DASMA

Ajo ishte martuar dy herë më përpara dhe e kishte mbyllur me kohë derën e propozimeve, sepse ishte në moshë të madhe dhe nuk kishte nevojë për ndihmën e dikujt për të siguruar mjetet e jetesës. Në kohët e sotme, ajo mund të quhej një biznesmene në karrierë, që kishte shumë njerëz që punonin për të në shtete të tjera, në Perandoritë Romake dhe Perse, si edhe në Gasasina, Hira dhe Damask.

Ajo ishte e pasur, e aftë, e zgjuar, tërheqëse, një grua për të cilën të gjithë kishin konsideratë të lartë. Në ato ditë, nuk kishte burrë që nuk donte të martohej me një grua si ajo, po të kishin mundësitë apo pushtetin. Vetëm Allahu e di sa burra kishin trokitur në derën e saj për ta kërkuar dhe sa herë ajo e kishte mbyllur derën e martesës për mos ta hapur më kurrë.

Në fakt, Amr ibn Hishami, i cili më vonë do të njihej si Ebu Xhehli, që nënkupton Babai i Injorancës, ishte ndër ata burra që i kishin propozuar asaj. Por Hatixhja e kishte refuzuar edhe atë si të tjerët. Thuhet se një nga arsyet që ai u vu kundër Profetit më vonë, ishte edhe se ai ishte martuar me Hatixhen. Kur u bë kjo martesë, Ebu Xhehli, me urrejtje dhe inat, do t’i thoshte vetes: “A nuk mundi të gjente ajo dikë tjetër, por të adoptuarin e Ebu Talibit, jetimin e Kurejshëve?”

Por kësaj here ishte ndryshe. Hatixhja, që nuk kishte menduar për martesë prej shumë kohësh, kishte marrë një vendim tashmë. Sidoqoftë, nuk e dinte akoma se si do ta zgjidhte këtë çështje.

Nefise bint Munja, shoqja e saj e ngushtë, e ndjeu ndryshimin tek ajo dhe një ditë e pyeti: ”Ç’po ndodh me ty, Hatixhe? Çfarë ka që nuk shkon? Unë të njoh prej kaq kohësh dhe kurrë nuk të kam parë kaq të shqetësuar.”

Në fillim, Hatixhja ishte në mëdyshje t’i tregonte ose jo ndjenjat e saj. Për një çast heshti. Megjithatë, asgjë nuk do të dilte në dritë pa hedhur një hap përpara. Kështu që, i tregoi shoqes së saj atë që kishte ndër mend. Fillimisht i tha: “Oj Nefise! S’ka dyshim se unë shikoj tek Muhamedi, i biri i Abdullahut, një superioritet të cilin nuk e kam parë më parë. Ai është i ndershëm, besnik, i respektueshëm dhe i sinqertë. Ai është njeriu më i mirë që dikush mund të ketë shansin të takojë. Mbi të gjitha, ka lajme të mira dhe të habitshme për të. Kjo është një situatë e çuditshme! Zemra sa nuk më ndali kur dëgjova ato që më tha shërbëtori im Mejsere, kur dëgjova ato që kishte thënë murgu dhe kur dëgjova për renë që e ndiqte atë në kthimin nga Damasku. Unë besoj se ai nuk është tjetër veçse Profeti i Pritur!”

Nefisja akoma po përpiqej të kuptonte situatën: “Dakord, por ç’lidhje ka kjo me faktin që ti je kaq e menduar ditë e natë?”

Hatixhja e kuptoi se duhet të fliste më hapur. U kthye nga shoqja e saj dhe i tha: “Unë shpresoj që rrugët tona të takohen nëpërmjet martesës, por nuk di si t’ia bëj.”

Kësaj here çështja ishte e qartë. Nefisja i tha: “Nëse më lejon, do të zbuloj më shumë rreth kësaj për ty.”

Kjo ishte përgjigjja që Hatixhja kishte pritur. E gëzuar ajo tha: “Nefise, nëse mundesh, bëje sa më shpejt!”

Nefisja u largua menjëherë dhe shkoi të gjente shtëpinë e Muhamedit. E gjeti atë pa vështirësi. Si fillim e përshëndeti dhe më pas vazhdoi: “O Muhamed! Ç’të pengon ty nga martesa? Pse nuk martohesh?”

Kjo ishte një pyetje të cilën nuk e priste. Ai u përgjigj: “Unë nuk i kam kushtet për t’u martuar.” Ai po i referohej mundësive financiare për martesën. Një person që do të marrë përgjegjësitë e martesës duhet të kishte mjetet e duhura financiare për të mbajtur familjen.

