Mësuesi në sistemin tonë të edukimit
Mësuesi është një mjeshtër i vetësakrifikimit, që i jep formë jetës së njerëzve, nga lindja deri në vdekje, përgjatë gjithë jetës. Është e pamundur të gjesh një krijesë të dytë në rruzullin tokësor, e cila mund të barabitet me këtë krijesë të çmuar, ku të gjehen të përqendruara të gjitha frymimet engjëllore, që shërben si udhërrëfyes i popullit të tij, përsa i përket programit të paracaktimit hyjnor, e që përpiqet t’ia lartësojë atij moralin dhe karakterin dhe të fusë tek ai vetëdijen e amshimit.
Ndikimi që një mësues ka tek individi është shumëfish më i madh se sa ndikimi që kanë mbi të, nëna, babai, madje i gjithë grupi shoqëror. Në fakt, është ai që i ka dhënë formë edhe nënës, edhe babait, madje edhe gjithë grupit shoqëror, në të cilin bën pjesë ky individ. Çdo brumë ku hyn dora e tij është pa shije dhe vështirë të ndiesh kripën në të.
Ai është dora dhe gjuha që Zoti përdor për të lartësuar, apo poshtëruar, njerëzit. Po, një shoqëri beduine që e ka gjetur mësuesin e saj mund të lartësohet gjer në lartësinë e engjëjve, duke bërë që të gjithë pjesëtarët e asaj bashkësie të arrijnë në cilësinë e mësuesit. Dhe, poende, në saje të një mësuesi të mirë Maqedonia bëhet me një prej ngadhënjimtarëve më të mëdhenj në historinë e botës. Anadolli hyn në epokën e perandorisë në saje të mësuesve shumë të mirë. Fatihu, i cili luan me çdo epokë, apo Javuzi, njeriu i disiplinës së rreptë dhe i rregullit dhe qindra e qindra të tjerë, nuk janë veçse nxënës të rrallë të dalë nga duart e nga një mësuesi të tillë, të veçantë, të këtyre përmasave.
Xeherorët pastrohen në duart e mësuesit dhe shndërrohen në ar të pastër dhe argjend shkëlqyes. Në ato duar të mistershme edhe gjërat më të pabëra e më pa vlerë kthehen në smeralde të pashoqe. Asnjë fabrikë nuk punon dhe nuk prodhon dot në seri dhe në mënyrë aq sistematike sa ai. Me qindra njerëz që ai i merr përapara vetes, ua vë atyre në lëvizje të gjithë shigjetat e ndjenjave, duke u falur ekzistencë të dytë ekzistencës së tyre dhe askush tjetër nuk e ka arritur dot këtë privilegj.
Ai është përkthyesi i domethënieve që pikojnë drejt nesh prej botës së fshehtësive, si dhe zëri dhe fjala e gjithçkaje të papërpakshme që ndodh në botën e ekzistencës. Njeriu, në saje të tij, lartësohet drejt qiellit porsi retë, për të zbritur mandej në tokë si mëshirë.
Kurse shpirti i lartësuar që ia hap zemrën lajmeve që do të vijnë prej më të besuarit, mësuesit më të posaçëm, të botëve përtej qiejve, ishte mësuesi më madhështor... një mësues, që kur e kryente ai detyrën e mësuesisë, si individët, ashtu edhe mbarë shoqëria, magjepseshin pas tij... Prej Tij e kemi mësuar gjithçka që ne e dimë si të drejtë dhe gjithçka që dihet sot; gjithçka tjetër nuk janë veçse fjalë të kota e të thata...
Mësuesi na është shfaqur herë si filozof, herë si i vetëveçuar për jetë shpirtërore, e herë si dervish, duke lënë gjurmën e tij në linearitetin e kohës. Por, gjithkush ka përfituar me aq sa ka mundur prej “së vërtetës”, ashtu siç edhe shfaqja e mësuesit
ka qenë jo gjithmonë e njëjtë: të dashuruarit pas urtësisë e kohëve të para përsëritnin meloditë e profetëve. Mësuesit dhe mjeshtërit “skolastikë” të Mesjetës u shtuan këngëve hyjnore edhe melodinë e “pozitivizmit”. Po në atë kohë, mësuesit e Lindjes, me mësimin plot mistere të revelacionit në duar, ishin të përfshirë në përpjekjen për të zbuluar njeriun dhe për ta çuar atë te vetvetja...
