Diagnoza: Thatësi
“Sızıntı”-ja është shfaqur për herë të parë me një pëllëmbë të mbushur me lotët e derdhur për humbjen e brezave të tërë, të cilët janë rritur duke thithur qumështin e hiçmosgjësë, të pa njohur me ato vlera që e lartësojnë njeriun, ndaj edhe nis me këtë britmë, e cila thotë: “Për ty po ia nisim këtij rrugëtimi.”
“Brezi ynë gjendej i shtypur e i lodhur nën peshën e trysninë e rëndë të materies. Nuk i kish mbetur më as thellësi e brendshme, as ndonjë gjë që të dëshmonte për qashtërsi të mendimit dhe ndjenjës.” Në mendimin e një pjese të inteligjencies sonë, teksa përgatitej brezi i ri, “përvoja njëmijëvjeçare dhe e gjithë pasuria intelektuale e grumbulluar gjatë kësaj kohe u çuan dëm, sikur të ish duke u luajtur e tëra në kumar dhe në vend të tyre instalohej një kulturë e pakuptueshme, si të ishte e shkruar në gjuhën sanskrite, e rimarrë nga njëzet shtete e kultura të ndryshme, pa u kaluar më parë nëpër asnjë procedurë filtrimi.” “U lanë mënjanë të gjitha ato vlera, të cilat, për shekuj me radhë, valëviteshin si flamuj mbi kryet tona dhe ne i respektonim si gjënë më të shtrenjtë dhe i këmbyem e morëm, në vend të tyre, një torbë të arnuar, e me të zëvendësuam flamujt, e ky është një nga aspektet më të vështira për t’u kuptuar të veprimtarisë së “inteligjencies” sonë. Në një shoqëri të çoroditur, ku çdo gjë e shtrembër u paraqit si e drejtë dhe çdo e drejtë si diçka e shtrembër, çdo e vërtetë u konsiderua fantazi, legjendë, mitologji dhe të gjitha vlerat që e lartësojnë një masë njerëzish të caktuar dhe e bëjnë atë të quhet shoqëri, i shihnin si institucione të vjetëruara e të dala mode. Prandaj, ajo që duhet bërë është t’i injektojmë edhe njëherë jetë këtij brezi të humbur, të cilin e kanë larguar kaq shumë prej thelbit dhe botës së vet të mendimit; kjo do ta shpjerë atë drejt lartësive më të epërme të shpirtit. Dhe ky brez duhet trajtuar me dhembshuri, duke qenë se atij nuk iu ofrua kurrë asgjë serioze. Rrugëzgjidhja e vetme do të jetë zhvillimi i një botëkuptimi shkencor të ri, i një vullneti të ri të moralit; krijimi i mundësive për një dëshmim të brendshëm të jashtëzakonshëm për t’u futur në thellësinë e gjërave; hapja e rrugëve për t’u bërë një hero i të Drejtit dhe i vetisë për t’u shkrirë në hyjnoren e Krijuesit. Ata duhen çuar tek njëjësia në mendim dhe, për rrjedhojë, tek ekuilibri jetësor.”