Nefisja i tha se kjo nuk kishte rëndësi. Ndërsa gjëra si paraja dhe pasuria ishin të mira të cilat mund të humbeshin lehtë, gjëra të tilla si ndershmëria, integriteti, besnikëria dhe karakteri i mirë nuk mund të humbeshin aq lehtë. Teksa dera ishte pak e hapur, ajo nuk donte ta mbyllte atë. Kështu, ajo shtoi: “Supozojmë se paratë nuk janë problem dhe është dikush i barabartë me ty në mirësi, pasuri dhe ndershmëri. A do të jepje një përgjigje pozitive?”

Ajo po i bënte të ditur faktin se ekzistonte një kandidate e tillë dhe ai e pyeti: “Kush është ajo?”

Nefisja u përgjigj: “Hatixhja.” Ai e njihte shumë mirë Hatixhen. Ai kishte drejtuar karvanin e saj në Damask dhe pasi kishte bërë një tregti fitimprurëse ia kishte dorëzuar asaj vetëm disa ditë më parë. Megjithatë, martesa nuk ishte një çështje e lehtë. Pyetja tjetër e tij ishte: “E si mund të bëhet kjo?”

Nefisja nuk ishte e shqetësuar fare për pyetjen. Ajo vetëm donte një përgjigje pozitive dhe përgjigjja e tij ishte e tillë. Pra, sapo e dëgjoi këtë, u çlirua. Ky reagim do të thoshte: “Nuk ka problem nga ana ime, por si mund të bëhet kjo martesë?”

Prej këtu gjërat u bënë të lehta për Nefisen. Ajo i tha: “Ma lër mua këtë punë. Do ta rregulloj unë.”

Heshtja që pasoi, tregoi miratimin e tij dhe Nefisja u largua menjëherë për t’i thënë lajmin e gëzueshëm Hatixhes.

Siç mund të imagjinohet, edhe në ato ditë, nuk ishte një praktikë e zakonshme në shoqëri që një grua t’i propozonte një burri për martesë. Normalisht, të parët e fisit kishin përgjegjësinë të gjenin kandidatët për martesë dhe të organizonin ritualet e dasmës.

Lajmi që solli Nefisja e çliroi Hatixhen. Sapo dëgjoi se Muhamedi ishte dakord me propozimin, i dërgoi një mesazh që kishte të bënte me hapin tjetër, me kushtet e martesës. Ajo shkroi: “O Muhamed! Sigurisht unë po të kërkoj të martohesh me mua sepse ne kemi të njëjtën prejardhje, prej pozitës së pazëvendësueshme që ke në fisin tënd, edukatës, besnikërisë dhe ndershmërisë tënde. Thuaju xhaxhallarëve të tu, ta kryejmë këtë çështje.”

Ishte e dukshme se këto fjalë shprehën admirimin e saj në një mënyrë gjeniale. Sidoqoftë, Muhamedi paqja qoftë mbi Të nuk donte të vendoste për një çështje me kaq rëndësi pa u këshilluar me xhaxhallarët e tij. Për këtë ai shkoi tek xhaxhai i tij Ebu Talibi dhe i tregoi ato çfarë Nefisja i kishte thënë dhe propozimin që kishte pasuar.

Ebu Talibi e vlerësonte pa masë të nipin dhe nuk njihte dikë me aq vlera sa ai. Po ashtu, Hatixhja ishte një grua të cilën nuk mund të mos e merrje në konsideratë. Ajo kishte një jetë të ndershme dhe dinjitoze. Sa për fisin dhe fisnikërinë, ajo ishte ndër më të mirat. Ai gjithashtu e kuptoi se i nipi ishte dakord dhe nuk gjeti asnjë arsye pse të thoshte jo.

Koha kishte mbërritur për bashkimin e lumtur që do të vazhdonte për vitet në vazhdim. Nuk shkoi shumë dhe bijtë e Abdulmutalibit, Ebu Talibi, Abasi dhe Hamzai do të kërkonin zyrtarisht dorën e Hatixhes për martesë. Edhe pse palët kishin pranuar, duhet të bëhej ceremonia mes familjeve dhe martesa duhet të shpallej hapur në qytet. Ebu Talibi filloi: “Të gjitha lavdet i takojnë Allahut që na bëri ne nga familja e Ibrahimit dhe e Ismailit. Nuk ka dyshim se është Ai që na ngarkoi ne në shërbim të njerëzimit, na nderoi dhe na besoi kujdesjen ndaj Shtëpisë së Shenjtë dhe na lejoi të jemi liderë të këtij komuniteti.”

Stili dhe toni i këtyre fjalëve tregoi seriozitetin e ceremonisë dhe falënderimin e tyre të sinqertë ndaj Allahut. Pas kësaj, ai u tha të pranishmëve: “Kur vjen puna për djalin e vëllait tim, Muhamedin, të birin e Abdullahut, them se ai nuk ka të ngjashëm. Megjithëse mund të mos ketë pasuri dhe para, ai qëndron mbi të tjerët në ndershmëri, dinjitet, trimëri, kurajë, intelekt dhe virtyte. Pasuria është si një hije që zhduket, ajo na jepet për një kohë të caktuar, nuk është e përjetshme, por e përkohshme. Jo vetëm kaq, por, edhe ajo që do të vijë pas kësaj ceremonie, nuk do të bëjë tjetër veçse të rrisë admirimin e të tjerëve për të. Ai kërkon bijën tuaj, Hatixhen, për grua. Prika për këtë do të jetë 500 dirhem, ku gjysma do të jepet në dorë dhe gjysma tjetër më vonë.”

