Udhëtimi i marrëzisë

“Shtatë rioshë dashuruan sulltaneshë Mehlikenë

të dashuruar secili, trima me fletë.

Qëkurse një e bukur e dheut, si fantazmë në ëndrrat e tyre hyri;

Të magjepsur të gjithë, atë bukuri mister

Shkuan të kërkonin në malet e Kafit...”

(Jahja Kemal)

Brezi ynë e mori stafetën e kohës kur do të jetonte në mes të rrënojave. Mes rrënojash ku nuk ka mbetur anë pa u prishur e pa u zbërthyer...

Ai e gjeti veten përherë me vullnet të prangosur dhe me fatin të mbuluar prej ziftit; në një atmosferë ku të vërtetat shfaqen të rreme dhe të rremet të vërteta. E atë e mori rrjedha fare pa e kuptuar se çfarë ishte çfarë.

Këtë gropë thithëse të vdekjes atij ia pati përgatitur Perëndimi. Dhe ishte po ai që u udhërrëfente.

Ah ç’udhërrëfyes joshës është ai! Po të paktëkn të kishte qenë vetë i ekuilibruar... Mjerë ne! Ai Perëndim, i privuar nga zemra, shpirti dhe i zhytur në mosbesim, që veç tkurrej, ngurtësohej dhe kishte zënë të thahej. Përgjatë gjithë historisë ai i fshiu me një lëvizje të vetme të gjithë, të gjitha ato gjëra që i mbante mbi shpinë, sepse i konsideronte të çmuara e të shtrenjta, për të shkuar që të zhytej në poshtërsi deri në grykë. Po, njësoj sikur të ishte çliruar prej burgut, ai po takohej me “të Mirat e Botës” dhe e shihte veten sikur kishte arritur ritakimin e premtuar, nëse do ta shprehim me gjuhën e Andre Gide-it: “Po, po, e zezë kaloi e tërë rinia ime; i mbushur plot pendime jam. Nuk arrij t’ia ndiej shijen kripës së tokës. E as në këtë det të kripur... Goja më mbeti e mbyllur dhe duart më mbetën të varura, e nuk i zgjata dot drejt frutave; sepse ato ishin lidhur fort pas njëra-tjetrës, për t’u lutur.”

I shkreti perëndimor... nuk e di a e gjeti dot atë që kërkonte dhe që shpresoi se do ta arrinte duke ulur “të mirat e kësaj bote” në fronin e së shkuarës, zakoneve dhe traditave të veta? Por ç’e do... Ajo që gjeti nuk qe veçse një “Parajsë gënjeshtare” e ngjizur në imagjinatë dhe një përpjekje e stërmadhe, e cila shkoi dëm...!

Dhe, tanimë, në këtë botë të mashtruar gjithçka ndryshon pa ditur të ndalë, madje edhe vetë ndryshimet ndryshojnë vazhdimisht; po ikte e zvarritur në kalvarin e vajtje-ardhjeve pa kuptim...

Rënia e gjithçkaje kësisoj dhe përballë prishjes së gjithçkaje disa herë... po, po, a mund të themi se ç’ka mbetur e ç’nuk arriti të mbesë në fushat e letërsisë, filozofisë dhe estetikës përballë karshi këtyre përmbysjeve tërësore? A jemi të aftë që ta kuptojmë se çfarë gjërash të reja që do të vijnë, për t’i pushtuar të nesërmet dhe çfarë do të shkojë drejt humbjeve? A nuk është kjo veçse një qetësim i vetes me imagjinime të thata dhe një bindje e vetes me letërsinë e saj, a nuk është secila syresh nga një prangë që ne po i vëmë mendjes dhe një vetëmashtrim i hapur nën dritën e diellit? Cilit problem arriti t’i gjente zgjidhje Ekzistencializmi? Ja pra se çfarë ndodhi: “Toka të shkreta, pallate të rrënuara, qoshe dhe shkretëtira, në të cilat nuk shkel më askush...”

Por, sot, ne jemi të detyruar që të kërkojmë shkaqet që çuan në thërrmimin e krenarisë së njerëzimit dhe i vrau shpirtrat tona. Ne atë e gjejmë dhe e shohim vetëm se te fetishizimi i mendimit pozitivist dhe te shndërrimi i materies në mihrab...

Këta mysafirë të paftuar që kanë pushtuar botën e mendimit të mbarë njerëzimit, ose më saktë këta despotë, përpos që e kanë kthyer atë në një fantazmë për t’u vetëvrarë, i kanë vjedhur atij të gjitha shpresat, duke lënë në vend të tyre veçse depresion...

Tani, kjo periudhë depresioni e re na e bëri edhe më të ndjeshme se edhe ne na pret po i njëjti fat i mbarimit, ku e gjitha jeta jonë kombëtare do të shkrumbohet e do të bëhet hi, të gjitha sarajet prej qelqi që kemi ndërtuar në ëndrra do të zhyten në errësirë. Madje i ndjemë aq shumë saqë na i shkundi vendit të gjitha shqetësimet.

