Arsimi ynë
Sa herë që nis një vit i ri shkollor, është e pamundur që mendimet të mos na shtegtojnë menjëherë te shkolla dhe mësuesit. E si të mos mendojmë për ta, kur shkolla është një laborator jetik; mësimet janë eliksir për jetën, ndërsa mësuesi është mjeshtri heroik i kësaj farmacie plot me barna magjepsëse.
Shkolla është një vend ku shkojmë për të nxënë. Është vendi ku shkojmë për të mësuar gjithçka për jetën dhe gjithçka ka përtej saj. Megjithëse, në fakt, edhe jeta është një shkollë më vete. Mirëpo ne arrijmë të mësojmë për jetën vetëm në saje të shkollës.
Shkolla përpiqet t’i përçojë edhe te ne rrezet e njohurive përreth gjithçkaje që ka të bëjë me jetën, në mënyrë që të hedhë dritë mbi to; u përgatit nxënësve një mjedis ku ta kenë shumë më të lehtë për të kuptuar. Njëkohësisht, hap të gjitha udhët për t’i zbuluar sa më lehtë dhe sa më shpejt të gjitha krijesat dhe fenomenet që janë të lidhura me to, për të çuar njeriun drejt tërësimit të mendimit, drejtpeshimit në meditim dhe, shumë herë, tek i Vetmi. Në këtë farë kuptimi shkolla është një tempull më vete dhe mësuesit janë të shenjtët e këtij tempulli.
Një shkollë e mirë është ajo që zhvillon ndjenjat e virtytit tek individi, e cila shërben si një çerdhe engjëllore që u përfton lartësimin e shpirtit të gjithë shërbyesve që punojnë aty. Kurse disa murana të mjeruara me pamjen e ndërtesave të stërmëdha, të cilat injektojnë veç egërsinë dhe ashpërsinë te nxënësit e tyre, duke i shndërruar ata në përbindësha, nuk janë veçse disa strofulla nepërkash dhe njeriu ynë na paraqitet sot me bel të thyer nga turpi, prej këtyre vatrave të dijes, të cilat, për shekuj me radhë, kanë funksionuar përkundër qëllimit të arsimit të vërtetë.
Mësues i vërtetë është ai që mbjell fara të pastra dhe të kulluara dhe kujdeset, për t’i ruajtur ato në çdo çast të zhvillimit. Ashtu siç ka për detyrë përkushtimin veçse për të shëndetshmen, i takon atij që të gjejë drejtimin dhe të udhërrëfejë përballë jetës dhe ngjarjeve të saj.
Shkolla është jo vetëm vendi ku jeta, e cila shkon duke rrjedhur nga njëmijë krahë, fiton identitetin e vërtetë të saj, por edhe ajo hapësirë ku fëmija merr formën e vërtetë dhe shkrihet në të fshehtësitë e individualitetit të tij. Rrjedha e jetës brenda një shumësie, njësoj ashtu siç një lumë fiton atë trajtën e tij madhështore nga grumbullimi i ujërave në një shteg të ngushtë, apo si ai lëngu veshtullor i jetës që gjendet në brendësi të trungut të një peme hyn në kontakt me rrezet e diellit, të cilat përftojnë një domethënie të njëjësisë në saje të shkollës; njësoj si fruti që shpërfaq aspektin e njëjësisë qëllimore të pemës...
Ka shumë njerëz, të cilët pandehin se shkolla ka të bëjë vetëm me një pjesë të jetës së njeriut; në të vërtetë, me detyrën e saj për t’i parë dhe për t’i trajtuar në mënyrë sintetike dhe gjithëpërfshirëse të gjitha fenomenet, të cilat janë të paraqitura sikur të ishin të palidhura me njëra-tjetrën në univers, ajo është një çerdhe që u ofron pandërprerë mjedisin e leximit të përhershëm shërbëtorëve të saj, duke folur madje edhe nëpërmjet heshtjes së saj. Prandaj, edhe pse në dukje ajo mund të ngjajë si e angazhuar vetëm me një pjesë të caktuar të jetës, ajo është një vatër e dijes, e cila e shpreh sundimin e saj mbi ndodhitë dhe fenomenet e ndryshme, që janë të pakufizueshme në kohë. Çdo nxënës, që i bashkohet shkollës me identitetin e një shërbëtori të saj, përgjatë gjithë jetës do të përsërisë parreshtur, përgjatë gjithë jetës, mësimet e marra atje. Të gjitha ato gjëra që i ka përftuar atje, duke i kthyer në pjesë të personalitetit të tij, ashtu siç mund të qëndrojnë në mendjen e tij si nga një ëndërr më vete, ashtu edhe mund të kthehen në talente të veçanta të tyre. Çështja kyçe në të është që ato gjëra që përftohen të përdoren si një udhërrëfyes në rrugët që të çojnë për te virtyti, e të jenë nga një çelës i mistershëm që hapin çdo portë që qëndron e mbyllur.
