BESNIKËRI E PAVDEKSHME
Hatixhja kishte lënë një përshtypje dhe paqe aq të madhe në zemrën e bashkëshortit të saj saqë Ai i vizitonte shpesh miqtë e saj të vjetër dhe përpiqej ta mbante gjallë kujtimin e saj. Askush nuk mund ta zinte vendin e saj. Profeti paqja qoftë mbi Të qëndroi i vetëm për 3 vjet pas vdekjes së saj dhe me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme të asaj kohe, nuk mendoi të martohej përsëri, deri sa më vonë, kur bashkësia myslimane u vendos në Medinë.
Pas disa vitesh, kishte ardhur koha e triumfit mbi Mekën. Pas gjithë atyre viteve plot ngjarje, përfshirë edhe Emigrimin dhe Luftat Bedrit, të Uhudit, Hendekut dhe Hudejbijes, Meka e cila i kishte kthyer besimtarët dhe i kishte lënë të vdisnin në Shib Ebu Talib, ishte gati për t’u dorëzuar. Më në fund, zërat e besimtarëve po dëgjoheshin përsëri në rrethinat e Mekës, por kësaj here, në vend të vajtimit, kishte muzikë të gëzueshme sepse ishin të fortë dhe fitorja ishte e garantuar tashmë. Ndërsa dikur një grup i vogël myslimanësh ishin persekutuar dhe përzënë nga shtëpitë dhe qyteti i tyre, tashmë një ushtri prej 10 mijë vetash ishte nisur nga Medina drejt Mekës, ku lajmet e fitores ishin të dukshme.
Kur hyri në qytet, Muhamedit paqja qoftë mbi Të iu kujtua Hatixhja e tij e dashur. Ai shkoi në vendprehjen e saj në varrezat e Hajunit, tek varri i bashkëshortes së Tij besnike, atë të cilën nuk do ta harronte kurrë. Jeta e Tij ishte një shembull për të gjithë dhe në veprimet e Tij kundrejt Hatixhes, ishte një përmendore besnikërie. Ai shkoi pranë varrit të saj dhe Allahu e di se çfarë kujtimesh i kaluan përpara syve dhe çfarë lutjesh pëshpëriti. Ndoshta përkushtimi, sakrifica dhe vetëmohimi i saj në rrugën e Allahut, u rigjallërua përsëri në sytë e Tij. Ai u lut për të me orë të tëra.
Më pas, u kthye tek tendat që ushtria kishte ngritur në Ebtah dhe u fut në Mekë me Sahabët e Tij nga të gjitha hyrjet.
Trashëgimtarët, fëmijët e saj ishin larguar njëri pas tjetrit. Kasemi, që kishte qenë akoma foshnjë, Abdullahu, po ashtu, dhe vajzat e tyre Zejnebja, Umu Kulthumi dhe Rukija e kishin lënë këtë botë për t’u bashkuar me nënën e tyre në Parajsë.
Në këto ditë të fundit, kur të gjithë fëmijët kishin shkuar me nënën, vetëm Fatimja ishte akoma në jetë. Ajo ishte një burim ngushëllimi për Profetin. Por, edhe ajo nuk do të jetonte gjatë. Gjashtë muaj pas vdekjes së babait të saj, e pafuqishme për të duruar mungesën e prindërve të saj të dashur, ajo do të bashkohej me ta në jetën e përjetshme.