FILLIMI I SHPALLJES

Ashtu siç ajo kishte thënë, një ditë, në Malin e Dritës, zbriti Drita e Shpalljes, e cila krijoi një lidhje të pathyeshme ndërmjet qiellit dhe tokës. Xhebraili erdhi dhe i transmetoi

Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të mesazhet e para nga Zoti i Gjithësisë, gjë e cila ishte parashikuar nga shumë shenja. Shkëlqimi i Parajsës kishte zbritur në qiellin tokësor duke iu dhuruar Muhamedit paqja qoftë mbi Të dhe misioni profetik sapo kishte nisur.

Rrezatimi Hyjnor, të cilin e ndjeu thellësisht, e kishte mbështjellë dhe tërhequr drejt gjirit të tij me fjalën: “Lexo!” Në këtë mënyrë, përgjegjësia e profetësisë, të cilën as malet dhe shkëmbinjtë nuk kishin pranuar ta mbanin dot mbi shpatulla, i ishte ngarkuar Muhamedit. Peshën që ndjente nga përgjegjësia e detyrës ishte e vështirë ta mbaje.

Kështu kishin zbritur ajetet e para kuranore. Pas kësaj Profeti ishte çliruar dhe kishte nxituar drejt Mekës.

Çuditërisht, çdo pemë dhe gur që kishte hasur rrugës e kishte përshëndetur dhe i ishte përulur atij me mirësjellje:” Paqja e Zotit qoftë me ty, o Profet!”

Profeti u kthye në shtëpi i shqetësuar dhe i frikësuar. Ai i kërkoi gruas së tij besnike ta mbulonte me diçka dhe i tha: “Kam frikë për veten”, duke shprehur ankthin e tij në fillimin e një kapitulli të ri, rezultatet e të cilit nuk mund t’i dinte.

Megjithëse mund ta vërente ndryshimin tek ai, Hatixhja u lehtësua me ardhjen e tij. Këtë herë mungesa e tij kishte qenë e gjatë dhe shërbëtori që kishte shkuar ta ndiqte ishte kthyer duarbosh. Ajo ishte bërë merak se mos diçka e keqe i kishte ndodhur, por sapo e pa, çdo shqetësim i kaloi. Sidoqoftë, ai kurrë nuk ishte kthyer në shtëpi në atë gjendje. Bashkëshortja e tij, ngushëlluesja e tij, e siguroi siç kishte bërë gjithmonë duke i thënë: “Nuk ke pse frikësohesh aspak! Allahu nuk do të lejojë të të gjejë asgjë e keqe!” Pasi dëgjoi ngjarjen, ajo i tha se eksperienca që kishte përjetuar ishte më tepër një lajm i mirë se sa diçka për t’u pasur frikë.

Çfarë force të madhe kishte treguar! Nuk kishte dyshim se besimi dhe siguria e saj në Allah ishte e patundur dhe kjo ishte një shenjë tjetër e devotshmërisë së saj. Sa njerëz të tjerë, burra ose gra, do të ishin në gjendje të jepnin kaq siguri dhe vendosmëri në situata të tilla?

Hatixhja ishte e para që kishte dëgjuar atë që i kishte ngjarë të Dërguarit të Allahut. Ajo ishte një grua e zgjuar, e fortë dhe durimtare, e cila pranonte me bindje dhe qetësi vullnetin e Zotit. Ajo ishte e sigurt se Muhamed Emini, në të cilin të tjerët gjenin mbështetje, mund të mbështetej në Krijuesin tij dhe ajo e dinte se ai nuk do të lihej në harresë nga Ai. Ajo i mblodhi të gjitha forcat. Ajo nuk do ta linte Krenarinë e Njerëzimit të vetëm në një kohë si kjo. Kështu ajo i tha: “Sihariqe për ty, o Muhamed! Ji i qëndrueshëm dhe këmbëngulës! Për Atë, në duart e të Cilit është shpirti im, unë besoj se ti je Profeti i këtij populli.”

