Një tabu e re
Në shekullin që po jetojmë inteligjenca e njeriut po përdoret më së tepërmi për zhvillimin e teknikës dhe të teknologjisë, dashur pa dashur shoqëritë kanë filluar të rrëshkasin në drejtim të një atmosfere pak më mistike. Nga njëra anë njerëzimi është duke shkuar i humbur me një shpejtësi marramendëse dhe gati në mënyrë të pavullnetshme për të, duke e humbur veten i rrëmbyer nga iluzionet ngjyra-ngjyra të së ardhmes, nga ana tjetër është larguar ndjeshëm nga e shkuara dhe thelbit i vet.
Sidomos, nëse do t’u shtojmë këtyre fitoreve edhe ëndrrave të së ardhmes, kthimi i teknikës në “tabunë” e re të tij, ashtu si edhe mihrabi i ardhshëm. Po, sot bota e panjohur është duke u hapur përpara syve të tij si të ish një nyje në zgjidhje e sipër, me botë të reja që po zbulohen nga thellësitë e hapësirës falë zbulimesh vertikale, në kërkim të qytetërimeve të reja. Mirëpo qe kjo nisje për të hyrë në kontakt me “qytetërime” të mëtejshme, që nëse të gjitha këto do të sendërtohen, njerëzimi do të shpëtojë prej kësaj bote vdekjeprurëse, për të arritur nëpër Parajsat e imagjinuara(!).
Kushedi, ndoshta që tani kanë filluar të krijohen agjenci udhëtimesh ndërmjet yjësive...
Njerëzimi, i cili me Rilindjen zuri të kapej pas një vargu ëndrrash dhe që prej asaj dite nuk po e çliron dot veten syresh, pikërisht aty ku ia nisi orvatjes për të ardhur në vete, si me një shkop në dorë fiksimin pas të cilit vinte rrotull e quajti burim drite, ndaj nisi t’i këndojë asaj këngën e gëzimit:
Arritje të shpejtësisë së dritës; funksionimi i saj në të kundërtën e kohës dhe botë shumëngjyrëshe që na premtojnë lumturinë dhe pavdekësinë në thellësitë e “hapësirës”...
Në fakt, ajo që pritet të ndodhë në të ardhmen – madje, ta zëmë se edhe ato që priten janë të padiskutueshme – optimizmi për hir të tyre nuk është as i nevojshëm, as i domosdoshëm. Sepse edhe kur i hymë zbulimit në tokë; gjithçka përreth e shihnim kështu, të roztë, me pula që bëjnë vezë të arta, me ëmbëlsira të fuqive të mbinatyrshme që rrjedhin njësoj si shiu, thëllëza që fluturojnë gjithandej, e me përshkrimet e tyre i mbushëm të gjitha tregimet dhe romanet e shkruara. Mirëpo, këto ëndrra të ëmbla, vetëm shumë pak kohë më vonë, nuk qenë veçse fryte të imagjinatës, dhe ia lanë vendin makthit.
Por nuk ka asnjë garanci që lumturia që të premton hapësira do të jetë më jetëgjatë dhe më gjurmëlënëse. Ndoshta, kjo do të bëhet shkas që njerëzimi të entuziazmohet edhe njëherë, e të lindë sërish atmosfera e optimizmit, edhe pse mund të jetë kalimtare. Por nuk ka për të vazhduar kurrsesi. Edhe kjo do të shuhet një ditë, siç ka ndodhur me dritat e gënjeshtërta gjer më sot, duke mos lënë asnjë gjurmë pas.
Perëndimi, që deri dje e quante ngritjen e duarve kah Krijuesi pengesë për të përfituar prej mirësive të kësaj bote dhe si një zinxhir prangosës në duar për të përfituar nga mirësitë e kësaj bote; me t’i shkëputur marrëdhëniet me zemrën, përkundër zinxhirëve të vjetër imagjinarë, ka filluar ta ndiejë peshën prej zjarri të kularit me njëmijë hallka që i është vënë në qafë... ka filluar, por pasi thuajse u çmend nga humbja e çdo lloj besimi...
Kjo rrahje e këmbëve e ditëve tona, në kërkim të të njëjtave ëndrra të ëmbla, po ndodh në shoqërinë e të njëjtave depresione dhe të njëjtat pikëllime.
