Përballja
Historia është e përbërë nga një varg përsëritjesh. Ngjarjet ndodhin aq të afërta dhe të ngjashme me njëra-tjetrën, sa që njeriu mund të gënjehet dhe të gjykojë se ndodhin përherë të njëjtat gjëra dhe po në të njëjtën mënyrë.
Megjithatë, shumë të paktë janë ata që mendojnë, sa shterpe mendimet dhe sa të huaja zemrat ndaj të vërtetave...!
Kushedi sa herë këmbët na i kanë bllokuar baltovinat dhe ne jemi rrokullisur greminave dhe sa e sa herë jemi kapur pas ujëvarave, për t’u ngjitur drejt majave. Sa e sa herë ditët i kemi pasur në kaos e netët na janë kthyer në Xhehenem dhe sa herë zemrat na janë galduar si prej kopshtijesh si ajo e Sadabadit.
“Mjeshtëri është të nxjerrësh mësim, mjeshtëri është njohjen të arrish.” Mirëpo ne nuk nxorrëm dot asnjë mësim dhe nuk u shkrimë dot kurrë në njohje. Vazhdojmë të dëgjojmë ende këshillat e disa të hardallosurve, duke u përfshirë nga njëri paradoks në tjetrin, të cilat janë njëqind përqind në dëmin tonë. E vërteta është se jo vetëm që nuk përftuam dot kurrgjë prej flirtimeve me armiqtë e shpirtit tonë, që pesëdhjetëmijëherë na kanë injektuar vetëmse tëhuajësinë, nuk hoqëm dorë dot prej tëhuajësimit edhe ndaj botës sonë, që na është shfaqur si gogol qysh në krye të herës.
Ç’do të na kish ndodhur, sikur qoftë edhe njëherë të vetme ta kishim vënë dorën aty ku rrihte pulsi i këtij populli, e të mund ta dëgjonim vetveten. Mjerë ne! Ndenjëm duke pritur vetëm mesazhe shpëtimi vetëm nga ata që ushqenin armiqësi ndaj popullit tonë dhe, gjithnjë, sipas konstatimeve të huaja po ashtu, i drejtuam atij veç vendime të gatshme për gjithçka...!
Tëhuajëzimi është një sëmundje, e cila ka zënë rrënjë brenda nesh qysh prej kohës kur nisëm të bëjmë hapa pas. Dhe që prej ditës kur pati nisur, është zhvilluar edhe më, me një shpejtësi në nivele “rekord”. Nëse nuk ka një dorë ndihmese që të na zgjatet, në vitet që vijnë, me këtë shpejtësi, nuk ka pse të quhet falltarì nëse e themi që tani vendin ku do të përfundojmë.
Tëhuajëzimi nis që me përzierjen dhe kthimin në një e të ngjashëm të kombeve të ndryshme. Thellohet me marrëdhëniet e mendimeve dhe kulturës, duke hedhur rrënjë më thellë. Kësisoj kjo është një sëmundje që mund t’u kalojë edhe fitimtarëve prej të humburve, ashtu edhe të humburve prej fitimtarëve. Për të mund të thuhet se ka diçka karakteristike që i përket shpirtit të humbësve; mirëpo, të thuash prerazi se kjo është vetëm e këtillë do të ishte një vendim i marrë në nxitim e sipër. Për mendimin tim gjëja më e vyer për t’u veçuar këtu është se kur tëhuajëzim do të thotë që organizmi kombëtar dhe shoqëror të mos zgjohet dhe të mos kalojë në gjendje alarmi ngado kur lind mediokriteti dhe atmosfera e tij.
Shoqëritë, në kohën kur dinë ta përkapin tëhuajëzimin dhe janë aq largpamëse sa të dinë se si të kërkojnë “fjalëkalim” nga të gjitha gjërat e dëmshme, që janë të prirura për të depërtuar brenda, kanë arritur ta mbrojnë veten, duke mos lejuar kësisoj dëmtimin e institucioneve të tyre. Ndërsa në ato periudha kur nuk e kanë përkapur dhe nuk e kanë treguar dot largpamësinë e tyre, e kanë lëshuar thelbin dhe origjinën e tyre në duart e rrënimit dhe janë fshirë prej skenës së historisë.
Turmat që u përqafuan pas Krishterimit si pasojë e trysnisë dhe padrejtësive të Romës, të vetëdijshëm apo jo, më vonë, përftuan shumë botëkuptime të reja nga jeta romake, të cilat ia bashkëngjitën feve të tyre dhe, kësisoj, çuan në zhbërjen e thelbit të një feje madhështore. Kjo punë e marrjes dhe e transmetimit vazhdoi edhe më vonë, por të ngratët nuk ia dolën dot kurrë që ta shpëtonin veten.
Ndërkohë që nga njëra anë viktimat e asaj kohe, skllevërit e prekur, gjenin strehim tek mburoja e Krishterimit, për t’u ruajtur prej padrejtësive dhe represionit, nga ana tjetër edhe vetë përftuan nga një tipar identitar të ri, të huaj për ta, si pasojë e një mutacioni të shumëllojshëm në një hark kohor shumë të shkurtër, duke përdorur çdo gjë që u përkitte armiqve, sikur të ishin fare amatorë dhe si të kishin rënë pre e një loje, apo gjithçka ta kishin bërë nga ambicia që kishin për të ardhmen, derisa e kishin të pamundur që të riktheheshin edhe njëherë te vetvetja.