Në shkollë dija bëhet pjesë e personalitetit; sajë kësaj njeriu mund të kapërcejë dimensionet e botës së ngurtë të materies, për të arritur, njëfarësoj, në kufijtë e së pafundmes. Kurse dija që nuk është bërë pjesë e personalitetit nuk është tjetër veçse një barrë e ngarkuar mbi shpinën e njeriut, madje një barrë e atillë që e bën atë të turpërohet në çdo çast. Një njohuri e tillë është një barrë përgjegjësie shumë e rëndë mbi supet e të zotit dhe një djall i vendosur në vetëdijen e tij. Po, çdo memorizim i thatë, apo mësim përmendësh, që nuk premton ndriçim të mendimit, apo pajisje me flatra të shpirtit, kthehet në një gur smerili që e ha personalitetin dhe një goditje shumë e ashpër mbi zemrën.
Dija më e mirë që shkolla mund të ofrojë është ajo që i përbashkon, duke i puthitur me njëra-tjetrën ngjarjet jashtë me dijen dhe njohjen e brendshme. Kësisoj, mësuesi i kësaj shkolle kthehet në një mentor që i përfton gjallëri botës sonë të brendshme, e cila përplaset parreshtur me atë jashtë. Sepse ka një të vërtetë, e cila është e padiskutueshme, që mjeshtri më i vërtetë dhe mentori më i madh, që i përsërit parreshtur të gjitha mësimet e saj dhe që nuk ndryshon asnjëherë është jeta. Por, për ata që nuk dinë si të nxjerrin mësime drejtpërsëdrejti prej saj është e nevojshme përfshirja e ndërmjetësve të tjerë dhe ndërmjetësit më të mirë janë mësuesit, të cilët shërbejnë si përkthyes të shprehjeve të koduara shumë mirë të jetës, për t’i bërë ato më të përthithshme për personalitetin, duke ndërtuar fronin e tyre mes personalitetit individual dhe jetës në vetvete.
Gazetat, librat, madje edhe radio-televizioni mund t’u mësojnë diçka njerëzve. Vetëm se, në asnjë mënyrë, ato nuk mund t’i mësojnë njeriut jetën e vërtetë, apo se si ajo rrjedh pa pra brenda njeriut. Ai mësues që shkon çdo ditë me nga një vuajtje e shqetësim të ri për të hyrë në zemrën e nxënësit të tij, për të lënë në mendjen e tij gjurmë shumëngjyrëshe që nuk mund të fshihen, me mësimet dhe sjelljet e tij, është një mësues i pazëvendësueshëm. Prandaj edhe nëse metodat perëndimore, që përdoren sot duke parashtruar metodologjinë e lehtësimit dhe thjeshtimit të çdo gjëje, duket sikur u ofrojnë diçka brezave të rinj, atyre vështirë t’u jepen dot shembuj të mirë, apo t’u mësohet qëllimi i vërtetë i dijes dhe shkencës. Këto gjëra kaq të bukura mund të jepen vetëm prej mësuesve që e kalojnë njëherë përmes kullesave të zemrës gjithçka që do t’u japin nxënësve të tyre, me fytyrat e tyre që reflektojnë të vërtetën dhe me ato shikimet e tyre të thella.
Apostulli, sikur të mos kishte parë prej Mesisë së nderuar, që vijonte t’i jepte mësimet e tij pavarësisht rrezikut për t’u kryqëzuar, ku do ta kish mësuar se duhej të buzëqeshte teksa e hidhnin në gojën e luanëve? Ata që janë lidhur fort pas mësuesit më të madh të rrugës së parë e të fundit, po të mos kishin parë se ai u lutej zemrave për butësi edhe në çastet që kurmin ia kishte mbuluar gjaku, ku do ta kuptonin se ai zjarr do të bëhej “i freskët dhe i paqësor”..?
