Fitorja

Fitorja është çelja e farës së përpjekjeve dhe kontributeve më madhështore. Fitorja është pika kur mundi, vuajtja, përpjekja dhe dhimbja krijojnë hojet e shpërblimit.

Në botën e gjallesave dhe veçanërisht në mesin e njerëzve, dëshira më e ëmbël, ëndrra më tërheqëse, fitorja është Lejlaja e aq shumë dëshiruar e të dashuruarit, i cili nuk mund të kënaqet dot prej takimit me të. Që kur se ka nisur së ekzistuari, njeriu veç atë ka kërkuar dhe veç emrin e saj ka rrokjezuar, teksa ngjitej drejt majave nëpër shtigjet dredha-dredha.

Kushedi, ndoshta kështu ndodh me çdo krijesë!

Po, nëse njeriu do të ndalej për një çast dhe do t’i vinte veshin asaj melodie të heshtur që luan në zemër të ekzistencës, ka për të ndierë se pulsi i çdo gjëje rreh duke belbëzuar “fitoren!” Sepse e tërë gjithësia, si me një vullnet të fshehtë; gjallesat, për aq sa u lejojnë instinktet e tyre dhe njerëzit, me vullnetin e tyre, ngjiten të gjithë drejt fitores.

Për hir të fitores gjelat sulmojnë njëri-tjetrin, duke i bërë gjak lafshat e tyre. Prandaj deshtë rrokin brirët me shoqi shokun dhe përplasen. Prandaj edhe buajt ndjekin njëritjetrin me vrap, për ta sulmuar; andaj macja dhe qentë i tregojnë dhëmbët dhe i kanosen njëri-tjetrit...

Gjatë kësaj ndodhin edhe shumë gjëra të pakëndshme; por kjo është natyra! Çdo lloj lufton për fitoren dhe sundimin e vet mbi të tjerët. Çdo klasë krenohet dhe ndihet e gëzuar për aq sa ç’mbizotëron dhe është më e përhapur mbi të tjerët.

I këtillë është edhe njeriu; atë e entuziazmojnë fitoret, e vetëm ato i japin hare; nëse do ta fshish ndjenjën e fitores brenda tij, atëherë ai do të thahet, derisa do të vijë një çast e ai do të vdesë, porsi një pemë.

Një pemë jep fruta për aq sa është e gjallë dhe plot jetë; kurse njeriu e ruan gjallërinë e tij në saje të fryteve të fitores. Nëse do ta lëmë atë të privuar prej ndjenjës dhe mendimit të fitores, ai do të zbehet dhe do të shuhet dalëngadalë. Lajmërimet dhe lavdërimet e fitoreve janë për njeriun ashtu si lulet dhe gjethet për një pemë. Ashtu si çdo pemë do të cilësohej shterpë dhe, për më tepër, e çuditshme, edhe njeriu pa fitore është një njeri i pafat.

Agimi është fitorja e Diellit; hapja e zemrës dhe rrotullimi rreth tij, porsi Meuleuitë, fitorja e Tokës; ngarendja nga një pikë në tjetrën, për t’u plotësuar të paktën njëherë në muaj, për t’u bërë Hënë e Plotë, e Hënës...

Hojet e mjaltit janë fitorja e bletës; rrjeta, e merimangës; ndërsa rrahja e flatrave për t’u ngjitur lartësive, e zogut. Një bletë që nuk e njeh gjeometrinë e hojeve; një merimangë që nuk e di artin e fshehtë të thurjes së pezhishkës dhe zogu që nuk ia del dot që të fluturojë, janë të pafatë. Po njeriu që nuk ka dëgjuar asnjë këngë të fitores, qoftë edhe njëherë të vetme gjatë jetës...

Kombet hyjnë në histori me fitoret e tyre. Kultura dhe qytetërimi ngrihen mbi shtyllat e fitoreve – të athta apo të ëmbla qofshin ato. Aty ku kalojnë perandoritë, ngadhënjimtarët dhe komandantët fitimtarë toka zë të gjelbërojë, por ata vazhdimësinë e tyre e sigurojnë në saje të ngadhënjimit dhe fitoreve të tyre.

Roma e arriti madhështinë e vet në saje të ekspeditave ushtarake dhe fitoreve të siguruar syresh... dhe gëzimi i fitoreve të përsëritura çdo ditë e mbajtën shtetin të gjallë dhe ushtrinë të disiplinuar. Atëherë kur harroi ekspeditat ushtarake dhe fitoret, shtetin e kaploi një “migrenë” e frikshme, ndërsa kombi pësoi “miokardit”. Dhe, përtej kësaj, njësoj si një organizëm i kapur prej kancerit të gjakut, që fillon të hajë veten pak e nga pak nga brenda.

