ZEJNEBJA DHE BASHKËSHORTI I SAJ
Siç përmendëm më parë, Ebu Asi nuk iu dorëzua trysnive të ushtruara mbi të për divorc, si një dhëndër i Profetit paqja qoftë mbi Të. Ai nuk e la gruan e tij, Zejneben. Ai ishte një nga liderët e Mekës në pasuri dhe prona, dhe ai ishte i njohur edhe për etikën e shkëlqyer në tregti. Ai gjithashtu ishte nipi i Hatixhes dhe ajo e kishte parë si birin e saj. Kishte qenë ideja e saj ta martonte me Zejneben dhe kur ia kishte propozuar Profetit këtë, ai kishte pranuar pa ngurrim. Kur Shpallja kishte filluar të zbriste, vajzat e Profetit e pranuan Islamin menjëherë, ndërsa dhëndurët deshën të jetonin me zakonet e vjetra. Kjo gjendje i ndikoi të dy djemtë e Ebu Lehebit, Utben dhe Utejben, të cilët qenë gati të prishnin martesat e tyre, por për Ebu Asin ishte ndryshe. Ai kishte një shtëpi plot paqe, një vajzë të quajtur Umame dhe një djalë të quajtur Ali.
Në të njëjtën kohë, megjithëse kishte respektin dhe konsideratën më të madhe për vjehrrin e tij, Muhamed Eminin, dhe vjehrrën dhe tezen e tij, Hatixhen, ai prapë nuk mundi t’i rezistonte trysnisë së Kurejshëve mbi të. Ai kishte frikë se ata mund të thoshin: “Ai nuk mund t’i bëjë ballë gruas së vet! Ai la fenë e të parëve për t’u bërë mysliman prej saj.” Për këtë shkak ai nuk mund të pranonte Islamin. Për këtë Zejnebja nuk mundi të emigronte me babain e saj dhe në vend të kësaj qëndroi në Mekë me bashkëshortin.
Më së fundi emigrimi përfundoi dhe ishte afruar Lufta e Bedrit. Presionet mbi Ebu Asin po shtoheshin. Kur erdhi puna tek lufta, idhujtarët e Mekës filluan të bënin presion mbi Abasin dhe Ebu Asin, që ishin njerëz të afërt me Profetin, por që ishin akoma në anën tyre. Për idhujtarët, kjo ishte koha kur këta persona duhet të tregonin përkrahjen e tyre për ta. Në hezitimin më të vogël ata do të thoshin: “Në vend që të qëndronte me karvanin e tij dhe të ruante pasurinë e Kurejshëve, ai u zhduk me gruan dhe ia mbathi.” Ndoshta do të kishte qenë më mirë që ai të mos ua kishte vënë veshin, por Ebu Asi akoma nuk kishte arritur pjekurinë për t’i neglizhuar këto ide.
Si përfundim, Ebu Asi ishte midis idhujtarëve mekas në Luftën e Bedrit. Përleshjet ishin kthyer tashmë në luftë të hapur dhe nuk ishte e qartë se si do të përfundonte. Beteja ishte ndezur dhe myslimanët ishin fitimtarë. Midis Kurejshëve pati të vdekur dhe robër lufte. Ebu Asi u kap rob dhe u burgos.
Pati diskutime të gjata sesi të trajtoheshin të burgosurit, sepse kjo ishte hera e parë që ata përballeshin me një çështje të tillë. Më pas u vendos që të liheshin të lirë ata të burgosur që dinin shkrim e këndim dhe u mësonin 10 myslimanëve që nuk dinin. Ndërsa ata që nuk dinin, do të shkëmbeheshin në këmbim të një shpërblimi.
Kur Kurejshët e dëgjuan këtë vendim, filluan të dërgojnë paratë në këmbim të robërve. Zejnebja dërgoi gjerdanin që ia kishte dhuruar nëna e saj, Hatixhja, nëpërmjet Umer ibn Rabias, vëllait të Ebu Asit, për ta liruar nga robëria megjithëse ai ishte idhujtar. Ajo e bëri këtë me shpresë se zemra e tij do të zbutej, duke qenë se ajo e njihte natyrën e tij. Ajo besonte ta përdorte këtë si një mundësi që ai të pranonte Islamin.
