Ushtari

Në një kopshtije jemi plot me dëshmorë,

Me ata trimosha që kanë vdekur si ne,

Veç se do t’i mbetet kësaj toke, një yni Kujtim si rrufe, nga buçim’ e trokëllimave paanë.

(Jahja Kemal)

Të jesh ushtar është një gradë e lartë; si pranë më të Drejtit, ashtu edhe pranë njerëzve të thjeshtë... Në një shoqëri nuk ka asnjë detyrë që të mund të barabitet me të në këtë botë kalimtare. Duke pasur parasysh të gjitha përgjegjësitë që ata duhet të mbajnë mbi supe, koha tjetërsohet, bëhet diç më enigmatike, derisa shndërrohet në një të fshehtë të veçantë. Sa vite të tëra që vlen një orë e tyre... me mësimdhënien, edukatën dhe ora që kalon kur ai shërben si rojtar i vijës së kufirit.

Syri i tij, të cilit i është njohur privilegji i përkujdesjes për amanetet më të shtrenjta, është konsideruar i barabartë me syrin që është ngopur së e pari botën e shpirtit dhe është mbushur lot prej saj, në gjuhën e gurit të granatit. Dhe, në këtë aspekt, ushtari nuk e ka shokun a rivalin...

Për të tregojnë se është rojtari i atdheut. Për mendimin tim, do të ishte më e drejtë nëse do ta quanim si ruajtësi më besnik i gjithçkaje të shenjtë e të shtrenjtë ç’ka e shkuara, trashëgimia, liria dhe siguria. Sepse vetëm kur është ai aty, i pranishëm, marrin fund shqetësimet tona. Parehatia jonë shndërrohet në qetësi dhe siguri kur dëgjon këngët dhe britmat e tij të gëzimit.

Njerëzimi ngrihet kah qytetërimet dhe perandoritë me ndihmën e ushtarit. Ngadhënjimet dhe rrymat kulturore që i pasojnë ato, arrijnë të përhapen në çdo anë me flamurin dhe heshtën e tij, e së këndejmi lindin qytetërime të reja; sa e sa klima të reja shohin dritën e diellit. Mandej, çdo gjë që ka hedhur shtat aty sigurohet dhe mbrohet po nga ai ushtar. Ka çaste kur ai gurgullon si ujëvarat, ka raste kur ai shndërrohet në një tufan më vete, duke pastruar gjithçka anekënd. Ka ditë kur ai avullon dhe shndërrohet si në një re mbrojtëse mbi kryet e popullit të tij... me sytë e mbushur plot e qetëson dheun dhe tokën dhe ujit kryefund të gjitha hapësirat e gjelbëruara.

Shumë i madh është ndikimi që ka ushtari në vdekjen dhe ringjalljen e kombeve. Të gjitha ngatërresat, mosmarrëveshjet dhe, si pasojë, rrëzimet, përkojnë vetëm me kohën kur ai nuk është në vete. E gjitha shkrirja me dijen, ardhja në vete dhe ringjallja shihen vetëm atëherë kur ai është i kthjellët dhe plot gjallëri... në ato ditë kur ai buçet e rrjedh gjithë fuqi si ujëvarat, duke i shndërruar majat në hapësira të rrafshëta e fushat në begati për njeriun...

Ushtari është një krijesë e majave në historinë e çdo kombi. Me trupin e tij që u ngjan maleve ai bëhet subjekt për këngët, u jep ngjyrë eposeve dhe legjendave dhe porsi flamujt që valëviten në majat më të larta të yjësive, por edhe në zemrat e njerëzve, ai shndërrohet në rrezatim i paqes shpirtërore dhe sigurisë. Në këtë pikëpamje, çdo popull ka ushtrinë e vetë dhe ushtarin e sheh si dritën e syve, me atë gjallërinë, vetëdijen dhe aksionin që e karakterizojnë atë.