Ajo nuk kishte asnjë dyshim. Ajo kishte pritur shumë për këtë moment. Herë pas here ajo kishte deklaruar besimin e saj tek ai dhe atë çfarë i kishte ndodhur atij. Ajo ishte e vetëdijshme për faktin se ishte aty për ta mbështetur. Nuk ka asnjë arsye, e kishte siguruar ajo, për dikë që gjithmonë kishte qenë i drejtë, të vuante një ankth të tillë në rrugën drejt përsosmërisë. Ajo vazhdoi:

“Mos ki frikë! Pa dyshim që Allahu do të të ruajë ty. Ti je që ruan lidhjet me farefisin, ndihmon dhe ushqen të varfrit. Ti je gjithmonë një mikpritës bujar. Ti je në rrugën e së Vërtetës dhe i je përkushtuar plotësisht gjithçkaje të mirë.”

Ata të cilët jetët e tyre ia kanë kushtuar të tjerëve do të jenë patjetër nën mbrojtjen e Zotëruesit të Universit. Sigurisht, Allahu nuk do ta braktisë një njeri të tillë sepse kjo është rruga që Ai ka zgjedhur për ne. Si mund të lihet i vetëm nga Krijuesi një Profet ndërsa ai përpiqet për besimin e njerëzve duke mbushur çdo cen të shoqërisë?

Me këtë inkurajim dhe frymëzim, Hatixhja po shpaloste një qëndrim i cili do të jetë shembull për të gjithë myslimanët, dhe virtyte të cilat do ta lartësonin atë në majat më të larta. Po, Allahu nuk do t’i lerë kurrë të vetëm në kohë të vështira ata që kanë zgjedhur ta ndjekin Atë. Por, në mes të frikës dhe të pasigurisë, për ta bërë këtë, gjithsecilit i duhet një kështjellë e fortë si Hatixhja.

Hatixhja menjëherë shkoi te Uaraka pas kësaj bisede. Ajo nuk ishte habitur nga ato që kishte dëgjuar. Ajo po tregonte forcën e dikujt që kishte qenë në pritje të asaj që po ndodhte. Ajo i tregoi Uarakas ato që i kishin ndodhur të shoqit. Çdo fjalë e thënë ra si rrufé në veshët e Uarakas. Kur nuk mundi ta përmbante më veten, deklaroi: “Për Atë, në duart e të cilit është shpirti i Uarakas, nëse ajo çka the është e vërtetë, o Hatixhe, atij i ka ardhur engjëlli që zotëron Sekretet Hyjnore, që i ka ardhur gjithashtu Musait dhe Isait dhe ai patjetër është Profeti i këtij populli. Shko dhe thuaja atij këtë që të qëndrojë i palëkundur!”

Ishte e qartë se në errësirën e asaj kohe, Mali i Dritës kishte filluar të rrezatonte nga fundet e tij. Kjo ishte lindja e një drite që do ta kthente natën në ditë dhe e një zjarri që nuk do të shuhej kurrë. Fara e mbjellë para shumë kohësh, më në fund, kishte nxjerrë filizin në sipërfaqe. Momenti i shumëpritur kishte ardhur.

Kjo ngjarje do të ndryshonte rrjedhën e njerëzimit dhe Uaraka donte ta dëgjonte vetë atë. Kështu, së bashku me Hatixhen shkoi në shtëpinë e saj. Plaku Uaraka e puthi Profetin në ballë me respekt ndërsa diferenca e madhe e moshës nuk ishte pengesë që t’i bindej atij. Pastaj, Uaraka filloi të dëgjonte që nga fillimi se çfarë i kishte ndodhur Muhamedit paqja qoftë mbi Të.

Ndërsa dëgjonte, ky burrë i vjetër kalonte nga një gjendje në një tjetër duke përjetuar emocion dhe ngazëllim të paparë. Ai e kishte dalluar shumë kohë më parë se ky njeri do të sillte lajme të mira, të cilat i kishte lexuar dhe studiuar në tekstet e Shenjta. Pasi Profeti mbaroi, Uaraka shqiptoi këto fjalë që do të mbeteshin në histori:

“Do të doja të kisha qenë i ri këtë ditë, ashtu që të mund të jetoja për të parë se si populli yt do të të nxjerrë nga ky vend dhe të të qëndroja pranë.”