Ndërsa vendimi përfundimtar për fatin e robërve të luftës ishte akoma në diskutim, një çantë me para ishte sjellë përpara Profetit. Ata që e sollën thanë: “Ky është shpërblimi që Zejnebja dërgon për të shoqin.”
Ai e hapi çantën dhe pa gjerdanin që i përkiste gruas së tij
të dashur, Hatixhes. Ky gjerdan, të cilin nuk e kishte parë prej shumë kohësh, e dërgoi prapa në kujtimet e Mekës. Sytë e tij po shikonin përsëri të kaluarën. Ky ishte gjerdani që Hatixhja kishte hequr nga qafa e saj dhe ia kishte vënë së bijës ditën e dasmës. Ishte e qartë se nëpërmjet gjerdanit, Atij iu kujtua Hatixhja dhe një ndjenjë përmallimi dhe trishtimi e kaploi gjithë qenien e Tij.
Midis Sahabëve ra heshtja dhe secili mendonte sesi do të shkonte kjo çështje. Qetësia u thye nga fjalët e tij plot dhembshuri. Ai u kthye nga të pranishmit dhe u kërkoi: “Nëse dëshironi, lëreni të lirë robin e Zejnebes dhe kthejani mbrapsht mallin e saj.”
Si të mos e përmbushnin Sahabët një dëshirë të Profetit? A nuk ua kishte lënë atyre në dorë Kurani nëse do t’i lironin me pagesë ose jo, të burgosurit? Menjëherë të gjithë miratuan fjalët e Profetit. Ata nuk donin ta kundërshtonin Atë në asgjë. Jo vetëm kishin konsideratë për çdo kërkesë të hapur, por edhe në çdo gjë që mendonin se Ai dëshironte, do të viheshin në garë për t’i shërbyer Atij, madje përpara se Ai ta kërkonte. Zemrat e tyre ishin tërësisht të dorëzuara.
Në të vërtetë, nëse Ai dëshironte, mund ta kishte zgjidhur çështjen pa u konsultuar fare me Sahabët, sepse Allahu i kishte dhënë atij këtë autoritet dhe ata e kishin vërtetuar atë. Megjithatë, ai po u tregonte rëndësinë e këshillimit në udhëheqje, ashtu siç kishte bërë më parë, edhe me çështjet më delikate. Kur kishin dalë për të ndjekur karvanin e Kurejshëve dhe papritur u përballën me ushtrinë mekase në Bedër, ai vendosi të mos i luftonte ata para se ta diskutonte çështjen me Sahabët për të marrë mendimin e tyre. Muhaxhirët liderë, si Ebu Bekri dhe Omeri kishin dhënë aprovimin e tyre në mënyrë të pakundërshtueshme. Sidoqoftë, asnjë zë nuk po dëgjohej nga Ensarët, njerëzit e Medinës.
Kur e kuptuan që Profeti po priste për një përgjigje nga ana e tyre, Sa’d ibn Muadhi, i cili përfaqësonte Ensarët, u ngrit dhe foli: “Me sa duket, ju po prisni që ne të flasim, o i Dërguari i Allahut! Ne të besojmë dhe të vërtetojmë ty. Ne dëshmojmë se ti na ke sjellë të vërtetën. Ne të japim fjalën dhe të sigurojmë se do t’i mbetemi besnikë asaj. Mund të na drejtosh ku të duash, o Profet i Allahut! Ne do të jemi me ty. Betohem në Atë që të ka dërguar ty se edhe në qoftë se do të na kishe çuar para oqeanit dhe të na kishe urdhëruar ta kalonim atë, do ta kishim bërë pa përjashtimin e askujt. Ne nuk i frikësohemi përballjes me armikun nesër. Ne jemi luftëtarë të guximshëm dhe mund të mbështetesh tek ne deri në fund. Në dashtë Allahu, përmes nesh, Ai do të të dhurojë ty fitoren. Me shpresën tek Allahu i Plotfuqishëm, le të shkojmë përpara, o i Dërguari i Allahut!”
Me një bindje të tillë të pakushtëzuar, çështja në fjalë u zgjidh natyrshëm menjëherë. Përderisa kishte miratimin e tyre nga zemra, Ebu Asi mund të ishte i qetë.
Profeti iu afrua Ebu Asit, u ul në gjunjë duke i pëshpëritur diçka në vesh dhe ai miratoi me kokë në shenjë pranimi. Vetëm Allahu e di çfarë i tha në atë moment.