Po, tani; ne e kuptojmë më mirë Ninovën, apo Babiloninë; na duket sikur po bëhemi rishtazi dëshmitarë të Romës dhe Athinës. Tanimë arrijmë të dallojmë më hapur dhe më qartë, se në greminën e historisë ka shumë vrima të stërmëdha që do të na përpijnë të gjithëve. Dy luftërat botërore që erdhën njëra pas tjetrës e justifikojnë mjaft mirë këtë drithërimë, duke e shndërruar atë në një makth për mbarë Perëndimin.

Ena e qytetërimit që u thye mbi gurin e varrit të Hiroshimës u shndërrua në një fishekzjarr shkëndijimesh që i fikën tërësisht llampat ngjyra-ngjyra që shndritnin mbi një ceremoni gëzimi në Evropë. Nuk e di a është shqetësuar dhe a e ka zënë frika po kaq shumë njerëzimin edhe kur u zhyt në errësirë pas zhbërjes së Atlantidës...? Po, “lufta botërore që nuk kishte pasur të ngjashme në historinë e botës” shkaktoi te njerëzit një frikë të pa parë ndonjëherë më herët. Njerëzimi u frikësua prej mundësive të qytetërimit, prej shtriganisë së shkencës dhe prej pamëshirshmërisë së teknikës. U frikësua dhe iu dedikua librave. Tashmë po përpiqej që ta ndërtonte edhe njëherë nga fillimi botën e saj nëpërmjet librave, Kishës dhe lutjeve. Fjalët e përdorura ishin ato të themeluesve dhe mbrojtësve të shkuar; poezia dhe proza flisnin veç për heronjtë dhe dëshmorët.

Në telashin e arratisjes dhe kërkimit, Perëndimi vërtitej nga njëri mendim në tjetrin, në kërkim të një strehe dhe ngushëllimi, por nuk e gjente që nuk e gjente dot atë që kërkonte... Tanimë, si një mi i zënë në çark, me filozofinë “e të pranuarit të gjithçkaje ashtu siç është” përpiqej të gjente pak qetësi, duke kënduar këngët e Ekzistencializmit, rreth të cilit përqafohej sikur të ishte një kamerdare shpëtimi. Por a do të mundet vallë shpëtimtari i zgjedhur, që me një kujdes të veçantë, t’i vijë në ndihmë me filozofi, që të mund t’i përballojë jetën dhe ngjarjet e saj ashtu siç ai dëshiron? Po, pa hedhur njëherë dritë mbi këto çështje, Perëndimi do ta ketë të pamundur që ta drejtojë shpinën...

Kurse ne, krahasuar me kontinentin e padukshëm, jemi banorë të Ishujve Kanarie. Megjithëse rrimë në majat e maleve, e gjetëm veten të zilepsur pas të perënduarve. Përkundër gropëzimit dhe thellimit të mjerimit që po shfaqte ky qytetërim i shtrirë te këmbët tona, ne, edhe pse qëndronim në maja, filluam t’i këndonim epose atij dhe baltës kundërmuese të tij.

Ah sikur të ishim kufizuar vetëm me aq... Por ne u tretëm si një qiri gënjeshtar, njësoj sikur ato fluturat që e lëshojnë veten drejt zjarrit; u tretëm dhe nuk dinim se si të ktheheshim më mbrapsht.

Dhe kësisoj njeriu ynë ngarendi veçse pas së panjohurave. I lidhur fort vetëm pas gjërave të padukshme e të panjohura.

Ishte dashuruar pas një të pacipe, pas joshjeve të saj që i premtonin ritakimin me të dashuruarin, në ato kështjella prej imagjinate. Ishte dashuruar pas “Sulltaneshë Mehlikesë”... Oh! Në atdheun e të dashuruarit vjeshta kishte kohë që kish pllakosur, vreshtat ishin prishur, burimet qenë tharë; bedenat të rrënuar e rrugët të katandisura si mos më keq...

Vallë do të ishte e mundur që ta largoje atë prej kësaj bote, pas së cilës ish fiksuar në këtë farë mënyre? Është shumë e vështirë ta kuptosh prej së sotmes, mirëpo, ç’të bësh, nga ai varet edhe çlirimi ynë. Për ata që rendnin pas një ëndrre prej shekujsh, që arratiseshin nga vetja, për ata të vetmuar dhe të huaj në dheun e tyre...

Dhe, prapëseprapë, në këto ditë kur mijëra fara kanë zënë të frymojnë ringjalljen, ne jemi duke ushqyer shpresat se ata që u hidhëruan me atdheun e tyre do t’i rikthehen edhë njëherë vatrës...