Heroi

Heroi është lënda më thelbësore e historisë. Historia e një kombi lartësohet në saje të heronjve të vet. Historia e një kombi pa heronj i ngjan një liqeni të cekët, ujërat e të cilit janë të palëvizshëm; edhe pse është i madh dhe i gjerë, nuk të fal emocione dhe nuk shkakton gjallëri.

Grekët e bënë historinë e tyre të valëvitej përpara syve të mbarë botës mbi shpatullat e një vargu heronjsh mitologjikë. Roma e lashtë e zuri vendin e saj në historinë e njerëzimit me Cezarin dhe shumë të tjerë, që qenë të ngjashëm me të. Kartagjena e bëri emrin e saj të dëgjuar për mbarë njerëzimin nën sundimin e një njeriu si Hanibali. Irani arriti të kishte një prej eposeve legjendare më larushanë dhe të pasur falë penës mjeshtërore, të epshme dhe pjellore të Firdeusit. Dhe shumë e shumë shumë të tjerë...

Ka kombe, historia e të cilave të jep përshtypjen e një brezareje të ngulitur mbi një shtyllë të vetme, duke qenë se rrotullohet e tëra përqark një heroi të vetëm. Por ka edhe kombe, që historia e tyre mbështetet mbi mijëra shtylla dhe të krijon imazhin e një faltoreje madhështore me qindra kupola. Maqedonia ia ka dalë të lartësohet falë historisë së lashtë të Aleksandrit të Madh; Franca falë Napoleonit; Gjermania falë Bismarkut, ose Gëtes, sipas një botëkuptimi tjetër.

Kurse në historinë tonë nuk mund t’ia dalësh dot as së numëruari heronjtë, as së ia përmenduri emrat të gjithëve një e nga një. Ndoshta do të ishte më e përshtatshme që ta emërtonim “historia e heronjve”. Sepse ky komb, për shumë vite me radhë, i ka qëndruar përballë një botë të tërë armiqësore, herë duke sulmuar e herë duke u mbrojtur dhe

ka arritur të nxjerrë aq shumë heronj, sa që të thuash Omer, nga pas dëgjon të jehojë gjëmimi i Halidit. Po të thuash Fatih, ngjitet zëri i Javuzit. Po të thuash ngadhënjim, apo po të thuash Mohaç, pas do të dëgjosh vajin e mbarë Anadollit; dëgjohet buçitja e Çanakkalesë... Shumë e vështirë të shenjosh një komb të dytë, në historinë e të cilit heroizmat të bëjnë një paradë të tillë.

Perëndimi thotë se ky komb nuk se ka ndonjë histori edhe aq serioze. Është e vërtetë. Po historia e heronjve me flatra në Mallazgirt? Po jetëshkrimi i të gjithë atyre që me një kërcim të vetëm u lëshuan mbi Perëndimin si kuaj fluturues? Po varret dhe pllakatet mbi kryet e të gjithë atyre heronjve që ndaluan vërshimet e Kryqëzatave? E po tyrbet e kupolat e të gjithë atyre që nuk lejuan askënd që “të shkelë në vatrën e tyre”...?

Ndërkohë që të gjithë të tjerët i ruajnë me përkujdesjen më të veçantë deri edhe ngjarjet më të parëndësishme dhe ndodhitë më të pavlera të historisë së tyre, unë ç’t’i quaj ata heronj legjendarë, që secili është nga një histori madhështore më vete, të cilët janë të tërë e shkuara ime? Ata njerëz si Molla Husrevi, pse nuk e shkruan ata historinë e “Epokës së Përparimit”? Pse nuk u regjistruan forca, zgjuarsia ushtarake, aftësia e administrimit dhe masat gjithëpërfshirëse të komandantëve si Javuz Selimi, në kohën që jetuan? Ç’kish ngjarë me një mendje aq të fuqishme si ajo e Ibni Kemalit, që nuk i përjetësoi dot ngjarjet e “Epokës së Shkëlqimit” me penën e tij erudite? Të gjitha këto pyetje na e ngacmuan mendjen pa prà, derisa dëgjuam vargun: “Eja, të them të të varrosim në histori, ajo nuk të nxë”, që shkroi poeti i vuajtur, “Vajtonjësi i Rrënojave”, i cili shkroi libretin e heronjve tanë

të fundit të panjohur e pa emër. Ndërkohë që tani rrimë e ngushëllojmë veten se ka edhe heronj, historia e të cilëve vështirë të shkruhet.

Po, ka popuj që shkruajnë legjenda dhe i quajnë ato “histori”. Dhe me to rreken t’u përftojnë madhështi së shkuarës së tyre. Këta mund të quhen ndryshe edhe “popuj historishkrues”. Por ka edhe popuj, të cilët janë ata që e bëjnë historinë dhe këngët dhe legjendat ua lënë të tjerëve t’i shkruajnë e këndojnë. Ma merr mendja se ky është shkaku kryesor i kësaj gjendjeje të varfërisë në literaturën tonë historike. Ne treguam heroizëm dhe e bëmë historinë, e akustikën e saj ua lamë rojtarëve e shërbëtorëve tanë.

Gladiatorët as nuk e shohin dot përpjekjen heroike të tyre, as nuk e ndiejnë dot. Janë spektatorët e ulur përreth arenës që e shohin dhe dinë ta dallojnë më mirë atë. Nëse duhet të kemi medoemos edhe ne një legjendë të heroizmit të tillë, unë do të doja ta dëgjoja atë prej penës së ndonjë të huaji të arsyeshëm. Lotët që rridhnin mbi kraharorin e historisë sime prej syve plot vlerësim të Lamartinit; prej bukurisë dhe magjepsjes që zgjuan dëshirën e Pier Lotit për të kërkuar që ta varrosin në varrezat nën hijen e selvive, duhet të jenë më të gjalla dhe më me ndikim se këngët e sajuara të Peçeviut. Madhështi është ajo që ta pëlqejnë edhe të tjerët; virtyt dhe heroizëm është ai që ta vlerësojnë madje edhe armiqtë.

