BOJKOTI
Ndërsa numri i besimtarëve rritej, edhe urrejtja dhe inati i Kurejshëve po ashtu rritej. Nëse do të kishin mundur, do t’u kishin mohuar edhe ajrin besimtarëve. Ata i përndiqnin vazhdimisht dhe nuk humbnin rast për t’u bërë keq besimtarëve.
Idhujtarët u zhgënjyen kur njerëzit që ata kishin dërguar pas besimtarëve në Abisini u kthyen duarbosh. Dhuratat e shtrenjta që ata kishin marrë me vete për të joshur mbretin e Abisinisë ishin kthyer bashkë me ta të paprekura. Mbi të gjitha kishin marrë lajmin se myslimanët ishin strehuar nga vetë Mbreti duke u dhënë garanci për jetën, liri për praktikimin e besimit dhe leximin e Kuranit. Ata nuk mund të duronin faktin që myslimanët të ishin të mbrojtur edhe në vende të tjera, jashtë kontrollit të Kurejshëve, dhe po u lejohej të faleshin dhe të lexonin Kuranin.
Sikur të mos mjaftonte me kaq, kthimi i Omer ibn Hatabit në mysliman ishte provokimi i fundit në sytë e tyre. Ata tashmë kishin humbur Hamzain, të mbiquajtur “Luani”. Idhujtarët po ndjeheshin gjithnjë e më të kërcënuar sepse gjërat po merrnin zhvillim në favor të besimtarëve dhe ata po humbnin çdo lloj kontrolli.
Të vendosur për të hequr qafe këtë bashkësi të brishtë të myslimanëve, Kurejshët u mblodhën dhe vendosën të ndërmerrnin një dënim tejet të ashpër. Ata ranë dakord të përzinin të gjithë myslimanët nga Meka dhe i bllokuan të gjitha lidhjet me ta, duke i izoluar kështu tërësisht. Askush nuk do të lejohej të bënte tregti me ta apo të martohej me vajzat dhe djemtë e tyre, dhe të gjitha burimet e të ardhurave sakaq do të priteshin.
Kështu filloi një kohë sprovash të vështira. Ai që vuante më shumë ishte Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të, sepse Atij i duhej të shikonte të dashurit e tij dhe ndjekësit të persekutoheshin dhe të keqtrajtoheshin. Urrejtja dhe armiqësia e parisë Kurejshe kishte arritur një shkallë të tillë saqë ata nuk mund të toleronin edhe ekzistencën e këtij grupi të vogël besimtarësh dhe nuk do të ishin të qetë deri sa ta pastronin qytetin prej tyre. Meka po u ushtronte një trysni negative ndaj besimtarëve me të gjithë peshën e saj. Jeta e tyre po bëhej e pajetueshme. Ebu Xhehli ishte kthyer në një faraon në thurjen e këtyre komploteve monstruoze.
Plani ishte që ata do ta eliminonin Muhamedin paqja qoftë mbi Të dhe ndjekësit e tij duke i detyruar t’i nxirrnin jashtë Mekës në shkretëtirë, ku do të vdisnin nga etja dhe uria. Kështu nuk do të ishte nevoja të përdoreshin armët dhe të derdhej gjak.
Për këtë ata vendosën të prisnin të gjitha lidhjet dhe nuk do të lejonin askënd, përfshirë të afërmit, t’i ndihmonte, ushqente ose të martohej me ta. Kjo ishte e ngjashme me kampet e sotme të përqendrimit. Një vdekje e ngadaltë për të etiketuarit si “jo normalë”. Bojkoti do të thoshte që myslimanët të nxirreshin nga shtëpitë e tyre ditën në diell, me qetësinë më të madhe, në kushtet vdekjeprurëse të shkretëtirës. Kjo ishte një mënyrë e thjeshtë për t’i hequr qafe ata pa lejuar askënd t’i vinte në ndihmë apo të krijonin armiqësi. Ajo çfarë kishte parashikuar Uaraka po ndodhte. Ishte e pamundur të rezistoje dhe atyre u duhej të largoheshin nga shtëpitë dhe qyteti i lindjes.
Edhe një herë, Ebu Talibi, xhaxhai i Muhamedit, gjendej aty për ta ndihmuar me aq sa mundte. Myslimanët ndërtuan një kamp strehimi në rrethinat e Mekës në një vend të quajtur Shib Ebu Talib. Tendat e tyre nuk ishin asgjë tjetër veçse disa copa rrobash të varura mbi shkopinj. Ia vlen të përmenden përpjekjet e Ebu Talibit për t’i ndihmuar megjithëse nuk ishte bërë mysliman.
