Cilësitë e njeriut dhe shoqërisë shembullore
Këtu i jepet një hapësirë shumë e veçantë vlerave dhe virtyteve që i nevojiten aq shumë njeriut tonë, të cilat do të mund ta ngrenë atë në këmbë, që ai ta shpëtojë veten nga zvarritjet: Një “Pendim” gjithëpërfshirës, “Mëshira”, “Respekti për njeriun”, “Toleranca”, “Durimi” dhe “Shpresa”. Secili prej tyre është nga një artikull i veçantë, i synuar për t’i dhënë formë njeriut për të cilin ndihemi të përmalluar.
Për sa i përket rirregullimit të vetes nga shoqëria, autori
i “Sızıntı”-së e shpreh vetë, haptazi, zgjedhjen e tij: shpresa që populli ta gjejë edhe njëherë vetë veten, që virtytet e lartësuara dhe vlerat ku ata besojnë të jetohen e jetësohen me sinqeritet dhe të përçohen mandej tek e gjithë shoqëria. Porsi një kopshtar që guxon ta mbjellë edhe pemën frutat e së cilës nuk do t’i arrijë dot, por zgjedh anën e maturisë dhe të dorëzimit plotësisht tek Allahu (xh.xh.).
Arsyeja pse autori ka zgjedhur që të qëndrojë me kaq shumë ngulm mbi njeriun është shprehur më së miri në këto fjali: “Gjithçka e ka fillimin tek individi, arrin një tërësim shoqëror të vogël me familjen, derisa, në fund, fiton një trajtë prej nga mund të sundojë mbi të gjitha shtresat e një shoqërie.”
“Po, një shoqëri e shëndetshme mund të quhet se ekziston përmes thellësisë së brendshme dhe jetës së zemrës dhe shpirtit të individëve që janë pjesë e saj. Dhe vetëm në saje të tyre është në gjendje që ta ruajë ekzistencën dhe gjallërinë e tyre. Madje mund të thuhet se shoqëria merr formë sipas gjendjes dhe cilësisë së individëve që janë gjymtyrë të një familjeje (atomet), apo edhe prej izotopeve individuale në mesin e njerëzve, e kjo i jep edhe drejtim.”
“Prandaj, çdo bukuri që gjehet tek individët, çdo vlerë dhe çdo çmim reflektohet e shumëfishuar te shoqëria. Përkundrazi, çdo gjë e papërshtatshme, çdo gjë që është e pamjaftueshme përbën një skandal, i cili ia pret rrugën një shoqërie sikur një kob, duke i lënë asaj shumë plagë në thellësi.”