Por ka edhe disa popuj, të cilët duken sikur nënat t’i kenë lindur si ushtarë që ditën e parë. Ai lind si i tillë, dëgjon veç ninulla e këngë ushtarësh, derisa vjen një ditë dhe largohet nga kjo jetë si ushtar. Të dashuruar me jetën ushtarake, me

largësitë e kufijve të shtrenjtë, me ngarendjet për t’u ardhur në ndihmë, por edhe për të luftuar me armikun.

Ne flamurin duam të përqafojmë në vend të më të dashurit të zemrës,

Emblemën me jelet e kalit duam, në vend të varëses thurur me lulet m’erëmira

Kurrë nga zemra s’na u shua dashuria për harkun e shigjetën, Në vend t’atij qerpiku e t’asaj vetulle që vjen e zemrën ta godet.

....

Më shumë duam kalin, që si era, madhështor, fluturon me galop,

Në vend të vashës si perri, me syrin të bukur si e sorkadhes bukuri.

Nuk ka enë që ta nxërë atë dhe ai përhapet nga njëri kontinent në tjetrin. Hungëron si zhurma e buçimës së dallgëve të detit. Kapërfytet me malet dhe nuk ka stepë që të mos e kapërcejë, duke arritur deri në Murin Kinez, që t’i puthë këmbët.

Ai, veten e sheh si varisin e vetëm të tokës dhe syrin e ka vetëm tek udhëheqja e botës. Tek ai idealizohet shprehja “e jona është gjithçka, nga lindja e ditës deri në perëndimin e saj” dhe të humbasësh jetën në këtë rrugë bëhet qëllimi më i ëmbël i jetës dhe qëllimi më i dashur i saj. “Deri më sot kam dalë ngadhënjimtar shumë herë. Bën përpara duke u mbështetur vetëmse te mendimi “tanimë nuk më ka mbetur asgjë më e madhe se lumturia që arrijnë ata që e japin jetën në rrugën e Allahut. Le të jetë kjo vlera e vërteta e gjakut që më rrjedh ndër vena.” Ndërkohë që ushtria e tij vrapon drejt fitores së betejës, ai i rreh flatrat për t’u ngjitur te më i Larti i të Lartëve, duke u bërë edhe njëherë përkthyes i domethënies që ai mbart qysh prej çastit kur ai ishte në djep: “Të mos zbrisni nga kali!” E ç’kuptim ka, nëse Ballkani do të bëhet ndoshta varri i këtij tufani drite, kur ai ta ketë rrethuar atdheun e Llazarit dhe Milloshit...!

Populli ushtar, me atë pishtar të ndezur që mban në dorë, jeton në rrugën e ndriçimit të çdo hapësire anekënd. Me dritën që ai mban në majën e heshtës, ai vrapon deri edhe në rrethinat më të humbura, në emër të njerëzimit; për hir të lumturisë dhe të shkrirjes me dritën ai ngjit malet, mundet me dallgët e detit, u nxjerr kraharorin bedenave dhe porsi një rrufe ngulitet në trurin e kombeve; shkatërron padrejtësinë, së bashku me të padrejtin.

Të gjithë bedenat dhe majat më të larta, që pandehen si të pakapërcyeshme, për të thërrmohen, bëhen pluhur, shkrijnë. Nisin si mendjemëdha dhe krenare, por një të hyrë në praninë e tij përulen. Çdo e vërtitur e shpatës shkakton tronditje të tokës dhe të qiellit. Gatitur u rri gjithë bota jeleve dhe flamurit të tyre. Gatitur i rri miku, gatitur i rri edhe armiku i atij shpirti lapidar.

Në një vlerësim të përkohshëm Monteskieja thoshte: “Po të mos ishte ky popull, nuk do të kishte histori.” Ky është një gjykim i drejtë për një popull ushtar, por prapëseprapë është jo i plotë. Sepse ka qenë pikërisht ky popull, që ka themeluar dhe ka ruajtur, si historinë, ashtu edhe qytetërimin, duke pasur parasysh se ai ishte dëshmitari i asaj bote madhështore dhe asaj kauze aq të madhe.

