ZONJA E SHTËPISË

Hatixhja dhe Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të nuk ishin vetëm në shtëpinë ku jetonin. Në fakt, prindërit e të dyve kishin vdekur me kohë dhe nuk mund të merrnin pjesë në gëzimin e tyre apo t’i vizitonin ata në shtëpi. Por, fakti se prindërit u kishin vdekur nuk do të thoshte që nuk kishte njerëz të tjerë që jetonin me ta. Është detyra e njerëzve të cilët ia kanë kushtuar jetën e tyre njerëzimit dhe për këdo që ka një ndjenjë përgjegjësie, të kujdeset për ata që janë pa njeri, në nevojë dhe të varfër.

Muhamedi paqja qoftë mbi Të dhe Hatixhja ishin të tillë njerëz. Ata e morën këtë përgjegjësi shumë seriozisht. Për këtë shkak, shtëpia e tyre nuk ishte vetëm për ta, por dyert e saj ishin të hapura për të gjithë. Në fakt, ata po ngriheshin në rangun më të lartë të humanizmit përmes bujarisë së tyre, duke ndarë shtëpinë me njerëzit në nevojë.

Ia vlen të përmendim shkurtimisht ata që ndanë këtë mjedis të ngrohtë familjar me ta.

Përveç besnikërisë dhe mbështetjes në kohë të vështira dhe zie, Muhamedi paqja qoftë mbi Të i kërkoi xhaxhait të tij Abasit, të merrte në kujdesje një nga djemtë e Ebu Talibit, dhe ai vetë i dha atij Ali ibn Ebu Talibin. Me këtë ai deshi t’i tregonte xhaxhait të tij Ebu Talibit, mirënjohjen për kujdesin që ai kishte treguar për të vite më parë. Hatixhja mori rolin e nënës për Aliun në shtëpinë e tij të re.

Aliu, nga njëra anë ishte nën edukimin e profetit, njeriut më fisnik, dhe nga ana tjetër, nën mirësjelljen dhe hijeshinë e Hatixhes.

Zejd ibn Harithi jetoi po ashtu atje. Ky djalosh ishte në fakt i biri i një familjeje të lirë por kishte rënë rob dhe ishte çuar për t’u shitur në tregun e skllevërve. Hakim ibn Hizami, nipi i Hatixhes, e bleu atë në panairin e Ukazit dhe ia dhuroi asaj. Zejdi vazhdoi të shërbente pranë Hatixhes deri kur ajo u martua me Muhamedin paqja qoftë mbi Të. Pas martesës ajo e vuri Zejdin në shërbim të bashkëshortit të saj. Ai më vonë do të adoptohej nga çifti si një bir sepse ai refuzoi të largohej prej tyre. Në të vërtetë, kur vite më vonë, babai dhe xhaxhai i tij erdhën në Mekë për ta marrë atë me vete, ai zgjodhi të qëndronte me Profetin në vend që të kthehej tek prindërit.

Umu Ejmen, të cilën Muhamedi paqja qoftë mbi Të e ka quajtur “nëna ime e dytë” dhe dadoja e tij, ishte nga banorët e shtëpisë së tyre.

Djali i parë i Hatixhes, Hindi, të cilin e kishte me burrin e saj të parë Ebu Halan, u rrit dhe u edukua nga Profeti po në këtë shtëpi të bekuar.

Për një farë kohe, Zubejr ibn Avami do të kishte fatin të jetonte në këtë shtëpi pas vdekjes së babait të tij, Avamit. Ndoshta ishte për shkak të këtij edukimi direkt nga Profeti, që ai do të ishte nga të parët që do të pranonte Islamin dhe do të ishte i pari që do të përdorte armët në mbrojtje të të Dërguarit dhe Islamit.