Athina arriti të lartësohej mbi shpatullat e ushtarëve fitimtarë, të cilët zgjidhën aq shumë probleme të mbetura të pazgjidhura; me shpejtësinë e rrufesë, ata u përhapën nga njëra anë e botës në tjetrën, duke e bërë zërin e tyre të dëgjohej dhe bota t’i njihte ata më së miri. Edhe ajo, ditën që e varrosi në zemrën e historisë ushtarin e saj fitimtar, e mbylli njëherë e mirë zinxhirin e saj ndaj botës dhe zuri të shkrinte e të shuhen pak e nga pak...

Tanimë, edhe aty heronjtë e vjetër po ua linin vendin disa eunukëve, ndërsa heronjtë e vërtetë po ua braktisnin territorin “miteve”. Dhe, në perspektivën e athiniotit të asaj kohe, i cili gjendet shumë i tronditur dhe i rënduar nën barrën e kohës, gjendet veçse mozaiku i mbetjeve të trashëgimisë. Është shumë e çuditshme, që edhe Perëndimi e ka marrë “Helenën” dhe e ka vendosur në fronin e Rilindjes, me të gjitha stolitë dhe dantellat e saj të vjetëruara, duke qenë e dashuruar pas kësaj epoke prej xhelatini. Por kjo lëvizje nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e Perëndimit, në agimin e të cilit nuk kishte asnjë yll të fitores, për t’ia hedhur një bote, në natën e së cilës pati me mijëra yje që vallëzonin, duke u orvatur që të bëjnë sa më popullor një yll të sajuar. Pasi Perëndimi hyri sërish në skenë me të njëjtat akrobaci, duke u përpjekur që t’ua lëbyrë sytë njerëzve po në të njëjtën mënyrë. Po, sepse duke pasur mundësi për të vënë në skenë fitoret e të tjerëve, duke i stolisur e duke i zbukuruar ato, atëherë përse t’u hysh ngjitjes së majave të larta e të mundimshme të fitores së vërtetë!?.

Edhe njeriu i Anadollit, atdheun e vet e krijoi nën trumbetat e fitores. E krijoi asisoj, që çdo pjesë e këtij atdheu dhe çdo fragment i kohës që kalon në të njihen nga këngët e fitoreve të veta dhe secili nëpërmjet tyre përmendet. Nuk ka asnjë ditë të vitit që akrepi i kalendarit të mos tregojë disa fitore të njeriut të Anadollit si në atë ditë.

Herë qe apostulli i ndjenjave dhe mendimeve më të epërme, i cili i bartte mesazhet e së vërtetës që kish në duar deri në qoshet më të paana të botës; herë duke e vërvitur shpatën mu në zemër të padrejtësisë dhe errësirës dhe duke i “zbritur në tokë” ato këmbë të padrejta “që gjezdisnin mbi kryet e njerëzve” dhe herë duke iu përftuar besim dhe emocion shpirtrave me shpresa të bjerrura e pesimiste, ai çeli rrugët e bllokuara të virtytit dhe këto janë disa prej fitoreve më të rëndësishme që ka arritur njeriu i Anadollit. Ai, për aq sa u qëndroi besnik dhe i respektoi këto virtyte, pati arritur që ta ruante gjallërinë dhe nderin e tij. Në të kundërt, “tirani, robëri, sundime, poshtërime...”

Por ka edhe disa fitore të tjera, të cilat njeriu i Anadollit i pati arritur atëherë kur të gjithë të tjerët donin që t’ia zinin frymën, e janë pikërisht këto fitoret që e bënë legjendar. Po, edhe në kohërat më kritike, kur të gjithë popujve të tjerë nuk u kishte mbetur më asgjë, madje nuk kishin më as shpresë për t’u vetëmbrojtur, ne e shohim atë të gjallë, në sulm, me të gjithë dinamizmin e tij.

“Botë e vjetër, botë e re, të gjitha bashkësitë njerëzore, po vlojnë, siç rëra vlon... ditë e gjykimit ngjan si ajo ditë, shtatë klima qëndrojnë përballë botës,

Sheh t’ jenë bashkuar me Australinë, Kanadaja!

Fytyrat të ndryshme, gjuhët, lëkurat ngjyra-ngjyra;

Ajo ç’po ndodh veç një ngjarje e thjeshtë; e njëjtë me egërsinë. Disa indianë, disa lëkurëkuqë, disa të tjerë Zoti e di ç’bela...

