Pasioni për jetën

Kur njeriu adhuron të jetuarit mbi gjithçka tjetër kjo do të thotë se shpirti i tij është mjeruar dhe ai është kalbur së brendshmi, duke i humbur të gjitha cilësitë njerëzore të tija. Dëshira për të jetuar është si një div i ulur mbi ndjenjat që mund ta lartësojnë njeriun dhe si një bajloz i vërvitur mbi vullnetin dhe vendosmërinë e tij. Pasioni për të jetuar është një sëmundje që e bën individin të bëhet bohem dhe nuk ngjan veçse me një kular të hedhur në qafën e shoqërisë. Derisa individi të shpëtojë nga kjo sëmundje dhe shoqëria ta hedhë tutje atë kular, shoqëria ka për të qenë e paralizuar dhe fatkeqe, ndërsa atdheu do të jetë shndërruar tërësej në një “qendër rehabilitimi”.

Pasioni për jetën ose, e thënë me fjalë të tjera, të jetuarit për hir të të jetuarit, kujtdo populli që ia ka hedhur çengelët e vetë, ka arritur që ta çoroditë, ta harbojë e mandej ta çojë drejt shkatërrimit. Askush nuk ka arritur që të daë i gjallë nga duart e këtyre “kohëve të egra”, e askush nuk ka arritur që të hyjë në klimën e tyre e të dalë i pazhbërë e tjetërsuar së andejmi.

Po, të gjithë ata popuj dhe ato shoqëri, të cilat sot mund t’i hasim veçse ndër faqet e historisë, kanë humbur jetë pikërisht për shkak të këtij hemorroidi, derisa janë tretur pak e nga pak, sikur trupat e tyre t’i kishte prekur një nxehtësi përvëluese.

Ja tek e keni Pompein në faqet plot mësime! Ja edhe Egjipti i Lashtë! Ja Roma! Ja Andaluzia! Ja edhe e tërë ajo Perandori Osmane... Po, të gjitha kanë kaluar përmes të njëjtit fat dhe përmes fatkeqësish të ngjashme me njëra-tjetrën, janë fshirë nga historia, për të mos u kthyer më, dhe, në të gjitha rastet, ata e humbën ekuilibrin për shkak të përgjumjes që u shkaktoi forca tërheqëse e kënaqësive, gëzimeve të tepruara, rehatisë dhe pëlqimit gjithnjë të gjendjes aktuale. Kësodore u shndërruan secila në një muranë të mjeruar e të mbetur rrënojë.

Ah sikur të mund ta përmendnim të shkuarën me të gjithë tmerret e saj dhe të mund t’i shihnim siç do të duhej ato rrënoja dhe të mund t’i dëgjonim klithmat e lëshuara nga rrëzimet e njëpasnjëshme!.. Sa keq...! Kush e ka atë kapacitet të të gjykuarit? Ku gjendet ajo mençuri...? Deri më sot sa vetë arritën që të nxirrnin mësim nga gjithë këta shembuj që kanë ndjekur njëri-tjetrin...?

Përsëritjet e historisë kanë ndjekur njëra-tjetrën. Gjithçka u la në dorë të rehatisë dhe mjerimi i shpirtrave bëri të lindnin përherë veç kobe. Dhe popujt e mëdhenj që ndërtuan qytetërime nuk rezistuan dot, por u shkatërruan heshturazi. Ç’është e vërteta as që mund të mendohej se nuk do të iknin një ditë. Sepse të vërtetat, me të cilat ata i patën ushqyer shpirtrat i patën harruar me kohë; patën pësuar prej kohësh njëmijë e një transformime dhe, ja, ku gjendeshin në një prerje të historisë, të shkëputur prej origjinës. Mandej, për t’u sprovuar u privilegjuan me edhe më shumë mirësi. Në mendje u qëndronte veç dëshira për jetën; në zemra mbizotëronte veç agonia e kënaqësive, për të shijuar sa më shumë nga çdo gjë që mund të sjellë jeta. As që mund të jetonin “gjer në përjetësi” me këtë dehje dhe me këtë mungesë ndjeshmërie dhe ashtu ndodhi. Qielli u nda në copa dhe u derdh mbi ta. Toka sikur u ça në mes prej mllefit dhe urrejtjes dhe u vërsul drejt tyre.

