Toleranca
Njeriu është një krijesë, që krahas aspekteve të tij shumë të larta, ka edhe shumë të meta. Deri në krijimin e tij asnjë krijesë tjetër nuk ka qenë e dalluar për kaq shumë kundërti brenda vetes. Ndërkohë që ai është krijuar për t’i rrahur flatrat në qiejt e Xheneteve, si pasojë e disa vetëmashtrimeve ai mund të kthehet në një përbindësh që rrokulliset abisit të thepisur të Xhehenemit. Dhe është shumë e vështirë të kërkosh për lidhje, apo shkakësi, mes këtyre ulje-ngritjeve të frikshme që e karakterizojnë atë. Sepse te njeriu shkaqet dhe pasojat veprojnë krejt tjetërsoj.
Ka kohë që ai bie e ngrihet si të bëhej fjalë për një farë të shëndetshme që pret të lindë mbi barkun e tokës, por ka edhe kohë të atilla që edhe pse merr pamjen e një lisi tërë madhështi, ai thyhet dhe shtrembërohet, aq sa është e pamundur të drejtohet më. Ashtu siç nuk janë të pakta rastet kur gjendjen ia kanë zili edhe engjëjt, të pakta nuk janë as herët kur njeriu i bën deri edhe djajtë të ndihen të turpëruar.
Për njeriun, në aftësitë e të cilit gjenden të brendashkruara kaq shumë ulje dhe ngritje, mëkati edhe pse nuk është origjinar dhe i natyrshëm, është një pjesë e pandashme e fatit. Edhe pse njollosja është e jashtme, prapëseprapë është e mundur. E për këtë krijesë që në natyrë është e prirur për të devijuar prej saj, falja është gjithçka.
Të kërkuarit falje, të priturit e faljes dhe vajtimi për mundësitë e çuara dëm, duke qenë se janë një rrjedhojë e pastër e një konceptimi dhe vetëdijeje të përdorur, janë të vyera, falja është një epërsi dhe një virtyt poende i epërm, nëmos më shumë. Ta shohësh faljen si të ndarë prej virtytit, apo ndërsjelltas, është pa diskutim e gabuar. Nuk ka asnjë njeri që të mos e dijë fjalën e urtë: “Të vegjlit gabojnë, ndërsa të mëdhenjtë falin.” Dhe sa e drejtë që është!
Të falesh do të thotë të kesh kryer një restaurim, një rikthim te thelbi, tek origjina, dhe ta kesh rigjetur edhe njëherë vetveten. Andaj edhe sjellja dhe veprimi më i dashur pranë Mëshirës së Pashtershme është pikërisht ky kthim dhe vuajtja e ndier gjatë kërkimit për të.
Gjithë ekzistenca, me frymorë e jofrymorë, e kanë njohur faljen vetëmse kur erdhi në jetë njeriu. Më i Drejti e tregoi se ishte falës me njeriun dhe bukurinë që fshihet te falja ia vuri në zemër posaçërisht atij. Njeriu i parë, duke pasur natyrën e një qenieje njerëzore rrëshkiti në një gabim dhe i lëshoi një goditje të ashpër thelbit të vet, mirëpo britma dhe vaji që ndjeu brenda ndërgjegjes thirrën faljen, e cila sikur të ish këputur prej qiejve zbriti mbi të...!
Këtë dhuratë, të cilën njeriu e siguroi që me paraardhësin e parë të tij, njerëzimi e ruajti për shekuj me radhë si shpresë dhe si qetësuesin më të madh të shpirtit. Sa herë që ra në gabime, ai u ngjit në atë fron magjik dhe duke u lartësuar prej barrës së mëkateve dhe shpresës së thyer arriti pranë mëshirës së pashtershme dhe e përdori atë kundër mëkateve të kryera edhe nga të tjerët, duke treguar sakaq fisnikërinë e shndërrimit të saj në një perde përpara syve.
Në saje të shpresës për t’u falur njeriu u ngjit atje përtej reve të ngurta që ia kishin mbështjellë horizontin, për të arritur kësisoj mundësinë për ta parë më rrëzëllitëse e të shndritshme botën. Ata fatlumë që i njihnin flatrat lartësuese të faljes, e jetojnë të gjithë jetën mes një melodie harmonike që u fal sa e sa frymëzime shpirtrave.
Një njeriu që zemrën e ka të lidhur fort pas dëshirës për t’u falur vështirë t’i shkojë mendja në të tjera mendime, pos atij
të të qenit i falur. Sepse, ashtu siç e do shumë që ta falin, ai është i dashuruar pas faljes. A është e mundur që një njeri, i cili e di se shpëtimi prej zjarrit përvëlues që ndezin gabimet në shpirt fshihet te pirja pa të ngopur në burimet e faljes, të mos jetë falës karshi të tjerëve...?
Sidomos sikur ta dijë se rruga e faljes nga të tjerët shkon përmes faljes së të tjerëve... Vetëm ata që falin e arrijnë faljen e vet. Ai që nuk di të falë, nuk mund të falet. Ata njerëz që e kanë bllokuar rrugën e tolerancës ndaj njerëzve nuk janë veçse përbindësha që e kanë bjerrë çdo grimcë të njerëzores. Këta egërsira, që nuk janë përkulur as edhe njëherë të vetme nga barra e mëkateve të veta, nuk kanë për ta përkapur dot kurrë kënaqësinë e epërme që fshihet te falja e të tjerëve.
