FRYTET E NJË MARTESE TË BEKUAR

Nuk zgjati shumë dhe kjo familje do të jepte frutet e saj. I pari lindi Kasemi. Fatkeqësisht, ai nuk do të jetonte gjatë. Sapo kishte filluar të hidhte hapat e parë dhe Allahu e mori në qiell.

Zejnebja ishte e para e vajzave. Ajo do të martohej me Ebu As ibn Rabian, me dëshirën e Hatixhes, dhe do t’i sillte familjes 2 fëmijë, Umamen dhe Aliun.

Rukija dhe Umu Kulthumi lindën më pas. Kur u rritën, babai i tyre i martoi me djemtë e Ebu Lehebit, Utben dhe Utejbën. Martesat e tyre do të zgjasnin deri në vitet e para të përhapjes së Islamit, sepse më vonë ata do të ishin ndër pasojat e kundërshtisë dhe urrejtjes së Kurejshëve. Rukija më vonë u martua me Osman ibn Afanin. Në emigrimin e parë për në Abisini, Rukija dhe Osmani ishin të parët që emigruan. Kështu, Muhamedi paqja qoftë mbi Të do t’i përgëzonte ata duke iu referuar si familja e parë që emigroi pas familjes së Profetit Lut alejhi selam.

Më pas, kur Osmani dhe Rukija u kthyen nga Abisinia, emigruan në Medine së bashku. Rukija u sëmur përpara Luftës së Bedrit dhe vdiq pak kohë më vonë. Profeti paqja qoftë mbi Të e lejoi Osmanin të qëndronte në Medinë për t’u kujdesur për të shoqen duke e siguruar se: “Ti i ke marrë shpërblimet njëlloj si të gjithë ata që po shkojnë për të luftuar në Bedër.”

Pas vdekjes së Rukijes, Muhamedi paqja qoftë mbi Të e martoi Osmanin me vajzën tjetër, Umu Kulthumin. Megjithatë, as ajo nuk do të jetonte gjatë. Ajo iu bashkua Rukijes dhe nënës së saj Hatixhes, 9 vjet pas emigrimit në Medinë.

Në një farë mënyre, fati e kishte ndihmuar Hatixhen të mos shihte vdekjen e dy vajzave të saj. Ajo kishte qenë shumë e mërzitur nga prishja e martesave të tyre. Ndoshta, prej kësaj, Allahu ia kishte kursyer përjetimin e dhimbjes së vuajtjeve dhe vdekjeve të tyre.

Osmani do të quhej më vonë “Dhin’Nurejn” ose “Ai i Dy Dritave”, meqenëse ishte martuar me dy vajzat e Profetit paqja qoftë mbi Të njëra pas tjetrës. Ai do të mbetej i vetmi me këtë ofiq midis Sahabëve.

Fatimja erdhi në jetë 5 vjet përpara se të vinte Shpallja. Pavarësisht moshës së saj të re, ajo përjetoi dhunën në Mekë në vitet e para dhe Allahu e di se ç’hoqi gjatë 3 viteve të bojkotit kur idhujtarët refuzuan të kishin marrëdhënie sociale, tregtie apo vizitash, madje as të shkëmbenin fjalë me bashkësinë e brishtë myslimane.

Kur arriti në moshë madhore, ajo u martua me Aliun dhe nga kjo martesë lindën 2 djem, Hasani dhe Hyseni, të cilët do të vazhdonin familjen e pastër të Profetit.

Kohë më pas, Aliu kërkoi leje të martohej me një grua të dytë, siç ishte zakon në atë periudhë. Ai mendoi të martohej me vajzën e Ebu Xhehlit. Si mundej që e bija e Profetit dhe e bija e të parit të idhujtarëve, një armik i betuar i myslimanëve, të martoheshin me të njëjtin burrë? Profeti tha: “Pa dyshim që bijtë e Hishamit po kërkojnë që unë të jap leje që të martojnë vajzën e tyre me Aliun, të birin e Ebu Talibit. Unë kurrë nuk do ta lejoj një gjë të tillë.” Ai e përsëriti këtë 3 herë. Pastaj vazhdoi duke thënë: “Për Allahun, vetëm pasi Aliu të ketë divorcuar vajzën time mund të martohet me vajzën e Ebu Xhehlit. Fatimja është pjesë e imja dhe çdo gjë që e lumturon atë më lumturon edhe mua, dhe çdo gjë që e mërzit atë, më mërzit edhe mua.” Pas këtij reagimi të Profetit paqja qoftë mbi Të, Aliu jo vetëm e harroi martesën me vajzën e Ebu Xhehlit, i cili kishte qenë armik i myslimanëve, por që nga ajo ditë e tutje nuk mendoi të martohej me dikë tjetër, duke zgjedhur të qëndronte i martuar vetëm me Fatimen. Pas vdekjes së saj, ai do të martohej me Umamen, vajzën e motrës së madhe të Fatimes, Zejnebes, ashtu siç vetë Fatimeja e kishte porositur, për t’u siguruar që fëmijët e saj do të kishin kujdesin e duhur.

Edhe Abdullahu u lind në këtë shtëpi pas Shpalljes. Ai u quajt Tahir dhe Tajib (i pastër dhe i dëlirë). Por edhe ai i mbylli sytë shpejt, duke shkuar në botën tjetër në moshë foshnjore.