Nga e shkuara në të tashmen
Ne na pati thurur dora e fuqisë. Hyjnore qe thurima jonë. Qemë ulur të tillë sipas kritereve më të shëndosha. Te këmbët tona shtrihej i gjithë Muri Kinez. Te ne bashkoheshin majat e materies dhe spirituales të ekzistencës; në saje të kësaj do të dilnin në dritën e diellit këngë për fronin hyjnor e për atë të rruzullit tokësor, të cilat do të ishin ndër më të kuptueshmet dhe më të dashurat për njerëzit. Roma e Lashtë, me rendin dhe disiplinën e saj; Athina me dijen dhe filozofinë e saj, ishin thjesht rojtarë në portat tona dhe kërkonin që t’i njihnin prej nesh principet themelore. Forca ushtarake njihej në kazermat tona, sistemet e administrimit dhe diplomacia po në sarajet tona... shoqëria merrte ngjyrat e qiellit në shoqërinë tonë, qiellëzohej, bëhej më hyjnore, duke shpërfaqur njëmijë forma të reflektimit të ekzistencës. Rrugët gjarpërojnë e të gjitha të sjellin te ne; karvanet viheshin në radhë në udhëtime për të shkelur në tokat tona. Mbretërit i organizonin pritjet, ku do të shfaqeshin edhe vetë, në kodrinat dhe brigjet tona, duke bërë që të gjitha pasuritë të rridhnin vrig drejt atdheut tonë. Kopshtet e Iremit dhe Pallatet e Kisrasë nuk ishin veçse një tokë e shtrirë në rripat tanë, e nga një emblemë e unazave tona. Rregulli i jetës, harmonia shoqërore, mirëqenia materiale, kënaqësia shpirtërore, të qenurit të ngopur dhe shpresat tona na bënin që ta ndienim vendin tonë si një reflektim të kulluar të “shteteve të diellit”, të “utopive” dhe të “Medinës së Virtytshme”. “Ishim një popull i lartë, të prirur të gjithë
kah qielli, e për këtë ndiheshim krenarë” përgjatë gjithë të shkuarës.
Mandej një gjigant i frikshëm, si në një “makth vrastar”, u ul te gjunjët tanë dhe i thau e i shkretoi të gjitha vreshtat e kopshtijet e bukura. Aty filloi një rënie dhe rrënim shkatërrimtar. Yjet ranë, bedenat u thyen, liqenet u thanë, e rrugët u prenë. Saraje të tëra u shkërmoqën, vatrat u shuan, derisa rinisi një migrim i dytë i madh i Azisë së Mesme. Po largoheshin, por ku të shkoje..! Flakët dhe rënia ishin kudo, jo vetëm aty ku jetoje ti.
Nuk u larguam, qëndruam dhe pritëm që sarajet e rrëzuara mbi krye të bëheshin varri ynë. Në horizont erdhi një agim i gënjeshtërt, por në qiell nuk dukej asnjë dritë shkrepëtime. Mbi tokë nuk kish më jetë, qielli shumë i thatë dhe të gjithë njerëzit si të ishin duke pritur që të vinte “agimi pas kiametit”.
Sakaq diçka e papritur ndodhi. Sytë e reve nisën të mbusheshin pikë-pikë... Toka çeli zemrën dhe kraharori iu mbush plot. Sythet veshën uniformat e tyre dhe pranvera nisi të ndihet me melodinë e himnit të saj. Të gjitha farat u kapluan prej dhimbjeve të lindjes së diçkaje të re. Vezët u vunë të ngrohen dhe ne, aty, në luginë, nisëm të presim për njëmijë lindje dhe ringjallje. Ato që po ndodhnin ishin kaq të reja për të gjithë ne, sa që vështirë t’i shpjegosh dot sipas parimit të shkak-pasojës. Pasi mundi dhe përpjekjet tona ishin aq të vakëta, sa që nuk mjaftonin për t’i frymuar jetë as edhe një trupi të vetëm. Ndërkohë, përreth nesh ndihej atmosfera e njëmijë pranverave ngjyra-ngjyra dhe ngado vinte zhumhuri i mijëra ringjalljeve. Edhe pse mund të mos i quajmë dot mrekulli ato që ndodhnin, ishte e pamundur që të mos ishin të lidhura me Fuqinë e Pashtershme. Qielli i mëshirës u rendi në ndihmë me kërkesave të qashtra të zemrave të pastra. Dhe i restauroi “trevat tona të rrënuara dhe shkretëtirat tona
ku nuk shkelte më askush”, duke u falur edhe njëherë jetë. Pruri edhe njëherë dashurinë dhe miqësinë në sarajet tona të shndërruara në shkretina. U krijua një “lidhje e ritakimit” mes së shkuarës, që ishte kthyer tashmë në një “ëndërr të shkatërruar” dhe mbretërisë së mishëruar prej mirësisë.
