Hidhërimi me shkencën dhe teknologjinë
Sot, vërtet gjendemi përballë shumë fatkeqësive dhe rreziqeve të mëdha, por zotërojmë edhe shumë mundësi të mëdha dhe shumë shpresë. Shekulli i nëntëmbëdhjetë dhe ai i njëzetë kanë qenë të dy shekujt më të bollshëm dhe më pjellorë, si për sa i përket së mirës dhe mbarësisë, ashtu edhe i së keqes dhe fatkeqësisë. Sikur njeriu të mund t’i kishte vlerësuar mundësitë që kishte në duar gjatë kësaj periudhe të kohës, do të mund ta kish kthyer botën në një Parajsë më vete...
Po, sot, terreni dhe qielli janë bërë bashkë dhe na falin buzëqeshje; kushtet dhe rrethanat na lajmërojnë për horizonte lumturie të niveleve shumë më tej. Shkenca dhe teknologjika, me të gjitha frytet dhe rezultatet e tyre duken të kenë hyrë në shërbim të njerëzimit. Mirëpo, ne nuk po arrijmë dot ende që të përfitojmë prej këtyre mundësive kaq të gjera. Deri më sot, asnjë ekip njerëzish profesionistë nuk i ka vënë vetes përgjegjësinë për t’i dhënë drejtim njerëzimit dhe, për pasojë, e ka vonuar lumturinë e sotme të tij, duke prurë me vete edhe një varg dyshimesh dhe mungese të shpresës përsa i përket lumturisë së përjetshme. Derisa ta ndiejnë përgjegjësinë përgjegjësit e vërtetë, kjo gjendje duket sikur do të zgjasë edhe më shumë...
Deri më sot, fshati dhe qyteti dukej sikur kishin një jetë të tyren; një jetë të parregullt dhe të paplanifikuar, të privuar nga
shpirtërorja, të vdekur nën barrën e rëndë të depresionit, e që e kish humbur gjithë freskinë... Edhe pse uria dhe sëmundjet epidemike e patën vënë shumë herë me shpatulla pas murit, edhe pahijshmëritë që i ishin vënë pas moralit të tyre i shtynin ato nga njëri mjerim në tjetrin. E ai e shihte çdo gjë që ndodhte si të pajetë dhe pa lëvizje, duke e quajtur jetë të gjithën këtë. Por sot, ngado mbizotëron pamundësia për të jetuar me mendime të dala boje të kohës, të cilat nuk kanë më kurrfarë lidhjeje me të vërtetën... “E vjetra u bë e padurueshme, o të vijë e reja, o të vijë përmbysja.” Ose do ta planifikojmë paraprakisht botën ku do të jetojmë në të ardhmen, duke ndjekur udhëzimet e shkencës, ose do të rrokullisemi të gjithë, bashkë me botën në të cilën jetojmë, drejt humbellave të thepisura...
Disa njerëz mendojnë se drejtimi i botës sipas shkencës ka për të sjellë shumë fatkeqësi, si për shembull kthimi i njeriut në një makinë, apo i njerëizmit në një bashkësi milingonash. Kjo nuk është aspak e kurrsesi e vërtetë. Ashtu siç nuk ka një të shkuar pa shkencë, edhe një e ardhme pa shkencë as që mund të çohet nëpër mendje. Çdo gjë, duke pasur parasysh qëllimin e saj, është e lidhur me shkencën. Dhe pa të bota nuk ka se ç’t’i japë njerëzimit.
Në fakt, është shumë e vërtetë, që në shumë qytete njeriu është kthyer në makinë dhe ndjenjat karakteristike njerëzore janë zhdukur; e së bashku me mendimin edhe shëndeti, e së bashku me shëndetin edhe shumë virtyte njerëzore janë fshirë nga faqja e dheut. Por, t’ia ngarkosh të gjithë barrën e fajit për këtë shkencës dhe teknologjisë do të ishte e padrejtë. Ndoshta fajin për këtë duhet ta kërkojmë te cilësia e shmangies së shkencëtarit të vërtetë nga marrja përsipër e përgjegjësive nga ana e tij. Sepse, sikur shkencëtarët e vetëdijshëm për përgjegjësitë shoqërore që ata kanë, të kryenin atë që pritej syresh, me shumë gjasa shumë prej këtyre çështjeve shqetësuese sot nuk do të ekzistonin..!
