Stacioni i fundit

Stacioni është rrezatim i qetësisë, paqes shpirtërore dhe sigurisë. Rendi që mbizotëron atje, paqja shpirtërore që mbizotëron atje dhe sytë që rrinë të zgjuar, janë garancia më e madhe e sigurisë dhe harmonisë. Kur atje mbizotërojnë ngatërresat dhe depresioni, atëherë kjo është fatkeqësia më e madhe për shoqërinë që jeton pranë tij.

Anadolli e ka kryer këtë detyrë të stacionit për botën për një kohë shumëvjeçare. Nuk ka fare dyshim se ka qenë ai që ka mbajtur përsipër detyrën më të nderuar, për të ruajtur sigurinë dhe rendin, përgjatë shekujve të shkuar.

Madje, bajrakët dhe sanxhakët e tij filluan të shkëputeshin njëri pas tjetrit. Mirëpo ai arriti ta ruajë vazhdimësinë, me një rezistencë të shëndetshme, duke ia dalë që të qëndronte aty ku është. Flamujt e ndryshuar dhe sanxhakët e copëtuar, por vetëm ai pati privilegjin që të ruante thelbin dhe fisnikërinë.

Po, pavarësisht të shkuarës së tij, organizmi i tij u kap pesëdhjetëmijë herë prej mikrobeve. Dhe qindra herë u shkund ai trup madhështor; por nuk u zbërthye e nuk u copëtua dot kurrë plotësisht.

Me gjithë vërsuljen e mendësisë kryqtare dhe përpjekjet helmatisëse e vrastare të priftërinjve jezuitë, nuk u la asnjë lojë pa u përdorur për të shkatërruar këtë stacion, apo për t’ia topitur shtyllat që e mbanin në këmbë; mirëpo armiqve të kombit tonë ne nuk ia dhamë mundësinë që të merrnin rezultatet e synuara. Armiku nuk diti të bezdiset nga keqbërja, por edhe stacioni mbahej në këmbë duke thënë “ky shpirt për t’u sakrifikuar në këtë rrugë më është dhënë”...

Nuk mund të themi se qëndroi krejtësisht i palëkundur përballë të gjitha këtyre përpjekjeve. Kjo pemë e madhe e pa vjeshtën sa e sa herë dhe trupi madhështor i pushtuar nga krimbat e ndryshoi lëvoren e tij; por nuk u rrëzua asnjëherë. Edhe në ato ditë kur qiellin e pushtoi e zeza e në kraharorin e saj u ngulën jataganë njëri pas tjetrit, në kuadrantin e shpirtit kombëtar mund të lexoheshin po aq të qashtra e të dallueshme botëkuptimi që ai kishte për kohën dhe shifrat që tregonin veçantin ë vet...

Ky shpirt legjendar nuk lëvizi nga vendi në përballje me njëmijë e një paradokse që donin t’ia rrënonin organizmin për shekuj me radhë, duke e mbrojtur veten me të njëjtën pakapërcyeshmëri si ajo e treguar në Mallazgirt, Kosovë dhe Çanakkale. Pamja madhështore e tij – sadoqoftë – vijoi e pandryshuar edhe atëherë kur në shpirtin e tij ranë valët e nxehtësisë së funddimrit, apo kur rrënjët e tij filluan t’i skërmitë krimbi i huaj, apo kur trupin ia goditi “Bisha e Tokës”. Pas asaj dite, tanimë ai, me atë gjendjen e tij si të një lisi që digjet e prushitet përbrenda, nuk ringjallej e nuk i jepte dot më gjallëri vetes. Ishte moshuar. Kishte shumë miq mosmirënjohës, por edhe armiq të pamëshirshëm.

Miku s’ka frikë, agimi pa barrë, tërë koha heshti;

Shumë vuajtje, asnjë bashkëvuajtës, armiku i fuqishëm e fati i kobshë.”

(Fuzuliu)

Ishte pikërisht kjo periudhë kur të shfaqeshin njëmijë e një makthe; gjithandej u shfaqën veprimtaritë e krahut të pestë, me të gjithë ashpërsinë e tyre. Mendimit erotik iu mvesh pelerina e pafajësisë. Epshi u kthye në lojën më e vyer dhe e këndshme, duke bërë që rinia të shndërrohej në një bashkësi të çoroditur. Tashmë ata që janë të lidhur me rrënjët shpirtërore të tyre etiketohen si “dogmatikë” dhe “formalistë; kurse të duash kombin dhe atdheun zuri të cilësohej si diçka e turpshme. Në çdo ditë të Zotit, një “grup i vogël e i parëndësishëm njerëzish”, filloi të imitojë shkrime me përmbajtje pezhorative në adresë të shpirtit kombëtar, duke e bërë popullin të jetojë i tëhuajëzuar, ndaj edhe të kërkojë t’i shmanget vetes.

Përballë gjithë këtyre, populli i pastër i Anadollit, ose priste me atë durimin dhe vetëpërmbajtjen që e karakterizuan përgjatë gjithë historisë, ose me atë qëndrimin e qashtër që i falte të nisurit përherë nga qëllimi i mirë, po i priste “e heshtur” të gjitha ç’ndodhnin.