Pas Rilindjes, ashtu siç ndodhi me çdo gjë tjetër, edhe mësuesi ndryshoi. Tashmë ai ishte një ashik lodër e zbulimit dhe shpikjes, që zhytej në ngjarjet dhe fenomenet e ndryshme qorrazi, që rend nga tezga e vogël drejt ateliesë që ka në qendër të qytezës, duke dhënë gjithçka për hir të përfitimeve të pretenduara. Ata që sundojnë sot mbi masat nuk u shndërruan dot kurrë në mësues. Po, në këtë kohë, masat u mashtruan me këshilla dhe prezantime të tepruara, duke u drejtuar në drejtime të caktuara; por mësuesin nuk e panë kurrë. Vërtet, në këtë natë të parë “të lindjes edhe njëherë”, zemrat ua kish rrëmbyer me kohë Mefistofeli.
Ndërsa, më vonë, erdhën mësuesit me bindjet banale të materializmit, të cilët pretendonin ta shpjegonin çdo gjë nëpërmjet materies, që i kthyen të gjitha pajisjet teknike – nga teleskopi deri te mikroskopi – në shkallë që ngjiteshin drejt nebulozave, apo rrezeve “X”, të cilat depërtojnë deri në nivel të thërrmijave. Në këtë periudhë, duke qenë se nuk është bërë dot asgjë për sa i përket lartësimit të njeriut, është paksa e vështirë që të flasësh për mësuesinë. Mirëpo, as kjo periudhë kaq e ngurtë dhe e errët nuk ka zgjatur shumë, për të nisur, fill pas kësaj një periudhë e re e kërkimit të anës së brendshme të fenomeneve dhe e hulumtimit të tyre me qëllim depërtimin në thellësi.
Pas një grushti të çoroditurish që kanë kryer mëkate të mëdha kundër njerëzimit, ushtria e dijes e kësaj periudhe, e cila ka ndierë nevojën për të shqyrtuar shkaqet dhe pasojat e gjithçkaje edhe njëherë, duke i parë me sy tejet dyshues shekujt e fundit, duket sikur do të na e rikthejnë edhe njëherë mbrapsht institucionin e mësuesit, karshi të cilit kemi ushqyer përherë veçse respekt... do t’i zgjojnë edhe njëherë zemrat e shoqërisë e do t’i mprehin edhe njëherë vullnetet e tyre për të kontribuar; ajo mësuesi që do t’u falë edhe njëherë mendjeve dritë e zemrave forcë... Po, vetëm në saje të një mësuesie të tillë nxënësve do t’u mundësohet krijimi i një raporte me atë ç’ka përtej së përtejmes dhe me mesazhet që vijnë prej asi botëve të epërme, nxënësi do të ketë privilegjin e frymëzimeve për të kuptuar shumë përtej kapaciteteve individuale të tij për të njohëse. Sepse, për të së vërtetës, me një dije dhe shkencë që nuk të shërben për të hyrë në kontakt me “Absolutin”, as nuk mund të arrish në koncepte të epërme, e as nuk mund të hedhësh ndofarë drite mbi sipërfaqen e gjërave. Një shkencë e këtillë, shumë herë të çon drejt çudhëzimit për të mohuar çdo të fshehtë që fshihet pas ekzistencës dhe zemrat i kaplon një dyshim që e mbytin atë prej lëkundjeve të shkaktuara. Ai mentor që e katandis nxënësin e vet në këtë gjendje, ose është vetë një i çudhëzuar, ose është ndonjë skepticist; por ai nuk mund të jetë kurrsesi mësues.
Prandaj, që në krye të herës, mësimin më të drejtë e të kulluar e kanë përfaqësuar një bashkësi profetësh të pashoq, të cilët as nuk gënjeheshin, as nuk gënjenin. Shkolla e profetëve, që ishte e hapur ndaj të gjithëve dhe kishte vizitorë të çdo moshe, përfshinte brenda vetes të gjithë jetën dhe vazhdoi përgjatë gjithë jetës. Çdo hapësirë e Tokës është bërë klasë e kësaj shkolle dhe çdo individ ka pasur fatin e lumë për të qenë ose mësuesi, ose nxënësi i saj.