Mesihu i nderuar (alejhis’selam), kur i sjellin një mëkatar për ta goditur me gurë, i drejtuar nga turma e njerëzve të mbledhur me gurë ndër grushta, me këto fjalë: “Gurin e parë ta hedhë ai që nuk ka kryer asnjë mëkat!” Kush individ që e kupton delikatesën e fshehur në këto fjalë kaq të vyera, mund të guxojë të godasë dikë tjetër, kur është vetë për t’u goditur me ata gurë? Ah sikur të mund ta kuptonin këtë edhe fatkëqinjtë e sotëm, që e çojnë të gjithë jetën duke u marrë me jetët e të tjerëve...!
Sepse mëkatari ndëshkohet, përfshi këtu edhe dhembshuria në ndëshkim, asnjë ndjenjë e lartë nuk mund të bëhet pengesë për zbatimin e një vendimi që është marrë nga lart. Mirëpo edhe që të pretendosh se ka një vendim që t’i godasim me gurë njerëzit që janë viktima të mllefit dhe urrejtjeve tona. Ç’është e vërteta; për sa kohë që ne nuk gjejmë brenda vetes trimërinë e Ibrahimit të nderuar (alejhis’selam) e ta thyejmë idhullin që kemi ndërtuar brenda vetes sonë, nuk do të kemi kurrë fuqi të marrim vendime të shëndosha, as për veten, as për të tjerët...
Falja ka ardhur në dritën e jetës së bashku me njeriun dhe me të e ka arritur edhe trajtën e saj më të përkryer. Andaj edhe bëhemi dëshmitarë të faljes më të gjerë pikërisht te Personaliteti më i Lartë.
Kurse mllefi dhe urrejtja janë fara të Xhehenemit, që shpirtrat e pista i hedhin në mesin e njerëzve. Megjithatë, pavarësisht këtyre nxitësve të mllefit dhe urrejtjes, të cilët orvaten që ta kthejnë rruzullin tokësor në një abis të tmerrshëm errësire, ne duhet ta pajisim veten me një ndjenjë të fortë të faljes dhe të nxitojmë, për t’i ardhur në ndihmë njeriut tonë, i cili jeton i mbërthyer fort prej njëmijë e një depresionesh dhe të tjerët e shtyjnë duke e qëlluar vazhdimisht drejt së panjohurës. Këta një-dy shekuj që lamë pas u shndërruan në kohët më të pista dhe më të neveritshmet nga të vjella njerëzish që nuk e njihnin faljen e nuk dinin se ç’ishte toleranca. Sa herë që mendoj se edhe e ardhmja mund të mbetet në duar të këtyre paudhëve, më zënë të dridhura nga frika.
Prandaj, dhurata më e madhe që brezat e sotëm mund t’u lënë si trashëgim fëmijëve a nipërve të tyre është që t’u mësojnë atyre që “t’i falin” të tjerët.
Të falin qoftë edhe nëse do të përballen me sjelljet më të ashpra dhe ngjarjet që të ngjallin neveri... por ç’e do se edhe të mendosh për faljen e njerëzve të harbuar e që marrin kënaqësi prej vuajtjes së ndërgjegjjes, me shpirtrat akull të ngrirë, është mungesë respekti ndaj institucionit të faljes.
Po, sepse jo vetëm që nuk e kemi ne në dorë që t’i falim, por njëherazi është edhe paturpësi ndaj njerëzimit. Poende nuk dimë askënd që të mund ta arsyetojë dhe ta tregojë si të falshme këtë farë paturpësie.
Një brez që rritet nën nxitjet e vazhdueshme të armiqësisë, pavarësisht të shkuarës së tij, nuk ka parë veçse tmerrin dhe dhunën e arenave në ato botë të errëta ku paraardhësit e tyre i futën me detyrim. Pikërisht atëherë kur horizont u zbardh krejtësisht e ua vodhi shikimin të gjithëve, edhe në këngën e këndesit ata nuk ndienë veçse gjak. E çfarë mund të mësonte prej një shoqërie që në zë kishte gjak, në frymë gjak, në të menduar gjak dhe në të qeshura gjak. Sepse ato që i jepeshin përditë dhe ato çfarë ai dëshironte brenda vetes, mes mijëra vuajtjesh e plagësh të hapura shqetësimesh, ishin gjëra krejt të përkundërta e në kundërshti me njëra-tjetrën. Ah sikur të paktën tani të mund ta kuptonim se lënia pas dore për vite me radhë dhe nxitjet krejtësisht të gabuara kishin bërë që ky brez të kish fituar edhe një natyrë të dytë, e kish marrë sakaq trajtën e një tufani përmbytës! O Zot! Po ku ta gjejmë ne atë largpamësi...
Ne mendojmë se falja dhe mirëkuptimi do të na i shërojë një pjesë të madhe të plagëve. Vetëm kjo armë qiellore të jetë në duart e atyre që ia kuptojnë gjuhën. Përndryshe, ato ilaçe e melheme të gabuara që deri dje i kemi përdorur me shpresën se do të na shërojnë, do të na shkaktojnë komplikacione edhe më të mëdha, duke na bërë që të mos e gjejmë dot më rrugën e shpëtimit.
“Njihe sëmundjen, pastaj nis ta kurosh, ç’pandehe, me çdo ilaç çdo plagë të shërosh!?” (Zija Pasha)