Çështja ishte mbyllur dhe Ebu Asi bashkë me gjerdanin u nis për në Mekë. Kur dëgjoi për mbërritjen e tij, Zejnebja i doli përpara e ngazëllyer. Ai ishte bashkëshorti i saj dhe po kthehej nga lufta shëndoshë e mirë. A mund të kishte lumturi më të madhe për të?
Por, në sytë e Ebu Asit kishte trishtim. Ishte e qartë se diçka tjetër e shqetësonte atë, duke mjegulluar madje edhe gëzimin e çlirimit nga robëria. Zejnebja e pyeti: “Çfarë ke kështu? Pse je kaq i mërzitur?”
Reagimi ishte sikur të mos ta kishte dëgjuar pyetjen fare. Ishte e qartë se diçka më serioze kishte ndodhur. Zejnebja e pyeti disa herë, duke menduar se nuk mund të gjendet një zgjidhje për një problem pa e njohur se çfarë është.
Më në fund, Ebu Asi filloi të flasë pas një heshtje të gjatë. “Ka marrë fund e dashur! Është koha që ne të ndahemi.” Në dhomë pllakosi heshtja. Ai vijoi: “Po, është e dhimbshme, por…” dhe lotët e penguan të përfundonte. Ajo e kuptoi se ç’po ndodhte dhe filloi të qante me ngashërim. Duhet të kishte një arsye për këtë ndarje që doli nga hiçi. Në fillim ajo kujtoi se ai po i dorëzohej trysnisë së Kurejshëve dhe i tha: “Pra, edhe ti paske rënë në grackën e Kurejshëve dhe po të detyrojnë të bësh çfarë duan ata dhe po më lë?”
Këto fjalë qenë si thika në zemër për Ebu Asin, i cili tha menjëherë: “Jo! Nuk u jam dorëzuar Kurejshëve si Utbe dhe Utejbe. As nuk u kam dhënë fjalën, as nuk kam bërë ndonjë marrëveshje me ta.” Por, cila ishte arsyeja? Zejnebja e pyeti: “Po pse po ndahemi pra?”
I mblodhi të gjitha forcat dhe u përgjigj: “Kam bërë një premtim dhe duhet t’i qëndroj besnik atij.” “Çfarë premtimi? Kujt ia ke bërë këtë premtim?”, e pyeti ajo. Ai u përgjigj: “Babait tënd të bekuar. Ai dëshiron të të dërgoj tek Ai dhe të të them se Islami na ka ndarë. Sipas fesë së tij, nuk është e pranueshme që ti të qëndrosh e martuar me mua!” “Dakord,” u përgjigj Zejnebja, “nëse ti bëhesh mysliman, atëherë ne mund të jetojmë bashkë përsëri dhe të shkojmë në Medine për të jetuar.”
Ebu Asi i tha: “Është e lehtë për ty ta thuash këtë, por e vështirë për mua. A do që Kurejshët të thonë se u bëra mysliman që të qëndroj pranë teje apo që kam frikë se mos bie rob përsëri? A do t’i jepje atyre një armë të tillë kundër meje? Nëse do të kishte qenë ndryshe, ndoshta unë mund të bëja siç the ti, por kështu nuk kam zgjidhje tjetër përveç se të duroj. Bëhu gati të nisesh!”
Ishte e qartë se kishin arritur në një rrugë pa krye. Ajo ishte shumë e trishtuar. Kishte bërë shumë përpjekje, por prapë nuk e kishte bindur që i shoqi të pranonte Islamin. Nga ana tjetër ishte gëzimi i bashkimit me të atin. Nuk mund të kishte lumturi më të madhe, por ajo donte ta ndante më të shoqin këtë lumturi. Ndërsa mendonte këto, Ebu Asi i tha: “Yt atë ka dërguar Zejd ibn Harithin dhe disa nga Ensarët për të të marrë me vete. Ata po të presin në luginën e Jexhuxhit. Nxito dhe mos i lër të presin.”
“A nuk do të vish me mua?” e pyeti ajo për herë të fundit. “Jo, e dashur! Kjo është dëshira e babait tënd dhe unë do të bëj atë që dëshiron Ai.”
