PIONIERJA E PËRPJEKJES

Hatixhja ishte e pasur, por pasuria nuk mund të sigurojë paqe, as nuk mund të mbushë nevojat shpirtërore të njeriut. Ajo merr vlerë ku fitohet dhe shpenzohet për një qëllim dhe për më tepër, në këtë mënyrë kthehet në një thesar të përjetshëm që ndriçon Botën e Përtejme. Për këtë, Hatixhja donte që jeta dhe pasuria e saj të bëheshin të përjetshme, ashtu që ajo mund t’i përdorte ato në shërbim të Profetit dhe kauzës së tij.

Veçanërisht pas kthimit të Profetit paqja qoftë mbi Të nga shpella Hira, ajo i la veç të gjitha dëshirat personale dhe në vend të kësaj punoi ditë dhe natë për ta ndihmuar atë në përpjekjen me mosbesimin e mekasve. Ajo do të trokiste derë më derë, duke shpresuar se të paktën një zemër më shumë do të shijonte besimin. Megjithëse idhujtarët do ta ndiqnin hap pas hapi, në përpjekje për të zhbërë çdo gjë të mirë që kishte bërë, ajo nuk stepej. Sa herë që shikonte bashkë 2 njerëz, ajo do të bashkohej me ta dhe do t’i lutej atyre të shpëtonin jetën e përjetshme përmes ndriçimit të zemrave me besim.

Një nga mënyrat praktike për këtë ishte t’i ftoje njerëzit në shtëpi për gosti. Profeti paqja qoftë mbi Të po ashtu e kishte përdorur këtë metodë. Ai dërgonte Zejd ibn Harithin dhe Ali ibn Ebu Talibin, të cilët ishin adoleshentë asokohe, në çdo rrugë për të ftuar njerëz për darkë, ndërsa Hatixhja qëndronte në shtëpi duke gatuar për të ftuarit.

Në mënyrë që të mbushnin zemra të tjera me bukurinë e besimit, ajo organizoi shumë gosti të tilla, u zgjati dorën atyre në nevojë dhe sakrifikoi pasurinë e saj të pafund në rrugën e Allahut. Vetëm disa vjet pasi kishte ardhur Shpallja në shpellën Hira, Hatixhja nuk kishte më asgjë nga pasuria e saj dhe ishte në gjendje nevoje.

Ajo e dinte se edhe më e çmuara nga të mirat materiale nuk mund të ishte më e rëndësishme sesa një njeri që kthehej në besimtar, dhe ashtu veproi. Ajo ishte aq bujare saqë besonte se do të ishte një nder i madh të jepte gjithçka kishte, madje edhe jetën e saj për kauzën në të cilën besonte.

Këto sakrifica dhe veprat e saj altruiste i bënë meritat e saj të pakrahasueshme dhe e ngritën në rangun më të lartë të të gjitha grave të botës. Një ditë, Profeti po përshkruante virtytet e saj dhe duke treguar me gisht tokën dhe qiellin, tha: “Merjemja, nëna e Isait, është më e mira ndër gratë e Parajsës dhe Hatixhja, e bija e Huvejlidit është më e mira ndër gratë e Tokës.”

Profeti pohoi se Hatixhja ishte një nga 4 gratë më të mira të të gjitha grave në historinë e njerëzimit.