Të kritikuarit e vetes
Vetëkontrolli është shtylla më e besueshme dhe garancia më e palëkundshme e të shikuarit dhe e kryerjes së punëve në mënyrë të shëndetshme. Ky lloj kontrolli do të thotë që njeriu ta kalojë vetveten vazhdimisht përpara syve të tij. Është shumë shpresëdhënëse nëse çdo hap i hedhur dhe çdo arritje do të jetë e mbështetur te një kontroll i këtillë; çdo mundim dhe përpjekje e bërë pa u kryer llogaritë me të shkuarën, nuk janë veçse pikënisja e një humbjeje dhe pikëllimi të pashmangshëm.
Çdo individ i ka çështjet e veta të ndërlikuara, sipas personalitetit, ashtu siç një shoqëri i ka sipas dimensioneve të veta dhe të gjitha këto kërkojnë llogari shumë të thella dhe serioze. Një individ që gjendet në udhën e llogaridhënies është e pamundur që të pësojë zhgënjime, po ashtu edhe një shoqëri e themeluar dhe që vepron veçse duke u bazuar mbi llogaridhënien, vështirë të ketë anë dhe aspekte, të cilat mund të shkaktojnë ndofarë shqetësimi.
E shkuara, duke u parë prej së tashmes dhe e tashmja e parë prej së ardhmes janë nga një libër llogarie më vete. Madje, nëse do ta shohim prej këtij pikëvështrimi, e këtillë është edhe dita për natën; vera për dimrin, kjo botë me të përtejmen, janë të gjitha nga një libër më vete. Njeriu mund të përfitojë prej dritës që këta libra shpërndajnë, të fillojë të shohë drejt, të mendojë drejt, asisoj që kryet i lartësohen drejt qiejve vetëm për aq sa e ngre kokën dhe e largon prej syve perden që e pengon t’i hulumtojë ata libra. Ata që jetojnë pa dijeni për këta libra dhe llogaritë që ata përmbajnë; shohin vetëm humbje, mendojnë vetëm humbje, derisa mbyten edhe vetë në humbje.
Po, nganjëherë, një llogari e lënë për në ditën kur do të merret edhe vendimi, për të zotin nuk është veçse një teposhtje drejt humbjes përfundimtare. “Ah sikur të mos më ishte dhënë ky libër dhe unë të mos e kisha ditur kurrë se ç’ishte llogaria.” – do të jenë fjalët e mbytjes brenda vetes, por pendesa dhe pikëllimi nuk sjellin kurrfarë dobie për mëkatarin.
Llogariadhënia, në kuptimin e saj të veçantë do të thotë të dallosh dhe të kuptosh mangësitë dhe të metat e së shkuarës dhe nëpërmjet tyre ta hedhësh vështrimin kah e ardhmja, duke e pranuar si një shenjë të sinjalistikës rrugore çdo gabim të lënë pas krahëve, të përpiqesh të shohësh veçse të drejtën te çdo gjë. Në të kundërt, të kritikosh fajësueshëm kaderin, duke hedhur njolla mbi mëshirën e Atij që përfaqëson Mëshirën e Pasosur, duke u ankuar për çdo ndodhi nuk janë tjetër veçse një varg vuajtjesh dhe dhimbjesh të padobishme.
Sot, ne si popull kemi nevojë më shumë se kurrë për një botëkuptim të këtillë llogaridhënieje në çdo lloj domethënieje të mundshme të fjalës. Vetëm se në të shkuarën e afërme, përpos disa polemikave dhe dueleve të pahijshme, ne nuk kemi parë asgjë që të vlejë për t’u marrë shembull...
Ah sikur të mund t’ia kishim mësuar njeriut tonë se si bëhej ajo kritikë që të ndriçon dhe të shërben si udhërrëfyese. Dhe, ah sikur, të mund të kishim nxjerrë mësime prej përsëritjeve të historisë...!