Gjendja e “inteligjencies” sonë ishte ilustrimi më i mirë i mjerimit në shpirt dhe i ndjenjës së inferioritetit dhe kjo ta copëtonte zemrën. Për ta çdo melodi që përçonte mesazhet e thelbit të personalitetit ishte një thirrje për t’u kthyer pas në kohë; çdo këngë e kënduar në emër të dashurisë për Oksidentin ishte një medalje që i falte madhështi çdo turku!

Kësi arratisjesh nga vetja dhe asimilimet e jashtme, së bashku me transformimet rrënjësore brenda vetes, arritën në dimensione shqetësuese. Tanimë, fundosja e barkës së kombit, njëlloj si vaporët që luhaten majtas-djathtas, mund të ishte nga çasti në çast e pashmangshme. Ndër gjuhë dëgjoheshin njëmijë e një këngë të huaja, e ndër buzë rridhnin njëmijë e një lloje verërash vrastare... disa të dehur prej erotizmit; disa prej libidos... e disa të tjerë duke e kërkuar shpëtimin tek ekzistencializmi; disa të dhënë pas filozofisë sofiste, duke ndërruar mihrab nga njëri çast në tjetrin e duke ngarendur nga njëri idhull (!) në tjetrin. Dhe, ja pra, pikërisht në këtë çast disa duar të huaja nisën t’i ngjitin nëpër metro këto shpirtra të hipnotizuara, duke filluar t’i transferojnë turma-turma drejt botës së tyre. I tërë brezi, i kapluar nga kriza të forta psikologjike, ftoheshin për në këto parajsa të ngjashme me ato të premtuara prej Hasan Sabahut...!

Në vend të djelmoshave naiva, të cilët dje “u dashuruan pas Sulltan Mehlikesë”, sot kishte vetëm një brez të çmeritur, me duar të përgjakura, me teshat plot njolla gjaku, kraharorin të përgjakur, të cilët e dinin mjaft mirë se ç’bënin. A ka nevojë që të kërkojmë shkak tjetër për të gjithë rrëmujën dhe përmbysjet e mëdha që ndodhnin jashtë? Një brez, të cilin e kishin braktisur, që nuk u bind dot kurrë dhe nuk u ngop dot me vlerat e nevojshme, tanimë gjendej i ndarë në kampe të ndryshme dhe vallë a nuk është normale që ata kërkonin të vrisnin njëri-tjetrin me çdo çmim...? A e përkapëm ne dot shuarjen e brendshme të tyre? A mundëm të ndalemi te shkaqet që e shkëputën nga prejardhja e tyre? Kur, në të vërtetë, përkarshi gjithë tiranëve që i mësonin atij si të bëhej përbindësh, ne duhet t’i qëndronim pranë dhe t’i mbështetnim njëlloj siç bëjnë engjëjt mbrojtës? Mjerë ne..! Ne qëndruam të heshtur dhe nuk u përfshimë atëherë kur skenën e kishin pushtuar njëmijë e një skena dhune... Nuk kuptuam asgjë prej kësaj kapërfytjeje të përgjakshme të një kombi të tërë, së cilës i bënim sehir siç ndodh rëndom kur ndjekim dyluftimet në një arenë.

Të parët që e përkapën egërsinë dhe fytyrën e vërtetë të lojës së luajtur, pavarësisht larushisë së ngjyrave të skenës, që t’i lëbyrte sytë, por edhe topitjes së frikshme që të shkaktonte ky vals plot klithma dhe magjepsjes që të krijonin kostumet e veshura, qenë rojtarët heroikë të stacionit të fundit. Ishte posaçërisht kjo përkapje që na garantoi ardhjen në vete dhe kuptimin e saj edhe njëherë. Në fakt, këtë edhe përkapje vështirë ta quash. Kjo do të thotë ta mbërthesh armikun në flagrancë dhe përbën një ngadhënjim të mirëfilltë; do të thotë që organizmi shoqëror të pastrohet prej një vargu papastërtish, të kullohet dhe ngadhënjim i rikthimit tek origjina. Një ngadhënjim që do të zërë vendin më të lartë në mesin e ngadhënjimeve të turkut, për aq sa i përmbushi pritshmëritë që ne ushqenim prej tij. (këtë përkapje të hollë dhe parandierje ne e kemi shprehur edhe në një tjetër shkrim më parë, duke shprehur të gjithë respektin e veçantë dhe falënderimet më të përzemërta për Mehmetçikun, heroin e vatrës së atyre që cënuan trupat e tyre për të mbrojtur atdheun.)

Por ç’të bësh, që ky organizëm i rënë prè e njëmijë e një sulmeve përgjatë viteve, nuk do të mund të shërohej menjëherë me një barnë të vetme, ishte diçka e padiskutueshme. Lipsej dhe nevojitej një lëvizje më rrënjësore dhe më e sinqertë, në mënyrë që të shkatërroheshin të gjitha tumoret që e brenin organizmin kombëtar...

Dhe ja ku, tani, me njëmijë e një shpresa dhe gëzime të reja, kjo ringjallje e fundit që lindi nga kjo pritje e stërgjatë e shekullore, e shohim si një shenjë të ekzistencës dhe përjetësisë së stacionit të fundit; pikërisht aty ku shpresës sonë po i vinte fundi, Mehmetçiku na erdhi në ndihmë, porsi Hidri, ndaj ne i shprehim atij lutjet tona të përzemërta që ai të mund të arrijë deri në shkallën e fundit të së pamundurës.