Mëkati

Mëkati është një rënie e brendshme, një mospërputhje dhe një kundërvënie me natyrën. Dikush që bie në mëkat është një i pafat që dorëzohet dhe e lë ndërgjegjjen e tij në duart e vuajtjeve dhe shqetësimeve të zemrës dhe një i shkretë e fatkeq, i cili të gjitha ndjesitë e holla shpirtërore dhe aftësitë e tij i ka lënë në duart e djallit. Dhe nëse vijon që ta kryejë atë mëkat, vjen një çast që e humbet krejtësisht kontrollin, derisa atij nuk i mbetet më asfarë force për të shfaqur vullnetin, për të rezistuar, apo për ta risuar vetveten.

Mëkati është një e pështyrë në fytyrën e vullnetit dhe helm që i jepet shpirtit për ta pirë. Një njeri që merr kënaqësi prej mëkatit është aq i mjerë; sa i egër është një njeri që i vë dinamitin shpirtit të tij me mëkatin...!

Mëkati është një furtunë që i shuan tërësej të gjitha aftësitë dhe ndjenjat e madhërishme që i janë falur njeriut dhe si një re pluhuri e helmuar që rrethon gjithë jetën e zemrës së tij. Kushdo që përfshihet prej kësaj furtune thahet dhe kushdo që merr frymë prej këtij ajri të helmuar e humb jetën.

Njeriu sikur të mund të mos hynte njëherë në mëkat, sepse, po hyri, nuk mbetet më asnjë kriter, shkallë, apo vlerë që të mbizotërojë tek ai. Sepse ashtu siç ulja e një avioni pingulthi, pa marrë parasysh forcën e gravitetit, do të ishte një guxim që ligjet e natyrës nuk do ta falnin, e njëjta gjë do të ishte edhe hyrja, apo përfshirja, në atmosferën e atyre gjërave që janë të ndaluara.

Profeti Adem (alejhis’selam), duke krijuar një të hapur të tillë në jetën personale, vetëm falë notit për jetë a vdekje në oqeanet e krijuara nga lotët që i rridhnin çurg prej pendesës. Kurse shejtani nuk pati shpëtuar dot prej humnerës së mëkatit të tij, derisa përfundoi i shkatërruar.

Dhe sa e sa

“Si selvi të holla njëpastjetrës mijëra frymë, me fytyra të trëndafilta mbretër, dhe sa e sa sundimtarë si Husrevë, e sa e sa kurorëmbajtës të tjerë.”

që hapën velat në detin e mëkatit me një hap të vetëm, por që nuk ia dolën dot më mbanë për t’u kthyer pas. Mëkati fryn si një fllad në brendësinë e njeriut dhe duke e përkëdhelur egon si të ishte një erë e ëmbël si ajo e pranverës, shkon e ngre fron në zemrën e tij. Mandej zë t’i kontrollojë ndjenjat e njeriut asisoj që nuk mund të shpëtosh më prej tij, sepse të duhet një vendosmëri shumë e fuqishme dhe dora e fshehtë e ndihmesës hyjnore për të të nxjerrë së andejmi. Por ka edhe më keq, se njeriu, me mëkatet në të cilat zhytet, largohet aq shumë nga vetja, saqë nuk i ngelet më asfarë ndjeshmërie sado e vogël brenda vetes për të ndierë qoftë edhe drithërimën më të vogël në botën e ndjenjave dhe zemrës, ai nuk është në dijeni të asgjëje që ndodh përreth tij dhe është krejtësisht i çinteresuar ndaj britmave që shkëputen prej shpirtit.

Sa e sa mëkate fshihen nëpër udhët nga kalon njeriu. Sikur kobrat, mëkatet vëzhgojnë rrugën nga do të ecë qenia njerëzore... Edhe pse mund t’ia dalë që të shpëtojë prej ndonjërit syresh, e ka shumë të vështirë që të vazhdojë udhëtimin pa u penguar prej tjetrit që është duke pritur në radhë. Lipset një vullnet i çeliktë që të mund t’i kapërcesh këto shtigje. Përndryshe do të të duhet të stërmundohesh që të kalosh nëpër kthesat më të vështira me një automjet që e ka diferencialin të prishur dhe nuk do të quhej parashikim i së ardhmes nëse do të thoshim që sot se një ditë pushojë së punuari.

Mëkatet janë nga më të shumëllojshmet. Më kryesoret, nëse do të shpreheshim me fjalët e Njeriut të Fjalës më të Drejtë, na vijnë me këto fjalë të thëna nga vetë Ai: Të pretendosh për ortakëri me Krijuesin, t’i marrësh dikujt jetën pa të drejtë, të shkelësh të drejtat e nënës dhe babait, të dëshmosh për diçka të rreme, të largohesh nga vendi i luftimit, të luash me nderin e njerëzve të ndershëm etj...

