UDHËTIMI NË DAMASK

Më në fund karvani nisi udhëtimin që do të zgjaste 3 muaj. Gjatë këtij udhëtimi, pjesëtarët e karvanit patën mundësinë të njiheshin më afër me Muhamed Eminin. Pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, ata mbërritën në Damask. Gjithsecili kishte punët e tij në tregje dhe dyqane, në mënyrë që të shisnin atë çfarë kishin sjellë dhe të blinin mallra të reja.

Në një rast, Mejsere kapi një moment të një debati të ndezur midis Muhamedit paqja qoftë mbi Të dhe një tregtari tjetër. Ai duhet të zbulonte se çfarë po ndodhte sepse do t’i duhej ta raportonte kur të kthehej. Kur iu afrua, e kuptoi që ishte një çështje tregtie. Burri po i kërkonte Muhamedit paqja qoftë mbi Të të betohej mbi Latin dhe Uzan, idhujt më të mëdhenj të arabëve. Por si mund të betohej ai mbi këta idhuj të bërë nga dora e njeriut, të cilët i kishte refuzuar gjithë jetën e tij? Sigurisht që Profeti i ardhshëm do ta kundërshtonte këtë kërkesë duke thënë: “Unë, kurrë nuk do të betohem mbi emrat e tyre sepse nuk ka gjë që të më duket më e pavlerë se ato.”

Mejsere nuk ndërhyri fare. Ai ishte i lumtur që kishte qenë dëshmitar i një ngjarjeje të cilën do t’ia tregonte zonjës së tij.

Burri, i cili e pa vendosmërinë e Muhamedit paqja qoftë mbi Të ndërroi mendje për betimin mbi emrat Lat dhe Uza, duke përfunduar tregtinë me kushtet e Muhamedit.

Po ky burrë, më pas, shkoi fshehtas tek Mejsere, e mori veç dhe e pyeti se kush ishte ky njeri që nuk donte të betohej mbi Latin dhe Uzan. Ai e pyeti atë i habitur: ”Kush është ky burrë?

A e njeh ti atë?”

Pastaj, përpara se Mejsere të mund të thoshte diçka, ai shprehu gjykimin e tij dhe i tha: “Mos u largo prej tij, pa dyshim që ai është Profet.”

Tashmë, tregtia në Damask kishte mbaruar dhe ata u nisën për kthim. Ata kishin shitur mallin që kishin sjellë me vete, kishin blerë mall të ri dhe tani po ktheheshin në Mekë. Pasi kishin ecur disi dhe rruga ishte bërë e lodhshme dhe dielli shumë i nxehtë, vendosën të pushonin. Secili gjeti një vend për t’u ulur, ndërsa llogarisnin fitimet dhe çlodheshin. Muhamedi paqja qoftë mbi Të u ul nën hijen e një peme të moçme.

Nuk kaloi shumë dhe Mejsere pa dikë nga larg që po vraponte drejt tyre. Ai ishte murgu i famshëm Nestor, dora vetë, i cili i kishte parë ata prej së largu. Ai shkoi deri te Mejsere dhe pyeti me një frymë: “Kush është ai që po pushon nën atë pemë?”

Për Mejseren kjo ishte një pyetje e lehtë për t’iu përgjigjur. Pa hezituar ai tha: “Ai është Muhamedi, i biri i Abdullahut. Ai është një djalosh nga familja e Hashimit.”

Në fillim murgu tundi kokën, sikur nuk dukej i kënaqur me përgjigjen dhe mënyrën si e tha. Dukej se pyetja e tij kishte qenë retorike. Sjellja e tij tregoi përgjigjen: “Ti nuk e di”, dhe me siguri të plotë i tha Mejseres: “Betohem se nën atë pemë nuk është tjetër veçse një Profet!”

Ai vazhdoi të pyeste Mejseren rreth shenjave më të hasura të profetësisë dhe kur mori përgjigje pozitive për pyetjet, i tha me vendosmëri: “Pa dyshim që ai është Profeti që do të shfaqet dhe ai është i fundit nga Profetët.”

Murgu sidoqoftë nuk u largua. Ishte e qartë se meqë e kishte kaq pranë atë që kishte kërkuar, donte të merrte më shumë informacion për të. Për këtë arsye ai vazhdoi t’i bënte pyetje të tjera Mejseres rreth Profetit të ardhshëm që qëndronte nën pemë dhe donte të dëgjonte nga ai të gjitha ngjarjet që kishte dëshmuar gjatë udhëtimit. Kështu Mejsere filloi të tregonte për ngjarjen e debatit në treg ku Muhamedi paqja qoftë mbi Të nuk pranoi të betohej mbi idhujt. Ngazëllimi i murgut u bë më i madh. Ishte e dukshme që ai nuk mund ta përmbante veten. Gjykimi që kishte dhënë më parë u bë edhe më i qartë dhe ai tha me vetëbesim të plotë: “Betohem se ai është Profeti i pritur. Kujdesuni mirë për të!”