Shteti është një akademi ku “kokat më të mëdha” kanë dhënë, apo kanë marrë mësim në të. Në këtë shkollë të
lartësuar, e hapur për të gjithë, ku formohen burrat e shtetit më të mëdhenj, me një vetëdije dhe shpirt të thellë të dashurisë për shtetin. Ky shtet, i kthyer në një institucion mëmë të mësuesisë, nuk i ngjan as me shtetin e drejtuar prej filozofëve të Platonit, as nuk i ngjan kurrkund stilit shtetëror krejt të përkundërt, që pati parashtruar Budini. Madje nuk ka asgjë të ngjashme me të. Ky është një shtet i veçantë në llojin e tij. Dhe cilësia kryesore e këtij shteti është që drejtuesit e shtetit, duke nisur nga shërbestaria e deri te postet e “Portës së Lumturisë”, në çdo shkallë të ngjitjes së tyre, kanë marrë nota të plota nga jeta dhe nga ngjarjet përreth dhe kanë arritur edhe ata në ato nivele. Në të kundërt, të kërkosh drejtimin, duke u fiksuar pas “dëshirës për të qenë kryekomandant”, kur je ende në nivelin e një “djaloshi naiv”, pa kaluar njëherë nga disa shkallë të caktuara dhe pa u njësuar me të gjithë universin nëpër çdo itinerar, do të jetë diç e çuditshme dhe shumë qesharake, ndërsa për sa i përket kombit një gjendje e tillë do të ishte një fatkeqësi.
Brahmani ishte një mësues që u përjetësua në zemrat e dishepujve me ndjenjat e tij madhështore. Edhe Buda ishte një tjetër mësues shembull me ndjenjat e tij të pastra në rrugën e ashpër që të çonte te Nirvana. Po ashtu edhe Konfuci, që ishte lajmëtar i moralit, apo Hurmuzi, si lajmëtar i së fshehtës të pafundësisë. Kurse Omerët, të cilët ishin si të kulluar në ekzistencën më të lartësuar, në saje të mësuesve të mëdhenj të tyre u shndërruan secili në nga një mësues i veçantë më vete...
Këta mësues dhe mjeshtra, të cilët gjenden ende në zemrat e njerëzve me tërë gjallërinë e tyre, duke mos u larguar për asnjë çast nga linjat më të pastra, koha nuk i ka vjetëruar dot dhe lëkundjet shoqërore nuk i kanë shtyrë dot drejt harresës. Kushedi, ndoshta një ditë, ec e ec, njerëzimi do të mbështetet edhe njëherë pas kësaj vije të kahershe..!
Ky është sekreti se pse hebrenjtë, bashkë me Mesxhidin Aksa, do të vijojnë të kenë pushtetin e mbizotërimit mbi fqinjët, derisa të shfaqet një tjetër alternativë sa më e afërt me rrënjët shpirtërore. Ky mbizotërim, edhe pse mund të jetë artificial, duhet kërkuar pas kthimit të saj në një sinagogë; në kthimin e saj në një sinagogë, edhe pse me parime të vjetëruara e të ngrëna nga koha... Edhe Kisha, duket sikur do të largohet prej mendësisë së “Mesjetës”, të cilën deri dje nuk e pati hedhur dot tej dhe do të arrijë në një këndvështrim të ri, duke ndjekur Shën Agustinët e saj...!
Kurse riorganizimi dhe rigjallërimi i njeriut tonë, që i duhet të gjejë mësuesit dhe mjeshtrat e vetë, për të kaluar edhe njëherë në epokën e ndërtimit, duket sikur ka për t’i habitur të gjithë. Mjafton që njeriu i ngarkuar me detyrën e mësimit dhe edukimit i ditëve tona të ketë shpirtin e ngadhënjimit dhe të zbulimit të së resë. Ta kryejë siç duhet detyrimin e tij, ashtu siç u ka hije konceptualistëve dhe sintetizuesve të mëdhenj, duke i trajtuar me tërë thellësinë e tyre mendimet dhe bindjet e shenjta: duke i parë krah për krah me njëri-tjetrin Alpasllanin dhe Nizam ul-Mulk-un. Fatihun dhe Akshemsettinin, apo Zenbil’liun me Javuzin, të mos i dallojë njërin nga tjetri. Të mos e harrojë Paskalin në qiellën e ndritur të Gazaliut. Dhe, teksa ngjitet drejt qiejve me shprehjet magjepsëse të Mevlanës, rrugën ta mbajë drejt laboratorit, që të mos e lërë pas dore përshëndoshjen me Pasteur-in. E thënë në thelbin e fjalës, t’i përftojë vetes vetinë e njëjësimit të mendjes me zemrën...
Mijëra përshëndetje i dërgojmë mësuesit që heq vuajtjet e lartësimit të këtij brezi të ri...