Këto ishin me të vërtetë fjalë të paparashikuara në shtëpinë ku kishte shkuar për t’i dhënë kurajë. Po, e ardhmja ishte plot shpresë, por dukej se kjo shpresë nuk do të arrihej lehtë. Duke marrë në konsideratë ato që kishte dëgjuar, Profeti e pyeti Uarakan me çudi: “Populli im do të më përzërë?”

Përgjigja që do të pasonte do t’i referohej jo vetëm atij, por të gjithë atyre që ishin përzënë për të njëjtën arsye. “Po, do të të përzënë. Sepse nuk ka pasur njeri që ka ardhur me të Vërtetën që ti je ngarkuar, dhe të mos jetë përzënë nga vendlindja e tij.”

MYSLIMANIA E PARË

Hatixhja, e cila njihej si “Tahira”, “e Dëlira”, edhe në kohën e Injorancës (paraislame) ia kishte deklaruar besimin Profetit paqja qoftë mbi Të dhe ishte bërë myslimania e parë. Sipas Ibn Abasit, Profeti po kryente adhurimin me përulësi një të hëne. Në të njëjtën ditë, në mbrëmje, ai ishte bërë gati për adhurim dhe kësaj here kishte dikë pas tij që nuk mund të ishte tjetër përveç Hatixhes.

Profeti i mësoi asaj mënyrën e abdesit përpara namazit dhe të gjitha lëvizjet e namazit që ia kishte mësuar Xhebraili alejhi selam. Kjo formë adhurimi do të bëhej më vonë forma e 5 vakteve të namazit që njihet sot në mbarë botën. Ajo i kishte marrë këto mësime të para nga vetë Profeti dhe ishte falur e para së bashku me të. Ajo e kishte parë atë si një lider edhe përpara profetësisë, dhe e kishte konsideruar si të tillë. Megjithatë ishte e pamundur të krahasohej konsiderata e saj për Muhamedin pas profetësisë.

Fillimet e Shpalljes kishin ardhur në një kohë ku në botë mbizotëronte injoranca dhe shpirtrat e errët, të bërë njësh me këtë errësirë, do të ngriheshin kundër Dritës si gjithmonë.

Hatixhja ishte një këshilltare besnike krah tij. Sa herë që përjetonte ngjarje të vështira dhe të pashpresa, ajo shkonte dhe gjente qetësi në praninë e tij. Ajo qëndronte me të sa më shumë të ishte e mundur dhe bënte çmos të largonte çdo gjë që dilte pengesë në rrugën e Tij.

Rruga do të ishte e gjatë dhe të ishe i pari që do ta nisje atë, ishte tejet e vështirë. Megjithatë, shpërblimi është në raport me përpjekjen. Kjo do të thotë që vuajtja nuk do të shkojë dëm dhe Allahu i provon ata që janë në rrugën e tij me vështirësi të ndryshme, sepse Ai i do ata. Për ata të cilët bëjnë durim gjatë këtyre sprovave, Ai hedh për sipër një vello begatie dhe u jep dhurata të ndryshme. Pa dyshim që Ai e mban premtimin dhe ata të cilët kanë duruar gjatë sprovave të ndryshme për hatër të Allahut, pa u lëkundur aspak nga rruga e shërbimit, kanë korrur begatitë e durimit të tyre.

Në të vërtetë, vuajtjet dhe sprovat më të vështira u janë dhënë Profetëve, njerëzve më të dashur të Allahut dhe pastaj atyre që e kanë dorëzuar veten në rrugën e Tij sipas gradës. Përmes kësaj, Ai i sprovon krijesat e Tij me vështirësi për t’i përgatitur për detyrën madhështore të përfaqësimit të Rrugës së Drejtë. Me fjalë të tjera, sado që mund të duken të këqija, çdo fatkeqësi dhe sprovë, është në fakt, një mënyrë për t’u pastruar dhe për të ecur përpara drejt përsosjes. Pra, ngjarjet e vështira që na ndodhin në jetë, nuk janë thjesht burim dhimbjesh, por në fakt, mëshirë nga Zoti i Gjithësisë për besimtarët.