Këto, të gjitha, përbëjnë rrëshkitje aq të mëdha për sa i përket botës së mendimit të një njeriu, të jetës së tij shpirtërore, si dhe ndaj familjes dhe shoqërisë, që nëse nuk do t’i parandalojmë në kohën e duhur, atëherë edhe familja edhe shoqëria do të shpërbëhen.

Po, si familja, por edhe shoqëria dhe atdheu duhen ruajtur nga shpirtrat e paformuara, që nuk e kanë organizuar dot botën brenda tyre përmes pranimit të njëjësisë dhe që nuk janë lartësuar drejt përfshirjes në një jetë shoqërore. Këta fatkeqë, të cilëve u është nxirë bota shpirtërore, aq sa u është bërë e padukshme nga njollat e marra, ku e bardha është përzier me të zezën, nëmos sot, nesër kanë për t’u vënë kazmën, si çerdhes familjare, ashtu edhe atdheut. Tradhtia e këtyre sy dhe zemëvulosurve, deri më sot, kanë qenë aq të shumta, sa që vështirë të nënvlerësohen.

Por ç’e do, se përgjegjësit kryesorë të këtyre turmave të kthyera në kukulla të disa njerëzve injorantë, pa botëkuptim, pa din e pa iman, që nuk kursehen për të kryer çdo lloj të keqeje, përfshi këtu dhënien dhuratë të atdheut sa majtas djathtas, apo shkatërrimin e pyjeve dhe vreshtave, duke i shndërruar ato në shkretëtira, pa kurrfarë kriteri.

Po, sepse ne i lamë pas dore. Ne i prishëm. Ne i lamë ata të jetojnë të privuar dhe të bjerrur nga besimi dhe egërshanë. Dhe po ne do ta japim llogarinë e saj. Sot, nën kthetrat e hekurta të ngjarjeve; nesër përballë gjyqit që do të na ngrejë historia; e mandej, në ato çaste e në vendin e premtuar, pranë Fronit të Lartësuar, kur do të kërkohet llogari për çdo gjë, që nga filli i perit, e deri te rrotulla e perit...

Largimi i një kombi prej thelbit të vet, rrëzimi i mihrabit të tij, duke iu injektuar mendime të huaja për shpirtin e tij, apo ndërrimi i pozicionit të minberit me diçka tjetër, bëjnë pjesë ndër ato mëkate të pafalshme përballë historisë dhe Fronit të Drejtësisë.

T’i lësh brezat të privuara prej besimit, mendimit, kriterit të së drejtës dhe ekuilibrit dhe t’i shndërrosh ata në një tufë jeniçerësh, duke iu kanosur jetës, brezit, fesë dhe pasurisë së tyre është një mëkat shumë i madh. Mandej, të justifikohësh se je duke ndëshkuar këtë shpirt të hazdisur dhe t’u heqësh kokën jeniçerëve dhe Bektashinjve, përbën një mëkat po aq të madh.

Mëkatim është që t’i lësh brezat pas dore. Mëkatim është t’i braktisësh zemrat dhe shpirtrat e tyre të etura për besim dhe bindje. Mëkatim është t’i kthesh ata në armiq të rrënjëve e të së shkuarës së tyre. Mëkatim është t’i largosh ata nga vetja, duke i joshur me verëra të huaja... dhe mëkati është poende t’i privosh ata prej shtyllave shpirtërore të së shenjtës. Mëkatim, mëkat...!

Por ka një mëkat, që është më i madh se kaq; ai është mosnjohja e kurrfarë mëkati nga ata njerëz të zhytur në batakun e mëkatit, që janë të gatshëm t’i vënë zjarrin gjithçkaje që u shohin sytë dhe nuk u vjen keq ta përmbytin gjithë ç’u shohin sytë. Po, nëse ka një mëkat, falja e të cilit nga Allahu dhe historia është e pamundur, është pikërisht ky: të mos e dish mëkatin si të tillë, mëkati i të mosfrikësuarit fare prej mëkatit të kryer... derisa ky kryekomandant i këtyre njëmijë e një mëkateve që e brejnë nga brenda shoqërinë tonë të ndihet në ndërgjegje dhe të dorëzohet te kthetrat e hekurta të llogaridhënies, është shumë e vështirë që një komb të mund të pretendojë risimin e vet, apo, për të qenë më realistë, të pretendojë të ketë një jetë.

“Gabim kush thotë se kaq e pandjeshme shoqëria mund të gjallojë:

Tregomëni një bashkësi, që me shpirtin e vdekur të jetojë.”

(M. Akif)