Jo më, ne nuk do të lejojmë që të kemi më humbje të këtilla; teksa sillemi ashtu siç e kërkon lindja edhe njëherë, nuk do të lejojmë që të shuhen edhe njëherë vatrat e shpresës, të cilat sapo kanë rinisur të tymtojnë dhe nuk do t’i mbyllim sytë. Ata që nuk ua nxë mendja domosdoshmërinë e të gjitha fakulteteve jetike për të ruajtur ekzistencën si një trup i vetëm dhe pandashmërinë për hir të ringjalljes, mund të jenë duke përgatitur terrenin e një lufte të re, fundi i së cilës nuk mund të jetë veçse humbja dhe mjerimi, prej zotësisë dhe karakterit të humbur; ne kësaj do t’i themi: “Njëmijëherë mallkuar!” dhe do të vazhdojmë rrugëtimin tonë.
Ata që duan ta kufizojnë këtë punë dhe kauzë kaq të madhe vetëm për një klasë të caktuar gënjejnë veten..! Kjo kauzë, së cilës do t’i vinte supet e tërë ndërgjegjja kolektive, nuk mund të përsoset në duart e asnjë klase të vetme, e as nuk do të mund ta ruante identitetin e vet universal. Grupet, taborret, dhe kolonat e krijuara prej karaktereve dhe temperamenteve nga më të ndryshmit, me aftësitë, atmosferën dhe identitetin e tyre të veçantë do t’i vënë supet këtij misioni të vyer sa thesare të tëra dhe, kësisoj, do të krijohet një lidhje e fortë me mëshirën. Nëse do të ketë një përmbajtje të drejtë, atëherë ç’kuptim mund të kenë pretendimet e dobësive. A nuk na thotë, edhe breti i Fjalës, se “mosmarrëveshjet e Umetit janë mëshirë.”? Nëse na kërkohet që ta mbajmë ne mbi supe këtë thesar, atëherë duhet parë edhe se sa të sinqerta janë duart që do të zgjaten për të ndihmuar në bartjen e tij.
Shërbimi le të fillojë me ne, e, nëse do të mbarojë, të mbarojë me ne, ka gjasa të jetë një prej mënyrave që djalli i mashtron njerëzit. Dashuria për Zotin, më të Drejtin, kërkon që ta mbash sa më të pastër respektin për Të. Në ato lartësi, puthet dora e kujtdo që i shërben më të Drejtit. Çdo mendim pritet me respekt. Sepse ndihmesa dhe mirësia e Tij në botën e përtejme nuk do të ndodhë sipas gjeometrisë sonë. Ai ka për t’i kërkuar pranë ato zemra të pastra dhe të mbushura plot me besim; ato fytyra që pasqyrojnë veç të vërtetën dhe do t’i gjejë.
Prandaj, o udhëtarët e udhës së përjetësisë! Teksa i rregulloni sjelljet tuaja ndaj atyre njerëzve, me të cilët do të jeni bashkë në një kohë që nuk sos, mos u pengoni prej mllefit dhe urrejtjes, smirës dhe vetëpëlqimit, të cilat do të gjejnë fund së bashku me këtë botë; rregullojini ato sipas botës së amshuar të përjetësisë, e cila e ka zanafillën prej këtu! Asisoj t’i rregulloni, e të mos e përçudnoni këtë ringjallje tonën! Dhe ta dini pa kurrfarë dyshimi, se nëse nuk e përcaktoni mirë synimin tuaj të vërtetë në këtë luftë që po ndodh në mbarë botën, nuk do të shpëtoni dot prej të qenit veçse lodra në duart e armiqve tuaj të vërtetë dhe nuk do të arrini veçse humbje dhe zhgënjim edhe aty ku keni shpresuar aq shumë, suksesin...!
Andaj, ejani! Le t’i dorëzohemi dhe t’i bindemi Gjithçkaparësit, që Njeh gjithçka dhe që është në Dijeni të gjithçkaje! Të vdesë armiqësia kombëtare edhe për të shkuarën, e ne, nuk ka rëndësi, nëse do të jemi imamë, apo varrmihës, në kryet e atij varri... Të largohen këto re të ngurta, e të lindë një diell, pa nuk ka rëndësi në do të jemi mbret a lypës...!
Shënimet
- 15.Shih: en-Nevevi, Sherhu Sahihi Muslim 11/91.