Sakaq, tani le të përpiqemi ta shohim edhe prej bindjeve dhe botëkuptimit tonë llogarinë e mësuesit, librit dhe shkollës: Nëse mësuesi nuk të mëson; shkolla nuk të mëson jetën; libri nuk ta kullon shpirtin, në mënyrë që prej tij të reflektojnë gjithë fshehtësitë që mbart zemra e universit, atëherë ai mësues është fatkeq, shkolla errësira vetë dhe të gjithë ata që mësojnë në atë shkollë krijesa fatzeza. Dhe, nëse mësuesi ka marrë në dorë shkopin tregues, me të cilin interpreton krijesat dhe ngjarjet, për t’i kuptuar ato sa më mirë; libri, me dritën që shpërndan, kryen funksionin e “Elektromikroskopit” dhe të rrezeve “X”; shkolla shndërrohet në një laborator ku paraqitet kjo përbërje fshehtësish, mësuesi është i lumtur, shkolla e ndritur dhe nxënësit e asaj shkolle janë secili nga një engjëll më vete...
Vallë, në një periudhë shumë të gjatë që lamë pas, mësuesi e kreu dot siç duhej detyrën e mësimdhënies..? A ia doli ai dot që ta ndriçonte shpirtin e nxënësit duke i siguruar atij një lidhje dhe njësim me mbarë gjithësinë? A arriti ai të ndizte një shkëndijë drite të zjarrtë në zemrën e tij, për ta pajisur atë me idealet më të epërme? U bënë sa e sa vjet që populli ynë që është mësuar që jetën ta mësojë prej mësuesit dhe shkollës, me atë shikimin e vet të uritur dhe të rraskapitur, nuk gjen askënd që t’ia mësojë atij jetën me çdo aspekt të saj dhe t’ua shpëtojë shpirtrat prej mjerimit...? A arriti t’ia bënte dot librin dhe shkollën të dashur, për ta bërë atë të denjë për qëllimin e epërm të shkencës...?
Me pak fjalë, shkolla, që populli ynë e pandehu një vatër shprese dhe tek e cila ai e ushqeu të gjithë shpresën e vet, së cilës ai ia nguli ata sytë e mbushur prej pikëllimit, për t’i thënë se diç priste prej saj, a ia doli ta realizonte funksionin e saj...? A mundi ta kuptonte detyrën e saj në vatrat e dijes ku ne mund të frymonim ndjenjat dhe mendimet tona, duke i marrë në konsideratë të gjitha mundësitë, për t’i ardhur në ndihmë një brezi të gjallë dhe të prirur për t’u bërë çdo gjë...?
A mund të nxirrni dot ndonjë hero që do t’u kthente menjëherë përgjigjen “po” të gjitha këtyre pyetjeve? Sa heronj të së vërtetës mund të tregoni, që kudo ku gjenden shpërndajnë erëmimin e tyre; që ka arritur të lërë një buqetë trëndafilash prej botës së tij në çdo ambient ku i shkelin këmbët...!
Dhe sa të apasionuar pas së vërtetës mund të dalloni, që kanë arritur ta heqin urinë e një brezi të etur për shkollën, për librin, duke u dhënë mësime madhërimi dhe virtyti shpirtrave të tëhuajëzuara prej fisnikërisë...?
Ne, përsa i përket llogarisë sonë, i përkasim bindjes se nuk kemi një raport të drejtë mes mundësive që na janë dhënë dhe përpjekjeve që janë bërë. Ne kemi bindjen se as nuk u arrit që të hidhej fara në të gjithë arën e përshkuar, e as e gjithë fara që kishim në duar nuk u hodh mbi prehrin e arës. Mundësitë nuk u vlerësuan sipas dimensioneve të tyre. Dhe brezi ynë nuk i gjeti dot sarrafët e asaj çfarë ai priste...
Nuk mund ta dimë, a do të lindë apo jo ndonjë mundësi e re. Por, nëse ka diçka, të cilën e dimë shumë mirë është kjo: ne e humbëm, edhe njëherë të fundit, mundësinë për t’i shërbyer njerëzimit, duke u lënë sërish vetëm për vetëm me braktisjen.
Ai le të presë i thyer prej dobësisë, derisa të gjejë mjeshtrin që di t’i punojë gurët e çmuar të domethënies që fshihen në shpirtin e tij. Kurse ne, të entuziazmuar prej melodisë që nuk e arritëm dot, të vazhdojmë vajtimin nuk e di edhe për sa kohë...