Historia rri e përsëritet: Edhe sot, ne mund ta drejtojmë gishtin nga një duzinë popujsh që gjenden në të njëjtën gjendje shpirtërore karshi Perëndimit. Këta popuj, edhe pse mund të ngjajë sikur janë në kërkim të epërsisë teknike të Perëndimit, apo të arritjes së nivelit të mirëqenies atje dhe të një jete po aq të rehatshme, ata janë duke u larguar prej thelbit të tyre dhe në rrugën e vetëshkatërrimit.
Bota përballë nesh, nga dje e deri sot, nuk mendoi për asgjë tjetër veçse si e si të ruante epërsinë ndaj nesh dhe për këtë i vuri gjithçkaje vulën e së moralshmes dhe të së lejuarës. Edhe sot ka po të njëjtin qëllim. I vetmi ndryshim është se në vend të skllevërve të djeshëm janë popujt që ata duan të skllavërojnë sot dhe, ndryshe nga skllevërit e djeshëm që kryengriheshin, sot janë popuj të tërë që përpiqen të ngrenë krye.
Po, të gjitha shoqëritë që më parë kishin një vendndodhje, atdhe, rrënjë dhe histori të tyren, sot janë duke u përgatitur për të kundërshtuar një botë që është krejt e përkundërta e tyre.
Deri në historinë e afërt, njeriu ynë, edhe pse i gjendur përballë lumenjve të gjakut që kanë krijuar këto botë të përkundërta, ka menduar përherë mirë për to dhe nuk është distancuar dot prej optimizmit të zhgënjyer. Mirëpo luftërat botërore njëra pas tjetrës dhe fatkeqësitë e tjera që vijuan pas tyre, vetëm sa i nxorrën në pah mllefin dhe urrejtjet e kësaj bote të përkundërt, duke bërë që popullit tonë t’i hapeshin sytë. Tanimë të gjithë janë duke e parë fare qartazi, se kjo botë nuk njeh asgjë tjetër, pos urrejtjes dhe armiqësisë.
Me politikën në kohët kur është e dobët dhe me parimin themelor të filozofisë së saj: “Të drejtë ka ai që është i fortë”, ka qëndruar përherë në anën e padrejtësisë dhe dhunës të barrikadave, duke shtypur dhe duke shkaktuar vajtime në çdo anë.
Fetë nuk e kanë edukuar dot; mësuesit nuk kanë ditur si t’ia zbutin dot shpirtin e tërbuar, duke mos i dhënë dot që të pijë nga pak sinqeritet zemrave të tyre.
Herë-herë ata janë përqafuar pas Krishterimit sikur të ishte një kamerdare shpëtimi, por më vonë kanë shpallur se edhe ai nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe kanë ngarendur pas të dashurish të tjerë. Ndenjave të ardhjes së Mesisë iu përgjigj me një shpirt si ai i Rilindjes, të cilin e vendosi në majat e çdo gjëje. Edhe kur e ktheu kryqin dhe kryqtarin në flamurtarin e vet dhe iu vu punës për të pushtuar mbarë rruzullin tokësor, ashtu siç qenë të pasinqertë në fillim, po aq sipërfaqësorë dhe të pasinqertë u treguan edhe ndaj idhullit të ri. Nuk kanë qenë kurrë të sinqertë, as kur ia patën dhënë të katër anët e Anadollit që t’i shtypnin me këmbë Kryqtarët, e as atëherë kur i lidhi ndjenjat e besimit fetar me zinxhirë dhe e izoloi veten në kisha dhe manastirë.
Edhe lidhja e saj fort pas Krishterimit ishte vetëm rrjedhojë e zemërimit për një besim, për një rend dhe për një botëkuptim të ri të marrëdhënies “kjo botë dhe amshimi”. Teksa përballeshin me këtë besim dhe sistem të ri, kur e kuptuan se as Krishterimi nuk ishte i mjaftueshëm, kaluan në frymën e Rilindjes tërësej. Kjo ishte një rithirrje në ndihmë e epokës “antike”, një tërheqje dhe një kthim pas. Me pak fjalë, edhe në çastet e rrëzimit zgjodhën të mbaheshin pas një rrënoje tjetër, sikur të ishte duke pritur ndihmë prej të vdekurve dhe një kërkim ngushëllimi te varret...
I shkreti Perëndim, në këtë gjendje, pandehte se do t’i vinte vetes në ndihmë! Por, në fakt, ajo që po bënte nuk ishte veçse një ndërrim petkash. Në vend të rrobës së vjetër, po i vinte vetes në kokë një thes të thurur dhe pandehte se ashtu do të siguronte ekzistencën e përjetshme. Ah! Nuk siguruan dot asgjë prej atyre çfarë patën pritur. Përkundrazi, me vetëdije të plotë u hodh në bordin e prapambetjes. Po, për hir të një inati dhe të urrejtjes, i shkatërruan, si veten, ashtu edhe të tjerët!
