Pendimi
Pendimi është një rifreskim dhe restaurim i brendshëm i vetes. Domethënë, që individi të largohet nga i Vërteti për tek i Drejti, për të rivënë në rregull ekulibrin e zemrës së prishur prej mendimeve dhe sjelljeve devijuese; e thënë me fjalë të tjera; të largohesh prej ndëshkimit për t’u strehuar te mirësia e Tij; të strehohesh te mëshira dhe ndihmesa e Tij, për të shpëtuar prej llogaridhënies, ky është kuptimi i pendimit.
Megjithatë, pendimin mund ta përkufizojmë edhe në trajtën e një larjeje të hesapit me egoizmin, si pasojë e ndjenjës së mëkatit. Me pak fjalë, pendim do të thotë që, përkundër kontrollimit dhe drejtimit të jetës në mënyrë të papërgjegjshme nga egoja, kjo ego dhe vullneti i saj t’i bëjnë ballë mëkatit dhe të mos i lënë hapësirë mëkatit për të depërtuar.
Nëse me mëkat kemi parasysh rrokullisjen drejt një grope pa pasur kurrfarë drejtpeshimi; pendim do të thotë të bësh një kërcim nga vendi siç e kërkon edukata e të shpëtosh. E shprehur ndryshe, nëse me mëkat do të kemi parasysh një plagë që e merr shpirti nga përhumbja për një çast e një ndërgjegjeje që resht së e mbajturi në kontroll vetveten, pendim do të thotë që zemra të bjerë vazhdimisht në vuajtje dhe ta kontrollojë vetveten me seriozitet; kësisoj ndjenjat njerëzore fitojnë sërish jetë dhe forcë.
Përderisa mëkati ndodh kur njeriu është nën sundimin e djallit dhe nën ndikimin e egos, pendimi është vetëmbrojtja që ndjenjat bëjnë karshi djallit, e përbërë nga përpjekja e vazhdueshme për të rregulluar çekuilibrimin dhe prishjen e harmonisë së shkaktuar në shpirt.
Përkundër dobësimit që i shkaktojnë erozionet e mëkatit shpirtit, pendimi është gjelbërimi edhe njëherë përmes “fjalëve të bukura”, me ato fjalë që janë ndër më të bukurat fjalë, mjedisin e zemrës e të mendimit, duke e parandaluar shkatërrimin e shkaktuar prej asi erozionesh. Kur vjen ajo ditë që sytë kthehen dhe shkruajnë të vërtetën, e zemrat kërcejnë vendit, përpjekja për t’u penduar, që ngashëren këdo, është madhështore, e pashoqe...! Ah sikur ta bënim atë përpjekje me të gjithë vajtimin e klithmat e nevojshme që do t’i mbyllnin ato vrima të hapura prej mëkatit..!
Po, pendimi është emërtimi i këtij kthimi heroik. Në të kundërt çdo fjalë është e gënjeshtërt dhe çdo sjellje nga një mashtrim i mjerë. Sepse pa u kapërcyer ata batakë që shkaktohen prej mëkatit dhe pa u mbushur ajo hapësirë që hapet prej “kuadratit të mëkatit”; për sa kohë që ndjenjat nuk i kaplon drithërima, shpirtrat nuk vuajnë dhe ndër sy nuk ia behin lotët, është e kotë të pretendosh se po ndihesh i penduar për të këqijat e kryera, nuk do të mbajë, e për rrjedhojë edhe është larg së qenit e pranuar.