Sikur kjo të mos ishte e lidhur me fatin dhe kaderin e mbarë njerëzimit, thjesht për ngopur ndjesinë e kureshtjes, apo për hir të qetësimit që mund t’i falë disa ndjesive kalimtare, nuk do të ngatërroheshim fare me këtë “tabu” të mbrame. Por njerëzimit i është shterur i gjithë durimi dhe nuk mund ta përballojë edhe një provë përvoje tjetër, apo që të gënjehet edhe njëherë.
Hapja drejt oqeaneve dhe zbulimi i kontinenteve nuk mjaftuan për ta kënaqur; përkundrazi, i pruri atij të tjera mjerime. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk se ka për të ardhur shumëçka prej botëve shumëngjyrëshe të së ardhmes. Ah sikur, për hir të botëve të reja që do t’i premtojmë, t’ia kishim shpëtuar atij shpirtin prej burgut ku është izoluar, për ta bërë që të ndiejë ekzistencën e ndërgjegjjes; t’ia largonim tëhuajëzimin me krijimin, e t’i siguronim një përbashkim me gjithësinë. Por, mjerë ne, që nuk e bëmë dot këtë! Kurse ai mbeti përherë i huaj karshi krijimit dhe ngjarjeve, i përfshirë në një mjedis që është në ndryshim të vazhdueshëm, me të njëjtën tëhuajësi që karakterizon njeriun që i ndjek ngjarjet njësoj si ai spektatori që ndjek vetëm ato që shfaqen në perden e bardhë të kinemasë. Duke përdorur fuqinë e thellësive të tij, në çdo pikë ku kërkohet që ai të merret vesh me njëmijë e një lule, porsi një bletë, dhe me talentin e mrekullueshëm të tij të ndërtojë hoje të dijes, ai e pa veten si diçka të dobët, pa udhërrëfyes, ndërsa mjedisin përreth të ngurtë, pa jetë dhe të vështirë për t’u vënë në përdorim dhe kështu nuk bëri dot asgjë.
Po, ai nuk e pa dot shpirtin, që ishte thelbi i ekzistencës së tij, kulturën e vet, të cilën e quajti thjesht një “e shkuar” dhe mbi të cilën ngriti një varr, apo krejt botën e ndjenjave që e qerthullonin si të ishte një qilim larushan, nuk i kuptoi dhe nuk u njoh dot me to. Edhe teksa pinte shurupin e rilindjes, edhe kur kapej pas magjisë së hapësirës dhe endej e rrotullohej lartësive...
Tani, ne gjendemi përballë një çështjeje gjigante, siç është ajo e përftimit të një këndvështrimi të ri njeriut tonë dhe e ardhjes atij në ndihmë për të risuar vetveten.
Si do ta ndihmojmë ne atë, që të bëjë zgjedhjen e duhur për sa i përket së vërtetës? Si do ta largojmë shkëputjen që ekziston mes botës së brendshme dhe botës jashtë? A do të mund të arrijmë në sintezën e nevojshme, që do t’i pajtonte me njëra-tjetrën të shkuarën me të tashmen dhe të tashmen me të ardhmen...?
Këto janë gjëra që duhen bërë medoemos. Sepse, pas kryerjes së tyre fshihet takimi i njeriut me vetven dhe arritja e së ardhmes me bindje e shpresë. Dhe, me këtë sintezë, e dukshmja do të vihet në shërbim të së brendshmes, së padukshmes, gjithësia do të bëhet libri i shpirtit, e shkuara një pasqyrë e lëndës për të ardhmen; zemra njerëzore do të ngjitet lartësive me këta krahë pozitivë dhe negativë, për të arritur lumturinë e vërtetë, ku të mund të ngrejë pallatet e shpresës.
Sepse, ashtu siç të qëndruarit karshi të ardhmes me sytë mbyllur do të thotë verbëri, të jetosh i shkëputur prej së shkuarës është një fatkeqësi. Po, sepse vetëm ata njerëz pa fat, me sytë lidhur, që justifikojnë veten me këngët që i janë thurur së shkuarës dhe që e mohojnë trashëgiminë e së shkuarës tërësej nuk janë veçse një varg njerëzish pa rrënjë.
Jo vetëm që të dyja botëkuptimet janë të pakuptimta, por edhe gjendja e kësi “oksidentalëve” që mohojnë çdo rrënjë është shumë e dëmshme. Sepse nëse gjendjen e të parëve do ta përngjasojmë me gjendjen e orës së ngelur, e cila, të paktën dy herë në ditë, e tregon saktë orën, gjendja e të dytëve të kujton një orë të çoroditur e të pakurdisur mirë, që nuk e tregon asnjëherë saktësisht orën se sa është. Dhe tipa të tillë janë shumë të dëmshëm dhe mashtrues për shoqërinë.