Mësim i mirë është ai që mësohet në shkollë dhe në praninë e mësuesit. Ky lloj mësimi nuk mbetet duke i dhënë vetëm një gjë të vetme njeriut; ai e lartëson atë drejt lartësive të së panjohurave të amshueshme, duke i çelur pa prà portat e paanësisë. Në sytë e nxënësit të tij çdo ngjarje kthehet në një kanavacë të botëve që janë të padukshme për syrin njerëzor dhe ai kthehet në një dëshmitar i të vërtetave që fshihen pas larmisë së pafund të tabelave lëvizëse që ekzistojnë ngado.
Në një shkollë të tillë as që mund të mendohet të ketë të ngopur, as prej të nxënit, as prej të mësuarit. E si të mendohet, kur kontributi i mësuesit të bërë me flatra, e lartëson epigonin e tij, njëherë kah lartësitë e yjeve, njëherë i jep atij mundësinë që të frymojë në të njëjtën kohë me ndërgjegjjen dhe habia e përjetuar mes këtyre të dyjave dhe mendimet që lindin atypari i nxjerrin ata prej dimensioneve, në të cilat është e ngujuar të jetojë normalisht çdo qenie njerëzore.
Ja pra, për ne mësues i vërtetë është ai që arrin t’i përkapë njëherazi të gjitha pikat e referimit që fshihen pas krijimit dhe ngjarjeve dhe, njësoj si kontakti mes një abazhuri dhe transmetuesit të energjisë, krijon lidhje mes jetës dhe ndërgjegjjes, për të ndierë të vërtetën në çdo gjë dhe për t’u bërë përkthyes i saj në çdo gjuhë, që Junusi ia thotë aq bukur me fjalët:
“Në malin e Turit me Musain,
Me shkopin e tij në dorë,
Me peshkun në thellësitë e deteve,
Me sorkadhen në fushat pa anë...”
Mjeshtri dhe udhërrëfyesi i Rusoit ishte ndërgjegjja; bashkërendimi i ndërgjegjjes me arsyen te Kanti... Ndërsa në shkollën e Mevlanës dhe Junusit mjeshtër ishte Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem)... Kurani melodia dhe arti i bukur i fjalës së mësimit hyjnor; por të gjitha fjalë të prera, që tregojnë veç Njëshin, retorikë plot të fshehta...
Shkolla është çerdhja e shenjtë ku përqendrohet kjo dritë. Mësuesi është mjeshtri që bërthen çdo lloj misteri në këtë laborator plot të fshehta... mjeshtri i shenjtë që do të na e drejtojë belin e thyer me duart e tij magjike, i cili, me frymimet e tij të pastra ka për t’i hedhur tej të gjitha errësirat që na e kanë kapluar horizontin...
* * *
Të nxënit dhe të mësuarit e të tjerëve janë dy detyra madhështore, të cilat pikë mbështetjeje të tyren kanë qiejt. Ky mision nxjerr në pah prirjet dhe zotësitë e fshehura në shpirtin njerëzor, duke ia bërë të njohura ato aftësi. Te një individ, që ku ka kaluar përmes shtegut të të nxënit dhe të mësuarit, duke qenë se i ka të pazhvilluara aftësitë e tij njerëzore dhe vetitë lartësuese, është e kot të kërkosh për një identitet shoqëror të saktë.
Vetëm se, të paktën po aq të rëndësishme sa të nxënit dhe të mësuarit janë ajo që mësohet, çfarë duhet mësuar dhe se çfarë do të mësohet në ç’kohë. Ka aq shumë gjëra që njerëzve u janë mësuar ende pa ardhur stina e duhur, që e kanë qerthulluar mendjen si një mjegull lëbyrëse. Një dije e këtillë, jo vetëm që nuk ndriçon asgjë për të zotin, por nuk është e dobishme as për të tjerët përreth.
Edhe pse të diturit ka një vlerë të veçantë, ai, shumë herë, mund të jetë një barrë dhe një përgjegjësi shumë e madhe në supet e aitj që e kërkon. Sidomos njohuritë e atyre që duan të dinë gjithçka, si e si për hir të të diturit në vetvete, nuk vlejnë për asgjë, pos kthimit të zotëruesit të tyre në një hamall informacionesh.
Çdo gjë që do të mësohet, apo do t’u mësohet të tjerëve duhet të jetë e karakterit njësues me personalitetin e njeriut dhe e prirur drejt zbulimit të lidhjes së hollë që ekziston mes gjësë dhe ngjarjeve me botën e brendshme, të zemrës dhe të shpirtit. Madje, përtej kësaj, çdo pjesë e njohurisë së mësuar duhet të jetë e natyrës së duhur për të shërbyer si një udhërrëfyes që të çon te koncepte të reja, njëri pas tjetrit, si dhe një pikë mbështetëse shumë e fortë për sa i përket praktikës.
