Frika prej vesës
Gjithçka nis si një pranverë. Imagjinimet e bukura, mendimet e ëmbla dhe ëndrrat prej smeraldi... Çdo fillim i bukur është kushti parësor i arritjes së përfundimit të dëshiruar dhe duke qenë i këtillë të ndjell shpresë dhe kënaqësi. Vetëm se ka shumë fillime të bukura, që perëndojnë e “kthehen në vjeshtë, pa e parë verën”, duke lënë nga pas shumë ëndrra të rrahura prej vesës e të rrënuara.
Çdo punë e mbarë e nisur, çdo përpjekje e mbarë arrin të realizohet vetëm në saje të trashëgimtarëve që ia njohin vlerën së shkuarës dhe që janë të vendosur, si të apasionuar, për t’i kthyer në mijëra edhe ata që janë një dhe të vetëm. Dhe, nëse ajo punë a përpjekje nuk shoqërohet me një ekip ideal të dashuruarish pas zhvillimit, në të cilin të mund të zhvillohet e të lulëzojë, atëherë thahet si të ish rrahur prej ciklonit, derisa rrafshohet tërësisht nga sipërfaqja e dheut.
E tërë gjithësia në të njëjtën linjë fati e ka pasur lindjen, duke nisur nga Egjipti e deri te Roma, e së andejmi në qytetërimet e Lindjes dhe të Perandorisë Osmane, në të njëjtën platformë është zhvilluar dhe ka hyrë në histori duke u shndërruar në një kufomë e të njëjtit fat të hidhur. E, në një pikëpamje, kjo është diçka e nevojshme dhe e natyrshme; sepse ata kishin kohë që i patën humbur cilësitë thelbësore të tyre, që do t’u mundësonin atyre vazhdimësinë. Po, që një gjë të ekzistojë, formësohet dhe të arrijë moshën e pjekurisë
janë të domosdoshme shumë mund dhe përpjekje, por ka nevojë edhe për shumë qashtërsi, sinqeritet, lidhje të fortë pas thelbit, dashuri dhe pasion, që të mund ta bëhet fjalë për vazhdimësi.
Një farë, një vezë, apo një këlysh, vjen në jetë me njëmijë e një vështirësi dhe kësisoj arrin të ekzistojë. Mandej një lënie pas dore sado e vogël, përhumbje sado e paktë, apo një defekt i parëndësishëm mund ta çojë në zhdukje. Ikën dhe, as nga fara që pret pranverën, as nga veza që vjen në jetë me sa e sa vështirësi, e as nga zogu i vogël nuk mbetet asnjë shenjë. E këtillë është edhe jeta e një shoqërie. Arritjet e siguruara me njëmijë mundime; qytetërime që kanë arritur përmasa magjike dhe madhështore; pallate magjepsëse, me një brymë të papritur rrëzohen dhe shndërrohen saora në nga një ëndërr të dhimbshme, duke mbetur veçse në letër si një fryt i imagjinatës.
Po pse ndodhin zhbërje dhe rrënime të këtilla? Pse ndodhin këto ngjarje, të cilat duken të papërballueshme? Pse, vallë nuk mund të ketë masa që mund të merren për t’i mbrojtur shoqëritë dhe qytetërimet ndaj kësi fatkeqësish...? Edhe nëse nuk mund të gjenden, atëherë kush është dallimi i njeriut nga jofrymorët...?
Të gjitha këto pyetje njëra pas tjetrës janë shprehje reflektuese e dyshimeve të një mendjeje të trembur nga vjeshta. Këtyre mund t’u shtohen edhe shumë e shumë të tjera ndoshta... por, ç’e do se, për t’i çliruar zemra nga dyshimet dhe lëkundjet, është e papërshtatshme që t’i hyjmë një përshkrimi të këtillë.
Po, ashtu si çdo individ, edhe shoqëritë kanë një jetëgjatësi të caktuar dhe një exhel të përcaktuar mirë se kur do t’u vijë. Çdo individ apo shoqëri që plotëson kohëzgjatjen e vet –
për një shkak të vogël, apo të madh – thotë ‘lamtumirë’ dhe largohet. Largohet dhe askush nuk mund ta ndalojë, që të mos ikë. Çdo krijesë vjen në këtë jetë një e nga një dhe po një e nga një largohet; dhe në këtë ardhje dhe ikje individët, popujt dhe shtetet ndjekin njëri-tjetrin. Ata që vijnë mbështeten në disa zgjidhje dhe masa të caktuara, kurse ata që ikin fshihen dhe ikin heshturazi, fare pakuptueshëm.
Deri më sot ka pasur me mijëra popuj dhe me qindramijëra perandori që kanë kaluar mes dhëmbëve të ashpër të kohës. Kushedi, edhe sa qytetërime kanë për t’u shkrirë dhe do të zhduken nga faqja e dheut, mes asaj goje dhe atyre dhëmbëve...
“Këto janë kohë të ashpra, kur e ha ç’të të shohin sytë as mbret e as skllav askush s’ia ka dalë të fitojë.”