Shib Ebu Talibi ishte një tokë e pabanuar jashtë Mekës. Ky bojkot u kthye në një fatkeqësi 3 vjeçare. Problemet sa vinin e shtoheshin dhe çdo ditë kishte ankesa nga njerëzit që jetonin tashmë në tenda. Vuajtjet po shtoheshin dhe filluan sëmundjet epidemike. Këto bënë që shumë njerëz të prekur të dilnin jashtë tendave dhe të vdisnin në shkretëtirë. Mekasit, duke dëgjuar jehonën e këtyre ankesave, u gëzuan.
Tri vite të gjatë urie, etjeje dhe sëmundjesh… A nuk ishte diçka mizore që gratë, pleqtë dhe fëmijët të trajtoheshin të gjithë në këtë mënyrë? Asnjë lëshim nuk iu bë atyre nën këto kushte.
Zërat vajtues të fëmijëve që vdisnin nga uria dëgjoheshin gjithandej. Të qarat e tyre pikonin gjak në zemrën e Profetit paqja qoftë mbi Të.
Ata e vuajtën të gjithë këtë uri dhe etje. Midis tyre Sa’d ibn Ebi Uakasi falenderoi Allahun sepse gjeti një copë lëkurë, të cilën e lau dhe e hëngri, dhe prej kësaj qe në gjendje të qëndronte në këmbë për disa ditë. Shumë prej tyre hëngrën gjethet dhe lëkurën e pemëve njëlloj si të ishin bagëti.
Hatixhja, që dikur kishte qenë një grua e pasur, ishte duke e përballuar këtë skamje me bashkëshortin e saj. Të dy ishin të pikëlluar për gjendjen e vuajtur të njerëzve, megjithatë nuk mund të bënin asgjë. Kurejshët kishin bllokuar të gjitha rrugët në mënyrë që askush të mos u afrohej.
Në fakt, Hatixhja mund ta kishte evituar këtë bojkot sikur të mos kishte insistuar të qëndronte me Profetin, sepse ajo nuk ishte nga familja e Hashimit. Nëse do të kishte dashur, do të kishte pasur një jetë të rehatshme në vend të vuajtjes se kësaj agonie. Sidoqoftë, ajo kishte një karakter dhe besim aq të fortë, saqë nuk do ta linte në baltë atë të cilin e kishte besuar si Profet që ditën e parë të profetësisë. Ashtu siç kishte kaluar ditë të bukura me të, ashtu do të kalonte edhe të hidhurat. Kështu, ajo zgjodhi urinë dhe etjen mbi shtratin e ngrohtë të shtëpisë në Mekë në kohën kur Profeti do të kishte më shumë se kurrë nevojë për të.
Hatixhja nuk ishte e tillë që të ulej dhe të qëndronte duarkryq. Çdo gjë që ajo kishte pasur në pronësi ishte konfiskuar kur myslimanët ishin përzënë, por ajo e njihte tregun mirë dhe do ta porosiste nipin e saj të shpërndante fshehtas nëpër kamp çfarëdo që mund të gjendej nga pasuria e saj për të ushqyer nevojtarët. Ky nip ishte Hakim ibn Hizami, i cili akoma nuk ishte bërë mysliman, por që e donte aq shumë tezen e tij, sa do të ndërmerrte këto udhëtime të rrezikshme natën për të ndihmuar myslimanët. Një ditë kishte vendosur t’u çonte grurë atyre, por ndërsa ishte rrugës, Ebu Xhehli e pa dhe e ndaloi. Si mund t’i bënte ballë autoritetit të tij? Ebu Xhehli nuk mund të duronte as edhe një fjalë, madje edhe nga vëllai i tij. Reagimi i tij ishte i ashpër dhe i pamëshirshëm:
“A po i çon ushqim Hashimëve? Betohem se do të të burgos përpara se të të shoh t’i çosh ushqim atyre. Do të të izoloj dhe do të të shkatërroj nëse më detyron.”
Ndërsa po diskutonin, erdhi Ebu Bahtari. Ai gjithashtu ishte nga Hashimët. Ai nuk e kishte pranuar Islamin, por ishte një njeri i drejtë dhe i butë. Në fillim ai u përpoq të kuptonte situatën dhe pyeti: “Çfarë po ndodh?” Ebu Xhehli iu përgjigj: “Ai ka guxuar t’u çojë ushqim Hashimëve.”
Kur dëgjoi këtë, Ebu Bahtari ia ktheu: “Pra, ai ka ushqim dhe do t’ia çojë tezes së tij dhe ti po e ndalon? A është kështu?”
Pastaj, vendosi ta ndalonte këtë padrejtësi dhe e urdhëroi: “Hapja rrugën!” Menjëherë shpërtheu një grindje midis tij dhe Ebu Xhehlit që nuk donte të dorëzohej. Ebu Bahtari e plagosi Ebu Xhehlin në kokë me një kockë që e gjeti aty pranë dhe ky veprim do të vinte në lëvizje një sërë ngjarjesh që do të rezultonin në ndalimin e marrëveshjes së bojkotit, e cila ishte varur në muret e Qabesë.
