Urtësia e profetësisë së tij shkaktonte tek ata që e njihnin për herë të parë fillimisht një drithërimë e frikë, për të kuptuar më pas se sa njeri i dashur e i dhembshur ishte. Profeti ynë nuk kryente sjellje që cenonin seriozitetin. Të folurit e tij ishte plot urtësi. Ai nuk thoshte fjalë të kota, nuk bënte thashetheme, nuk zgërdhihej, gjatë ecjes nuk kulloste sytë majtas e djathtas dhe fliste pak.

Ja si e shpjegon Muhasibiu se mungesa e ekuilibrit në seriozitet e urtësi bëhet shkak për rijanë.”Për shembull, një njeri është duke u ngutur për një nevojë ose po sheh përreth ndërsa është i ulur apo duke ecur. Nëse dëshiron që të vlerësohet nga të tjerët si njeri i pjekur, i qetë, i përkorë, nëse nuk ka dëshirë që të duket në sytë e botës apo të ithtarëve të Fesë si një njeri i ngutur e që sheh majtas e djathtas, sapo vëren dikë, rregullohet, ul kokën dhe ecën si një njeri i përkorë. Ndalet edhe së vështruari majtas e djathtas. Flet me një urtësi e pjekuri të jashtme. Ky individ nuk është i pushtuar prej frikës as nga madhështia e Allahut, as nga shqetësimi i jetës së përjetshme. E gjithë urtësia e shfaqur prej tij është për të rënë në sy të njerëzve.

Në rrethanat e jetës shoqërore, është e mundur dhe e shkruar të takohemi me njerëz të çdo botëkuptimi. Përballë këtyre mund të kemi vështirësi për të pasqyruar sjelljen e duhur dhe mund të mos e dimë se si duhet të sillemi. Mirëpo në sajë të urtësisë e të seriozitetit, kushdo qoftë njeriu që kemi përballë, kemi mundësi që qysh në fillim të shprehim sjelljen tonë të zakonshme dhe t’i vendosim marrëdhëniet në këtë linjë të urtësisë. Kjo gjendje mund të jetë e tillë si për ne, po kështu edhe për një prind, një mësues, një drejtues a nëpunës. Veçanërisht tipat e paturpshëm e të pafytyrë, duke shfrytëzuar tolerancën dhe mirësjelljen e këtyre, mund të kërkojnë me tepri gjithçka dhe mund të shfrytëzojnë ndjenjat e të tillëve. E pra, për të mos u lënë hapësirë të tilla dukurive që të ndodhin, edhe duke qenë dashamirës, nuk duhet të na ikë nga duart serioziteti. Është tjetër gjë të bësh shaka, të hedhësh e të presësh me njerëzit dhe tjetër gjë ta kthesh përmbajtjen dhe seriozitetin në gjyle topi e ta lëshosh përballë tyre.

Po, po! Veçanërisht marrëdhëniet tona me njerëzit që i kemi nën përgjegjësi duhet t’i rregullojmë shumë mirë. Marrëdhëniet tona me ta duhet të jenë si lidhja e maleve të larta me luginat.

Domethënë, nga njëra anë duke i rrethuar e përqafuar me madhështi e lartësi, nga ana tjetër duke ndarë së bashku bukuritë e hijeshitë. Të mos harrojmë se edhe ata janë njerëz, të bëjmë që ata gjithmonë ta ndiejnë afrinë tonë, madje të mundësojnë që ata të na hapen e të na tregojnë për gëzimet e hidhërimet... të gjitha këto janë domosdoshmëri e dashurisë dhe e dhembshurisë sonë ndaj atyre njerëzve.

Sjellja e një administratori që merr vendime nuk ka dyshim se do të jetë e ndryshme nga sjelljet e fëmijëve me njëri-tjetrin. Ta interpretosh këtë ndryshim si një shtirje, është gabim. Sa ç’është gabim, po aq do të thotë edhe se domosdoshmëria e kësaj sjelljeje nuk është arritur të kuptohet. Përfundimi që do të nxjerrim nga të gjitha këto është ky: veçanërisht ata që janë të angazhuar në punë në shërbim të Islamit duhet të ruajnë urtësinë dhe seriozitetin e tyre. Në të kundërt, mund të bien në gabime të vështira për t’u përmirësuar, llogaria e të cilave nuk do të mund të përballohet.

Shënimet

  1. 77.92 Muhasibî, Kalb Hayatı (er-Ri’aye), 168.