Në këtë pikë, i dërrmuar, u largua nga shtëpia në lot. Zejnebja nisi të përgatitej për rrugë. Kur përfundoi së përgatituri plaçkat, Ebu Asi dërgoi të vëllanë, Kinanin, ta shoqëronte për ku po e prisnin. Kështu filloi udhëtimi i trishtuar i ndarjes.
Megjithatë, dukej se ky udhëtim nuk do të ishte i lehtë. Paria e Kurejshëve i doli përpara dhe i ndaluan në një vend të quajtur Dhu Tuva. Një prej tyre ishte Hubar ibn Esuedi, një armik i egër i myslimanëve. Ai ishte bërë si i tërbuar dhe donte të hakmerrej për humbjen e Bedrit. Ai zuri të sulmonte dhe plagosi devenë e tyre me shpatë. Kafsha e mjerë u tremb dhe nuk po mbahej më. Ai vazhdoi ta godiste deri sa ajo u rrëzua duke e hedhur edhe Zejneben përdhé.
Hubari qëndronte mbi devenë e rrëzuar duke treguar shpatën për të mos i lënë të afroheshin dhe u tha: “Betohem se nëse dikush provon të afrohet, do ta bëj copa-copa.” Askush nuk pati guxim të lëvizte.
Atëherë, Ebu Sufjani ngriti zërin: “O vëlla i Ebu Asit! Uli armët dhe na lër të bisedojmë.”
Kunati ishte shpresa e saj e vetme, por Kinani nuk donte të kundërshtonte Ebu Sufjanin dhe nuk veproi. Si mund t’i kundërvihej liderit të fisit të tij? Fjala e tij ishte ligj. Ata ishin në të njëjtën anë. Ai kishte ardhur vetëm për të zbatuar fjalën e Ebu Asit.
Ebu Sufjani tek po afrohej, filloi të flasë: “O bir i Rabias! Ajo çfarë na ndodhi ne nuk ju ndodhi ju, apo jo?” Ai vazhdoi: “Si mund ta lësh këtë grua të largohet kështu në mes të ditës. Ti e di dhimbjen dhe fatkeqësinë që na ra mbi krye për shkak të Muhamedit dhe njerëzve të Tij. Po të të shikojnë që po shoqëron vajzën e tij, do të mendojnë se një fatkeqësi tjetër na ka rënë mbi krye. Ky do të ishte një zhgënjim i madh për ne. Të betohem se ne nuk na duhet vajza e Tij, as nuk do të hakmerremi. Bëj atë që duhet dhe ktheje këtë grua në Mekë në mënyrë që njerëzit të shikojnë që e morëm mbrapsht. Pastaj, në fshehtësi mund ta çosh ku të duash.”
Për Kinanin kjo ishte torturë e vërtetë. Nën rrethana normale kjo do të ishte e papranueshme. Shpeshherë, çështje të vogla si kjo, mund të shpërthenin luftëra shekullore. Puna nuk ishte një luftë feje dhe besimi, por për nderin e familjes dhe kërcënim ndaj njerëzve. Edhe pse ishte e vështirë për t’u pranuar, ai ishte i detyruar të thoshte “po” për shkak të dilemave që po i rëndonin mbi kokë.
Zejnebja ishte plagosur dhe po humbiste gjak. Më vonë do të zbulohej se ajo kishte pasur një abort për shkak të kësaj dhune.
Ata u dorëzuan dhe u kthyen në Mekë, ashtu siç kishte urdhëruar Ebu Sufjani. Ky incident do të bënte jehonë të madhe. Kur e shoqja e Ebu Sufjanit, Hindi, dëgjoi se çfarë i kishin bërë Zejnebes, i lëshoi mallkimet më të ashpra liderëve të Mekës: “Pse nuk treguat një guxim të tillë në Bedër, por me një grua të pambrojtur? Pse bëheni luanë pas luftës dhe nuk i tregoni dhëmbët atëherë kur duhet?”
Disa ditë më vonë, Kinani mori rrugën përsëri me Zejneben, plagët e së cilës ishin duke u shëruar, dhe e la atë me Zejd ibn Harithin.
Pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm arritën në Medine, ku Zejnebja u takua me të Atin dhe të afërmit e saj. Kur ai dëgjoi se çfarë kishte hequr, i Dërguari i Allahut u mërzit pa masë dhe premtoi se ata që kishin bërë një gjë të tillë do të paguanin për këtë.