Ditët e para të Islamit, Kurejshët, një fis i fuqishëm që mendoi se po rrezikoheshin, e luftuan ardhjen e Islamit në një mënyrë të fshehtë, duke ushtruar presion mbi besimtarët, mbi Hatixhen dhe Profetin, për t’i dëmtuar dhe shkatërruar ata. Për këtë arsye, dhëndurët e tyre u vunë në presion të madh që të divorcoheshin me vajzat e Profetit, me të cilat ishin martuar para ardhjes së Shpalljes. Atyre iu ishte premtuar se do t’i martonin me secilën vajzë që dëshironin ata. Siç u përmend edhe më parë, vajzat e Muhamedit paqja qoftë mbi Të dhe Hatixhes, Rukija dhe Umu Kulthumi ishin martuar me djemtë e Ebu Lehebit, Utben dhe Utejbën. Utbe dhe Utejbe nuk kishin karakter të atillë që mund të duronin këto presione dhe sapo iu premtua se do t’i martonin me kë të dëshironin, i divorcuan Rukijen dhe Umu Kulthumin. Dështimi i këtyre martesave ishte një pikëllim i madh për Hatixhen.

Profeti dhe bashkëshortja e Tij po përballeshin tashmë jo me një, por me 2 martesa të prishura. Nuk kishte një arsye të mirëqenë për këto divorce. Shkaku i vetëm ishte se ato të dyja ishin në shënjestër vetëm sepse ishin vajzat e Profetit paqja qoftë mbi Të.

Vetëm Ebu As ibn Rabia, bashkëshorti i Zejnebes, nuk iu dorëzua presionit dhe i qëndroi pranë gruas së tij. Ai bënte një jetë të ndershme, ishte i pavarur, dhe nuk lejonte të tjerët të ndërhynin në punët e tij. Kur bëhej fjalë për një çështje me rëndësi, ai ishte i aftë të merrte një vendim të drejtë dhe të vepronte në përputhje me të. Sipas tij, nëse kishte paqe në shtëpi, asnjë person i jashtëm nuk kishte të drejtë ta prishte atë. Shtëpia e tyre ishte e tillë dhe të pasurit e mendimeve të ndryshme nga gruaja e tij, nuk e ndryshoi këtë paqe; në fakt e forcoi.

Mesazhet Hyjnore sapo kishin filluar të zbrisnin. Për 23 vitet e ardhshme, Kurani do të vinte hap pas hapi. I Dërguari i Allahut do të dilte i suksesshëm në fund. Megjithatë, kjo do të shpalosej më vonë, akoma nuk ishte e mundur të shikoje rezultatin. Kjo kërkonte një vendosmëri dhe dorëzim të plotë për ta besuar. Ndërsa, në të vërtetë, pas tij ishte Allahu, megjithëse në dukje ishte Muhamedi paqja qoftë mbi Të i vetëm.

Profeti paqja qoftë mbi Të gjithnjë e më shumë po vihej në shënjestër. Kurejshët po shtonin presionet mbi të. I hidhnin ferra në rrugë dhe e godisnin me gurë. Po ashtu si të gjithë ata që i kanë thirrur njerëzit në rrugën e drejtë dhe kanë hasur në kundërshtime, edhe ai po vuante persekutimet e popullit të vet.

Në ato ditë, të deklaroje se “Unë i besoj Mesazhit të Muhamedit”, do të thoshte se i kishe hapur vetes rrugën e vuajtjes dhe të telasheve. Besimtarët asnjëherë nuk mund të ishin të sigurt se do të shkonin në shtëpi shëndoshë e mirë pasi kishin dalë nga ajo në mëngjes, dhe nuk ishin të sigurt nëse do të zgjoheshin pasi kishin rënë për të fjetur natën e mëparshme. Shpatat ishim mprehur me urrejtje dhe besimtarët vriteshin çdo ditë. Çdo shtëpi besimtare ishte në listën e zezë dhe çdo individ ishte bërë një shënjestër për idhujtarët, të cilët i kishin izoluar dhe detyruar të fshiheshin.