Por ka edhe një heroizëm tjetër, siç është ai i instrospeksionit, i thellimit në fshehtësitë e vetes, të cilin as Lindja, as Perëndimi nuk e kanë parë dot gjer më sot. Prandaj edhe kë heroizëm, që nuk është reflektuar në faqet e historisë, mund ta gjesh vetëm në vendin tim.

Po, për ta parë këtë lloj heroizmi, të duhet të kalosh medoemos njëherë drejt kësaj bote. Sepse, një udhëheqës shteti që del të ecë në mes të popullit me një thes miell mbi supe, vetëm e vetëm se një grimcë krenarie ia ledhatoi egon; një komandant, të cilit nuk i janë marrë mendtë e nuk i janë veshur sytë, i cili shkatërron ushtritë më të fuqishme të Perëndimit me një lëvizje të vetme dhe, përballë thesareve në sarajet e mbretit, thotë: “Dje ishe një berber i thjeshtë (i Afrikës), ndërsa sot je një komandant ngadhënjimtar, mos harro se nesër do të jesh një njeri nën dhè, gati për të dhënë llogari.”; ushtarakë të mëdhenj dhe drejtues që i këshillon vetes që të përqafohet me arkivolin vetëm e vetëm pse mbi pelerinën e tij i ka shpëtuar pak baltë prej këmbës së kalit të një heroi të së vërtetës, në një kohë kur, si Lindjen, ashtu edhe Perëndimin i ka në shërbimin e tij, mund të gjesh vetëm mes njerëzve të këtij vendi, sepse vetëm aty janë shfaqur.

Po, për të njohur heroin e vërtetë që shtypi gjithë hordhitë dhe sundonte mbi mbarë botën, ndërsa natën e kalonte si një dervish në izolim të plotë dhe i dedikuar në adhurim, të duhet të kalosh njëherë medoemos në vendin tonë. Sepse, ata që nuk iu merren mendtë prej fronit e kurorave; të cilët janë të njëjtë si në fillim, ashtu edhe në fund; që e kanë të njëjtë edhe të përparmen edhe të mëpasmen; që jeta dhe ngjarjet nuk i ndryshojnë; fatlumët që tronditin deri edhe qiellin me dashurinë, emocionet dhe klithmat e tyre, mund t’i gjesh vetëm kësoane.

Nderi është një lule e rrallë që rritet në tokën tonë. Qashtërsia e shpirtit është trëndafili i trojeve tona. Mosprimtëria dhe të jetuarit për hir të të tjerëve është zambaku më i bukur i kopshtijeve tona. Te ne gjendet që ta arrish diçka, por të mos e shijosh. Ne jemi që digjemi prej dëshirës për të jetësuar të tjerët, madje duke e harruar krejtësisht jetën tonë. Njeriu ynë di se si të jetë i pari në shërbim dhe ndër të fundit kur vjen fjala te shpërblimi. Te ne e pa dhe e njohu bota se ç’do të thotë të duash pa të të dashur...

Trimëria falëse çeli në trojet tona. Trimëria e zgjuar, me shumë përpjekje, te ne e gjeti konsolidimin. Këngët e luftës u kthyen në kompozime ku përbashkohej jeta me amshimin. Dhe, për shekuj me radhë, njeriu ynë thirri fort “Hû” për kohën dhe epokën e vet...

Prandaj, në këtë vend është e pamundur që të kërkosh heroizma individualë; edhe po t’i kërkosh, vështirë t’i gjesh. Heroizmi i këtij populli u ngjan vargmaleve, i pafundmë dhe plot maja të pakapërcyeshme. Të këtillë e pohojnë dhe e këndojnë si armiqtë, ashtu edhe miqtë e tij.

“Dhe ti “mund ta shohësh, ta ndiesh, në ke besim e ndërgjegje; se ç’trimëri e lindur rreh fort në kraharorin e vatanit.

Fëmijëve të vatanit dhe Furkanit që atij jetën i fal.

Po, sepse ai, edhe kur horizonti i njerëzimit qe nxirë, e pati shqyer errësirën si të ishte një kamë e mprehtë, duke i bërë kohët e mëtejshme t’ia pranojnë sundimin; me trimërinë, vendosmërinë dhe guximin e patrembur prej vdekjes...

Dhe është po ai, që në sulmimin e tij tregon një forcë, të cilën vështirë ta mbajnë e ta përshkruajnë legjendat:

“Godit për hir të asaj shpate në pëllëmbën e lartë

Për hir të mjeshtrit që drejton të shenjtën lutje dhe qiellin

Godit sot, o ushtari i Ngadhënjimtarit të mbarësisë

Për hir të lajmësit që njofton ngadhënjimin e madh

Godit mbi çerdhen e mohimit për hir të hënës së ngulitur

Për hir të ardhjes së këtij Ngadhënjyesi, prijës i kalorësve T’i bjerë kuror’ e Bizantit, të thyhet i par’ i frëngut

Godit, për hir të vendimit të epërm që atje Turkun dërgoi

194 Koha dhe Brezi

Me gjithë furinë godit, të hapen këta bedena

Për hir të ‘tekbir’-it që këndon me vërshimin e agimit.”

(Jahja Kemal)

Shënimet

  1. 19.Shën. ~ bëhet fjalë për Kuranin Fisnik; Atij që ndan të drejtën nga e padrejta, të vërtetën nga e gabuara, të mirën nga e keqja.