PARATHËNIE

HATIXHJA (r.a.)

Myslimania e parë dhe bashkëshortja e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi Të)

Në përgjithësi njerëzit përpiqen të imitojnë ato modele të cilët u prezantohen, duke bërë kështu një jetë të ngjashme me të tyren. Ata që jetojnë në përputhje me këto “stereotipe” kanë më tepër mundësi të orientojnë veten në rrugën e duhur, ndërsa ata të cilët nuk kanë gjetur udhëzues në modele të tilla, mbeten të padrejtuar. Për këtë arsye, Kurani, herë pas here, tërheq vëmendjen për tek profetët, duke treguar shembuj nga jetët e tyre në mënyrë që njerëzit të shikojnë një portret të besimtarit ideal. Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të po ashtu i është referuar në mënyrë të përsëritur këtyre shembujve për t’i treguar njerëzimit këtë model jetese.

Edhe në të ashtuquajturën epokë “moderne”, njerëzimi nuk ka qenë në gjendje ta pastrojë veten nga hedonizmi dhe indulgjenca, kështu që mundësia jonë e vetme për të jetuar të lumtur dhe në harmoni varet nga të pasurit e sa më shumë modeleve të tilla. Popujt të cilët kanë arritur të nxjerrin nga mesi i tyre shembuj të tillë, deri në njëfarë mase, kanë bërë shumë përpara në këtë rrugë. Idealja, për të cilën kemi shumë nevojë sot, mund të arrihet vetëm duke ndjekur gjurmët e njerëzve që kanë rrezatuar dritë përreth tyre. Për të fituar përsosmërinë, një person duhet ta formësojë jetën e tij sipas atyre modeleve.

Sipas Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të, Sahabët e nderuar, të cilët ishin ndër njerëzit më të mirë të të gjitha kohërave, janë një thesar i pasur për zgjidhjen e problemeve të sotme dhe ne duhet të nxjerrim mësime nga shembujt që jetët e tyre na paraqesin.

Kështu, ne po ju prezantojmë një grua aktive, një model të artë, një njeri të paharrueshëm, të parën e të parave, mbretëreshën e të gjitha grave, jetën e Hatixhes së nderuar, gruas së parë të Profetit Muhamed.

Le të jetë ajo një burim mirësie për të gjithë.