Dija, që nuk është e prirur të zgjidhë fshehtësitë që fshihen mes ekzistencës dhe personalitetit tonë, nuk ka asgjë për të na përftuar përsa i përket botës jashtë, apo njësimit tonë me të. Njëkohësisht, kjo gjendje do të thotë që ndërgjegjja të mbetet e izoluar mes enigmash të pazbërthyeshme të tilla. Aspekti që e bën atë të shndërrohet në krahë e flatra për ndërgjegjjen dhe që do ta bëjnë atë të rrjedhshme, janë të qenurit ngulitur së brendshmi dhe i hapur kah perceptimet së jashtmi. Sepse, kur të e privon prej këtyre krahëve dhe flatrave, nuk ka për ta realizuar kurrë qëllimin e pritur prej saj. Andaj, vetëm të mësosh dhe të mësosh çdo gjë që të del përpara, është më e rrezikshme edhe se sa vetë padija.
Kësisoj, në vend se të mësohen njohuri që e shndërrojnë njeriun në budalla të informacionit, duhet që të përqendrohemi tek ato gjëra që e çojnë atë drejt njëjësimit me gjithësinë. Ky aspekt është shenja më e shëndetshme e shpirtit dhe seriozitetit në të mësuar dhe hapi i parë që të çon te mendimi. T’i hysh rrugës së dijes, duke siguruar më së pari këtë garanci, jo vetëm që do ta shpëtonte njerin prej sëmundjes së të mësuarit të gjërave përmendësh dhe torturës së kujtesës, por do ta ruajë edhe prej mashtrimit dhe humbjes së kohës me kotësinë në të cilën ka rënë materializmi.
Ai që e mbërthen kureshtja pas gjithçkaje dhe që dëshiron të mësojë çdo gjë që i dëgjojnë veshët, nuk mund të mësojë asgjë seriozisht. Dija e vërtetë dhe meditimi sigurohen vetëm për aq sa përkushtohesh me atë që të thotë: “kjo është e nevojshme!” Kurse gjërat e mësuara kot, ose thjesht për hir të kureshtjes, mund të krijojnë efekte vrastare për atë që i mëson. Sidomos nëse ato janë të atilla që bien ndesh me mendjet e pastra të të rinjve dhe veçanërisht me strukturën e zemrës dhe shpirtit të tyre...
Në vend se t’i shndërrojmë të rinjtë në hamej kujtese me ato që do t’u mësojmë, fillimisht duhen pasur parasysh mosha dhe gjendja kulturore e tyre, si dhe t’u krijohet një ndjeshmëri e qëllimit pas çdo gjëje që ekziston e me të cilën ai do të përballet dhe ato që ai duhet t’i mësojë t’i jepen në masën e nevojshme, për aq sa ai ka mundësi t’i tresë si duhet. T’i mësosh një fëmije gjeografinë e botës që në arsimin fillor, historinë e njerëzimit, apo filozofinë, duke i ngarkuar atij një barrë që nuk mund ta përballojë, do të ishte një fatkeqësi, si për mësimin, ashtu edhe për nxënësin.
Ashtu siç është e pakuptimtë që ta quash mësues atë mësimdhënës që e lë nxënësin e tij vetëm për vetëm me njëmijë dyshime dhe lëkundje, për sa i përket dijes; as shkolla që nuk e çon nxënësin drejt përfundimesh të drejta, me seriozitetin e një laboratori, nuk mund të quhet shkollë.
Një e vërtetë tjetër e hidhur është edhe fakti kur mjedisi familjar dhe shoqëror nuk i jep, apo nuk i jep dot, asgjë një të riu. Vetëm se, në anën tjetër, nëse ndjenjat e tij madhështore dhe bota shpirtërore nuk do të ishin braktisur dhe të mos ishin ato mësime dhe këshilla që kanë rrjedhur drejt tij nga mjedisi përreth, do të kishte qenë e mundur, që të paktën të ruhej pastërtia origjinare e tij, e cila është aq shumë e nevojshme. Mjerë ne..! Lajmet e përditshme në televizion, polemikat politike, sporti dhe sportistët, gënjeshtrat gjithfarëshe që sajohen vetëm për të zgjuar kureshtjen, mashtrimet dhe sensacioni i synuar i ka pushtuar aq keqas ato mendje të dobëta, sa që kjo barrë e rëndë sa mali i Kafit, jo vetëm që nuk mund të mbahet prej atyre krijesave të dobët, por as nga ata trima që thonë “jam unë”, sepse do të ishte shumë e vështirë.
