Në vend të hyrjes
Ky libër, që ju po merrni tanimë në duar, lindi si një ide për t’i përmbledhur në një vëllim të vetëm shkrimet e para të revistës “Sızıntı”, e cila nisi ta shohë dritën e botimit me numrin e parë të saj në muajin shkurt të vitit 1979. Shkrimet janë botuar fillimisht në një të përkohshme, por duke qenë se ato nuk kanë qenë dhe nuk janë të lidhura me ndonjë aktualitet të caktuar, nuk e kanë humbur për asnjë çast freskinë e tyre. Prandaj, botimi i tyre në trajtën e një vëllimi të mëvetësishëm u konsiderua si diçka e mençur.
“Sızıntı”, siç e kuptojmë edhe nga metafora e zvogëlimit që është përdorur në titull, është një revistë pa shumë pritshmëri a pretendime të mëdha. Ajo ka përzgjedhur dhe përvetësuar për veten dy prej cilësive më kryesore të asaj bote për të cilën ne na ka marrë malli, të cilat janë thjeshtësia dhe modestia. Do ta keni të vështirë që të kërkoni, e aq më pak të gjeni, ndopak egoizëm, ndonjë fije ashpërsie apo ngut në përmbajtjen e saj.
“Sızıntı” mërmërit disa melodi të caktuara, të cilat disa i dëgjojnë dhe i kuptojnë, ndërsa disa të tjerë i konsiderojnë si krejtësisht të pakuptimta. Prej shkrimeve që botohen aty diç rrjedh në emër të kuptimit, një varg dijesh e informacionesh
të virtytit; ka njerëz që i kuptojnë, por ka edhe sosh që nuk arrijnë të marrin ndonjë mesazh prej tyre. Nuk bëjnë zhurmë dhe gjithë ç’rrjedh syresh duket tërësej e tejdukshme gjer në padukshmëri. Megjithëse falin jetë, ashtu siç bën ajo lagështia e fshehur në brendësi të gjetheve, rrënjëve a tokës, ato nuk rrjedhin me gurgullimë, ndoshta edhe për shkakun e thjeshtë, se synimi i këtij botimi është vazhdimësia në jetëgjatësi. Nganjëherë klima shpirtërore e saj – apo kur është e mbyllur nëpër shprehje simbolike, të cilat nuk janë të pakta – ata që janë të huaj për të, domethënë që nuk janë përgatitur për të lexuar në të, duke bërë që ajo të shndërrohet në një botë të fshehtë, ku lexues të tillë e kanë të vështirë të hyjnë. Në të tilla situata, vetëm “të çuditshmit”, të cilët i përkasin së njëjtës frekuencë me të mund t’i kuptojnë ato drejt.
Arsyeja pse ky botim i qëndron larg aktualitetit është sepse do që të mos reshtë kurrë së qeni vazhdimisht aktual. Temat e trajtuara aty kanë të paktën një vit që trajtohen dhe janë për më së paku pjesë e “rendit të ditës” të këtij populli dhe do të vijojnë të qëndrojnë të tilla.
Dikush që i lexon për herë të parë këto shkrime, ka për të parë se asnjëri prej tyre nuk është shkruar thjesht për hir të zakonit për të botuar diçka, por se janë të mbushura plot mesazhe dhe ndjenja. Ndoshta disa lexues mund të kaplohen nga paniku se shkrimet nuk janë të lidhura në mënyrë organike dhe nuk janë pjesë e një të tëre. Mirëpo ky ekskursion që do të bëjmë mes kësaj serie shkrimesh të kësaj tërësie të gjerë artikujsh, ka për të qenë e mjaftueshme sa për të provuar gabueshmërinë e kësaj pandehme dhe se, përkundrazi, ato të çojnë të gjitha drejt një tërësie. Në atë mënyrë, që:
“Sızıntı”-ja nis me një britmë për bjerrjen që ka ndodhur me brezat e rinj, të cilët janë të lodhur e krejt të pafuqishëm, duke bërë përpjekje “për ta ngritur edhe njëherë në këmbë heroin e rrëzuar përtokë” dhe duke u treguar brezave se si duhet të jenë njeriu dhe shoqëria shembullore; i drejtohet me dhembshuri këtij brezi, duke i treguar se si duhet të vihen në zbatim shkenca dhe edukimi i vërtetë, nëpërmjet një analize sa më të drejtë të çdo çështjeje që lidhet me qytetërimin.
Shënimet
- 1.Shën. ~ gj. turk. “Rrjedhja”, në kuptimin e asaj që shpëton prej një ene të caktuar që është e mbushur me kuptim e përmbajtje domethënëse.