A nuk është Pompei një gjuhë shumë e qartë dhe një pikturë shumë domethënëse e kësaj gjendjeje, i cili dha shpirt në krahët e së turpshmes në ato saraje luksoze, me ata hamamë të neveritshëm! Ah sikur ta kishin kuptuar këtë edhe ata që arritën gjer në Andaluzi dhe çuan atje një shpirt të ri, një domethënie krejtësisht të re dhe të mund të nxirrnin një mësim prej kësaj gjuhe dhe kësaj pikture..! Po osmanët, që i kishin mundësitë që ta lexonin fatin e tyre në fytyrën e deformuar të Egjiptit, Romës dhe Andaluzisë? Po, të paktën ta kishin bërë ata, që të mund të ktheheshin në krye të ushtrive, njësoj si të parët e tyre, për t’u bërë kufij parandalues për gjithë të tjerët, pa i veshur me ar muret dhe tavanët e sarajeve të tyre; pa e shkuar natën në shtretër të veshur me pupla mjelmash; duke hequr dorë nga shitmendja me veshjet e tyre të mëndafshta e të thurura me motive gjithë laryshi ngjyrash, e ta risonin kësisoj vetveten...! Mjerë ne! Nuk e bënë... Dhe, pikërisht në atë çast, kur u larguan prej “taborreve ushtarake”, për t’u mbyllur në saraje, burrat e shtetit e humbën gjallërinë e tyre, duke nisur sakaq të skërmitin veten nga brenda. Kjo gjendje e dhimbshme dhe e mjerë e drejtuesve të shtetit, të kthyer tashmë në gjendjen e asaj parafinës së shkrirë të qiririt në krahët e rehatisë dhe kënaqësive, kaloi dhe iu ngjit edhe ushtarëve, duke i shndërruar edhe ata në elementë të kalbur të shtetit. Tanimë oxhaqet e shpirtërorëve që njëherë e një kohë nuk i nxinte asnjë kopsht, ai institucion legjendar, u dha pas një vargu dëshirash dhe kërkesash mjerane, u sforcua pa fund dhe çdo herë të gjithë ngarkesën e marrë përsipër e zbrazën mbi shtetin, sarajet dhe udhëheqësit e tyre.

Kjo ishte kalbja dhe zënia erë e një shteti të lartë dhe madhështor, që për shekuj me radhë pati sunduar mbi Azinë dhe Afrikën dhe që pati marrë rrugët drejt Perëndimit, për t’u përfshirë edhe ai në mesin e shteteve të mëdha, por fatkëqinj; të lavdishëm, por fatkëqinj.

Ah ç’shkatërrim i hidhur dhe ç’tretje e pashpresë!

“Tek më vjen në mendje tani; në vend m’u paralizua mendimi; atdheu i Salahadin Ejjubëve, ai i Ngadhënjimtarëve atdhe.”

(Mehmet Akif)

Brezat e sotëm fatkeqë, që i kanë bërë të gjitha përpjekjet të mbërthyer mes qindra fatkeqësive, herë duke u rrëzuar e herë duke u ngritur, në skenat e errëta që sollën vitet e gjata, do të mund ta ndërtojnë të ardhmen vetëm përmes mësimeve që do të mund të nxjerrin prej së shkuarës. Në të kundërt, i njëjti fat do të jetë i pashmangshëm edhe për ta. Ah sikur të kishin nxjerrë mësim...! Por është shumë e hidhur, që atëherë kur ishim ende në pranverën e jetës u zhytëm edhe ne në të njëjtat gjëra të ulëta që përmbysën edhe ata që ishin përpara nesh, madje duke e parë vetë me sy rrëzimin tonë dhe atëherë kur sapo po përgatiteshim për t’u ringjallur nisëm t’i dërgojmë vetes ftesën e vdekjes. Me një fjalë u zhytëm edhe ne te rehatia dhe te kënaqësitë dhe i harruam krejtësisht njerëzit e kësaj toke e të këtij vendi.

Atë jetesë të butë që i përkiste së përtejmes e sollëm këtu dhe u shndërruam në një turmë të robëruar të egos, që nuk di të mendojë tjetër gjë pos kënaqësive trupore. U kthyem nga rruga e të shenjtëve, ku ishim të vendosur që të bënim përpara dhe i sakrifikuam të gjitha punët dhe detyrat më të mëdha duke i këmbyer me stolitë dhe zbukurimet mashtruese që na ofroi kjo botë. Po, për hir të përfitimit të diçkaje qelepir e braktisëm edhe kodrën e shigjetarëve...

“Mjerë ne! U gënjyem. Na u duk e qëndrueshme kjo jetë e kësaj bote. E prej kësaj pandehme e shpërdoruam krejtësisht veten. Po, sepse i gjithë rrugëtimi i kësaj jete është një gjumë; shkoi i tëri sikur të ishte një ëndërr. E gjithë kjo jetë pa themele do të rrjedhë e do të ikë porsi ai uji i përrenjve.” Dhe ne, teksa plagoseshim mbi plagë të vjetra të zënë poshtë një mijëra paradokse dhe ndërsa e humbisnim krejtësisht thelbin e brendshëm, nëse do të vijojmë, njësoj si mbretërit e Belkut, të rrimë mbi kolltukë dhe dyshekë të butë e madhështorë t’i këndojmë këngë malli të dashurit tonë, një ditë do të dalë dikush e do të na thotë: “Më kot e kërkoni, sepse deveja nuk kërkohet mbi çati!”

Këtë kundresë tonën po ia drejtojmë një brezi të shtrenjtë që ia ka dedikuar veten braktisjes së kënaqësive materiale dhe shpirtërore dhe të gjitha ndjenjave të arritjeve personale, në një kohë që çdokush ngarend pas përfitimeve nga plaçka e luftës e që e ka sakrifikuar për hir të rehatisë dhe plogështisë së ëmbël.

Shënimet

  1. 14.Kodra e shigjetarëve: Bëhet fjalër për kodrën e famshme, që Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi Të) i pati paralajmëruar shigjetarët që të mos e braktisnin me çdo çmim gjatë betejës së Uhudit.