Duhej një kurajë e pashembullt për të qëndruar me besimtarët në kohë si ato. Veçantia e atyre që u bënë myslimanë nën këto kushte armiqësore, do të konfirmohej nga Vetë Zoti i Gjithësisë në Kuranin Famëlartë. Atyre iu ishte dhënë një gradë e veçantë, sepse ishte e qartë se ata të cilët vunë jetën dhe pasurinë e tyre në një kohë kur Islami ende nuk kishte lulëzuar, pa dyshim që ishin ndryshe nga ata të cilët e pranuan Islamin më vonë. Sigurisht, megjithëse këta pionierë do të kenë gjithmonë një pozitë të lartë, ata që i pasuan, po ashtu do të shpërblehen me Mirësitë Hyjnore. Prapë se prapë, të ishe nga të parët ishte privilegj i veçantë. Patjetër që ishte ky dallim i cili e bëri Profetin të nderojë Ebu Bekr Sidikun mbi Omer ibn Hatabin dhe Abdurrahman ibn Aufin mbi Halid ibn Velidin. Nuk mund të harrohej besnikëria deri në vdekje, e treguar nga këta persona, në një kohë kur të gjithë ishin kundër tij. Kështu, Allahu dhe i Dërguari i Tij i dhanë “të parëve” vendin që u takonte.

Por, mbi të gjitha, e para e të gjithëve mbetet Hatixhja. Ajo ishte dashuria e parë, bashkëshortja e parë, drita e syve të tij dhe e para që e besoi pas kthimit nga Mali i Dritës. Ajo ishte e para që kishte marrë abdes ashtu siç Xhebraili ia kishte mësuar Profetit paqja qoftë mbi Të dhe e para që kishte falur namazet ditore bashkë me Profetin, sepse ai shkoi pranë saj sapo Kryeengjëlli ia mësoi këto rituale. Ajo gjithashtu kishte qenë e para që ishte falur pas tij në faljet me xhemat.

Në fakt, fjala “Hatixhe” do të thotë “dikush që ka lindur herët”. Në personalitetin e saj, ne shikojmë se si përshtatet ky kuptim me atë si person. Ajo ishte aq përpara të tjerëve, saqë askush nuk mund ta kalonte atë në virtyte. Ajo kishte qenë ylli i parë i lindur në Epokën e Lumturisë dhe trëndafili i parë i ditëve të para. Kjo ishte një pozitë kaq e lakmuar, saqë Afif ibn Omeri, vite më vonë, do të shprehte pendimin e tij që nuk kishte mundur ta imitonte atë kur kishte pasur rastin:

“Unë isha një tregtar në Kohën e Injorancës (përpara profetësisë së Muhamedit). Një ditë shkova të vizitoja Abas ibn Abdulmutalibin. Kur arrita në Mina, pashë një burrë të futej në qytet. Në fillim ai pa diellin dhe kur pa që po agonte, nisi të falte namaz. Pastaj erdhi një grua dhe filloi të falej pas tij dhe në fund një djalosh erdhi duke iu bashkuar atyre.

“Unë e pyeta Abas ibn Abdulmutalibin, ‘Kush është ky, o Abas?’. Ai u përgjigj, ‘Ky është i biri i Abdullahut, nipi i Abdulmutalibit.’ Ai vazhdoi, ‘Ai është gjithashtu djali i vëllait tim. Ai thotë se është Profet. Askush nuk e beson atë përveç kësaj gruaje dhe këtij djaloshi, por ai pretendon se së shpejti do t’i dorëzohen thesaret e mbretërve të Egjiptit dhe të Persisë.’

“Më pas e pyeta, ‘Kush është ajo grua?’ Ai u përgjigj, ‘Ajo grua është bashkëshortja e tij, Hatixhe bint Huvejlid.’

“E pyeta përsëri, ‘Po ai djalosh?’. U përgjigj me qetësi: ‘Djali është i biri i xhaxhait të tij, Ali ibn Ebu Talibi.’

“Kur e pyeta se çfarë po bënin, më tha: ‘Ata po falin namazin’.”

Afif ibn Omeri vazhdoi duke shpjeguar me keqardhjen më të madhe se çfarë e pikëlloi më shumë atë në këtë ngjarje: “Sa do të kisha dashur të isha bërë mysliman atë ditë dhe të isha personi i tretë që falej pas tyre!”