NJË KUJTIM I GJALLË
Hatixhja, përveç se ishte ndër të parat pioniere të besimit, qëndroi patundshmërisht besnike deri në ditën që do të ndërronte jetë. Si mund të harrohej një besnikëri e tillë? Vite më vonë, Aishja, një tjetër shembull i besnikërisë, tregonte se si kujtimi i Hatixhes mbahej gjithmonë gjallë nga bashkëshorti i saj:
“Megjithëse nuk e kam takuar kurrë, nuk kam qenë asnjëherë aq xheloze për ndjenjat e Profetit kundrejt një gruaje tjetër siç jam për Hatixhen. Ai e përmend shpesh atë dhe e mban në konsideratë aq të lartë, saqë sa herë që ther një bagëti dhe e ndan, i dërgon shoqeve të Hatixhes pjesën e tyre.”
Kjo sepse ai i kishte për zemër ato që ajo kishte pasur për zemër dhe ata që dashurojnë, kurrë nuk i harrojnë të dashurit e tyre. Ai nuk linte gjë mangët në respekt ndaj të afërmëve të saj. Ai u jepte atyre shilten mbi të cilën ishte ulur vetë dhe kur e pyetën pse, ai u tha: “Unë i dua ata që ka dashur ajo.”
Një herë, i Dërguari i Allahut dëgjoi se Hala bint Huvejlid, motra e Hatixhes, ishte tek dera e shtëpisë duke kërkuar të futej brenda. Zëri dhe mënyra e të folurit të saj ishte aq e ngjashme me Hatixhen, saqë ai u prek dhe lëvizi nga vendi me vrull duke thënë me ngazëllim: “Për Allah, është Hala, e bija e Huvejlidit!”
Aishja, që kishte qenë dëshmitare e këtij ngazëllimi, u bë xheloze dhe ndërhyri duke e pyetur pse tregonte kaq vëmendje për dikë që kishte vdekur vite më parë. Kjo ishte mënyra për t’i thënë se Allahu i kishte dhënë asaj po aq virtyte sa gruas së tij të parë dhe se kjo vëmendje e tij ishte e tepërt. Ndoshta nuk kishte qenë një rastësi dhe Allahu donte t’i tregonte asaj virtytet e Hatixhes nga vetë goja e Profetit paqja qoftë mbi Të. Ai i la të kuptohej se nuk ishte aspak i kënaqur me ato që dëgjoi dhe i tha: “A kishte ndonjë të ngjashëm me të?” Më pas vazhdoi: “Betohem në Allah se nuk më ka dhënë asnjë person më të vlefshëm se atë. Kur njerëzit më mohuan, ajo më besoi. Kur më thanë gënjeshtar, ajo më vërtetoi. Kur njerëzit më izoluan, ajo më mbështeti me pasurinë e saj dhe Allahu më ka dhënë fëmijë vetëm me të.” Ai donte që Aishja të kuptonte që reagimi i saj nuk ishte i drejtë dhe se ai nuk do të lejonte askënd të njolloste kujtimin e saj duke mos folur mirë për të.
Qëllimi tij ishte i qartë dhe Aishja menjëherë kërkoi falje duke i premtuar se ajo nuk do të thoshte asnjëherë asgjë negative për Hatixhen.