Kaluan vite dhe fati do t’i bashkonte përsëri në Medinë Zejneben dhe Ebu Asin. Një ditë Ebu Asi u nis për rrugë me një karvan të Kurejshëve. Ai shkoi në Damask, bleu mallra dhe ndërsa po kthehej në Mekë, ndodhi një përleshje dhe ai u kap rob nga medinasit. Atij iu dha mundësia për t’u bërë mysliman, por nuk pranoi. Kur dëgjoi se i shoqi ishte kapur rob, Zejnebja vrapoi për tek xhamia ku i kishin mbledhur dhe tha: “O njerëz! Unë i jap lirinë Ebu Asit, birit të Rabias.”
Në atë moment, Profeti paqja qoftë mbi Të kishte filluar namazin dhe po lutej. Pasi mbaroi lutjet, u kthye nga të pranishmit dhe pyeti: “A e dëgjuat dhe ju atë që dëgjova unë?“ Ata thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.”
Ai vazhdoi: “Betohem në Allah se para se të dëgjoja atë që dhe ju dëgjuat, nuk e dija se çfarë po ndodhte. Sidoqoftë, është detyra jonë që të qëndrojmë në lirinë që dha një myslimane e re.” Më pas, ai u takua me Zejneben dhe foli me të. Pastaj u kthye nga xhamia dhe u tha njerëzve: “Pa dyshim që ju e dini këtë çështje. Mund t’ia jepni mbrapsht pasurinë dhe të kthehet, dhe kjo është ajo që ne duam. Megjithatë, po të doni mund ta mbani pasurinë e tij dhe ta përdorni, sepse ajo është e drejta juaj.”
Besimtarët e kuptuan dhe thanë njëzëri: “O Profet i Allahut! Ne duam t’ia japim mbrapsht të gjithë pasurinë atij.”
Ebu Asi u lirua për të dytën herë. Ai u kthye në Mekë me mallin e tij të paprekur.
Kur arriti në Mekë, ua shpërndau mallin gjithsecilit një nga një. Pasi u ktheu ato që u detyrohej, u tha: “O njerëz të Kurejshëve! A ka ndonjë njeri që pret akoma diçka nga unë?” Ata u përgjigjën: “Jo, ne e kemi parë besnikërinë tënde.” Pas kësaj ai tha: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij! Betohem se ajo çfarë më pengonte të bëhesha mysliman deri tani ishte frika se ju do të mendonit se u bëra për t’ju marrë pasurinë. Allahu më dha mundësinë t’jua kthej plotësisht atë dhe unë tani nuk kam më asgjë tuajën. Unë jam bërë mysliman.”
Kishte ardhur koha t’i thoshte lamtumirë Mekës dhe banorëve të saj. Ai shkoi drejt e në Medinë. Ai shkoi në xhami dhe përsëriti dëshminë e besimit përpara Profetit paqja qoftë mbi Të.
Profeti, i gëzuar pa masë nga kthimi i tij, e martoi përsëri Zejneben me të. Megjithatë, kjo martesë nuk do të zgjaste shumë. Në fillim të vitit të 8-të pas emigrimit në Medine, Zejnebja iu bashkua nënës së saj, Hatixhe, në botën e përtejme. Katër vjet më vonë, Ebu Asi ndërroi jetë gjithashtu.
Ata kishin lënë një vajzë të quajtur Umame dhe një djalë të quajtur Ali. Umame vinte në xhami herë pas here dhe luante me gjyshin e saj, Muhamedin paqja qoftë mbi Të. Ajo i hipte shpesh mbi kurriz kur Ai falej.
Një herë, midis disa dhuratave që i erdhën atij, gjeti një gjerdan. Ai e mori dhe ia vendosi në qafë Umames. Kjo i kishte kujtuar gjerdanin që Hatixhja i kishte vënë në qafë Zejnebes kohë më parë.
Kur Fatimeja e kuptoi se vdekja po i afrohej, e porositi të shoqin, Aliun, që të martohej me Umamen, vajzën e Zejnebes, pasi ajo të ndahej nga jeta. Kështu, pas mbajtjes së zisë për gruan e tij, Aliu u martua me Umamen, ashtu siç kishte dashur Fatimja.