Pasi tha këtë, vrapoi për tek Profeti paqja qoftë mbi Të dhe si fillim e puthi në ballë me respekt, pastaj u përkul në këmbët e tij dhe tha: “Dëshmoj se ti je ai që është parashikuar në Teurat.”

Ndërsa vazhdonin udhëtimin, moti ishte shumë i nxehtë dhe Mejsere u habit kur pa 2 engjëj në formë resh duke bërë hije për të mbrojtur Profetin e ardhshëm. Dy re në një mot kaq të nxehtë… dhe dy re që e ndiqnin ngado. Dy re që shkonin atje ku shkonte ai dhe ndalonin atje ku ndalonte ai…

Muhamedi paqja qoftë mbi Të nga ana tjetër vazhdonte rrugën i qetë sikur asgjë e jashtëzakonshme të mos kishte ndodhur.

Sigurisht, për Mejseren, ky udhëtim kishte qenë ndryshe nga të tjerët. Askush nuk kishte tentuar t’i plaçkiste dhe nuk kishte ndjerë pasiguri në asnjë çast. Të gjitha ato që kishin sjellë në Damask ishin shitur me çmimin më të leverdisshëm dhe çfarë kishin marrë me vete kishte dyfishin e vlerës së investuar. Ishte e qartë se Hatixhja kishte gjetur më në fund cilësitë që kërkonte. Ajo kishte bërë tregti me shumë persona të tjerë, megjithatë, të kishe të bëje me “më të Besueshmin e Njerëzimit”, ishte shumë ndryshe.

Në të vërtetë, Hatixhja nuk e kishte mendjen aspak te malli i tregtisë apo tek fitimet e mëdha. Ajo po priste me ankth kthimin e Mejseres, që të dëgjonte ato çfarë ai kishte për t’i treguar. Mejsere në fillim i tregoi asaj fjalët e murgut. Pastaj i tregoi për dy retë që i kishin ndjekur. Ai gjithashtu i tregoi për incidentin e betimit në Damask, reagimin e Muhamedit dhe ato çfarë burri i tha më vonë. Ai foli shumë për Muhamedin paqja qoftë mbi Të duke thënë çdo detaj të asaj që kishte parë gjatë udhëtimit. Por, nuk mundi të fliste mjaftueshëm rreth qëndrueshmërisë dhe vetëbesimit të jashtëzakonshëm të Muhamedit.

Këto ishin fjalët që Hatixhja kishte shpresuar të dëgjonte. Ajo përpiqej të përmbante pritshmërinë që kishte në shpirt. Si mund të ishte ndryshe? Të gjitha rrugët dhe shenjat të drejtonin për tek ai!

Ajo u ngrit dhe shkoi te mësuesi i saj shpirtëror, Uaraka. Ajo do të ndante me kushëririn çdo gjë që i kishte treguar Mejsere.

Uaraka gjithashtu u ngazëllye nga fjalët që dëgjoi. Ai po ashtu ishte i sigurt që kishte gjetur atë që kërkonte. Ai i tha Hatixhes, e cila po priste përgjigjen e tij: “Nëse ajo që thua është e vërtetë, o Hatixhe, nuk ka dyshim se Muhamedi është Profeti i këtij populli. Unë e dija se nga ky popull do të vinte një Profet dhe kjo është koha e tij.”

Uaraka ishte në pritjeje të vazhdueshme, duke pyetur shpesh veten, “Kur?” dhe duke parashikuar ardhjen e këtij Profeti. Ai kishte shkruar poezi disa herë për këto parashikime, duke përshkruar zhgënjimin e tij për vonesën e shfaqjes së Profetit.

Çdo shenjë të çonte tek Muhamedi paqja qoftë mbi Të, çdo shenjë që Uaraka kishte dëgjuar deri në atë moment, çdo shenjë për të cilën kishte qenë Meka dëshmitare dhe çfarë kishte thënë Mejsere, të gjitha këto të çonin drejt Muhamed Eminit. Hatixhja nuk kishte më asnjë dyshim. Profeti i shumëpritur që ajo kishte ëndërruar prej kohësh, ishte tashmë shumë afër saj. Ajo nuk e kishte në plan të martohej përsëri, sidoqoftë, nuk mund të mendonte ndonjë mënyrë tjetër për të qenë afër tij sesa përmes martesës.