NJË SHTËPI PLOT PAQE

Në një shtëpi si ajo, kishte gjithmonë paqe dhe qetësi. Muhamedi paqja qoftë mbi Të vetë ishte një burim paqeje. Qëllimi i ekzistencës së tij ishte të hidhte një mbulesë paqeje mbi ata të cilët nuk e kishin parë atë as në ëndërr.

Butësia dhe dhembshuria e Hatixhes ishte gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ushqimit të kësaj paqeje. Ajo gjithnjë ishte e kënaqur me veprimet e tij dhe me nxitim bënte çfarë dëshironte ai. Kurdoherë që Profeti paqja qoftë mbi Të përballej me një situatë që e trishtonte, gjente paqe dhe ngushëllim në shtëpi tek Hatixhja.

Kjo paqe midis tyre plotësohej nga një afrimitet për t’u pasur zili, një përkushtim i pakushtëzuar dhe një ndjenjë e vendosur sigurie. Në të vërtetë, ky sinqeritet që ata kishin mes veti, tërhoqi vëmendjen e të tjerëve dhe bëri që ata ta shikojnë jetën e tyre me admirim të thellë, pasi ishte diçka që nuk e kishin hasur më parë. Një ditë, Ebu Talibi dërgoi Nab’an, shërbëtoren e tij, për të parë se si e trajtonte e shoqja të nipin Muhamed. Kur u kthye, Nab’a i tha Ebu Talibit: “Ato që pashë ishin shumë interesante. Kur Hatixhja e pa Muhamedin paqja qoftë mbi Të të vinte, doli te dera, e mirëpriti atë dhe duke i mbajtur dorën i tha: “Tu bëfshin kurban nëna e baba im. E di se këtë nuk do ta bëja për askënd tjetër përveç teje. Unë e di se ti je Profeti i Shumëpritur. Kur të arrijnë ato ditë, të lutem të mos më harrosh mua ose vendin që ke për mua në zemër. Të lutem lutju Allahut, që të ka dërguar, për mua.”

Kur Muhamedi paqja qoftë mbi Të i dëgjoi këto fjalë prekëse nga gruaja dhe mbështetësja e tij, i tha: “Le të jetë dëshmitar Allahu, se nëse unë jam ai person, nuk do të të braktis kurrë sepse ato që ti ke bërë për mua i kalojnë caqet e çdo sakrifice.” Dhe me të vërtetë ai kurrë nuk e harroi.