Për shumë nga myslimanët ishte vonë tashmë. Hatixhja po kalonte vuajtje të mëdha, por ajo dhe burri saj kishin edhe më për të hequr. Ata kishin 6 fëmijë, prej të cilëve 2 djem. Djali i parë, Kasemi, i cili sapo kishte hedhur hapat e parë, ndërroi jetë. Zemra e Hatixhes ishte mbushur me pikëllim dhe lotët nuk reshtnin. Megjithatë, zemra e saj kishte një durim të tillë që mund të përballonte çdo fatkeqësi. Ndërsa kishte ndjerë nevojën për t’u ngushëlluar, kishte shkuar tek Profeti paqja qoftë mbi Të: “O i Dërguari i Allahut! Koha e Kasemit ka ardhur. Do të kisha dashur që jeta e tij të kishte qenë më e gjatë që ai të arrinte moshën e prerjes së gjirit.” Ai iu përgjigj me dhembshuri: “Ai do t’i përfundojë muajt e ushqimit me gji në Parajsë.”
Si një shembull force, ajo e mori veten dhe tha: “Sikur ta kisha ditur këtë, vdekja e tij do të kishte qenë më e lehtë për mua.” Pastaj Profeti i tha: “Nëse dëshiron, unë mund t’i lutem Allahut që të dëgjosh zërin e tij.” Hatixhja me një vetëpërmbajtje të pazakontë dhe dorëzim të plotë tha: “Jo (nuk më duhen prova), unë e pranoj atë çfarë Allahu dhe i Profeti i Tij thonë.”
Hatixhja ishte e para që e besoi dhe e ndoqi Profetin
Muhamed paqja qoftë mbi Të. Askush, burrë apo grua, nuk kishte besuar para saj. Përmes mbështetjes së saj, Allahu ia kishte lehtësuar barrën Profetit. Sa herë që një person do të fliste kundër tij, ta kundërshtonte atë apo ta kërcënonte me jetë, ai do të shkonte pranë të shoqes për të gjetur ngushëllim. Dashuria dhe besnikëria e saj ishin më të forta se kundërshtimi i idhujtarëve dhe kjo e ndihmoi Profetin të harronte çdo gjë që i sillte ankth. Asgjë e keqe apo bezdisëse nuk mund të vinte prej saj. Në të kundërt, sa herë që ai shkonte pranë saj, gjente paqe dhe retë e vuajtjes do të zhdukeshin një nga një, duke ia lënë vendin buzëqeshjes. Por, koha e vdekjes e caktuar për çdo njeri, koha për t’i thënë lamtumirë kësaj botë kalimtare, po afronte edhe për Hatixhen. Së afërmi, ajo do të shkonte pranë Krijuesit të saj në Parajsë.
Hidhërimi po zinte hidhërimin. Pas Kasemit, Abdullahu po ashtu i la vuajtjet e kësaj bote dhe shkoi për tek bukuritë e Botës së Përtejme. Kështu, në këto kohë humbjesh, do të frynte era e ndarjes. Si një nënë, thesari më i madh i saj kishin qenë fëmijët që i kishte pasur në gji dhe tani ata po iknin njëri pas tjetrit.
Koha kishte ardhur për Ebu Talib ibn Abdulmutalibin dhe ai ndërroi jetë gjithashtu. Kjo ishte një humbje e madhe për Profetin paqja qoftë mbi Të. Xhaxhai i tij kishte qenë si një baba i dhimbsur, një mbrojtës dhe mbështetës. Më keq akoma, Hatixhja nuk mundi të merrte pjesë në funeral dhe në vajtim sepse ajo po i afrohej vdekjes gjithashtu. Shtrati i saj i vdekjes nuk ishte tjetër veçse një dyshek i improvizuar në një tendë. Sa e vështirë kishte qenë për t’u larguar prej bashkëshortit të saj të dashur dhe Profetit të saj! Tashmë ishte koha të shkonte në botën e përtejme në krahët e këtij burri për të cilin kishte sakrifikuar të gjithë pasurinë dhe jetën e saj.
Kishin kaluar vetëm 3 ditë nga vdekja e Ebu Talibit. Profeti ishte përpjekur shumë që xhaxhai i tij të pranonte Islamin përpara se të ndahej nga kjo botë, por nuk kishte dëgjuar asnjë pëshpëritje të tij për sa i përket besimit. Për më tepër, Kurejshët tani do të ishin të lirë të shtonin sulmet ndaj Muhamedit paqja qoftë mbi Të, duke ditur që mbrojtësi i Tij s’ishte më.
