Një popull që mban ekuilibrin e botës
Në këto kohë kur ekuilibri i botës është prishur dhe gjeografia shoqërore është shtatzënë me shumë surpriza, vështirë ta shpjegosh se sa shumë nevojë kemi për një shtet të madh dhe një popull të lartë, fjala e të cilëve do të dëgjohej në të gjitha shtresat e shoqërisë njerëzore.
Edhe njëherë po ndiejmë mall për atë popull që mund të bëhet edhe njëherë faktor i ekuilibrit, të cilin e shkatërruam me duart tona, në një kohë kur nga Lindja në Perëndim janë duke u kryer gjithfarë poshtërsish, kur viktima shihet shtrembër dhe i padrejti duartrokitet; kur supershtetet janë gati që ta dorëzojnë të gjithë rruzullin në duart e anarkisë dhe ngado mbizotërojnë veç mosmarrëveshjet dhe kryengritjet... Sepse ky popull nuk u zhduk asnjëherë tërësej. Edhe nëse ngjan i mbërthyer nga shumë probleme, atij i lipset frymuar ringjallje, që të rimëkëmbet... Në të kundërt, kjo gjendje në të cilën gjendemi, e cila ngjan më së shumti me luftërat e përgjakshme, ka gjasa që të shndërrohet në gjëra të frikshme më serioze dhe shqetësuese.
Sakaq, asgjë nuk do të mbetet me kaq, sepse jo vetëm që do të zhduket një popull që mund të bëhet faktor i ekuilibrit në botë; por do të çojë edhe në ndryshime shumë serioze, të cilat do të ndjekin njëri-tjetrin në gjeografinë shoqërore. Kur përgjegjësia historike e shkaktimit të një rënieje të këtillë, në një pjesë të caktuar të botës, do t’u përkasë e gjitha atyre që e lanë këtë popull të lartësuar vetëm për vetëm me mbarimin e tij.
Ky popull, deri më sot, ka kapërcyer me mijëra vështirësi dhe duke u kapërfytur me mijëra rrjete të brendshme e të jashtme të tradhtisë, ka arritur që ta ruajë ekzistencën e vet; mirëpo, tani, po përballet me një sulm të ethshëm që i kanoset nderit të tij, teksa është i stërlodhur e nuk ka pikë fuqie për t’u përballur.
Po, pasi ka qenë prè e sa e sa mllefesh dhe urrejtjesh përgjatë gjithë historisë, të cilat nuk kanë njohur të ndërprerë, bota e re po i vërsulet atij me armë ideologjike nga më të llojllojshmet, për ta shfarosur, në një fushëbetejë kur e verdha me të kuqen janë mbledhur në të njëjtën anë të saj, ndaj ne jemi të detyruar që t’i dalim për zot zemrës dhe shpirtit të tij në këto ditë të zeza.
Dje, ai kishte për armiq vetëm disa ndjekës fanatikë të fesë, që kërkonin falje më vonë. Ndërsa sot, përballë popullit tonë, në skenë kanë zbritur armiq faraonë, para të cilëve ata zullumqarë të mallkuar dhe të poshtër do të dukeshin si krijesa të mëshirshme... Sepse armiqësia e parë pati nisur prej atyre që mblidheshin përreth idhujve të tyre. Ndërsa, sot, duket sikur ata ia kanë lënë vendin armiqësish më të ashpra dhe më të frikshme.
Qëkurse ky popull e hodhi hapin e tij drejt Evropës, pas vetes tërhoqi gjithë urrejtjen dhe armiqësinë e një pjese të klerit. Kjo urrejtje dhe armiqësi bëri që bullgarët të bashkoheshin me serbët; hungarezët me grekët, duke krijuar kësisoj një front të Kishës. Kjo armiqësi, e cila e kishte zanafillën qysh prej asaj të kohëve të idhujtarisë, që nuk kishte njohur fashitje as prej valëve të gjakut që ishte derdhur nga trupat e miliona njerëzve gjatë fushatave të ndërmarra prej kryqëzatave.
Frederikët, Rikardët dhe Filipët, kur e panë se Jerusalemi po iu ikte nga duart, mendonin se kështu mund ta humbisnin edhe Stambollin dhe kjo i tërbonte, e sa më shumë i mbyste ky tërbim, aq më shumë angazhoheshin për të organizuar ushtri të reja, për t’u hakmarrë.
Për shumë shekuj të stërgjatë në ndërgjegjjet e evropianëve u zgjuan veç ndjenja të mllefit dhe urrejtjes dhe iu tregua si rrugë jete dhe çelës i parajsës veç rruga e mbytjes në gjak e këtij populli të lartë, i cili ishte stacioni i fundit i kësaj bote përballë Perëndimit.
Idhujtarët po e pushtojnë fund e krye këtë botë, me ashpërsinë e një cikloni të pamëshirshëm dhe me nxehtësinë e llavës përvëluese; kurse ky popull di ende se si ta fikë këtë flakë të frikshme në zemër dhe të realizojë detyrat që i kanë ngarkuar përgjegjësitë historike. Ah sikur të bëhej fjalë vetëm për sulmet që vijnë nga jashtë. Me mijëra krimba, që kanë depërtuar në brendësi të trupit, e skërmitin atë parreshtur nga brenda, duke hapur vrima të reja, nga të cilat mund të përfitojnë sulmimet nga jashtë...
Kjo përballje kapërfytëse ka zgjatur për shekuj me radhë. As Romen Diogjenët jashtë, as nipërit e Ebu Lehebit brenda shtëpisë, nuk e prangosën dot vullnetin dhe vendosmërinë e tyre. Ata ditën si t’i kapërcejnë të gjitha këto dhe, pavarësisht të gjithave, e kryen me nder detyrën e besnikërisë ndaj amanetit...!
