PARALAJMËRIME TË MESAZHIT HYJNOR

Përpara se Muhamedit paqja qoftë mbi Të të fillonte t’i zbriste Shpallja Hyjnore, shtëpia e tyre ishte bekuar me shumë ëndrra nga bota shpirtërore dhe Hatixhja ishte dëshmitare e këtyre ëndrrave. Këto ishin paralajmërime të Shpalljes Hyjnore dhe 6 muaj para se ajo të vinte, ato u bënë parashikuese në mënyre të dukshme. Ndoshta këto ishin një formë përgatitore për Shpalljen që do të pasonte.

Ëndrrat që shihte, ai ia tregonte Hatixhes, ndërsa ajo i interpretonte ato me dritën e pritshmërisë që kishte zënë rrënjë në shpirtin e saj, duke e përdorur çdo ëndërr si një mënyrë për t’u ngritur shpirtërisht. Në një rast, Muhamedi paqja qoftë mbi Të pa në ëndërr sikur një pjesë nga çatia ishte hequr dhe një vrimë ishte hapur. Pastaj, një shkallë argjendi ishte futur përmes kësaj vrime dhe 2 burra kishin zbritur në shtëpinë e tij. Ai deshi të kërkonte ndihmë, por nuk mundi të gjente askënd, madje as për të folur. Më pas, 2 burrat u ulën secili në anë të tij. Njëri nga ata e kapi atë dhe mori nga trupi i tij 2 brinjë. Pastaj kapi zemrën e tij, e nxori jashtë dhe e mbante në dorë. Kjo ëndërr dukej kaq e vërtetë, sikur po i ndjente duart e këtij burri mbi zemër. Burri po i thoshte shokut të tij: “Çfarë zemre të mirë paska ky njeri i drejtë!” Pastaj e pastroi zemrën dhe e vendosi përsëri në vend. Ai gjithashtu i vendosi brinjët përsëri në vendin e vet. Burrat u larguan ashtu siç kishin ardhur, u ngjitën nga shkallët dhe u zhdukën. Ata e morën shkallën me vete teksa ikën. Çatia po ashtu erdhi në formën e mëparshme dhe çdo gjë ishte si më parë.

Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të sigurisht që ia tregoi Hatixhes të parës këtë ëndërr. Hatixhja, mbështetësja e tij më e madhe gjatë kohëve më të vështira, e inkurajoi ashtu siç ai priste duke i thënë: “Sihariq për ty!” dhe shtoi: “Nuk ka dyshim se Allahu dëshiron për ty më të mirën. Edhe kjo këtë tregon. Sihariq për ty!”

Për më tepër, çdo gjë e gjallë, çdo pemë dhe çdo gur filloi të përshëndeste Profetin e ardhshëm. Një ditë, kur ndodhi diçka e tillë, shkoi në shtëpi dhe ia tregoi Hatixhes ankthin që kishte përjetuar. Si gjithmonë, gjeti mbështetjen e saj të gatshme dhe të vendosur:

“Me siguri që Allahu nuk do të të braktisë ty dhe nuk do të lejojë që asgjë e keqe të të ndodhë ty”, i tha ajo, “sepse në çdo fjalë, ti thua të vërtetën, je i besueshëm me gjithçka që të besohet ty dhe ti je që kujdesesh për ata që ke nën mbikqyrje.”