Kuptimi i mësimeve në shkollë, me një ngarkesë të tillë; kuptimi dhe konceptimi i tyre, apo vënia në jetë; apo arritja në konceptime të reja përmes tyre nuk kanë për të qenë kurrë të mundura. Dhe, nëse kësaj i është shtuar edhe programi i përgatitjes së sa më shumë hamejve të informacionit, atëherë nuk mund të thuash më shumë se sa mjerë për atë shkollë, mjerë për atë nxënës...!
Nxënësit dembelë sot, apo epigonët e topitur të kësaj atmosfere të prishur, janë më së shumti në kërkim të gjërave që mund të sigurohen pa vuajtur. Gjërat që i shqetësojnë ata më shumë në jetën e përditshme janë: lajmet e gazetave, sporti dhe sportistët, filmat dhe emrat e artistëve, si dhe përfitimi sa më shumë prej izmave dehëse dhe kënaqësindjellëse, të cilat përfitojnë emocioneve të rinisë dhe i kthejnë ata në krijesa njerëzore të harbuara. T’u mësosh të këtillëve se ç’do të thotë të ngadhënjesh, apo t’u zbulosh diçka, është gjëja më e vështirë. Ata nuk e duan punën, veçanërisht të punuarit në mënyrë metodike dhe sistematike. Dhe, po të shtojmë këtu edhe vitrinizimin dhe inskenimin e ngjarjeve plot ngjyra të ditëve të sotme, mjerë ata që ndiejnë vuajtje për t’u mësuar të tjerëve atë që është e drejtë!
Ngjarjet e shekullit në të cilin jetojmë janë të shumta në numër, edhe kërkimi rreth tyre është shtuar ndjeshër dhe lënia e gjërave të hapura dhe relative karshi gjykimit për sa i përket shtrembërimeve në dije; apo fakti që sot mbizotëron një atmosferë e statistikave, përkundër sigurisë që të mundëson përvoja, e bëjnë të pamundur që njerëzit të mund ta konceptojnë çdo gjë. Ç’është e vërteta, kjo do të ishte një përpjekje e kotë dhe budallallëk, si për atë që nxë, ashtu edhe për atë që mëson.
Koha në të cilën jetojmë e konsideron të domosdoshme ndarjen e punëve, detyrave, si edhe specializimin në fusha të caktuara. Çdo individ do të përpiqet të njohë vetëm një pjesë të gjërave dhe ndodhive, duke u bërë kësisoj më shumë kalimtar për hir të dhënies së asaj që kërkohet prej tij.
Tani, pa mendohuni njëherë! A është e mundur të shtosh diçka në zemrën e një të riu, që është pushtuar prej ndodhive të përditshme dhe bota shpirtërore i shtypet pa prà nën trysninë poshtëruese të gjithfarë kapërfytjeve shterpe? Sidomos nëse gjërat që i janë fiksuar në mendje gjejnë pranim edhe prej ndjenjave kafshërore dhe instinkteve njerëzore të tij... A lënë atij më forcë, për të lexuar dhe kuptuar, dëshirat epshore dhe obsesionet e tij të tërbuara, që bien mbi ndjenjat e tij më sublime çdo ditë të Zotit...?
Njohuritë për të mirën dhe të bukurën janë si një ushtri luftarake që qëndrojnë karshi tulatjes dhe përçudnimit njerëzor. Rinia ka për ta marrë këtë forcë prej shkollës dhe ambientit që kryen misionin e shkollës përreth tij... Vetëm atëherë kur të mund të pajiset me një njohuri të tillë, delikate e shpirtërore, ai do të mund të fitojë rezistencë karshi të këqijave dhe të lartësohet me krahët e vullnetit.
Padija për gjithçka do t’ia lidhë duart rinisë, duke e lënë të privuar prej çdo lloj forme të vetëmbrojtjes, por mësimi i tij me të gabuarën dhe të keqen e paralizon.
Është shumë e dhimbshme, që edhe sot e kësaj dite nuk ndihet asnjë nxitje kolektive dhe asnjë ndjesi gatishmërie për këtë fushë të jetës, e cila konsiderohet si një nga konsumuesit më të mëdhenj të jetës së popullit tonë ndër shekuj...!