Ndërsa sot atë e pret një përgjegjësi historike fare e re. Një përgjegjësi shumë herë më e ashpër se sa ato që ka marrë përsipër deri më tani, e cila ngjan të jetë e papërballueshme...
Ky popull, që deri më sot nuk ka parë asgjë tjetër, pos tradhtisë nga të gjithë, sajë këtij besimi të qashtër e të kulluar, që ka bartur në zemër prej shekujsh, dhe emocionit të epërm që të fal ai, ia ka arritur që të kapërcejë shumë vështirësi, e ne i ushqejmë me forcë të gjitha shpresat se edhe këtë sprovë të re ka për ta kapërcyer me një vetëdije historike të shëndoshë.
Megjithatë, para së gjithash, duhen njohur mirë të gjitha ato gjëra që duhet t’i dimë; ato që do të bëhen, për të arritur shërimin, të mos shkaktojnë komplikacione të tjera.
Po, nëse nuk njihen siç duhet të gjitha nevojat jetike të tij dhe tërë sëmundjet që e kanë shtyrë nga njëri depresion në tjetrin, atëherë diçka është më se e sigurt, që ndërhyrja nuk ka për të prurë kurrfarë dobie.
Andaj, pikë së pari duhet bërë diagnostikimi i sëmundjes, mandej të përcaktohen rrugët e kurimit dhe vetëm mandej të përgatitet një plan i duhur për mjekimin dhe nuk duhet rënë në shterpësi, duke u treguar amatorë me debate të kota për të kërkuar menjëherë kirurgun, apo se ku, në cilën pjesë të trupit, do ta operojmë të sëmurin menjëherë.
Ata që mendojnë që të kryejnë njëherë prishjen, se planin e bërjes e përgatitin më vonë, me kalimin e kohës duhet ta dinë se po bëhen pjesë të një tradhtie shumë të rëndë. Ashtu siç të dëshiruarit e bërjes së diçkaje vetë nuk vlen për asgjë, ashtu edhe të mos kërkosh dhe të mos përpiqesh për asgjë nuk ka për të vlejtur hiçgjë.
Nëse nuk e pajisim përpjekjen dhe vendosmërinë tonë me sa më shumë njohuri dhe vullneti dhe këmbënguljet tona nuk janë të mbështetura te dituria dhe hulumtimi i imtësishëm, më shumë ka për të na dëmtuar, se sa të na përftojë dobi. Zaten, shkaktari i vërtetë që të gjitha përpjekjet e bëra në emër të shpëtimit të kombit nuk kanë dhënë asnjë fryt, për shumë vite me radhë, është se përpjekja nuk ka qenë e ndërthurur me informacionin, vendosmëria me njohjen dhe sinqeriteti me aftësinë e të konceptuarit...
Prandaj edhe nismëtarët që i kanë vënë vetes detyrën e ringjalljes së këtij populli dhe përgatitjen për krijimin e një bote krejtësisht të re, duhet të sigurojnë njëherë kontaktet e tij me historinë dhe rrënjët shpirtërore të veta, para se t’i hyjnë kryengritjeve dhe ndërtimeve të pavetëdijshme për sa i përket së shkuarës. Sepse ringjallja e vetëdijes historike edhe njëherë është shumë e rëndësishme. Dhe pas ngjarjeve plot mësime dhe fatkeqësi që janë përjetuar gjatë viteve të mbrame qëndron pikërisht ky moskonceptim dhe privim nga vetëdija.
Po, ky duhet të jetë horizonti i epërm që rrethon jetën dhe shpirtrat tona. Dhe duhet të mbizotërojë aq shumë, sa që në shkolla, kazerma, në krye të parmendës, pas tufëzave dhe në tryezën e nëpunësit; madje edhe në buzët e nënave dhe gjysheve që tundin djepat dhe këndojnë ninulla të jetë e pranishme përherë kënga jonë dhe melodia e krijuar prej hapave tanë.
Me një botëkuptim të këtillë, ne duhet t’i tregojmë njeriut shpirtin tonë, duke e ndihmuar që edhe atij t’i çelen flegra të reja dritaresh kah bota e tyre. Duke zgjuar te ta ndjenjën e respektit ndaj gjërave më të shenjta për ta, do të kemi siguruar kësisoj që brenda tyre të lindë reaksioni karshi mendimeve të huaja dhe shkatërrimtare. Duke ua forcuar ndërgjegjjen e përbashkët, do të kemi parandaluar përmbytjet e mundshme të gjakut dhe të plazmës që na kanosen çdo ditë. Në të kundërt, nga frika se atyre mund t’u ndodhë ndonjë e keqe prej një varg ngjarjesh që mund t’ia behin sa hap e mbyll sytë në të ardhmen, disa shpirtra të mjera që përpiqen të duken të ëmbël përpara gjarpërinjve do të shkatërrohen e do të shkrumbohen e bëhen hi së bashku me këtë popull në flakët që nuk u shuan dot nga mungesa e përpjekjeve për t’i parandaluar.
Ky popull, i cili e ka ruajtur me sukses ekzistencën e vet gjer më sot, pavarësisht me mijëra sfidash për jetë a vdekje dhe që do ta ruajë edhe në të ardhmen, e që ka një rëndësi të posaçme për gjeografinë shoqërore, duhet shpëtuar medoemos, pikë së pari sepse përbën një pikë ekuilibri, si për botën islame, ashtu edhe atë ndërkombëtare, duke iu krijuar të gjitha mundësitë, që të mund të kryejë detyrën e lartë që historia i ka ngarkuar mbi supe.
Krijuesi e ruajtë atë prej çdo gjëje që ne shqetësohemi.