(M. Lutfi)
Vetëm se këtë përsëritje të vajtje-ardhjeve është e pamundur që ta kuptosh përmes një botëkuptimi të lidhjes së gjithçkaje me idenë e fatit të paracaktuar. Përkundrazi, si individi, ashtu edhe shoqëritë, kanë shumë përgjegjësi përsa i përket kësaj çështjeje. Individi ka përgjegjësinë e gjykimit të brendshëm dhe kontrollit të vazhdueshëm të vetes; kurse shoqëria është përgjegjëse për t’i ndërtuar atij ambientin e duhur ku ai të mund ta vazhdojë ekzistencën të sigurtë. Individi mund të lërë pas dore dashurinë, ndjeshmërinë, rregullimin e brendshëm dhe dhënien vazhdimisht llogari vetes; nëse shoqëria nuk i përkap faktorët që përbëjnë rrezik për të; kjo do të thotë se kanë nisur të shfaqen shenjat e vdekjes për atë popull dhe atë shoqëri. Prandaj një çështje shumë serioze është edhe ajo që individi të vëzhgojë dhe të kujdeset për veten dhe shoqërinë në të cilën jeton dhe shoqëria, po ashtu, të vëzhgojë dhe të kujdeset për individin.
Po, një shoqëri e shëndetshme quhet se ekziston për aq sa individët që e përbëjnë kanë një thellësi të brendshme dhe një jetë të pasur të zemrës dhe të shpirtit. Dhe vetëm sajë tyre ka mundësi që të mund ta ketë të vazhdueshme ekzistencën dhe gjallërinë. Madje mund të thuhet se shoqëria formësohet njësoj si një familje prej pjesëtarëve të saj, nga izotopet individë, të cilat lidhen me njëra-tjetrën sipas gjendjes dhe cilësisë së tyre. Dhe janë këto që ia përcaktojnë drejtimin.
Kësisoj, çdo gjë e bukur që gjendet tek individët, çdo vlerë dhe çdo cilësi reflektohet e shumëfishtë te shoqëria. Në të kundërt, çdo mospërputhje e shfaqur atje, çdo pamjaftueshmëri, ia pret shoqërisë rrugën e jetës si një fatkeqësi e tmerrshme, duke i shkaktuar plagë të pashërueshme brenda saj.
Nga ky këndvështrim, në një shoqëri ku individët janë të përzhëlitur përbrenda dhe mund të thuhet se janë karbonizuar, as që mund të bëhet fare fjalë për hapjen drejt horizontesh të reja dhe për të fituar privilegjin e arritjes së mirësive të reja, duke pasur parasysh gjallërinë, shëndetin dhe mirësitë e mundësitë e arritur gjer atë ditë. Përkundrazi, kjo shpërbërje e brendshme tek individët, ka për t’i çelur udhë humbjeve zinxhir, fillimisht tek individët, e mandej në të gjitha hallkat e shoqërisë; kjo nuk është tjetër veçsje kalbja së brendshmi dhe destinimi për t’u zhdukur i asaj shoqërie.
“Ja nga se vjen kjo; Krijuesi i Madhërishëm as nuk ua merr dhe as nuk ua ndryshon të mirat që i ka falur një shoqërie, nëse ajo nuk ndryshon vetë gjendjen e zemrës dhe atë shpirtërore të saj.” Me një fjalë, për aq kohë sa ajo bashkësi nuk i humbet tiparet e saj të larta, si qashtërsia e kohës kur janë arritur të gjitha ato mirësi të falura prej Krijuesit, sinqeriteti, vendosmëria, vullneti dhe mospritmëria, - sipas natyrës hyjnore – atëherë as që mund të bëhet fjalë që ato mirësi t’i merren mbrapsht dhe ajo shoqëri të përjetojë poshtërimin. Krejt e kundërta është e vërtetë, kur bashkësia shoqërore t’i humbasë këto cilësi të larta që e kanë lartësuar deri më tani dhe që vijojnë ta mbajnë në këmbë, kjo do të thotë se shtylla qëndrore është rrëzuar dhe në çatinë e shoqërisë janë bërë dëme restaurimi i të cilave është i pamundur.
Prandaj ne, në vend se t’i kërkojmë shkaqet jashtë për tronditjet dhe rrënimet e përjetuar brenda nesh ndër shekuj, duhet t’i këshillojmë njeriut tonë që të kthehet te vetëllogaria e brendshme, te thellimi më shumë te vetja, në mënyrë që të mund ta zbulojë edhe njëherë vetveten. Dhe, poende, ne e cilësojmë varësinë ndaj postit dhe pozitës si një helm vdekjeprurës dhe të gjitha luftërat dhe zënkat për të përfituar plaçkë lufte prej ngadhënjimesh imagjinare, i shohim si shenja të çmendurisë. E po ashtu, prandaj, mes atyre që ia kanë falur zemrën kësaj kauze të madhe, ata që janë në kërkim të përfitimeve personale dhe ngarendin pas rehatisë vetjake, i konsideron si njerëz të dëmshëm që kanë depërtuar brenda kësaj shoqërie të rrallë dhe përpiqemi t’u qëndrojmë larg atyre dhe mendimeve që ata jetësojnë.
Lumë ne për ata njerëz që jetojnë përtej vetes që do të ngrenë botën e së nesërmes! Lumë ne për ata që hidhen në zjarr dhe kryqëzohen për njerëzimin në tregun e të përzgjedhurve! Mijëra sihariqe për të gjithë ata që i sakrifikojnë në emër të shoqërisë së tyre kënaqësitë dhe gëzimet personale!
Shënimet
- 13.Enfal, 8/53.