Shkencë do të thotë të ndiesh, të perceptosh dhe të konceptosh ato gjëra që ekzistenca dhe ndodhitë brenda saj duan të na shpjegojnë, apo se ç’na paraqesin përpara syve për t’iu bindur ligjësitë e natyrës. Njeriu është krijuar për të sunduar mbi gjërat, ndaj ai e ka për detyrë që të shohë, të dëgjojë, të perceptojë dhe të mësojë. Dhe, pasi të ketë mësuar, t’i bëjë ngjarjet që të jenë nën kontrollin e tij, duke kërkuar të gjitha mjetet e nevojshme për t’ua përçuar përfundimet e tij edhe të tjerëve. Ja pra, kjo është pika kur, me urdhrin e Krijuesit, krijesat i dorëzohen dhe i binden njeriut dhe njeriu i bindet dhe dorëzohet te Krijuesi i tij.
Shkenca, me të gjitha degët e shumëllojshme të saj, si fizika, kimia, astronomia, gastronomia, e shumë të tjera, është në shërbim të njeriut, duke i dhënë çdo ditë dhurata nga më të rejat.
Po, shkenca dhe teknologjia janë në shërbim të njeriut, ndaj nuk ka kurrfarë arsyeje për të pasur frikë prej tyre. Rreziku nuk qëndron te shkencorja dhe te ndërtimi i botës sipas shkencës; rreziku qëndron te injoranca, te mungesa e vetëdijes dhe te shmangia nga marrja përsipër e përgjegjësive.
Nganjëherë edhe sjelljet e ditura dhe të planifikuara mund të sjellin përfundime të këqija. Kësaj nuk kemi ç’t’i bëjmë. Por mungesa e informacionit dhe e një plani, është e padiskutueshme që kanë lindur përherë veçse përfundime të këqija.
Prandaj, në vend se të ushqejmë armiqësi ndaj atyre çfarë na kanë sjellë shkenca dhe teknologjia, duhet t’i organizojmë ato në atë mënyrë që në qendër të synimeve të tyre të kenë lumturinë e njerëzimit. Dhe, ja, kjo është çështja më e madhe për njeriun. Sepse është e pamundur ta pengosh shekullin e hapësirës, ashtu siç është e pamundur që ta fshish nga mendja e njerëzimit mendimin e bombës atomike dhe të asaj me hidrogjen.
Kësisoj, përpara na mbetet vetëm një rrugë; t’u dalim zot shkencës dhe “produkteve” të saj, të cilat janë shndërruar në armë vrastare në duart e një vargu amatorësh dhe me to të ndërtojmë një botë që ka si synim të saj lumturinë në këtë botë dhe në amshim. Në të kundërt, vërvitja e të sharave ndaj “makinës” dhe mallkimi i parreshtur i fabrikave nuk ka për të sjellë kurrfarë dobie. Makineritë do të punojnë dhe fabrikat do të vijojnë të nxjerrin tym prej oxhakëve të tyre. Dhe, natyrisht, heronjtë e së vërtetës, që janë lartësuar drejt martesës së mendjes me zemrën, do të heqin dorë prej frikës dhe hidhërimit dhe, derisa të hyjnë në thellësi të krijimit dhe të ngjarjeve në të, si shkenca, ashtu edhe frytet e saj, do të vijojnë të jenë të rrezikshme për njerëzimin.
Andaj, ne nuk duhet të kemi frikë prej shkencës dhe fryteve të saj. Sepse një frikë e këtillë do ta paralizonte çdo lloj mundësie për të qenë në lëvizje. Në të vërtetë, ajo që duhet t’i frikësohemi është cilësia e duarve në të cilat gjendet ajo. Shkenca në duart e një “pakice” të papërgjegjshme është një fatkeqësi dhe kjo mjafton dhe tepron për ta kthyer botën në një Xhehenem të mirëfilltë mbi Tokë. Ajnshtajni, vetëm pasi pati parë hirin e Hiroshimës dhe Nagasakit që përhapej gjithkah e pati kuptuar se e pati lënë atomin në duart e një përbindëshi dhe i pati kërkuar ndjesë me lot në sy shkencëtarit japonez, të cilin e kishte mik. Sa vonë kemi ngelur...!
Mirëpo kjo nuk ishte as e para dhe as e fundit fatkeqësi. Në duar të mendimeve prej përbindëshi detet kanë qenë përherë batakë, ujëvarat kanale zifti, ndërsa atmosfera një tavan ndotjeje dhe kështu ka për të qenë edhe për ca kohë...
Njeriu nuk ka parë kurrë dëm nga armët që kanë qenë në duart e engjëjve. Ajo, dëmin më të madh e ka parë përherë nga shpirtrat prej përbindëshi, nga ata njerëz që e shohin të drejtën si të tillë vetëm në duart e forcës dhe prej ambicieve që nuk kanë të ngopur. Edhe këndej e tutje do të vazhdojë të jetojë e njëjtë, derisa të mund ta bashkojë besimin me shkencën dhe të ndërtojë botën e tij të re.
Me lutje që njeriu ynë ta kuptojë më mirë botën në të cilën jeton...