Durimi

Durimi është një nga kriteret më të rëndësishme për të arritur te lartësimi dhe virtyti dhe njëherazi ngadhënjimi i vullnetit. Pa të as mund të bëhet fjalë për zhvillim të shpirtit as për lartësim drejt njohjes me të fshehtat e egoizmit. Me durim njeriu çlirohet nga varësia natyrore që ai ka me tokën, mishin dhe eshtrat. Falë tij njeriu bëhet një krijesë e bekuar që meriton shkrirjen me botët më të epërme. Përderisa durimi është një shteg shumë i ngushtë që të çon drejt mbretërive të përtejme, pra një majë e pakapërcyeshme, edhe heroi i së vërtetës që jeton me zemrën të fiksuar pas asi botësh, nuk është pos një Herkuli që përballet me shtigjet më të pakapërcyeshme në dukje dhe është i gatshëm të përballet me çdo vështirësi që mund t’i shfaqet në horizont; një Herkul që i sheh si fusha të lëmuara edhe abiset dhe humbellat më të thepisura...

Durim do të thotë të ndiesh, të kuptosh dhe të imitosh atë harmoni që ekziston në zemrën e natyrës njerëzore. Po, durim do të thotë ta kuptosh shumë mirë gjuhën e çdo dukurie e ngjarjeje dhe të jetosh vazhdimisht me përpjekjen për të qenë në “dialog” me to. Sa i pashoq që ngjan ai njeri që bën durim derisa ta kuptojë gjuhën e tyre dhe arrin të bëhet njësh me natyrën, duke ngritur një urë mes sjelljeve të veta dhe ekzistencës, e cila rrjedh në ujëvarën e vrullshme të kohës; sa madhështore dhe e epërme që është kjo melodi hyjnore e gjithësisë dhe sa meditim i lartësuar që është të ndiesh dhe ta kuptosh këtë harmoni të përkryer...!

Durim do të thotë të kuptosh ndikimin që koha ka mbi ekzistencën dhe të kuptosh se si ngjarjet e ndryshme marrin formë duke u shtypur nën dhëmbët e mprehtë të ingranazheve të kohës, duke hyrë herë në njërën trajtë e herë në tjetrën, nga njëra gjendje në tjetrën. Është pikërisht ky faktor shkrirës dhe transformues i kohës, ku ata që dinë se si të qëndrojnë të hekurt e të ngrijnë porsi akujt, arrijnë të lartësohen drejt dimensionesh të veçanta dhe shpëtojnë prej zhdukjes. Ndërsa ata që nuk e përkapin atë, janë të destinuar për t’u shkërmoqur nën kthetrat e hekurta të saj.

Po, natyra i thyen ato këmbë që nuk e njohin atë dhe nuk ndjekin hapin e saj, ndërsa shpirtrat i copëton pa mëshirë. Kurse ata që e njohin dhe që me sjelljet dhe veprimet e tyre përpiqen të ruajnë të njëjtën melodi me lëvizjen e heshtur që ekziston brenda saj dhe u përftojnë melodi të reja daudiane, janë të aftë për ta mbajtur atë në duart e tyre, si të ishte një grusht parafine e ngrohtë.

Ah ata fëmijë harrakatë që nuk e kuptojnë dot këtë të fshehtë dhe tregohen të nxituar e nuk priren kah durimi..!

Po, ka aq shumë njerëz që nuk e njohin veten dhe nuk e njohin asfare natyrën njerëzore, të cilët për vite me radhë nuk kanë bërë asgjë tjetër por e kanë çuar jetën e tyre pa frerë; por nuk kanë hedhur dot as edhe një hap më tej. Por ka edhe sa e sa njerëz të qetë e të heshtur, të cilët ngjajnë të fjetur, ashtu si ata lumenjtë e thellë e fare të palëvizshëm, por që kanë bërë përpara pa u ndalur; kanë përparuar hap pas hapi, duke i kapërcyer një e nga një të gjitha errësirat që kanë dalë t’i ndërpresin udhën, duke i bërë pluhur shkëmbinjtë që janë orvatur t’i pengojnë; të heshtur, të qetë; pa madhështi dhe pa stoli marramendëse... njësoj si perlat; kanë vuajtur nëpër thellësitë e detit, kanë jetuar mes vuajtjes, janë mbytur në gjak dhe si perlat janë ngjitur në horizontin e smeraldtë...