Në përgjigje të kërkesës së familjes së dhëndrit, familja e nuses kishte pak për të thënë. Pas Ebu Talibit, xhaxhai i Hatixhes, Amr ibn Esedi u ngrit dhe foli për virtytet e saj. Në atë ditë, Hatixhja nuk e kishte të atin, ai kishte vdekur në luftën e Fixharit dhe ashtu si Profeti, ajo ishte rritur jetime. Xhaxhai i saj tha këto fjalë: “Të gjitha falenderimet i takojnë Allahut që na bëri ne ashtu si ju thatë, duke na zgjedhur ne mbi ata të cilët ju përmendët, sepse ne jemi më të mirët midis arabëve, ashtu si ju. Askush nuk mund të mohojë virtytet tuaja ndër arabët. O ju të pranishëm dëshmitarë, njerëz të Kurejshëve, në emër të nderit tonë të përbashkët, unë këtu i jap për martesë Hatixhen, të bijën e Huvejlidit, Muhamedit, të birit të Abdullahut, dhe pranoj si prikë shumën që ju dhatë.”

Ebu Talibi, i cili ishte përgjegjës për këtë detyrë, donte të merrte miratimin e pjesëtarëve të tjerë të fisit që ishin të pranishëm. Prandaj ai tha: “Unë dua që edhe xhaxhallarët e tjerë të marrin pjesë në këtë.” Një nga xhaxhallarët e tjerë u ngrit dhe tha: “O Kurejshë, dëshmoni edhe ju që ne po martojmë Muhamedin, të birin e Abdullahut, me Hatixhen, të bijën e Huvejlidit”, duke konfirmuar atë që ishte thënë më parë.

Ceremonitë zyrtare ishin përfunduar dhe ishte koha për të festuar. Menjëherë u therën delet e devetë dhe dasma filloi.

Hatixhja fisnike dhe e pasur ishte gruaja më e lumtur në botë. Megjithëse mundohej ta përmbante veten, prapë se prapë gëzimi i saj ishte i dukshëm. Ajo kishte ftuar të gjitha shoqet e saj për të festuar. Atë ditë, shtëpia e Hatixhes ishte e mbushur me gëzim dhe hare në çdo cep të saj. Dajret binin pa pushim dhe vajzat kërcenin valle nga më të bukurat.

Sigurisht që nuk ishte vetëm Ebu Talibi që ishte i lumtur për të nipin, po ashtu të gjithë Mekasit e kishin aprovuar këtë martesë me gjithë zemër aq sa i kishin shprehur ndjenjat e tyre me poezi, duke deklaruar sa bashkim i bukur ishte ky.

Por, gëzimi i askujt nuk mund të krahasohej me atë të Hatixhes. Ajo e kishte gjurmuar jetën e burrit të saj aq afër, saqë kishte ftuar në dasëm edhe mëndeshën e tij, Halimen, në mënyrë që edhe kjo grua të merrte pjesë në gëzimin djalit jetim të cilin ajo kishte mëkuar në fëmijëri.

Ngazëllimi i Hatixhes nuk e zbehu bujarinë e saj dhe nuk e bëri të harrojë ndjenjën e detyrës. Kur Halimja u largua në mëngjes, Hatixhja i dha me vete 40 dele në shenjë falenderimi për qumështin që ajo i kishte dhënë burrit të saj, Muhamedit paqja qoftë mbi Të.

Atë ditë, Muhamedi paqja qoftë mbi Të ishte 25 vjeç. Ky ishte fillimi i 25 viteve martesë, që do të ishin të patrazuara, pavarësisht vështirësive që do të përballeshin së bashku.

Pasi qëndruan në shtëpinë e Ebu Talibit për pak ditë, ata do të lëviznin në një shtëpi të blerë nga Hakim ibn Hizami dhe do të jetonin një jetë të pashembullt për 15 vjet, përpara se të vinte Shpallja.

Hatixhja, ndryshe nga pasunaret e tjera, nuk ia la punët e shtëpisë shërbëtorëve dhe njerëzve të punësuar. Në vend të kësaj ajo zgjodhi të kujdesej vetë për nevojat e burrit të saj dhe e bëri këtë me dëshirë dhe përgjegjësi. Ajo ishte aq e përkushtuar për lumturinë e tij, saqë ishte shumë e ndjeshme edhe për parehatinë më të vogël që mund t’i vinte, dhe u përpoq gjithnjë me zell ta parandalonte atë.