KUJTIME TË PAHARRUESHME

Hidhërimi i mungesës së Hatixhes e kishte ndikuar Atë thellësisht. Vitet e ardhshme, përpara emigrimit për në Medine, ai ishte i vetmuar dhe dukej se po jetonte vazhdimisht me kujtimin e saj. Dukej sikur ajo nuk kishte vdekur dhe ishte në dhomën ngjitur. Një ditë, një nga Sahabët erdhi tek Profeti dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dukesh sikur je përthyer në dysh nga pikëllimi i mungesës së Hatixhes.” Çfarë mund t’i thoshte kur kjo ishte e qartë? Ai iu përgjigj thjesht: “Po,” dhe vazhdoi, “Ajo ishte nëna e fëmijëve të mi dhe zonja shtëpisë sime.”

Një ditë, Fatimeja shkoi tek babai i saj, Profeti Muhamed, dhe e pyeti: “Ku është nëna ime Hatixhe tani?” Përgjigja erdhi shpejt: “Në një kështjellë prej bambuje.” Pyetjet e Fatimes vazhduan: “A është bambuja që njohim ne?” Meqë materialet në këtë botë janë ndryshe nga ato të botës tjetër, ai tha: “Jo, jo, bambu e zbukuruar me perla, smeralde dhe korale”, dhe vazhdoi t’i përshkruante vajzës së tij vendbanimin e Hatixhes.

Pas vdekjes së Hatixhes, Profetin e mbështolli një re e tillë trishtimi saqë kur e shikonin të tjerët nga larg, kishin frikë se diçka e keqe do t’i ndodhte. Kjo gjendje vazhdoi e tillë deri në martesën e tij të dytë me Aishen, vite më vonë në Medinë. Profeti ishte vetëm. I kishin mbetur vetëm jetimët që Hatixhja i kishte lënë nën kujdes. Sidoqoftë, Profeti do ta përmendte emrin e Hatixhes në çdo rast, duke i folur për virtytet e saj kujtdo që takonte.