HYRJE
Një nga nevojat më urgjente për ne sot është të njohim jetët e pashembullta të Sahabëve të nderuar, të cilët u edukuan drejtpërdrejt nga vetë Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të. Zgjidhjet për shumë probleme që sot duken të pazgjidhshme, mund të gjenden të fshehura atje. Ata, jo vetëm vunë në praktikë parimet e jetës shoqërore, por e bënë këtë nën udhëheqjen hyjnore dhe të asaj profetike, duke siguruar kështu prototipin e ekzistencës humane dhe një shembull për të gjithë ata që do të vijnë pas tyre.
Gjenden shumë metoda që mund të përdoren për të shpjeguar aspektet historike të jetëve të tyre me vlerë. Unë kam zgjedhur të përqendrohem kryesisht në atë se si mësimet e kohës së tyre mund të aplikohen sot, në mënyrë që ata të sjellin përfitimin maksimal, sesa të mahnitemi me të kaluarën. Për ta bërë këtë, në vend që të mbush rreshtat me imagjinatën time, kam menduar që më e mira është të paraqesim dialogun midis disa Sahabëve që i referohen personit të Hatixhes së bekuar. Kam preferuar që t’ua lë ekspertëve të tregojnë burimin nga janë marrë, pa u futur në kritika teksti, meqë ky nuk është as qëllimi ynë.
Duke qenë një nga personazhet më dinamike dhe vitale të historisë islame, jeta e pashembullt e Hatixhes ka qenë një burim frymëzimi dhe inkurajimi për të gjithë burrat dhe gratë. Ajo është një udhëzuese, e cila ka luajtur një rol model për të gjithë ata që aspirojnë një shërbim aktiv me jetën dhe pasurinë e tyre në rrugën e Allahut dhe të Profetit. Jeta e saj është një model i efektshëm për ata të cilët dëshirojnë të mbahen mend shekuj më vonë pas vdekjes. Ajo gjithashtu hapi një rrugë për të gjitha gratë, duke u bërë një shembull me ato që arriti në jetë si grua, megjithëse jetoi në një kohë kur të qenit grua ishte një disavantazh dhe mangësi.
Kështu, pa u zgjatur më tepër, po ia lëmë lexuesit vlerësimin e jetës së saj.