Mes një durimi dhe heshtjeje të tillë fara çan tokën për të nxjerrë kryet sosh, për të parë dritën e ditës. Sythi e hap njëqind herë kraharorin, që të ngrohet prej rrezeve të diellit; tensionohet njëqind herë nën errësirën e natës, për të arritur mandej ekzistencën. Po fëmija? Ende kur është sa një “syth” në barkun e nënës, i cili shfaqet në errësirë dhe drejt errësirës shkon; tërësisht i çuditshëm është edhe rrugëtimi i tij dhe po aq sa ç’është i çuditshëm, rrezaton edhe durim e maturi. Po, sepse duhe hyrë nga trajta në trajtë, nga forma në formë, pas nëntë muajsh të plotë, ai hedh hapat e parë me atë qëndrimin e tij si gonxhe trëndafili.

Pale po ta hedhim njëherë vështrimin tej, te krijimi i gjithësive dhe “kozmosit” gjigant. Të shohim se si çdo gjë zë fill të ekzistojë me një të thënë të Tijën “bëhu!”, tërë hapësira dhe krijesat, pasi kanë kaluar nga njëra formë në tjetrën, nga një sjellje në tjetrën, a nuk është gjithçka kaq kuptimplotë dhe një mësim kaq tronditës!

Çdo gjë që ekziston, çdo gjë, është i përfshirë në një pritje, me një vendosmëri dhe rezistencë që nuk njeh të ndalur, duke ecur hap pas hapi drejt një synimi të përcaktuar. Pa u ngutur, duke i pasur parasysh të gjitha ligjet e brendashkruara natyrës dhe pa e ndryshuar asnjëherë drejtimin...

Por, ç’t’i bësh njeriut, i cili ngutet! Veç ti tregohesh i paduruar. Vetëm ti nuk i bindesh rendit të përcaktuar në krijim! Ti je ai që edhe kur lartësohesh nuk i ke qejf e nuk i duron distancat dhe do që t’i ngjitësh shkallët disa përnjëherësh! Ti je ai që i pret rezultatet pa pasur parasysh shkaqet! Vetëm ti e zhyt kokën dhe thur fantazi për gjërat e pamundura, duke ndërtuar kështjella prej rëre! Që mandej shkon dëm nën peshën e dyshimeve dhe lëkundjeve mashtruese! Ti flet pa u menduar dhe mandej pendohesh për ato që fole, por që nuk nxjerr mësime nga asnjëri prej këtyre pendimeve, që nuk vë mend!

Ah sikur ta dije, se me këtë gjendje dukesh shumë i shëmtuar, por edhe i kobshëm...! Ah sikur të mund të nxirrje mësime nga të gjitha ato ngjarje që flasin si të ishte secila oratori më bindës dhe gjuha më e kuptueshme dhe të mësoje se si t’i bindeshe rendit të ngritur mbi ekzistencën; të mund të mësoheshe e të kuptoje të drejtën e shkaqeve dhe pasojave dhe të dije të ekzistoje falë besimit, vullnetit dhe vendosmërisë, e jo përmes fantazisë...!