Mëkatet janë nga më të shumëllojshmet dhe po nga më të ndryshmet janë edhe pendimet. Cënimi i unitetit kombëtar është një mëkat i madh. Ai që e kryen atë pavarësisht, shihet si mëkatar i madh, si përballë të Vërtetit e të Drejtit, ashtu edhe pranë njerëzisë. Prandaj, edhe pendimi për të është i mundur vetëm me rikthimin e shoqërisë në të njëjtën gjendje të unitetit e të shëndetshme; në të kundërt, për aq kohë sa organizmi shoqëror kollitet me një kollë të egër mes kësi vuajtjes të tmerrshme, ata që e kanë prurë atë në këtë gjendje
thjesht thonë: “Jam penduar dhe jam fajtor” nuk do të ishte veçse një mashtrim i tyri dhe një zhgënjim për ne. Po, sepse pendimi i një mëkati të këtillë është i mundur vetëm pasi të jetë siguruar një kthim pas nga të gjitha mendimet e çudhëzuara të përçarjes e copëtimit, të cilat mund të jenë shpërndarë në mesin e shoqërisë; ai mund të bëhet i mundur vetëm duke ia shpallur gabimin me zë të lartë çdo individi që është pjesë e atij populli, ndaj edhe nuk është veçse një mashtrim që të presësh që ai të falet vetëm sajë një pendimi të fshehtë. Dhe, për rrjedhojë, mosmarrëveshjet e brendshme do të shtohen dhe dobësitë, çekuilibrimet dhe ngatërresat e brendshme do t’i shtojnë edhe më shumë trysninë dhe nxitjet e jashtme, duke shërbyer si ftesa për to. Sepse rendi dhe gjallëria e një shoqërie dhe të qenit e tyre vazhdimisht në shoqërinë e ndihmesës hyjnore është e mundur vetëm e vetëm nëse individët dhe pjesët e asaj shoqërie janë në marrëveshje dhe mirëkuptohen me njëri-tjetrin, ose që të paktën jetojnë në paqe e nuk luftojnë shoku shokun. Sepse, nëse një populli i është nxirë horizonti nga mosmarrëveshjet dhe përplasjet, sepse individët janë të gjithë armiq të njëri-tjetrit, atëherë duhet të pendohen që të gjithë, një e nga një, që pendimi të jetë i pranueshëm. Dhe një pendim i këtillë varet vetëm nëse do të dihet se si të jeni nga një apostull besnik i mëshirës dhe dhembshurisë së “Shpirtit të Zotit”, e cila ishte e dallueshme kudo, në dashurinë, faljen dhe tolerancën që e karakterizonin. Me një fjalë, kur rruga dhe drejtimi janë ato të së vërtetës, kjo është e mundur vetëm kur ti mbështet këdo dhe çdo mendim, duke duartrokitur çdo lëvizje dhe duke i qëndruar i përkushtuar çdo sakrifice. Mua më duket se, për t’i mjekuar plagët tona shekullore, sot për sot, është e pamundur që të gjendet një ilaç më të provuar se ky dhe metodë më objektive se kjo.
Është shumë e hidhur, që pavarësisht të gjitha këtyre, ne kemi shumë vite që po luftojmë për t’u shmangur e shpëtuar prej barrës së rëndë të gabimeve të bëra mal mbi qafën tonë e që na i kanë kërrusur shpatullat, të lidhur pas një ceremonie të së enjtes mbrëma, kërkojmë rrugë të lira e pa mundim për pendim! Por edhe pse shkëputje të tilla, nëpër të tilla shtigje, duke shfaqur pendesë, mund të mjaftojë për mëkatet personale, në mëkatet që kanë të bëjnë me shoqërinë, për mëkatet që e prekin të gjithë shoqërinë, ka nevojë për një risim më të vërtetë, për një shkundje dhe ardhje në vete më thelbësore.
Por ç’t’i bësh dëshirës për t’iu shmangur këtij mundimi dhe të jetuarit qyl..!
Çdo institucion që përbën shoqërinë duhet të shfaqë pendesë dhe pendesa e saj duhet të jetë e atillë që të fal aftësinë për t’i kuptuar të gjitha gabimet që të shkatërrojnë e të konsumojnë përbrenda dhe për t’u shmangur syresh.
Kuadrot drejtuese duhet t’i dallojnë të gjitha gabimet dhe mëkatet e tyre dhe të mbajnë një qëndrim sa më serioz të pendimit prej tyre, në mënyrë që të mund ta risojnë dhe ringjallin veten. Në të kundërt, ceremonitë në trajtën e pesëdhjetëmijë pendesave, nuk të japin mundësi për të përparuar qoftë edhe një metër më tej në emër të së mirës. Mijëra mallkime për të gjithë ata që e kërkojnë në këtë mënyrë shërimin nga kjo sëmundje! Dhe njëmijë mallkime meritojnë edhe të gjithë ata që gënjehen pa prà e pa ndërprerë nga të njëjtat gjëra...!
Institucionet e drejtësisë marrin krahë prej drejtësisë dhe vendimet e duhura, duke premtuar pallate mbretërore të përtejqiejve. Për sa kohë që ato frymojnë drejtësi, orët quhen vite pranë Atij që është më i Drejti. Dhe kur kërruset prej vuajtjes që të shkakton faji i vendimeve jo me vend, nuk se ngelet më pas. Por ka edhe kohë kur ajo që sundon mbi çdo gjë është forca, duke e shumëzuar me hiçmosgjë epërsinë e më të Drejtit dhe e mbyt të drejtën me forcë, kjo është e pafalshme dhe nuk të lë hapësirë për pendesë...