Madje më poshtërues se kolera është ky pushtim i turpshëm!”

(Mehmet Akif)

dëshmojnë se ai e thyen edhe sulmin e rrufeshëm të

“njerëzve të kryqit”, duke e ndritur shpirtin e të parit të tyre.

Mbrojtja e këtij populli plot emocione nuk ndryshon nga sulmi, ashtu siç sulmin vështirë t’ia dallosh prej mbrojtjes. Ai është i fiksuar pas përçimit edhe te të tjerët i të vërtetave më të epërme, me të cilat e ka të pamundur edhe vetë që të ngopet, ndaj edhe i pati kapërcyer Himalajet, qe avitur deri në Alpe dhe Pirenej, duke çuar dritë dhe shpresë edhe në këto vende që hëna me diellin se si lindin ndryshe e ndryshe perëndojnë, deshi që dritën dhe shpresën të çonte. Ai ishte aq i entuziazmuar, i hedhur, teksa kryente këtë detyrë të shenjtë, por po aq i paepur dhe i papërballueshëm ishte edhe kur të gjithë iu vërsulën që t’i thyenin krahë e këmbë.

Por ka edhe disa fitore të tjera, të cilat njeriu i realizon përtej materies, brenda vetes, kundër egos së tij dhe janë pikërisht këto fitore që meritojnë lëvdatat më të mëdha dhe zënë vendin më të privilegjuar në kumtin e lutjeve qiellore. Lufta e individit brenda vetes, që ai të mund të fitojë kundër vetes... Çdo fitore e korrur përgjatë kësaj lugine e bën njeriun më të thellë, i përfton atij përmasa të reja, duke e bërë që të meritojë të quhet hero i mijëra fitoreve të tjera.

Unë jam i bindur se ky është shkaku themelor i tërë atij zinxhiri fitoresh të popullit tonë për shekuj e shekuj me radhë. Në të kundërt është e pamundur që të mund ta shpjegosh gjithë atë sukses kundër gjithë botës, dhe në një kohë kur mundësitë dhe forcat ishin aq të kufizuara.

Po, ngadhënjyesit dhe komandantët fitimtarë të vërtetë të së shkuarës sonë, falë flatrave të kësaj fitoreje të brendshme kanë arritur të lartësohen gjer në majat e bashkëbisedimit me Hidrin. Kjo luftë, e cila nis në brendësi të individit dhe meriton të cilësohet si “xhihadi i madh”, me kalimin e kohës t’i vë nën kontroll të gjitha sjelljet, duke të mësuar kësodore çdo fshehtësi të të qenurit i pamundshëm prej askujt. Sepse një dorë që ka arritur të korrë një të tillë fitore brenda vetes, i përtyp dhe i zhbën me një të lëvizur të vogël të dorës të gjithë forcën dhe peshën që materia ka mbi të. Në sytë e një trimi të pashoq, i cili ia ka mësuar shpirtit të vet të gjitha fshehtësitë e malit të “Sinait”, e gjithë madhështia dhe tërheqja e sasisë nuk mund të jetë veçse një grimcë e parë me sytë e cilësisë.

Prandaj edhe fitoret tona dhe ushtarët tanë, që na i kanë dhuruar ato fitore, dallojnë plotësisht nga të gjithë të tjerët, sepse përfaqësojnë një gjendje tërësej të tjetërfartë.

Te ne, frenimi i vetes dhe mundja e vetvetes nga individi përbëjnë diçka thelbësore. Andaj, një njeri që është shndërruar në skllav i egos së tij dhe nuk mund të jetë asgjë më shumë se sa shërbëtori i saj, sikur edhe si Aleksandri të jetë, madhështor, ai është një i ngratë, për të cilin nuk mund të ndiesh veçse keqardhje.

Ata që nuk u kanë ndërtuar dot përmendore ndjenjave të epërme dhe idealeve të larta në zemrat e tyre, pasi nuk mund të dalin kundër dëshirave dhe kërkesave personale të tyre; ata që nuk ia kanë kuptuar dot se çfarë kënaqësie të falin respekti për Zotin, më të Drejtin e më të Vërtetin, dhe të qenurit rob besnik i Tij, sikur edhe mbi gjithë botën mbarë të ngadhënjejnë, nuk mund të quhen se kanë arritur ndonjëherë te fitorja.

Mijëra përshëndëtje le t’i dërgojmë atij populli që del fitimtar duke u qëndruar besnik parimeve tona!