Ne, si popull, kështu e nisëm këtë shekull, me të dy krahët të thyer. Depresionet e atyre ditëve, të cilat e tronditën shoqërinë gjer në themelet e saj, hodhën shtat dhe u zhvilluan pikërisht në mes të këtij problemi. Ndërsa, më vonë, organizmi i shoqërisë nuk qe veçse një tufë organesh të pezmatuara...
Tani, për ta përgatitur atë që të ekzistojë në linjën e dedikuar për të, aty ku i takon të jetë, është një borxh dhe një detyrim karshi njerëzimit. E ne këtë do të bëjmë. Mirëpo si do t’i japim krahë të rinj këtij organizmi të vdekur, që ai të fluturojë edhe njëherë? Por kjo është edhe ana më e mundimshme e kësaj çështjeje... Me diagnozat dhe mjekimet tona një apo dyshekullore, ne kemi qenë vazhdimisht nën udhërrëfimin e të huajve. Dhe nëse jemi sërish duke menduar për të njëjtat gjëra, bota jonë, e cila është rrëzuar pesëdhjetë herë në “knock out” kundër Perëndimit, duhet t’i ketë besuar shumë mirë së vërtetës se dora perëndimore nuk mund ta mbajë dot “buqetën” në duar, për të na shërbyer me barin që do të pastrojë helmimin e gjertanishëm.
Po, për shekuj me radhë, sa herë që ka parë të shfaqet qoftë edhe shenja më e vogël e gjallërisë, Perëndimi ka lëshuar nga një bajloz në shpinën tonë dhe kjo botë, e cila e ka pasur të pamundur që të lëvizë vendit, nuk duhet t’i drejtohet edhe njëherë këtij doktori, përderisa beson te tradhtia e tij...!
Kur edhe Perëndimi i sotëm është edhe vetë nën trysninë e depresioneve të njëpasnjëshme, i ndrydhur dhe i rraskapitur. Sado që në pamje të jashtme të jep përshtypjen e madhështisë dhe të stolisjes, njëlloj si një lis i vjetëruar nga pesha e viteve, ai ka kohë që vuan prej kalbjes së brendshme. Ata që vijojnë ta shohin si madhështor dhe në gëlim e sipër të vlerave dhe që besojnë se ai vijon të përfaqësojë forcën, janë veçse një tufë dallkaukësh që nuk dinë asgjë për brendinë e shkatërruar të kësaj peme shekullore.
Prandaj, ky Perëndim i mjerë, i falimentuar në meditim, i poshtëruar shpirtërisht as nuk ka për të na e përcaktuar problemin tonë as mjekimi që do të na këshillojë nuk ka për të na ngritur prej shtratit. Kur ai ka mbetur i bllokuar pas të njëjtave vese, duke i trajtuar çështjet shoqërore, ekonomike dhe politike në platforma nga më të ndryshmet, por pa dalë dot prej ndonjërës syresh.
Duke qenë e këtillë, për t’i përcaktuar dhe për t’i diagnostikuar shqetësimet tona, ne duhet të mbështetemi te “kupola jonë qiellore”, që është e përbërë nga trashëgimia dhe vlerat tona. Të gjitha bukuritë e dijes dhe të shkencës, të cilat rrjedhin në trajtë ujëvarash në çdo anë të botës, t’i shkrijmë në kraharor, t’i përvetësojmë dhe si një lëng jetësor që kalon përmes gjinjve amësorë, t’ia orfojmë dhe të ushqejmë njeriun tonë.
Përndryshe, gjithçka që i përçohet popullit pa u përpunuar dhe pa marrë një trajtë kombëtare, do të bëhet si ushqimi i vjellë njëherë që zogjtë u japin të vegjëlve të tyre për të ngrënë dhe kjo do të thotë që të zhbësh moralin dhe natyrën tonë të veçantë.
Sado identitet universal që të fitojnë qytetërimi dhe kultura, ato duhet të përfaqësojnë gjendjen shpirtërore të kombit në zemër të të cilit lulëzojnë. Për rrjedhojë, më tepër se sa ta shohim atë si një veshje të gatshme, ne duhet ta pranojmë atë si një cohë mëndafshi të paqepur ende. Një cohë e këtillë, të cilën çdo komb do ta presë dhe do ta qepë, pa dyshim, sipas trupit të vet...
Vijojmë e ushqejmë shpresën se arkitektët e së ardhmes nuk do ta largojnë nga vëmendja këtë çështje.