Njeriu i fesë dhe i botës së re, që kishte gjetur mundësinë për të parë dhe njohur, sajë Kryqëzatave, i pati frikësuar aq shumë ata, sa që donte t’ua tregonte njëherë e mirë vendin atyre. Sepse toleranca dhe mirëkuptimi që mbizotëronin në shpirtin e rendit të ri, një ditë, do t’i dëbonte ata gjer në portat e Perëndimit, duke u bërë ata sundimtarë dhe edhe vetëm si mendim kjo i tërbonte.
Dhe ja, mes të gjitha këtyre ndryshimeve të mëdha në botën e mendimit, Perëndimi i mori edhe njëherë në shqyrtim vlerat dhe shtyllat e veta, për t’u bërë atyre të gjithë “kritikën” e nevojshme. Dhe kësisoj u vu në kërkim të një të dashuri të ri. Por vetëm pak më vonë e gjeti veten sërish në vitrinat e muzeve etnografikë. Dhe edhe sot e kësaj dite ajo nuk e ka shpëtuar dot veten prej fosileve të kahershme që ia kanë pushtuar të gjithë zemrën.
Ah, ç’mendim vrastar ishte ai! Ah sikur të mund të kishte qenë pak më modeste dhe e virtytshme dhe të pinte pak prej eliksirit të jetës në të cilin qe i zhytur i tëri dhe drejtimi që do të kishte marrë bota do të kishte qenë krejt tjetër! Mirëpo ata u treguan fanatikë dhe e thyen këtë dorë të dhembshurisë që iu zgjat për t’u lajmëruar sihariqin e pavdekësisë.
Në të vërtetë kjo luftë dhe kjo përplasje ishte rrjedhojë e mospërshtatjes dhe parehatisë së shkaktuar nga afrimi i një bote të ashpër, që nuk kishte qenë kurrë e sinqertë dhe nuk kishte menduar kurrë për askënd tjetër, pos vetes, me një botë të re, e cila kishte në thelb të saj sinqeritetin dhe të natyrshmen. Kjo përplasje do të vazhdonte përgjatë gjithë historisë. Një botë, që kur ishte e fuqishme turfullonte edhe më shumë dhe që në periudhat kur ndihej e dobët zbutej krejtësisht dhe e ngushëllonte shpirtin me stisje nga më të ndryshmet, nuk u pajtua dot kurrë me një rend që përfaqësonte dritën e përjetshme. Dhe ja, faqet e përlyera me gjak të historisë, me mijëra shembuj për këtë...!
Në fund, turbullirat shoqërore arritën në dimensione që do t’i risillnin ata në vete, mirëpo kësaj here shpëtimtarin e vet, të cilin e pati shtypur pa i dhënë as mundësinë që të marrë frymë, e gjeti të përkulur më dysh para portës së vet. Ajo krizë që e pati bërë të përpëlitej për shekuj me radhë, tanimë pati kapur gafil këtë botë të re. “Pushtime, robërime, sundime, poshtërime, gjithfarë shtypjesh e gjithfarë sëmundjesh.” Tashmë nuk ngeli më askush që t’i sillte një bastun të rrëzuarit, apo që t’i sillte pak ujë prej atij të zemzemit për ata që zinin shtratin...
As që mund të mendohet se si mund të bëhet Hidr, e t’u vijë në ndihmë nevojtarëve, një botë në këtë gjendje. Sidomos nëse epërsia teknike-teknologjike dhe niveli i mirëqenies materiale është shndërruar në kriter dhe kjo gjendet në duart e atyre që kanë edhe vetë nevojë për ndihmë...
Ç’e do se kjo ndrojtje nuk do të vlejë për asgjë. Sepse, ndërsa nga njëra anë i dilte në pah mllefi i mbledhur përbrenda përgjatë qindra viteve, nga ana tjetër kishin nisur të shfaqeshin lëvizjet e para të një bote të re, e cila deri më sot kish qenë e vënë nën thundrat e robërimit.
Kjo botë e ashpër e dhunës, e cila përpëlitet tanimë nga frika e ndierë gjer në palcë, është sot pak më e tensionuar dhe më e shqetësuar për të ardhmen e saj. Ndoshta, kjo botë që ka ardhur në zgrip të plasjes, në vitet që vijnë ka për t’u lëshuar në krahët e ndonjë çmendurie a aventure të re e të panjohur më parë...!
Ah sikur kjo vatër ngatërresash që vlon prej shekujsh, në formën e një ligatine të vluar të mllefit dhe urrejtjes, ta zbrazte gjithë ç’kishte brenda saj, përfshi në të edhe “nënvetëdijen” e kahershme. Mbase atëherë ne do të zgjoheshim pak më shpejt dhe do të arrinim kësisoj më herët çlirimin. Dhe ky kthjellim legjendar i shpirtit do të ndihmonte e do të shpëtonte edhe Perëndimin.
Ku i dihet, ndoshta edhe kësisoj ka për të ndodhur.
“Ende pa lindur dielli, kushedi ç’lind prej shtratit t’agimit.”