ARDHJA E KRYEENGJËLLIT

Në shtëpinë e Profetit paqja qoftë mbi Të mbizotëronte paqja. Zhvillimi i këtij ambienti të shenjtë dhe ëndrrat që kishte parë po e përgatisnin atë për Shpalljen Hyjnore. Nga ana tjetër, errësira e injorancës po zmadhohej akoma më shumë. Të katër anët e Qabesë ishin mbushur me idhuj. Njerëzit kishin harruar Zotin e tyre, Krijuesin e Universit dhe në vend të Tij adhuronin këto statuja iluzive dhe false. Ishte e qartë se kjo gjendje po e trazonte thellësisht shpirtin e pastër të Muhamedit paqja qoftë mbi Të. Qabeja kishte qenë vendi i parë i adhurimit ngritur për t’i sjellë paqe njerëzimit, por tani ajo ishte si qendra e errësirës. Megjithëse nuk mund të ndahej nga Qabeja, ai ndjeu një nevojë në rritje se duhet të distancohej nga ajo errësirë shtypëse.

Ai e kishte bërë zakon të shkonte diku larg. Ecte për orë të tëra për në Xhebeli Nur, Malin e Dritës, dhe dukej sikur edhe ky burrë edhe mali po prisnin që Drita e vërtetë të zbriste nga qiejt. Ai veçohej në një shpellë në majë të Malit të Dritës, nga e cila mund të shikonte Qabenë. Mendonte për të ardhmen e saj të lavdishme kur feja e vërtetë do të rivendosej duke gjetur pak ngushëllim në këto ëndërrime. Për këtë, ai shpeshherë largohej nga qyteti në këtë mal ku preferonte të ishte me Zotin e tij për disa ditë dhe muaj të veçantë të vitit. Paqja që ndjente kur ishte atje duke reflektuar thellë, ishte e papërshkrueshme.

Për Hatixhen, secili nga këto udhëtime do të thoshte ndarje nga i shoqi. Bashkëshorti i saj kishte gjetur një ndjenjë paqeje në shpellën Hira, por në çdo rast Hatixhja qëndronte me frikë se mos atij mund t’i ndodhte diçka e keqe. Për këtë, ajo dërgonte gjithmonë një njeri pas tij, për t’u siguruar që ai të ishte i mbrojtur në rast rreziku.

Zakonisht, ai largohej duke marrë me vete ushqime, të cilat ia kishte përgatitur Hatixhja, por qëllonte edhe që të kthehej për t’u furnizuar përsëri. Kishte raste ku Hatixhja nuk e duronte ndarjen dhe merrte rrugën e gjatë për t’i çuar atij ushqimet vetë duke ecur me kilometra dhe duke ngjitur 860 metrat e Malit të Dritës për tek bashkëshorti i saj, i cili i ishte përkushtuar meditimit. Së bashku, ata do të thithnin ajrin misterioz të shpellës Hira dhe për Hatixhen ishte një bekim tepër i madh që ndante këto momente me të. Herë të tjera ata takoheshin në vendin që quhej Ixhabe Mesxhid, kalonin aty natën dhe në mëngjes ndaheshin përsëri: Profeti shkonte në shpellë dhe Hatixhja në shtëpi.

Për një grua nuk ishte e lehtë të qëndronte larg burrit të saj për kaq gjatë, megjithatë, Hatixhja nuk tregoi as reagimin më të vogël për këto ndarje. Në vend të kësaj, e mirëkuptonte vetminë e tij dhe e inkurajonte për ditët që do të vinin.

Një ditë, ndërsa ishte në meditim të thellë në mal, Muhamedi paqja qoftë mbi Të dëgjoi dikë t’i thoshte: “O Muhamed, unë jam Xhebraili.”

Ndoshta kjo ishte një përgatitje më shumë për atë që do të vinte. Profeti, i tronditur nga kjo eksperiencë, shkoi dhe kërkoi ngushëllim tek Hatixhja e tij dhe i shpjegoi çfarë kishte dëgjuar. Me një ton zëri që mund të prekte çdo zemër, i tha: “Betohem në Allah që gjëra madhështore do të ndodhin...”

Si grua e fortë që ishte, ajo reagoi ashtu siç kishte bërë më parë. Ajo shqiptoi fjalët e mëposhtme, që do të qetësonin të gjitha brengat dhe shqetësimet e tij:

“Çfarë po thua kështu? Ne kërkojmë strehim tek Allahu! A do të të harrojë ty Allahu kur ti kurrë nuk ke neglizhuar atë që të është lënë amanet, ke ruajtur lidhjet farefisnore dhe gjithmonë ke thënë të vërtetën?”

Ndërsa ishte një tjetër ditë në mal, i ndodhi përsëri. Ishte natë dhe të gjithë ishin në shtëpitë e tyre. Qetësia që mbizotëronte ngado u prish nga zëri i Xhebrailit që tha: “Es Selamu alejke” - Paqja qoftë me ty!

Ai përsëri vrapoi në kraharorin e bashkëshortes së tij. Kur Hatixhja e pa në atë gjendje, e pyeti: “Si është puna? Çfarë ka ndodhur?”

Ai i tregoi të shoqes rreth asaj që i kishte ndodhur. Sapo mbaroi, ajo i tha me gëzim: “Sihariqe për ty sepse përshëndetjet me Paqe mund të nënkuptojnë vetëm mirësi.”

Në ngazëllimin e saj mund të dalloje kurajë dhe forcë. Me këtë, ajo nënkuptonte se kushdo që e përshëndeti atë në atë mënyrë, do t’i sillte vetëm mirësi dhe kjo do të bëhej realitet.