Po e njëjta vlen edhe për organizmat e arsimit dhe edukimit. Për sa kohë që edukimi është apostull dhe rojtar i ndjenjave dhe mendimit kombëtar, ai kthehet në një institucion të pashoq që meriton veçse lëvdimin. Por, nëse priret kah ideologjitë e shthurura a të çoroditura, ai bëhet një institucion më mëkatar se mëkati dhe më hajdut edhe se vetë hajdutët. Dhe derisa të mbajë një qëndrim serioz dhe të shëndoshë kundër mendimeve të huaja dhe shkatërrimtare, vështirë t’ia falësh dhe vështirë të ketë ndjenja të pendesës...
Çdo institucion politik, individët dhe shoqëritë jopolitike; madje, nëse të gjithë, mendimtarë, shkrimtarë, mësues, janë zhytur në një luftë të monopolit për shkak të dashurisë për veten dhe të tjerët si vetja dhe kanë ushqyer armiqësi për të gjithë njerëzit e drejtë që nuk rreshtohen krah tyre, atëherë për ta mund të thuhet se janë të përfshirë në një mëkat shumë të madh dhe pendimi i tyre një e nga një përbën një detyrim mbi të gjitha detyrimet.
Prandaj, futja e individëve dhe institucioneve në një rrugë të përmirësimit dhe të ndreqjes së të metave, duke e vënë edhe njëherë në kontroll vetveten dhe duke i vërejtur të gjitha gabimet, mëkatet dhe shpërdorimet e tyre në vaporin e popullit tashmë të përçudnuar, përbën pa diskutim një domosdoshmëri. Në të kundërt gjithçka do të vijojë si deri më sot, duke i kërkuar mëkatet përherë te gjithkush tjetër përveçse te vetja dhe duke nxirë vazhdimisht imazhin e palës përballë. Zoti na ruajtë, kjo mund të na tërheqë drejt vështirësish që vështirë se mund t’i përballojmë dhe nuk do të ishte çudi nëse fshihemi tërësej nga faqja e dheut.
Po, sepse ne mëkatin më të madh e kryem kur fajësuam gjithkënd dhe veten e pamë me syrin e pafajësisë. Për sa kohë që nuk do të shpëtojmë nga ky botëkuptim, atmosfera shoqërore është ngurtësuar shumë dhe copëtimet e përçarjet e brendshme janë duke u shtuar me një shpejtësi të sa vjen e më të lartë. Kështu që të gjitha shpirtrat që duken të lidhura me fatin e këtij populli dhe të gjitha ato zemra të qashtra, të cilat ia kanë dedikuar jetën këtij populli, duhet të ulen edhe njëherë në gjunjë e të shprehin pendimin.
E kanë detyrim që ta përsërisin edhe njëherë betimin dhe besën e dhënë në emër të të gjithë njerëzimit dhe të pendohen që janë kapur pas dashurisë për poste e pozita; që janë bërë robër të monopolit të mendimit, të verbëruar e shurdhëruar prej dashurisë për llojin; për brezat që u vranë zemrat dhe shpirtërat me njëmijë e një paradokse; që e zhytën kokën te sulmet dhe dëshira për të sunduar dhe të drejtën e gjetën te forca; që u hapën luftë frymimeve hyjnore, që edhe pse u ushqyen me to, binin ndesh me mendimet e reja; që u lidhën fort dhe me pasion pas përfitimeve dhe interesave personalë; që nuk lanë gënjeshtër, mashtrim dhe kurth pa përdorur; që e justifikuan si të drejtë çdo mjet që të çonte te qëllimi i tyre dhe u prirën për t’iu përshtatur me çdo çmim çdo kohe që erdhi...
Ç’fatlumë që janë të gjithë ata që i kuptuan mëkatet e veta dhe rendën për te pendimi! Ç’fatlumë të gjithë ata që qenë të ashpër dhe të pamëshirshëm ndaj egos së tyre dhe falës e tolerantë karshi të tjerëve – atyre që nuk i përkitnin klasës së njerëzve të së drejtës dhe të vërtetës...!