Mbi të gjitha, mbështetja e tij më e madhe, Hatixhja, po vdiste gjithashtu. Ai shkoi të shihte bashkëshorten dhe shoqen e tij, që po digjej nga temperatura e lartë.
Profeti ishte tashmë shumë i pikëlluar sepse sapo kishte varrosur xhaxhain, avokatin e Tij më të madh, pa dëgjuar pohimin e besimit nga buzët e tij. Sa shumë kishte dashur që Ebu Talibi të besonte, por ai kishte refuzuar të pranonte Islamin. Xhaxhai tjetër i Tij, Abasi, do të thoshte: “O i Dërguar! M’u duk se e dëgjova,” por Ebu Talibi do të bënte shenjë me kokë që jo.
Ishte më e errëta e netëve. Ai e la gruan e tij të dashur në shtratin e vdekjes dhe shkoi tek tenda i mërzitur dhe në vaj. Përveç se po privohej nga një mbrojtje si Ebu Talibi, ai gjithashtu po humbiste shoqen e Tij më të afërt, mikeshën më besnike dhe të dashurën e Tij.
Ai u kthye dhe hapi perden e tendës. Hatixhja, e cila po rënkonte në dhimbje, ishte vetë një pamje trishtuese.
Ishte e qartë se shenjat e ndarjes kishin mbërritur tashmë. Ky ishte fundi i vuajtjeve me uri dhe dhimbje për Hatixhen. Ajo, që kishte qenë një nga gratë më të pasura të Mekës, po largohej në botën tjetër si një grua në mërgim dhe mes një bashkësie të uriturish.
Gjithë kësaj dhimbjeje i shtohej edhe ajo e ndarjes nga Profeti i saj. Ajo po largohej me trup, por zemra dhe shpirti i saj ishin me Profetin dhe jetimët që po linte nën kujdesin e tij. Ajo kishte lindur shpejt, ishte prezantuar shpejt me të Vërtetën dhe tani po largohej shpejt.
Momentet e fundit kishte një buzëqeshje në fytyrën e saj. Ishte e qartë se Xhebraili i kishte dhënë sihariqin e Parajsës dhe ajo ishte përpara syve të saj. Megjithatë, edhe kjo buzëqeshje u kthye në një trishtim të madh kur ajo pa bashkëshortin e saj që po e vështronte nga hyrja e tendës me një dhembshuri dhe dashuri të madhe. Secili ishte i pikëlluar për tjetrin.
Ai u brengos shumë nga kjo skenë. Disa herë i kishte ngelur pështyma në grykë. Duke u dridhur, ai iu afrua me delikatesë dhe i foli, megjithëse fjalët ishin të pamjaftueshme për të shprehur ndjenjat. Ai i tha: “Ke vuajtur gjithë këtë për shkakun tim. Jetove një jetë ku nuk more atë që meritoje.”
Ai po përpiqej t’i thoshte se një grua kaq e mrekullueshme meritonte një jetë në përputhje me hijeshinë e saj, por në vend të kësaj, ajo kishte zgjedhur të kalonte vështirësitë më të mëdha me të. Pastaj shtoi: “Por, mos harro, Allahu ka caktuar shpërblim pas çdo dhimbjeje dhe vështirësie.”
Pas kësaj, shoqja e tij e jetës u nda nga jeta, ashtu si Ebu Talibi. Hatixhja ishte 65 vjeçe kur i la pas andrallat e kësaj jete dhe mori udhëtimin për në jetën e përjetshme, për në pallatin e saj me perla në një vend të privuar nga dhimbja dhe brenga.
Një jetë që filloi në Natën e Kadrit gjithashtu u mbyll po në Natën e Kadrit. Vetë Profeti paqja qoftë mbi Të e çoi atë në varrezën Hajun, hyrjen për në botën e përtejme. Ai e vendosi vetë në tokë dhe po vetë e mbuloi me dhé.
Ajo mbante nderin e shumë “të parëve” në jetën e saj dhe e mbajti këtë titull edhe kur u nda nga jeta dhe gjithçka e saj, duke qenë martirja e parë nga familja e Profetit.
Sa për Profetin, vështirësitë e tij do të shtoheshin sepse dy nga mbështetësit e tij më të mëdhenj kishin ndërruar jetë tashmë dhe Kurejshët do t’i dyfishonin sulmet ndaj tij.
Nuk zgjati shumë dhe ai do të nderohej me Miraxhin, ku dyert e qiejve u hapën për Të dhe Ai dëshmoi skena mahnitëse që vetëm Allahu i dinte, si një shpërblim për ditët e vështira që kishte kaluar. Miraxhi do të ishte hera e parë dhe e fundit që Profeti do të merrte Shpalljen drejtpërdrejt nga Allahu i Madhërishëm.