Fëmijë, për t’i dhënë fund këtij vajtimi
Për ty ia nisëm këtij rrugëtimi. Për të marrë edhe ne nga pak prej dhimbjeve të tua; për të t’i fashitur sadopak vuajtjet, e për të ta çliruar disi atë zemër të hidhëruar... Mos u hidhëro me ne! “E morëm pak si me ngadalë”; nuk të erdhën dot në ndihmë në kohën e duhur. Por na beso; në zemra kemi pasur veç vajtimin e Jakupit, e zemrat shndrisnin veç nga dashuria dhe pasioni i Zelihasë.
Sa herë që ta kemi parë atë trup aq të hijshëm tek të rrinte ashtu i përkulur, edhe mua zemra më copëtohej si ato balluket e tua të shpupurisura. Sa e sa herë më është përthyer trupi prej vuajtjes, kur përballesha me qafën tënde të ulur e me ato shikime të trishtuara. Edhe pse desha që çdo britme simes t’i përftoja sadopak melodi, duke shtuar ndonjë prej notave që shoqërojnë këngën tënde, vajtimi yt pa përzhitte shpirtin; shqetësimi yt u stërzmadhua në sytë e mi, e shpirti m’u ndrydh...
Më vinte turp që dorën të ta zgjatja... Me atë dhembshurinë time artificiale, që të kujton etërit e Kishës, më vinte turp që të të dilja përpara. Sepse ty të vranë përpara syve të mi. T’i prishën ato balluke e të katandisën në këtë farë gjendjeje. E pata parë teksa ta shuan trurin e zemrën ta nxorrën vendit, i pata parë të gjitha, por nuk mund t’i zgjasja drejt teje duart e mia mëkatare... megjthëse e dëgjoja çdo klithmat e tua, nuk arrita t’i zgjatja... Fati yt qe i njëjtë me fatin e Faustit, po Mefisto kë kishe...? E kush e mendoi se ti meritoje këtë...?
Ti jetoje në një shtet të sigurt. Kishe një familje të ngrohtë. Rizkun dhe ushqimin e kishe te kryet dhe punët të shkonin mjaft mirë. Kur edhe në këtë vend të tmerrshëm, të bënë që të pendoheshe njëmijë herë. Por ti nuk e kishe në dorë që të zgjidhje e të mos vije. Erdhe dhe duke e gjetur bosh hapësirën rrethendanë, sepse s’kish asnjë njeri që të të dëgjonte. Vetëm ti ishe për ta dëgjuar vajtimin tënd.
Ata që ngarendnin drejt teje vraponin pas dëshirave dhe nevojave të veta. Sot britmat e tua, që ta copëtojnë zemrën, nuk reshtën kurrë që prej asaj dite. Ç’prej asaj dite ti vazhdon të jesh i braktisur. Pikërisht atëherë kur ti ishe “më i dashuri”. Ty të shëtitnin nga njëri krah në tjetrin, nga njëri prehër në tjetrin, sepse ishe kënaqësia dhe argëtimi i gjithkujt; të mbanin në kraharor të gjithë, si të ishe një gonxhe trëndafili, të erëmonin nga buza në buzë. Por ish e pamundur që të gjeje diç tënden në ato që u bënë për ty. Ishe i çuditshëm, i lënë vetëm, pa askënd që të të dilte zot...!
E djeshmja jote lindi të sotmen dhe e sotmja është duke të përgatitur një të ardhme edhe më të papërcaktuar. Sot je në udhëkryq, o bir...!
Lejomë tani, të jem unë trimi që të përkrah në këtë fat të keq. Ta hedh heshtën për ty, e britma ime të kumbojë gjer në thellësitë më të paarritshme të shpirtit tënd. Nuk të erdha dot në ndihmë atëherë kur duhej, të të ndihmoja në këtë zjarr e furtunë, ndaj lejomë t’i vë kryet e mia mëkatare nën ato këmbë, si të ishin gurë të kalldrëmit kah ti shkon e të të kërkoj falje në emër të të gjithë mëkatarëve: fali, birëzo, të gjithë ata që zgjodhën ekzistencën për hir të kënaqësisë, që harruan zemrën, duke u mbërthyer fort pas mishit e eshtrave, që vranë përjetësinë për hir të gëzimit të një çasti të vetëm, që shpirtrave u injektuan banalitetin, duke përgatitur sakaq mjerimin e vet!..