Ti për aq sa duron ekziston dhe sa durimi yt e ke vlerën pranë Atij që është më i Vërteti e më i Drejti; sa vendosmëria dhe durimi për të jetuar pa të metë dhe pa bërë asnjë ndërprerje je zotërues i cilësive dhe sjelljeve më të mira ku e vënë gishtin udhëzimet e Librit tënd... dhe po aq sa ç’je i fortë dhe i duruar për t’iu bërë ballë të gjitha atyre gjërave të këqija e të pështira, të cilat ai Libër na i paraqet si të urryera përpara Zotit... si përfundim, të dije e në përballje me gjithë ç’të sjell jeta, pa e ndryshuar qëndrimin, të thoshe:

“Le të vijë prej forcës Sate ashpërsi, apo mirënjohje prej Sates bukuri; të ëmbla i ke, si mirësinë, edhe qortimin; për shpirtin të dyja mirësi.”

(Ibrahim Tennuri)

Të bëheshe përkthyes i kësaj të vërtete, për aq sa trim dhe i kënaqur...

Duke i jetësuar vazhdimisht e pa ndërprerje të gjitha ato gjëra që të lartësojnë, vazhdimisht në gatishmëri dhe rezistencë karshi gjërave poshtëuese; duke u mbështetur tek Ai, pa treguar kurrfarë bezdie ndaj gjithë fatkeqësive të përgjithshme që të kanë hedhur nën barrën e tyre e kërkojnë

të ta lidhin në vargoj vullnetin; po, ja pra, ky është durimi, më i hidhuri ndër të hidhur, por më i faqebardhi ndër faqebardhë!

Të mbledhësh të gjithë forcën brenda vetes e të mos luash vendit... të shkrihesh i tëri, porsi qiriri; por prapë të qëndrosh aty ku e ke vendin...

Ku je vendosmëri, ku je vullnet! Ku je trimëri dhe ku je heroizëm! Ndryshimi i rrugës dhe i drejtimin vazhdimisht na shushati të gjithëve. Dashurimi çdo ditë pas diçkaje të re na i shterri të gjitha fuqitë. Dhe ngarendja çdo ditë, pa ndërprerë, nga njëri mihrab në tjetrin, na katandisi në njerëz pa kible...

Një mik i të Drejtit thotë: “Mua më ndriçoi një mace.” Qëndronte përpara një vrime në pritje të presë së saj; një mace që priti gjer na agim pa i shkëputur sytë për asnjë çast nga ajo vrimë... Po ti, o njeri! Për sa kohë prite pranë mihrabit të përjetshëm, pa e ndryshuar sjelljen dhe pa i larguar sytë prej tij...? Po, sa e sa herë t’u prish rehatia, shërbimi të shkoi dëm dhe ti, prapëseprapë, vazhdove rrugën duke thënë “edhe njëherë nga fillimi”, pa u mërzitur e pa shfaqur hidhërim..? Dhe sa herë, sa dyer t’u mbyllën e të përzunë, të syrgjynosën nga një vend i huaj në tjetrin, por ti prapë u ktheve dhe e ule kokën në prehrin e më të dashurit..? Apo, mos vallë, ti pandehe se do të hysh në Xhenet pa të ndodhur ato që u ndodhën edhe atyre që jetuan përpara teje? Kur ata kaluan vështirësi të atilla, u prekën nga vuajtje të atilla dhe u tronditën aq shumë, saqë Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe besimtarët përreth tij thanë: Kur do të vijë ndihma e Zotit? Ta dish, se ndihma e Tij është pranë; të gjithë atyre që vazhduan robërinë e tyre, që kafshuan veten për t’i bërë ballë tundimit të mëkatit e që nuk e humbën kurrë shpresën dhe vendosmërinë, megjithëse ia prishën njëmijë herë rehatinë...

Po, të gjithë atyre “që nuk qanë jetën e tyre në rrugën e të Dashurit të përshpirtshëm”; atyre që thanë: “i hymë rrugës së dashurisë, nuk duam asgjë tjetër”...

Shënimet

  1. 18.Duke qenë se rimarrja nuk është adekuate, jepet e pashoqëruar në thonjëza. Shih.: Bakara, 2/214.