Po, sepse ai, edhe kur horizonti i njerëzimit qe nxirë, e pati shqyer errësirën si të ishte një kamë e mprehtë, duke i bërë kohët e mëtejshme t’ia pranojnë sundimin; me trimërinë, vendosmërinë dhe guximin e patrembur prej vdekjes...

Dhe është po ai, që në sulmimin e tij tregon një forcë, të cilën vështirë ta mbajnë e ta përshkruajnë legjendat:

“Godit për hir të asaj shpate në pëllëmbën e lartë

Për hir të mjeshtrit që drejton të shenjtën lutje dhe qiellin

Godit sot, o ushtari i Ngadhënjimtarit të mbarësisë

Për hir të lajmësit që njofton ngadhënjimin e madh

Godit mbi çerdhen e mohimit për hir të hënës së ngulitur

Për hir të ardhjes së këtij Ngadhënjyesi, prijës i kalorësve T’i bjerë kuror’ e Bizantit, të thyhet i par’ i frëngut

Godit, për hir të vendimit të epërm që atje Turkun dërgoi

Me gjithë furinë godit, të hapen këta bedena

Për hir të ‘tekbir’-it që këndon me vërshimin e agimit.”

(Jahja Kemal)

Vetësakrifikuese është edhe mbrojtja që ai bën. Madje mbrojtjen e tij vështirë t’ia dallosh prej sulmit. Perëndimorët kanë thënë: “Sulmi i tyre nis pikërisht aty ku të gjithë popujt të tjerë i kanë humbur shpresat se do të mund ta mbrojnë dot vetveten.” Kjo është shprehja më e bukur e aksionit të një populli legjendar, duke nisur nga Mallazgirti e deri në Çanakkale. Asgjë nuk i ka shpëtuar syrit të perëndimorëve, duke nisur nga gjyshet që i vërsuleshin ushtrisë ruse me thikat e tyre në duar në Pallandoken, e deri te nuset, të cilat zgjidhnin duvakun dhe rendnin me një frymë në ndihmë të Çanakkalesë.

Edhe në atë kohë kur mungesa e mundësive dhe skamja rrekeshin që ta mbytnin, Mehmetçiku u përgjigjej topave anglezë me bajonetë dhe groposej në histori, ai përshëndetej me Hasanin e Ullubatit, i jepte buzëqeshje Mohaçit dhe teksa kalonte përmes Mallazgirtit, futej në radhët e “Luenëve të Bedrit”.

E kush ta mihë një varr që për ty i ngushtë të mos jetë?

Të të them, “eja të të varrosim në histori”, nuk të nxë.

As kohërave që ti i ndryshove nuk u mjafton ai libër...

Se për ty të mjaftueshme veç përjetësitë mund të jenë...

...........................................................................................................................

Dëshmor e bir dëshmori, varrin mua mos ma kërko, Ty krahët kraharorin ka hapur, Profeti të pret.

(M. Akif)

Ishte bajoneta e tij që na i fashiti dhimbjet me qindra herë dhe i hodhi ujë zjarrit që brenda na djeg. Sa e sa herë, edhe në historinë e afërme, ne e pamë fytyrën e tij, se si i qeshte së shkuarës dhe forcën e rrufeshme në të... Po të mos ishte treguar i shkathët e të vepronte menjëherë për t’u dalë para synimeve të errëta që përgatiteshin prej vitesh, si popull, ne nuk do të kishim asnjë zgjidhje tjetër, veçse të uleshim dhe të qanim për humbjen e madhe.

Përshëndetje jeleve të tyre, përshëndetje flamurit të tyre dhe asaj koke të epërme që bart gjithë vlerat tona...!