SHKËMBIME ME KRYEENGJËLLIN

Nga koha e udhëtimit në Damask deri në kohën kur u kthye si Profet nga Mali i Dritës me Shpalljen Hyjnore, Hatixhja ishte kujdesur me përkushtim ndaj burrit të saj. Atëherë kur Ai lodhej nga ambienti i Mekës dhe kërkonte qetësi në vende të vetmuara të largëta, ajo e shoqëronte atë duke e quajtur këtë një veprim të denjë për një bashkëshorte. Kur ajo qëndronte në Mekë dhe kthimi i tij vonohej, ajo merrte me vete ushqime dhe ia çonte vetë të Dërguarit të Allahut në mal.

Në një ditë si kjo, ajo takoi Xhebrailin në formë njerëzore. Një i huaj të cilin nuk e kishte parë kurrë më parë e pyeti atë për Profetin e Fundit. Ajo u shqetësua mjaft që ky i huaj mund të ishte dikush që donte t’i bënte keq të shoqit. Kur arriti në mal dhe u takua me Profetin, hasi në buzëqeshjen e tij. Kur ai i tha se personi që kishte takuar ishte Xhebraili, ajo u çlirua.

Ndërsa paria mekase kishte deklaruar armiqësinë e saj ndaj Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të, Hatixhja ishte mbështetësja e Tij e vetme dhe një burim ngushëllimi dhe ndihme. Kur sulmet e idhujtarëve bëheshin të padurueshme, ai gjente prehje pranë saj dhe kur ata e kërcënuan me jetë, ai gjeti siguri tek ajo. Herë pas here ajo me zgjuarsinë e saj do të gjente mënyra për ta ndihmuar të shoqin. Për shembull, një herë ajo donte t’i provonte të kundërtën një idhujtari që pretendoi se ai që i kishte ardhur Muhamedit ishte djalli dhe jo engjëlli. Kështu, ajo i tha burrit të saj: “Kushëri! A do të më njoftosh kur Xhebraili të vijë përsëri për të të takuar?” Ai pranoi dhe herën tjetër kur Xhebraili erdhi, Profeti thirri Hatixhen pranë.

Ai tha: “Xhebraili është këtu. Ai është afër meje.” Hatixhja, pa humbur kohë, vrapoi për tek Profeti dhe i kërkoi që ai të ulej në gjurin e saj. Profeti nuk donte të prekte ndjenjat e saj duke e refuzuar. Kur veproi ashtu, ajo e pyeti: “A e shikon Xhebrailin?” dhe mori një përgjigje pozitive. Pastaj ajo i tha të ulej në gjurin tjetër dhe më pas në prehrin e saj, gjithnjë duke e pyetur nëse e shihte Xhebrailin apo jo. Çdo herë merrte përgjigje pozitive. Pastaj ajo hoqi mbulesën e kokës, e mori në kraharorin e saj dhe pyeti: “A e shikon tani?” Kësaj here përgjigja ishte negative.

Ajo e kishte vërtetuar atë që donte. Hatixhja tha: “Sihariqe për ty! Ji i sigurt! Betohem në Allah se ky ishte një engjëll, jo djalli. Nëse do të kishte qenë djalli, nuk do të ishte turpëruar dhe të largohej prej nesh.”

Një tjetër ditë, teksa po shkonte për t’i çuar ushqim të dashurit të saj, Profeti ishte me Xhebrailin. Kur po afrohej, ai iu afrua Profetit dhe i tha: “Po vjen Hatixhja me ushqime me vete. Kur të vijë, thuaji se Zoti i saj e përshëndet, dhe unë gjithashtu. Po ashtu jepi sihariqin që asaj do t’i ndërtohet një kështjellë me perla në Parajsë, ku nuk ka as lodhje e as brengë.”

Kur ajo erdhi, Profeti i përçoi përshëndetjet hyjnore të sjella nga Xhebraili. Hatixhja nuk u habit aspak dhe me të njëjtën fisnikëri u përgjigj: “Zoti është paqe dhe Ai është burim i paqes! Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ty o i Dërguari i Allahut.

Paqja qoftë mbi të gjithë ata që dëgjojnë paqe përveç shejtanit.

Paqja qoftë edhe mbi Xhebrailin!”