NË NDJEKJE TË ÇDO FRYMËMARRJE TË PROFETIT

Hatixhja gjithmonë kishte ndjekur çdo frymëmarrje të Profetit dhe ndjente emocion në ndarjen e ndjenjave të tij me Të. Një ditë ajo e pa Profetin ndërsa e trajtonte Zejdin, një nga shërbëtorët e tij, me kujdes dhe konsideratë të lartë, duke lënë të kuptoheshin meritat e karakterit të Tij. Ajo menjëherë ia bëri dhuratë Zejdin bashkëshortit të saj që ai të kishte një shërbëtor të aftë.

Kur ishte i ri, Zejdi kishte rënë rob gjatë një lufte ndërmjet fiseve. Kishin kaluar disa vjet pasi nipi i Hatixhes e kishte blerë Zejdin dhe ia kishte dhënë Hatixhes. Kur familja e tij e gjeti se ku ishte dhe shkuan te Profeti për të kërkuar t’ia kthenin, Profeti e thirri Zejdin dhe i ofroi të zgjidhte: “Nëse dëshiron mund të qëndrosh me ne, por nëse dëshiron të shkosh me familjen tënde, mund të shkosh.” Zejdi, pa hezituar fare, zgjodhi të qëndronte me Profetin, i cili e liroi dhe e bëri bir për shpirt. Kështu, Zejdi preferoi lirinë e përjetshme kundrejt lumturisë dhe ngrohtësisë së familjes. Ashtu si Hatixhja, Zejd ibn Harithi ishte një nga pionierët i cili e kuptoi se rruga e vërtetë kalonte përmes kësaj shtëpie të bekuar.

Pa diskutim që Hatixhja gjithmonë do të qëndronte pranë burrit të saj duke ndarë me të bukurinë e saj shpirtërore. Ajo do të ishte një burim ngushëllimi për të në kohët e vështira. Gjatë çdo sulmi dhe persekutimi ndaj tij prej Kurejshëve, Hatixhja kishte qenë shoqja dhe ndihmësja e tij më e dashur.